Shenjat e Kiametit: “(Ai është) Njohësi i së fshehtës, dhe nuk ia zbulon askujt të fshehtën e Vet.”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për hazreti Muhamedin, familjen dhe për të gjithë shokët e tij.

Njeriu në përgjithësi ka një dëshirë të thellë dhe pasion të madh për të ditur gjërat e fshehta, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Dhe përmes kësaj dëshire dhe pasioni, dhe prirjes së shpirtit njerëzor për të zbuluar çështjet e fshehta, shumë njerëz kanë rënë në grackën e besimit në bestytni, dhe janë kënaqur me fjalët e fallxhorëve, ku secili pretendon se di të fshehtën, duke harruar fjalën e Allahut të Lartësuar, i Cili thotë: “Thuaj: Askush në qiej dhe në tokë nuk e di të fshehtën, përveç Allahut, dhe ata nuk e ndiejnë se kur do të ringjallen.”[1] Po ashtu e kanë harruar fjalën e Allahut: “(Ai është) Njohësi i të fshehtës, dhe nuk ia zbulon askujt të fshehtën e Vet, përveç ndonjë të dërguari që Ai e pranon (dhe e pëlqen).”[2]

Dhe po ashtu e kanë harruar hadithin e saktë, në të cilin transmetohet se Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “Një ditë, Profeti (a.s) po rrinte me njerëzit, kur erdhi Xhibrili dhe e pyeti: “Çfarë është imani (besimi)?” Ai tha: “Besimi është që të besosh në Allahun, në engjëjt e Tij, në takimin me Të, në të dërguarit e Tij dhe të besosh në ringjalljen.” Ai tha: “Çfarë është islami?” Ai tha: “Islami është që ta adhurosh Allahun dhe të mos i shoqërosh Atij askënd, të falësh namazin, të japësh zekatin e obliguar dhe të agjërosh Ramazanin.” Ai tha: “Çfarë është ihsani (mirësia e lartë në adhurim)?” Ai tha: “Ihsani është që ta adhurosh Allahun sikur ta shihje, dhe nëse nuk e sheh Atë (me sy), ta dish se Ai të sheh ty.” Ai tha: “Kur do të ndodhë Kiameti?” Ai tha: “I pyeturi nuk di më shumë për të se sa pyetësi. Por do të të tregoj për shenjat e tij: kur shërbëtorja të lindë zonjën e saj, dhe kur barinjtë e deveve – të zbathur e të zhveshur – të garojnë në ndërtimin e ndërtesave të larta. Kiameti është një prej pesë gjërave që vetëm Allahu i di.” Pastaj Profeti (a.s) lexoi ajetin: “Vërtet Allahu e ka diturinë për Orën (Kiametin), Ai lëshon shiun dhe di ç’ka në mitër, dhe askush nuk di se ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në cilin vend do të vdesë. Vërtet Allahu është i Gjithëditur, i Gjithëinformuar.”[3]

Nuk ka vend për të folur rreth çështjeve të fshehta (të padukshme dhe të panjohura), përveçse përmes Kuranit Famëlartë ose përmes asaj që Zoti ynë i Lartësuar ia ka zbuluar hazreti Muhamedit (a.s). Gjithçka jashtë kësaj nuk është gjë tjetër veçse hamendësim, për mos të thënë se është gojëdhënë dhe bestytni.

Dija për Kiametin është vetëm te Allahu i Lartësuar

Shumë njerëz pyesin për fundin e kësaj bote dhe flasin për ardhjen e Kiametit (Ditës së Fundit), por e vërteta është se askush në tokë nuk mund ta caktojë kohën e ndodhjes së Kiametit. Kjo sepse kohën e tij nuk e di asnjë melek i afërt dhe asnjë profet i dërguar, kjo është nga dituritë që i përkasin vetëm Zotit tonë të Lartësuar. Allahu i Madhërishëm thotë: “Të pyesin për Orën (Kiametin). Thuaj: Dijen për të e ka vetëm Allahu.”[4] Dhe gjithashtu thotë: “Të pyesin për Orën: kur do të ndodhë ajo? Çfarë di ti për përmendjen e saj? Fundi i saj është te Zoti yt. Ti je vetëm paralajmërues për atë që e ka frikë atë. Atë ditë kur ta shohin atë (Kiametin), do t’u duket sikur kanë qëndruar (në këtë botë) vetëm një mbrëmje ose mëngjes.”[5]

Po ashtu kur Xhibrili (a.s) e pyeti hazreti Muhamedin (a.s) se “Kur do të ndodhë Kiameti?” Ai (a.s) u përgjigj:“I pyeturi nuk di më shumë se sa pyetësi.”

Megjithatë Zoti ynë i Lartësuar e ka informuar të Dërguarin e Tij (a.s) për shenjat e Kiametit, madje e ka informuar për të gjitha ngjarjet që do të ndodhin në univers përpara ardhjes së Kiametit. Dhe këtë fakt e ka konfirmuar edhe vetë Xhibrili (a.s), kur i tha të Dërguarit të Allahut (a.s); “Tregomë për shenjat e saj!” Ai tha:“Kur shërbëtorja të lindë zonjën e saj, dhe kur të shohësh barinjtë – të zbathur, të zhveshur dhe të varfër – duke garuar në ndërtimin e ndërtesave të larta.”[6]

Nuk është çudi që njeriu të flasë për shenjat e saj edhe pse ato janë pjesë e botës së gajbit, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “(Ai është) Njohësi i së fshehtës. Nuk ia zbulon askujt të fshehtën e Tij, përveç ndonjë të dërguari që Ai e pëlqen.”[7] Dhe thotë: “Ata nuk mund të përfshijnë asgjë nga dituria e Tij, përveç asaj që Ai do.”[8]

Prandaj, çdo gjë që i Dërguari i Allahut (a.s) e ka treguar rreth shenjave dhe paralajmërimeve të Kiametit është e vërtetë dhe e saktë, sepse ai (a.s) nuk flet nga mendja e tij. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Pasha yllin kur bie! Shoku juaj (Muhamedi) nuk ka humbur dhe nuk është i mashtruar. Ai nuk flet nga dëshira. Ai nuk është tjetër veçse shpallje që i shpallet. Ia mësoi Ai që ka forcë të madhe.”[9]

Nisur nga ky parim, Allahu i Lartësuar e ka bërë obligim për umetin mysliman që të marrë çdo gjë që i Dërguari i Allahut (a.s) u sjell atyre. Allahu ka thënë: “Dhe çdo gjë që ju jep i Dërguari, merreni atë, dhe çdo gjë që ju ndalon, largohuni prej saj. Dhe kini frikë Allahun, sepse Allahu është i ashpër në ndëshkim.”[10]

Abdullah ibn Amr ibn el-‘Asi (r.a) ka thënë: “Unë shkruaja çdo gjë që e dëgjoja nga i Dërguari i Allahut (a.s) me qëllim që ta ruaja (ta mësoja). Kurejshitët më ndaluan dhe më thanë: ‘A shkruan çdo gjë që e dëgjon? I Dërguari i Allahut (a.s) është njeri; ai flet kur është i zemëruar dhe kur është i kënaqur.’ Kështu që u ndala së shkruari. Pastaj ia tregova këtë të Dërguarit të Allahut (a.s), dhe ai tregoi me gishtin e tij drejt gojës së tij dhe tha: ‘Shkruaj! Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nga kjo (gojë) nuk del veçse e vërteta.[11]’”

Ai (a.s) ka treguar për atë që ka ndodhur dhe për atë që do të ndodhë: I sinqerti, i besuari (i Dërguari i Allahut) na ka treguar për gjërat e fshehta që kanë të bëjnë me Kiametin, dhe umeti është i detyruar ta pranojë këtë dhe ta besojë.

Amr ibn Akhtabi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (r.a) na fali namazin e sabahut dhe u ngjit në minber dhe na mbajti hutbe deri në kohën e drekës. Pastaj zbriti dhe e fali drekën. Pastaj u ngjit përsëri dhe na mbajti hutbe deri në kohën e ikindisë. Pastaj zbriti dhe e fali ikindinë. Pastaj u ngjit përsëri dhe na mbajti hutbe deri sa perëndoi dielli. Ai na tregoi për atë që ka ndodhur dhe për atë që do të ndodhë. Më i dituri prej nesh është ai që ka kujtuar më shumë.”[12]

Omeri (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s)  qëndroi në mesin tonë dhe na tregoi për fillimin e krijimit deri sa banorët e Xhenetit do të hyjnë në vendbanimet e tyre dhe banorët e Zjarrit do të hyjnë në vendbanimet e tyre. E kujtoi ai që e kujtoi dhe e harroi ai që e harroi.”[13]

Hudhejfeja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) më tregoi për gjithçka që do të ndodhë deri në Kiamet. Nuk ka gjë prej tyre që të mos e kem pyetur, përveç një gjëje nuk e kam pyetur: Çfarë do t’i nxjerrë banorët e Medinës nga Medina.”[14]

Si përfundim: Ne kemi nevojë të madhe për të njohur shenjat e Kiametit, që besimi në Ditën e Fundit të forcohet në zemrat tona, sepse forca e besimit në Allahun dhe Ditën e Fundit e shtyn robin drejt vazhdimësisë dhe qëndrimit në rrugë të drejtë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Mjerë për ata që masin mangët, të cilët kur masin nga njerëzit me masë, e marrin plotësisht, por kur ua matin apo peshojnë atyre, ua pakësojnë. A nuk mendojnë ata se do të ringjallen, në një Ditë të Madhe, në ditën kur njerëzit do të qëndrojnë para Zotit të botëve?”[15]

Të lutemi Ty, o Allah, të na e forcosh besimin tonë, derisa të të takojmë Ty, duke qenë Ti i kënaqur me ne. Amin!

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të botëve. I Lartësuar qoftë Zoti ynë prej atyre që ata i përshkruajnë dhe paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Kiametit.

Autor: Ahmed Sherif Na’san

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Neml: 65.

[2] – Sure El Xhin: 26.

[3] – Sure Lukman: 34.

[4] – Sure A’raf: 187.

[5] – Sure Naziat: 42 – 46.

[6] – Muslimi.

[7] – Sure Xhin: 26 – 27.

[8] – Sure Bekare: 255.

[9] – Sure Nexhm: 1 – 5.

[10] – Sure El Hashr: 7.

[11] – Ahmedi dhe Ebu Daudi.

[12] – Muslimi.

[13] – Buhariu.

[14] – Muslimi.

[15] – Sure Mutafifin: 1 – 6.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *