Pastërtia

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nga ana gjuhësore, “Tahara” do të thotë: “pastrim”. Në Fikh, “Tahara” përkufizohet me fjalët: “Pastrim i veçantë dhe i shumëllojshëm si: abdesi, gusli, tejemumi, apo larja e trupit, rrobave dhe vendit”.

Rëndësia e pastërtisë në Islam

Pastërtia ka rëndësi të madhe në Islam, pa marrë parasysh nëse është pastërti konkrete (pastrim i rrobës, trupit ose vendit), apo pastërti jokontrete (larja e gjymtyrëve të abdesit apo larja e plotë e trupit nga xhunubllëku). Pastërtia është kusht i përhershëm për vlefshmërinë e namazit, i cili falet pesë herë në ditë. Duke pasur paraysh se namazi është qëndrim para Allahut të Madhëruar, muslimani duhet të falet duke qenë i pastër dhe kjo pastërti është shenjë madhërimi ndaj Allahut të Madhëruar.

Hadethi (gjendja që obligon vetëm marrjen e abdesit) dhe xhunubllëku (gjendja që obligon guslin) – edhe pse nuk janë papastërti e dukshme -, janë papastërti jokonkrete dhe njeriu ndjehet i papastër kur i përjeton ato, prandaj ekzistenca e tyre është shkak që cënon formën e duhur të madhërimit të Allahut të Madhëruar. Prandaj themi se nëpërmjet pastërtisë (Tahara) arrihet pastrimi i trupit dhe shpirtit.

Rëndësia që Islami i ka kushtuar pastërtisë së muslimanit – qoftë ai pastrim konkret apo jokonkret – është argumenti më i fortë për kujdesin e madh që kjo fe i kushton pastërtisë. Islami është kulmi i pastërtisë dhe bukurisë, mbrojtësi i shëndetit privat dhe publik, ndërtues i trupit të shëndetshëm dhe ruajtës i një ambienti të pastër…. Allahu i Madhëruar i ka lavdëruar të pastërtit me fjalët: “Nuk ka dyshim, se Allahu i do ata që pendohen dhe i do ata që pastrohen”[1]

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ju do të dilni para vëllezërve tuaj, prandaj rregulloni kafshët e transportit dhe rregulloni rrobat, me qëllim që të jeni shenjë (pika orientuese) mes njerëzve. Allahu nuk e do atë që është i neveritshëm dhe nuk i do ata, që qëllimisht sillen si të neveritshëm”[2]

Urtësia e ligjërimit të pastërtisë

Allahu i Madhëruar ka ligjëruar pastërtinë: abdesin, guslin, sunenul fitra dhe mënjanimin nga papastërtitë, në mënyrë që të realizohet e drejta e Tij dhe të ruhet qëllimi i fesë për adhurimin e njeriut dhe mbrojtjen e shëndetit të tij.

Disa nga urtësitë e ligjërimit të pastërtisë janë:

1- Pastërtia është kërkesë e natyrshme e njeriut.

2- Pastërtia rrënjos kuptimin e vlerësimit të njeriut.

3- Pastërtia është element kyç për adhurimin.

4- Pastërita është çelësi i shëndetit personal dhe shoqëror.

Disa nga objektivat e pastërtisë në Islam janë:

1- Zbatimi i urdhërit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij (a.s).

2- Realizimi i adhurimeve sipas formës së kërkuar nga Sheriati.

3- Shlyerja e mëkateve dhe fitimi i sevapeve.

4- Mbrojtja e shëndetit të njeriut dhe ambientit ku jeton.

5- Respektimi i dinjitetit njerëzor.

Pastërtia e kërkuar nga Sheriati është dy llojesh:

1- Pastrimi konkret (pastrimi nga papastërtitë) dhe

2- Pastrimi jokonkret (pastrimi për adhurim).

Pastrimi jokonkret është dy llojesh:

1- Pastrim i madh; i cili obligon larjen e plotë të trupit dhe

2- Pastrim i vogël: i cili obligon vetëm marrjen e abdesit.

Mjetet e pastrimit janë:

Uji, dheu, fërkimi, fshirja, tharja, regjja dhe shndërrimi.

– Me ujë merret abdesi, gusli dhe bëhet pastrimi nga papastërtitë.

– Me dhè merret tejemumi, i cili zëvendëson abdesin dhe guslin.

– Me fërkim arrihet pastrimi i rrobës së ndotur. Kjo është vetëm për disa papastërti.

– Me fshirje bëhet pastrimi i këpucëve, pasi ato fshihen për dheu.

– Me tharje bëhet pastrimi i tokës, pllakave dhe ambienteve të ndryshme.

– Me regjie pastrohen lëkurët e kafshëve. Nga kjo kuptohet, se kalimi i një lënde nga gjendja fillestare (e pisët) në një gjendje tjetër, e bën atë të pastër.

Në përgjithësi, si pastrimi konkret ashtu edhe pastrimi jokonkret bëhet me ujë.

Autor: Rushit Musallari

[1] – Sure Bekare: 222.

[2] – Ebu Daudi (4089), Hakimi (7371) dhe Ahmedi (4/180). Hadithi është i pranuar.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.