Një djalosh i ka drejtuar këtë pyetje shejhut të nderuar Ibrahim Sekranit:
Shejh i nderuar! Nëna dhe babai im më kërkojnë shumë gjëra, sakaq unë jam i ngarkuar me studime dhe ata nuk e vënë re një gjë të tillë. Në disa raste, i përgjigjem duke thënë se jam duke mësuar. Si duhet të veproj në të tilla raste?
Përgjigja e shejhut të nderuar (Allahu e ruajttë) është aq e bukur saqë do kisha dëshirë që secili prej nesh ta kishte lexuar.
Pasha Allahun! Mos i këput kanatët e dyerve të Xhenetit. Ti tashmë je duke gërmuar me kazmë minierën e “Rëndesës së veprave të mira në peshore”, prandaj mos e tërhiq dorën kur shikon se xhevahiret po shkëlqejnë para teje.
A e di se sa e sa të rinj janë të privuar nga kjo mirësi në të cilën ti je, për shkak se prindërit e tyre nuk janë gjallë?! Sa herë që ata me mall e nostalgji kujtojnë prindërit e tyre, lëndohen shpirtërisht dhe do të dëshironin me gjithë zemër që qoftë edhe për një çast të kishin mundësi që të silleshin mirë me ata të dy dhe të shuanin etjen e bamirësisë ndaj tyre. Sa e sa të rinj kanë falur namazin e xhenazes për prindërit e tyre e kockat i kanë të dërrmuara?! Sa do të dëshironin ata që qoftë edhe për një çast të mbanin qeset me ushqime që prindërit kishin blerë në treg, t’ju hapnin atyre dyert e makinës për të kryer sadopak disa nevoja të tyre, apo të hynin tek ta bashkë me nipin apo mbesën e tyre teksa ata rreken se kush prej të dyve ta përqafojë, përkëdhelë atë sa më shumë e ai (ajo)me doçkat e tij i prek ata, teksa gëzimi e lumturia shfaqet haptazi në fytyrën e tyre?!
Dhe sa e sa burra hedhin vështrimin në dhomën e nënës së ndjerë tek mbetjet e shisheve të ilaçeve të saj, të cilat ai i ka pasë sistemuar e rregulluar më parë, malli dhe nostalgjia e mundon fort për ato çaste e momente, sakaq ata nuk kanë gjë në dorë dhe ndoshta e fshijnë lotin që i pikon nga dhimbja e humbjes dhe mungesës së saj. E nuk ka ka gjë më të hidhur për burrat që njihen për të fortë sesa një pikë loti e derdhur fshehtazi teksa ata kujtojnë prindërit e tyre?!
Unë kam një kushëri i cili e largon mërzitinë duke marrë shaminë e kokës së nënës së tij të ndjerë, për çdo natë flen me të dhe e thith aromën e saj. Pasha Allahun, nëse këtij personi do t’i thuhej se sa jep ti që nëna të të kthehet në jetë, ai me patjetër do të thotë: të gjithë botën.
A nuk e ke vënë re Zoti ynë në Kuranin Fisnik kërkon prej nesh që t’i përulemi Atij. E megjithëkëtë në lidhje me prindërit, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël”[1] Pasha Allahun, a e di se në Kuran nuk mund të jetë përmendur diçka tjetër me tone qortuese e të ashpra sesa idhujtaria?!
E përsa i përket fjalëve të tua se “Nëna dhe babai im më kërkojnë shumë gjëra” Allahu të faltë. Përgjigja është ime është kjo: Ngriji duart lart dhe falendero Allahun që kërkesat e tyre janë të shumta. Kaloja erës në shpejtësi duke ia plotësuar atyre kërkesat dhe ke për ta parë se do të të hapen dyert e mirësive dhe dyert e suksesit do të vijnë nga ajo anë që ti nuk e pret.
A e di se ka njerëz të cilët mërziten kur prindërit u kërkojnë njerëzve të tjerëve diçka, duke jua fshehur hallet që kanë fëmijëve të tyre, sakaq fëmijët i marrin lajmet e nevojave që prindërit kanë nga shokët dhe miqtë e tyre, për t’i bërë ata të lumtur me të. Kurse ty Allahu të ka nderuar me dy prindër që po të nderojnë dhe po tregohen bujarë ndaj teje duke të kërkuar gjëra. E ti ndihesh në siklet pse je në një mirësi?!
Pasha Allahun! A ke parë ndonjë njeri që mbi të, të vërshojnë mirësitë nga Allahu, e ai të ankohet tek njerëzit se përse ato zbresin një nga një, pa rreshtur?! Kërkon të këshillohesh se si të shpëtosh nga presioni i kërkesave të prindërve të tu. Pasha Allahun! A me të vërtetë e ke apo po tallesh?!
O Zot! Çfarë pyetje e pakuptimtë?! Allahu të faltë.
[1] – Sure Isra: 24.