– Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sikur njerëzit ta dinin vlerën e ezanit dhe të safit të parë, ata nuk do të mbeteshin pa hedhur short, se kush do ta thërrasë ezanin dhe kush do të qëndrojë në safin e parë”[1]
– Ibn Omeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Muezinit i falen mëkatet deri në atë distancë që i ka arritur zëri. Për të kërkon falje çdo gjë e njomë dhe e thatë. Ai që dëshmon (në ditën e Kiametit) për ezanin që ka dëgjuar (se e ka dëgjuar ezanin), do të lartësohet në 25 shkallë (të Xhenetit)”[2]
– Abdullah ibn Abdurrahman ibn Ebi Sa’asa përcjell nga babai i tij, se Ebu Said Khuderiu (r.a) i ka thënë: “Unë shikoj se ti i do delet dhe bjeshkët. Nëse je me bagëti në bjeshkë, ngrije zërin tënd, sepse çdo xhind apo njeri që e dëgjon ezanin do të dëshmojë për ty”. Këto fjalë, – tha Ebu Said Khuderiu (r.a) – i kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (a.s)”[3]
– Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Imami është përgjegjës, kurse muezini është besnik. O Allah udhëzoi imamët dhe fali muezinët”[4]
– Muauija (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Muezinët janë më qafëgjatët në ditën e Kijametit”[5]
Shprehja “më qafëgjatë”, ka kuptimin: “më të pashëm, më të gëzuar, me pozitë më të lartë”. Allahu i Madhëruar e di më së miri.
– Ukbetu ibn Amir (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu është i kënaqur me atë bari, i cili është në majë të malit, që ngrihet, thërret ezanin dhe falet”. I Lartësuari thotë: “Shikojeni robin Tim! Ai thërret ezanin dhe falet, ai frikësohet nga Unë, prandaj Unë e kam falur atë dhe e kam futur në Xhenet”[6]
Ibn Omeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush thërret ezanin për 12 vjet rresht, e meriton Xhenetin. Për çdo ezan që thërret në ditë, i shkruhen 60 të mira dhe për çdo ikamet 30 të mira”[7]
Është sunet që dëgjuesi i Ezanit të përsërisë fjalët e Ezanit dhe të bëjë duanë pas Ezanit.
Omer ibn Khatabi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (r.a) ka thënë: “Kur muezini thotë: “All`llahu Ekber, All`llahu Ekber”, thoni edhe ju: “All`llahu Ekber, All`llahu Ekber. Kur muezini thotë: “Esh`hedu en la ilahe l`lall`llah”, thoni edhe ju: “Esh`hedu en la ilahe il`lall`llah”. Kur muezini thotë:
“Esh`hedu en`ne muham`meden rrasulull`llah”, thoni edhe ju: “Esh`hedu en`ne muham`meden rrasulull`llah”. Kur muezeni thotë: “Haj`ja alas`salah, ju thoni: “La haule ue la ku`uete il’la bil’lah”. Kur muezini thotë: “Haj`ja alel felah”, ju thoni: “La hauleh ue la ku`uete il’la bil`lah”. Kur muezini thotë: “All`llahu Ekber, All`llahu Ekber”, thoni edhe ju: “All`llahu Ekber, All`llahu Ekber”, kur muezini thotë: “La ilahe il`lall`llah”, thoni edhe ju: “La ilahe il`lall`llah”. Nëse ju i thoni me zemër, meritoni Xhenetin”[8]
Xhabir ibn Abdullah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush thotë, pasi dëgjon muezinin: “All’llahum`me rab`be hadhihid`dauetit`tam’meh, ues`salatil kaimeh, ati muham`medeninl uesilete uel fadileteh ueb`ath`hu mekamen mahmudenil`ledhi uead’tehu, [In`neke la tukhliful miad] – O Zoti ynë! Zoti i kësaj thirrje të përsosur dhe i namazit që po falet. Jepja Muhamedit vendin më të lartë në Xhenet (Uesile) dhe pozitën më të lakmuar. Jepja vendin e lavdëruar (për të ndërmjetësuar), [me të vërtetë Ti nuk e thyen premtimin]” , e meriton ndërmjetësimin tim Ditën e Kijametit”[9]
Autor: Rushit Musallari
[1] – Buhariu dhe Muslimi.
[2] – Ibn Ebi Shejbe. Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.
[3] – Buhariu.
[4] – Ebu Daudi, Tirmidhiue,etj. Hadithi është autentik.
[5] – Muslimi
[6] – Ebu Daudi, Nesaiu, etj. Hadithi është i vërtetë.
[7] – Ibn Maxheh, Darakutni, etj. Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese.
[8] – Muslimi.
[9] – Buhariu.



















