Kemi thënë, se nga kushtet që duhet të plotësojë transmetuesi, është që të jetë i drejtë (adil) dhe me këtë term nënkuptohet: “Transmetuesi i kryen adhurimet, ndalohet nga mëkatet e mëdha dhe mundohet të ruhet sa më shumë edhe nga mëkatat e vogla”. Që një transmetues të jetë “adil – i drejtë”, duhet të plotësojë këto kushte:
– Të jetë musliman.
– Të jetë i aftë juridikisht sipas Sheriatit.
– Të mos cënojë moralin e tij, të jetë larg shthurjes dhe të mos kryejë veprime që cënojnë anën njerëzore të tij.
Duhet ditur, se “adli – drejtësia” kërkohet nga transmetuesi, në çastin që ai e transmeton hadithin dhe jo në çastin kur e ka mësuar hadithin, pasi ai mund ta ketë mësuar atë, kur ka qenë jomusliman, i shthurur apo bidatçi, por më pas ka pranuar Islamin, apo është penduar për mëkatet e kryera. Këtu përjashtohet rasti i një pesoni, i cili gënjen qëllimisht, duke trilluar hadithe. Transmetimi i një personi të tillë nuk pranohet, edhe nëse ai më pas pendohet për këtë.
Nuk pranohet transmetimi i një jobesimtari, as transmetimi i një fëmije apo një të çmenduri, pasi ata nuk mbajnë përgjegjësi për çfarë thonë. Gjithashtu, nuk pranohen transmetimet e atij që bën mëkate haptas edhe nëse nuk gënjen në të folurin e përditshëm, nuk pranohet transmetimi i atij që transmeton kundrejt pagesës, ashtu siç nuk pranohet transmetimi i atij personi, që më parë ka gënjyer për hadithet dhe më pas është penduar. Dijetarët kanë mendime të ndryshme, në lidhje më këto që u thanë. Më poshtë do të përmenden rastet, kur hadithi refuzohet në parim për shkak të humbjes apo cënimit të besueshmërisë së transmetuesit.
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com



















