Reputacioni i mirë në mendimin qytetërimor islam

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në natyrën njerëzore është e rrënjosur një dëshirë e lindur për t’u ngritur lart, për të lënë emër të mirë dhe për ta shtrirë ndikimin përtej kufijve kohorë të jetës së individit. Këto aspirata shpirtërore, kur orientohen në përputhje me objektivat e Sheriatit dhe ligjësitë e zhvillimit qytetërimor, shndërrohen në një energji nxitëse drejt synimeve të larta dhe japin fryte përmes veprave që përmbushin qëllimin e mëkëmbësisë në tokë: adhurimin e Allahut, zhvillimin e tokës dhe dëshminë qytetërimore të umetit islam. Nëpërmjet grumbullimit të përpjekjeve dhe respektimit të standardeve të përpikërisë dhe cilësisë përgjatë kohës, formohet ajo që mund të quhet “kapitali jomaterial” i myslimanit dhe i umetit të tij. Ky kapital mishërohet në atë që njihet si “reputacioni i mirë”, përfitimet e të cilit shtrihen te brezat pasues dhe i cili mund të shfrytëzohet pavarësisht largësisë kohore dhe shtrirjes gjeografike.

1 – Emri i mirë: Thirrja e profetëve dhe shtylla e vazhdimësisë qytetërimore

Në metodologjinë e profetëve, kërkimi i emrit të mirë nuk nënkuptonte shenjtërimin e vetvetes, por aspiratën për vazhdimësinë e ndikimit të mesazhit dhe për ngulitjen e themeleve të së vërtetës në ndërgjegjen njerëzore. Kjo shprehet në lutjen e Ibrahimit (a.s): “Dhe më bëj të përmendem për mirë nga brezat e ardhshëm!”

Imam Razi, në komentimin e këtij ajeti, mendon se kuptimi i tij është: “Lërma një lavdërim të mirë në umetin e Muhamedit (a.s).” Allahu i Madhëruar iu përgjigj lutjes së tij dhe e bashkoi përmendjen e Ibrahimit me përmendjen e të Dashurit të Tij, duke bërë që lavdërimi i mirë për të të vazhdojë brez pas brezi.”

Me këtë lutje, Ibrahimi (a.s) paraqiti një model që shpreh dëshirën e thellë të mikut të të Gjithëmëshirshmit, si dhe të robërve të devotshëm të Allahut në çdo epokë, për të siguruar vazhdimësinë dhe përhapjen e së mirës në të ardhmen.

2 – Reputacioni i mirë: Si e përdorën arabët si “fuqi të butë”?

Arabët, si në periudhën paraislamike, ashtu edhe pas ardhjes së Islamit, e kuptuan se reputacioni nuk është thjesht një tërësi përshtypjesh emocionale, por një “strukturë besueshmërie” mbi të cilën ndërtohen marrëdhëniet politike dhe ekonomike.

A – Besueshmëria si kriter politik dhe moral

Kjo shfaqet qartë në qëndrimin historik të Ebu Sufjan ibn Harbit, para se të përqafonte Islamin, kur Herakliu, perandori i romakëve, e pyeti për Profetin (a.s). Pavarësisht gjendjes së luftës dhe armiqësisë së thellë, Ebu Sufjani nuk guxoi të cenonte reputacionin e Profetit (a.s) apo ta akuzonte atë si gënjeshtar, nga frika se mos dëmtonte kapitalin e tij moral dhe besueshmërinë personale përpara popullit të vet dhe mbretërve.

Kur Herakliu e pyeti: “A e shkel marrëveshjen?”, Ebu Sufjani u përgjigj: “Jo. Megjithatë, ne jemi aktualisht në një periudhë armëpushimi me të dhe kemi frikë se mos e shkel atë.”

Ebu Sufjani e komentoi këtë qëndrim me fjalët: “Nuk gjeta dot asnjë fjalë me të cilën të mund ta zhvlerësoja atë, sepse kisha frikë se mos përhapej prej meje diçka tjetër.”

Ky politikan i mprehtë bëri një vlerësim mes arritjes së një përfitimi egoist të çastit dhe ruajtjes së besueshmërisë së tij të ndërtuar ndër vite, duke zgjedhur të ruante reputacionin e vet moral.

B – Shfrytëzimi i fuqisë parandaluese për arritjen e përfitimeve politike dhe ekonomike

Në mendësinë paraislamike, reputacioni nuk ishte thjesht një histori trimërie dhe lavdie që poetët e këndonin në vargjet e tyre, por shndërrohej në një “fuqi të butë me karakter parandalues”, e cila mbronte interesat gjeoekonomike.

Ky dimension shfaqet në qëndrimin e Ebu Xhehlit në ditën e Bedrit. Kur kurejshët morën vesh se karvani i tyre tregtar kishte shpëtuar dhe disa prej tyre propozuan të ktheheshin, Ebu Xhehli këmbënguli që ushtria të vazhdonte marshimin, duke thënë: “Për Allahun, nuk do të kthehemi derisa të arrijmë në Bedër! Bedri ishte një nga vendtakimet e arabëve, ku çdo vit zhvillohej një treg i madh. Do të qëndrojmë atje tri ditë, do të therim deve, do të shtrojmë ushqim, do të pimë verë dhe këngëtaret do të luajnë e këndojnë për ne. Kështu, arabët do të marrin vesh për ne, për marshimin dhe për ushtrinë tonë, dhe pas kësaj do të na kenë gjithmonë frikë. Prandaj, vazhdoni!”

Ebu Xhehli po ndiqte një strategji për të krijuar një imazh të fuqisë ushtarake të kurejshëve, i cili nuk do të kufizohej vetëm në një nga qendrat e rëndësishme tregtare dhe kulturore të Gadishullit Arabik, siç ishte tregu i Bedrit, por do të përhapej prej andej në të gjithë pjesën qendrore të gadishullit dhe në skajet e tij.

Kjo për shkak se një reputacion i tillë, i mbështetur në fuqinë parandaluese, nënkuptonte garantimin e sigurisë së rrugëve tregtare të kurejshëve, sigurimin e mbërritjes së mallrave dhe të pasurisë, si dhe fitimin e një ndikimi politik që do t’i detyronte fiset t’i respektonin kurejshët kudo që një tregtar apo udhëtar prej tyre të vendosej. Në këtë mënyrë, ata siguronin përfitime ekonomike, politike dhe shoqërore në një rajon ku rendi mbështetej vetëm te forca.

3 – Devijimi konsumist i reputacionit: dukuria e syfaqësisë dhe brishtësia institucionale

Megjithëse reputacioni ka rëndësi për zhvillimin qytetërimor, shndërrimi i tij në qëllim në vetvete e kthen atë në një dukuri patologjike, e cila shkatërron ndërgjegjen e individit dhe të institucioneve. Ndër pasojat e këtij devijimi janë:

Mungesa e dinjitetit personal dhe e përkushtimit ndaj cilësisë në punë: Kur i vetmi motivues i veprimtarisë bëhet lavdërimi nga të tjerët, njeriu humbet vetëkontrollin dhe mbikëqyrjen e brendshme. Ai priret ta kryejë punën në çfarëdo mënyre, vetëm që të deklarojë se e ka përfunduar detyrën që i është ngarkuar, duke u kujdesur vetëm për anën e jashtme dhe duke u përpjekur të fotografohet sa herë që ndihet i sigurt se nuk po mbikëqyret nga njerëzit.

Egoizmi dhe etja për t’u dukur: Veprimtaria njerëzore largohet nga përpjekja për t’i sjellë dobi shoqërisë dhe përqendrohet së tepërmi te ajo që publikojnë rrjetet sociale dhe te ato që individi shënon në jetëshkrimin e tij.

Varësia nga miratimi i të tjerëve: Mungesa e vlerësimit shoqëror çon në ndërprerjen e përpjekjeve dhe tërheqjen nga veprimtaria publike, nëse personi që punon nuk merr vlerësim material apo moral.

Ligjvënësi i Urtë na ka tërhequr vëmendjen për rrezikun e syfaqësisë dhe përmasat e gjera që mund të marrë ajo. Dijetarët dhe intelektualët, ata që japin pasurinë dhe poseduesit e kapitalit, luftëtarët në rrugën e Allahut dhe nismëtarët e ndryshimit, të cilët kryejnë vepra madhështore në shërbim të shoqërive të tyre vetëm për hir të famës, Profeti (a.s) ua zhvlerësoi vlerën e këtyre veprave në Ditën e Kiametit.

Kjo do të thotë se veprat për të cilat ata kanë shpenzuar pasuri, kohë dhe mund, madje ndoshta edhe kanë sakrifikuar jetën, mbeten pa asnjë shpërblim nga Allahu i Madhëruar. Atyre Allahu dhe engjëjt e Tij do t’u thonë: “Ju gënjeni! Ju i bëtë këto vepra që të thuhej për ju (se jeni të tillë), dhe kjo tashmë është thënë.”

Kështu, këto vepra madhore, për të cilat çdo shoqëri ka nevojë, kur zhveshen nga elementi i sinqeritetit dhe i përkushtimit të pastër, shndërrohen në hi e pluhur. Përfundimi i atyre që i kryejnë është privimi nga shpërblimi dhe ndëshkimi në zjarrin e Xhehenemit.

4 – Kurthi i tërheqjes nga zhvillimi i tokës: braktisja e veprimtarisë nga frika e syfaqësisë

Këndvështrimi islam kërkon që njeriu t’i kushtojë rëndësi nijetit, por pa rënë në kurthin e frikës, e cila e çon në një gjendje paaftësie dhe e pengon myslimanin të kryejë vepra të mira dhe të kontribuojë në zhvillim. Ndër mënyrat që përdorin djajtë prej njerëzve dhe xhindëve për ta penguar myslimanin nga veprimtaria e dobishme, është ta bëjnë të mendojë se ai i kryen veprat e mira, që u sjellin dobi njerëzve, me synimin për të fituar famë. Kjo e paralizon veprimtarinë e tij shoqërore, nga frika se mos ngarkohet me mëkat.

E vërteta është se shoqëria nuk mund të bëjë pa nisma publike, përmes të cilave bëhen të njohur njerëzit që i prijnë veprimtarisë qytetare, me qëllim që të tjerët të nxiten të kontribuojnë dhe e mira të bëhet e dukshme, në mënyrë që njerëzit të mos bien në dëshpërim. Kjo duhet shoqëruar me kujdesin e vazhdueshëm për ta ruajtur nijetin dhe për ta përmirësuar atë, si dhe me përkujtimin e fjalës së Allahut të Madhëruar: “Nëse Allahu di se në zemrat tuaja ka mirësi, Ai do t’ju japë më të mirë se atë që ju është marrë.”[1]

Po kështu, duhet të kemi bindjen se synimi për të fituar vetëm kënaqësinë e Allahut të Madhëruar është qëllimi i njerëzve që bëjnë mirë.

5 – Verifikimi dhe kritika njohëse: reputacioni institucional në epokën e falsifikimeve të thella

Në epokën moderne, krijimi i imazhit publik është shndërruar në një “industri të fuqishme”, e cila përdor teknikat e marrëdhënieve me publikun dhe manipulimin mediatik për t’i zbukuruar praktikat e shëmtuara dhe për t’i mbuluar ato. Për këtë arsye, mendimi qytetërimor islam duhet të përvetësojë metodologjinë e verifikimit dhe të shqyrtimit të fakteve, përpara se të ndërtojë partneritete ekonomike apo të përcaktojë orientime politike, duke u mbështetur vetëm te prania në hapësirën mediatike.

Sa e sa subjekte dhe institucione janë ngritur mbi një reputacion të blerë me para dhe mbi blerjen e ndërgjegjes së njerëzve, për të përfunduar më pas në kolaps dhe për të mashtruar investitorët e bashkëpunëtorët! Prandaj, përgjegjësia në fushën e njohjes dhe të gjykimit bëhet veçanërisht e rëndësishme në dy drejtime:

Verifikimi përpara se të ndjekim dikë apo të lidhim partneritete: Duhet të sigurohemi se personat janë të denjë për t’u marrë si shembull dhe për të lidhur partneritete me ta.

Verifikimi përpara se të akuzojmë: Nuk duhet të biem pre e fushatave të zakonshme të vrasjes së figurës dhe të denigrimit, të cilat drejtohen nga ziliqarët dhe kundërshtarët me synimin për të shkatërruar njerëzit e suksesshëm dhe reformatorët.

E keqja e “përzierjes së së vërtetës me të pavërtetën dhe fshehjes së së vërtetës, duke qenë të vetëdijshëm për të”, përbën një agresion të vazhdueshëm, i cili kërkon përballje me largpamësi të vetëdijshme dhe me mendim kritik, që kapërcen paragjykimet e verbra dhe di të trajtojë fushatat mashtruese të promovimit.

6 – Dinamika e përplasjes: denigrimi mediatik si “nxitës i vetëdijes”

Megjithëse fushatat e denigrimit të drejtuara kundër njerëzve të sinqertë kanë pasoja negative, ligjet e zhvillimit qytetërimor bëjnë që kjo përplasje të shërbejë si shkak për të nxitur mendjet e lira të kërkojnë të vërtetën.

Ngacmimet dhe dyshimet e ngritura shndërrohen në sinjale që zgjojnë vetëdijen qytetëruese dhe i shtyjnë njerëzit largpamës të verifikojnë faktet. Kështu, përpjekjet për ta mbuluar të mirën dhe të bukurën kthehen në mjete për përhapjen e tyre. Këtë kuptim shpreh edhe vargu i njohur i poetit Ebu Temmam et-Taij:

“Nëse Allahu dëshiron të përhapë një virtyt që ka mbetur i fshehur,

Ai i mundëson një ziliqari që ta bëjë të njohur me gjuhën e tij.

Sikur zjarri të mos përhapej në atë që ka pranë,

nuk do të njihej aroma e këndshme e drurit të aloes.”

Ashtu siç nxjerr zjarri aromën më të këndshme të temjanit, edhe zjarri i zilisë dhe përpjekjet për denigrim ndihmojnë, pa e kuptuar vetë ziliqari, në nxjerrjen në pah të vlerës së vërtetë të atij që është objekt i zilisë dhe në tërheqjen e vëmendjes ndaj meritave të tij.

7 – Pranimi në qiell dhe në tokë: dashuria që përfshin gjithësinë

Njerëzit me horizont të ngushtë përpiqen ta ndërtojnë reputacionin e tyre përmes mjeteve të jashtme dhe formale. Ndërsa ata që kanë një vizion qytetërimor të lidhur me Allahun, nisen nga puna e palodhur, e cila u sjell dobi njerëzve dhe fiton kënaqësinë e Allahut. Kështu, dashuria për ta përhapet ndër banorët e qiellit dhe të tokës.

Ky kuptim, në përputhje me ligjet hyjnore, shfaqet në transmetimin e Suhejl ibn Ebi Salihut, i cili thotë: “Ndodheshim në Arafat, kur kaloi Omer ibn Abdulazizi, i cili ishte përgjegjës për organizimin e haxhit. Njerëzit u ngritën dhe filluan ta vështronin. I thashë babait: “O baba, më duket se Allahu e do Omer ibn Abdulazizin.” Ai më pyeti: “Përse?” I thashë: “Për shkak të dashurisë që njerëzit kanë për të në zemrat e tyre.” Ai më tha: “Të dhëntë Allahu jetë, biri im! Unë kam dëgjuar Ebu Hurejren të transmetojë nga i Dërguari i Allahut (a.s)…” Pastaj përmendi një hadith të ngjashëm.”

Hadithi profetik i transmetuar nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kur Allahu e do një rob, e thërret Xhibrilin dhe i thotë: “Allahu e do filanin, prandaj duaje edhe ti!” Atëherë Xhibrili e do atë dhe u thërret banorëve të qiellit: “Allahu e do filanin, prandaj duajeni edhe ju!” Kështu, e duan edhe banorët e qiellit, pastaj atij i dhurohet pranimi në tokë.”

Ky pranim në tokë nuk është një produkt i krijuar në botën e ekraneve blu, por fryt i një sistemi të tërë, i cili nis me përmirësimin e brendshëm të njeriut dhe shtrihet në mesin e njerëzve, duke përhapur të vërtetën, të mirën dhe të bukurën, si dhe duke u përqendruar në atë që u sjell dobi.

8 – Reputacioni i mirë si thirrje përmes sjelljes dhe përgjegjësi qytetërimore

A – Thirrja përmes paraqitjes së një modeli konkret

Personi ose institucioni me reputacion të mirë përfaqëson një “model të gjallë praktik”, i cili i nxjerr vlerat dhe normat morale nga kuadri teorik i librave dhe i mishëron ato në fushat e ndryshme të jetës. Kjo bëhet nxitje për të tjerët që të bëjnë mirë, duke bërë që rrethi i veprave të mira të zgjerohet gradualisht, derisa të përfshijë gjithë shoqërinë.

B – Vetmia e reformatorëve dhe imuniteti moral

Në shoqëritë ku standardet morale janë në rënie, njerëzit me reputacion të pastër përballen me trysni shoqërore, të cilat mund t’i detyrojnë të izolohen. Si pasojë, pakësohen qendrat prej të cilave përhapet e mira. Në këto rrethana, mbështetja tek Allahu shndërrohet në mburojën më të fuqishme, që i pengon reformatorët të tërhiqen nga fushat e jetës. Ndërsa lidhja e tyre me Allahun e Madhëruar u siguron një furnizim të vazhdueshëm shpirtëror, i cili ua forcon bindjen në drejtësinë e kauzës së tyre dhe në qëndrueshmërinë e saj.

C – Reputacioni personal dhe reputacioni kolektiv i umetit

Është egoizëm i skajshëm që individi të kujdeset për ndërtimin e reputacionit të vet personal, edhe nëse kjo bëhet në dëm të “reputacionit kolektiv” të fesë dhe të umet-it të tij. Detyrimi për të ruajtur reputacionin e umetit dhe të fesë bëhet edhe më i madh në kushtet e mërgimit dhe në rastin e bashkësive myslimane që jetojnë në shoqëri të tjera. Kjo ndodh sepse sjellja negative e një individi, i cili nuk merr parasysh përkatësinë e tij islame, ndikon në imazhin e përgjithshëm të Islamit, duke sjellë pasoja të rënda qytetërimore dhe politike për tërë praninë islame.

Autor: Muhamed Atije

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Enfal: 70.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *