Orientalizmi i gjelbër.. Pema fikus dhe riformësimi i hapësirës koloniale në Algjeri
Midis viteve 1850 dhe 1857, drejtori i përgjithshëm i kopshtit “El Hamma”, Auguste Hardy, i paraqiti Ministrisë së Kolonive franceze rekomandime kërkimore, sipas të cilave eksperimentet për futjen e elementeve bimore të huaja në Algjeri dhe kultivimi i tyre përbënin një arritje të madhe sipas vizionit francez. Ai theksoi se bimët e sjella nga Azia Lindore, si pema “fikus”, ishin shpërndarë në qendrat shkencore të kolonisë, me qëllim zgjerimin e eksperimenteve mjedisore mbi bimësinë vendase.
Kërkimet e Auguste-it tregojnë se francezët nuk u përqendruan vetëm te aspekti ushtarak i kontrollit të kolonive, por politikat e tyre u shtrinë edhe në elementë të tjerë që lidhen me përcaktimin e identitetit, historisë dhe njeriut. Kolonializmi luajti një rol qendror në “ndryshimin e hapësirës natyrore” në shërbim të interesave të kolonëve, prandaj u sollën “elemente bimore të huaja” në Algjeri, në një nga proceset më të rrezikshme të zëvendësimit ekologjik në koloninë.
Rekomandimet e Auguste-it u pritën me entuziazëm, dhe Franca zhvilloi projektin e saj të quajtur “aklimatizimi i kolonive”, brenda politikave të buta koloniale, gjurmët e të cilave shihen edhe sot në pamjet urbane që kujtojnë krimet historike ndaj popullsisë vendase.
Ky artikull trajton ndikimin e shfrytëzimit kolonial të natyrës algjeriane dhe zhveshjen e saj nga karakteristikat e veta, me qëllim “rishpërkufizimin e mjedisit” në shërbim të hapësirës evropiane, brenda një prirjeje “orientaliste të gjelbër” të udhëhequr nga qendra kërkimore franceze nën maskën e studimeve shkencore.
A ia dolën përpjekjet franceze të ruajnë praninë koloniale në mënyrë të qëndrueshme? Apo pema “fikus” është dëshmitare e një kujtese historike që mban emrin “orientalizëm i gjelbër”?
Orientalizmi i gjelbër
Që nga momenti kur këmbët e kolonizatorit francez shkelën Algjerinë, fushatat e tij ushtarake u shoqëruan njëkohësisht me projekte dëbimi dhe vendosjeje të popullsive të reja.
Dhe nga ato projekte që udhëhiqeshin nga Ministria e Kolonive franceze ishte projekti i përshtatjes së mjedisit algjerian sipas një vizioni që i shërbente karakterit civil kolonial, ku u mobilizuan shumë studiues të shkencave natyrore në kuadër të ekspeditave në terren, të cilat zhvilloheshin paralelisht me rezistencën e ashpër që algjerianët po i bënin pushtimit.
Auguste ishte në krye të një institucioni orientalist që fshihej pas administratës koloniale në përpjekjen e saj për të sjellë një sistem ekologjik krejtësisht të ndryshëm nga ai natyror algjerian, me qëllim krijimin e një hapësire “urbane” që pasqyronte imazhin civil të kolonizatorit dhe ndihmonte në tërheqjen e kolonëve.
Ndër shkencëtarët e përfshirë në atë që quhej “institucionet e orientalizmit të gjelbër”, përmenden Ernest Colin, Louis Charles Trabu dhe oficeri Michel de Maisonoff, ku u dokumentua mbulesa bimore e Algjerisë për të kuptuar “mekanizmat e përshtatjes së bimëve të sjella” nga Azia Lindore, në shërbim të karakterit arkitekturor kolonial.
Për të lehtësuar punën e studiuesve në terren, u krijua kopshti i El Hamma-s që në fillimet e pushtimit francez, si dhe çerdhe eksperimentale në Oran dhe Konstantinë. Aktiviteti i tyre u lidh me administratën bujqësore pas vitit 1848, në kuadër të projekteve të përshtatjes biologjike, ku studimet mbi natyrën lokale kontribuuan në formësimin e një hapësire gjeografike të përshtatur për kolonizatorin.
Këto kopshte të krijuara me bimë të kultivuara përfaqësonin një “krah orientalist” të eksperimenteve mjedisore brenda një rrjeti shkencor që zbatonte politika koloniale, që nuk kufizoheshin vetëm në studimin historik të Algjerisë, por synonin — nën një maskë orientalistike franceze — ta kthenin mjedisin në një fushë njohjeje për dominimin e kolonive.
Në këtë kuadër, institucionet shkencore nën Ministrinë e Kolonive, veçanërisht Shkolla Perandorake e Bujqësisë në El Harrach e themeluar në vitin 1865, përforcuan një qasje hierarkike ndaj hapësirës lokale, duke sjellë pemë si eukalipti dhe fikusi për të mishëruar një model qytetërues evropian.
“Orientalizmi i gjelbër”, që mund të përkufizohet si studimi perëndimor i mjedisit të kolonizuar brenda projekteve të dominimit kolonial, krijoi një model civilizues evropian dhe mundësoi vazhdimësinë historike të pranisë koloniale në jug, përmes një forme “pushtimi biologjik” të mjedisit dhe natyrës lokale, duke kontribuar në riformësimin e kolonive franceze.
Ky drejtim u vendos brenda një kornize institucionale politike, me synime historike, psikologjike dhe ekonomike që kontribuuan në shpërbërjen e disa strukturave sociale lokale.
Prandaj, mund të thuhet se projektet e orientalizmit të gjelbër patën një sukses relativ në riformësimin e hapësirës mjedisore dhe urbane, por mbetën të kufizuara në shkatërrimin e plotë të strukturave sociale dhe kulturore lokale, të cilat vazhduan të shfaqin forma të ndryshme rezistence dhe vazhdimësie.
A ka përfunduar kolonializmi mjedisor?
Qytetet urbane që ndërtoi kolonizatori francez në Algjeri përbëjnë një dëshmi të gjallë të një disfunksioni të strukturave qytetëruese evropiane, ku ato u zbukuruan me pemën fikus të sjellë nga Azia Lindore. Kultivimi i fikusit përfaqësoi një sfidë estetike për francezët, të cilët e konsideruan atë si një “rilindje mjedisore” për vendbanimet e tyre në Algjeri.
“Orientalizmi i gjelbër” konsolidoi një ide të rrezikshme brenda strukturave koloniale, ku ai synoi të godiste themelet sociale dhe psikologjike të popullsisë vendase duke krijuar një hapësirë krejtësisht të ndryshme nga mjedisi i kolonizuar. Qytetet evropiane në Algjeri pasqyronin një shije estetike thjesht perëndimore, ndërsa raportet franceze mbi administrimin e kolonive tregonin se mjedisi algjerian shihej si kaotik dhe duhej riformësuar.
Kjo qasje përçmuese ndaj natyrës lokale kishte për qëllim ndikimin e drejtpërdrejtë në sjelljen e vendasve dhe ofrimin e garancive të sigurisë për kolonët francezë që të migronin në Algjeri.
Francezët imponuan një model të ri të tjetërsimit, të bazuar në dominimin e natyrës dhe krijimin e një hapësire mjedisore të posaçme për evropianët, ku mund të ruhej një prani koloniale e qëndrueshme, gjë që lejoi edhe vendosjen e ligjeve diskriminuese ndaj popullsisë vendase.
Vetë mjedisi u bë barrë për algjerianët, të cilët panë se si pushtimi francez e deformonte tokën e tyre dhe e zbukuronte me elemente të huaja. Madje, studimet orientalistike mbi mjedisin algjerian e paraqisnin atë si të çrregullt, të prapambetur dhe kaotik, për të justifikuar ndërtimin e vendbanimeve koloniale dhe përdorimin e pemës fikus si “hije” të kolonializmit.
Franca synoi “evropianizimin e kolonive” përmes krijimit të qyteteve urbane me arkitekturë perëndimore të zbukuruara me pemë të huaja ndaj natyrës lokale, me qëllim fshirjen e kujtesës vizuale të popullsisë vendase dhe riformësimin e hapësirës mjedisore, duke i dhënë pushtimit një legjitimitet “natyror”. Në këtë kuptim, pemët fikus përfaqësonin një prani të qëndrueshme të kolonializmit dhe një kujtesë të butë midis kolonizatorit dhe të kolonizuarit, duke dëshmuar përpjekjen për të prodhuar një gjeografi të kolonizuar brenda politikave të përshtatjes mjedisore dhe tokës së djegur.
Ideja e pushtimit të tokës bazohet në zhveshjen e çdo simboli që forcon identitetin historik dhe njerëzor të popullsisë vendase. Kolonializmi nuk pranon asnjë kulturë të rrënjosur në dimensionin social dhe natyror; ai e sheh mjedisin si një fushë për dominimin e tjetrit, njësoj si gjuha, feja, letërsia dhe historia.
Kjo ndodhi në Algjeri gjatë pushtimit francez, dhe po ndodh edhe sot në Palestinën e pushtuar, ku Izraeli synon të imponojë politika mjedisore për zhvendosjen e palestinezëve dhe forcimin e pranisë së tij koloniale. Që nga viti 1965, pushtimi sionist ka ndjekur politika përshtatjeje përmes ligjeve planifikuese që rregullojnë proceset e kultivimit.
Thelbi i kolonializmit nuk njeh asnjë identitet të tokës, pasi politika e tij bazohet në riformësim dhe dominim, madje edhe në nivelin e vetë natyrës. Në këtë kuptim, prania e fikusit në kujtesën urbane koloniale mund të kuptohet si një element vizual i lidhur me historinë e riprodhimit të hapësirës.
Autor: Nurudin Rafi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















