Jeto për Zotin, jo për njerëzit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Krijuesi i Gjithësisë, Allahu i Lartësuar na sjell në këtë botë me një qëllim primar, që ta adhurojmë Atë, t’i bindemi Atij dhe të arrijmë kënaqësinë e Tij. Këtë e ka bërë të qartë në Librin e Tij, ku thotë: “Njerëzit dhe xhindët i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.”[1]

Fatkeqësisht, në realitet ndodh e kundërta. Shumë prej njerëzve nuk jetojnë për Zotin dhe nuk i kushtojnë as edhe një minutë bindjes, adhurimit, përuljes, si dhe nënshtrimit ndaj Tij. Nuk është në mesin e synimeve dhe prioriteteve të tyre arritja e kënaqësisë së Zotit, por ajo për të cilën mundohen e stërmundohen është kënaqësia e vetveteve të tyre dhe njerëzve që i rrethojnë. Të shumtë janë ata që i vret paragjykimi, perceptimi, opinioni, mendimi i të tjerëve mbi ta, e as që duan t’ia dinë se çfarë vendi dhe pozite zënë tek Zoti i tyre. Shprehja që qarkullon në mendjet e tyre është ajo e njohura për të gjithë: “Ç’do të thotë bota?”

Sa e sa prej të rinjve nuk e lënë alkolin, duhanin, lidhjen me femrat, etj,etj, vetëm e vetëm që shoqëria e tyre të mos i paragjykojë; që mos të etiketohen si “çuna mami”, “çuna shtëpie”, “demode”, “jashtë kohe” e lloj-lloj epitetesh të tjera. Ndërsa veprimet dhe veset e pahijshme që janë bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë së atyre, me të cilët shoqërohen, janë diçka mëse normale, e nëse nuk i vepron sipas konceptit të tyre, je ti anormal. Sa e sa vajza nuk e vënë mbulesën islame, vetëm e vetëm nga opinion i rrethit të ngushtë familjar, farefisnor dhe shoqëror; si e si që të mos thonë të tjerët: Ishte gjithë ajo vajzë e bukur, shkoi e u mbulua. Ishte për t’u pirë në kupë, shiko ku përfundoi. E shikojnë sikur ka bërë ndonjë gjynah të pafalshëm, sikur ka bërë ndonjë veprim të pajustifikueshëm. A nuk e dinë që gjërat e bukura dhe me vlerë duhen mbuluar e duhen ruajtur për të zotët e tyre, në mënyrë që jo çdokush të marrë pjesë nga ajo që nuk i takon. Ka vajza të tjera që nuk veshin petkun e fesë islame, vetëm e vetëm nga frika se mos mbesin pa fejuar, pa martuar e se mos u ngelin prindërve në derë. A do t’ia ndalë Allahu rizkun për fejesë e martesë dikujt i cili i bindet urdhrave të Tij, siç është në rastin konkret mbulesa ime? Përkundrazi! Do t’ia lehtësojë, e pse jo, do t’ia mundësojë një bashkëshort të denjë për të dhe për të ardhmen e familjes. Sa e sa të reja vishen me veshje provokative, si e si që t’ju ngjasjnë shoqeve të tyre në aparencë: si e si që të peshkojnë ndonjë djalë, apo të paktën t’i bëjnë përshtypje. E po të vazhdojmë, sigurisht që shembujt s’kanë të mbaruar.

Për shumëkënd, “opinion” është kthyer në xhelatin e tyre dhe është shndërruar në makth, stres, në frikë, e cila nuk shqitet e i shoqëron në vazhdimësi, saqë as gjumin nuk e bëjnë të qetë. Sot, fatkeqësisht ecet me moton e gabuar: “Nuk ka rëndësi se ç’bëj, por si  dukem në sytë e njerëzve.” Imagjinoni në ç’kohë jetojmë. Të jetosh për sytë e botës. Ta jetosh çdo ditë i sforcuar, i prangosur në një farë mënyre, për të vetmen arsye, që të mos dukesh keq para të tjerëve; që të mos krijosh përshtypje negative te të tjerët; ta ndiesh veten si i burgosur brenda trupit tënd, brenda vetes tënde. Pse vepron kështu, kur vet Zoti të krijoi të lirë e ta jep mundësinë ta jetosh jetën i lirë. Pse e kufizon veten për krijesat e Zotit e nuk bën diçka të tillë për vet Zotin? Pse e lëshon veten peng në duart e të tjerëve, të cilët nuk kanë në dorë fatin tënd, e nuk e tregon veten me fjalë dhe me vepra që je rob i Allahut? Pse…

T’i kënaqësh njerëzit është një tunel i errët pa krye, pa dalje, sepse zemrat e njerëzve janë të paqëndrueshme. Sot të duan kur u bën qejfin, e nesër, nëse i cënohet interesi, të urrejnë. Pangopësia e tyre nuk ka limit. Po ta dijë njeriu se sa shpejte harrojnë të tjerët pas vdekjes, (por kjo ndodh edhe gjatë jetës), nuk do të bënte asgjë për t’i kënaqur ata, përkundrazi, do të bënte çdo gjë për ta kënaqur vetëm me Allahun, Atë që nuk e harron asnjë ditë robin e Vet, i jep jetë, i jep shëndet, i jep një mal me të mira, por prapëseprapë njeriu me dritshkurtësinë e vet i injoron gjithë ato të mira, deri në momentin që i humbet, më pas kujtohet se ka një Zot që ia jepte falas, pa pritur prej tij asgjë në këmbim, përveçse ta adhurojë e ta kënaqë.

Madje, bujaria e Allahut kapërcen çdo skaj të logjikës njerëzore. Edhe pse njerëzit mëkatojnë e nuk i përulen. Ai prapëseprapë nuk ia ndalon të mirat e Tij, por i furnizon çdo ditë me të gjitha nevojat që u duhen. Imagjinoni sikur një mëkatari, Allahu t’ia bllokonte shikimin, qoftë edhe për një ditë, në shenjë dënimi dhe ndëshkimi. A do të mëkatonte ai praprë. Kurrësesi! Po sikur t’ia ndalonte të folurin, qoftë për një ditë; po sikur t’ia bllokonte lëvizjen e trupit, qoftë për një ditë. Por jo, Allahu Fuqiplotë me mëshirën e Tij e lë robin e Tij që të reflektojë e t’i kthehet Zotit me falenderim e përkushtim në shenjë mirënjohje e bindje për Madhështinë, e cila karakterizon Krijuesin e Universit.

Një jetë e dhuruar prej Zotit, a nuk duhet që të jetë një jetë dedikuar Atij?! Sigurisht që po, por ku janë mendjet që logjikojnë kështu?! Me besimtarin e devotshëm ndodh ndryshe. Ai e nis ditën me emrin e Zotit, e vijon ditën dhe e mbyll atë me përkujtimin e Zotit. E gjithë jeta e tij është vënë në shërbim të arritjes së kënaqësisë së Allahut, duke përmbushur kështu atë çfarë potencohet në ajetin kuranor: “..jeta ime dhe vdekja ime i përkasin… vetëm Allahut”[2]

Autor: Qani Sulku

[1] – Sure Dharijat: 56.

[2] – Sure El En’am: 162.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.