Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (sunetin), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar”[1]
Nuk ka dyshim, se shkenca e hadithit është një dije madhështore dhe tepër e dobishme. Nëpërmjet kësaj shkence njihet urtësia e përmendur në ajet. Pra, Suneti i të Dërguarit të Allahut (a.s) sqaron dispozitat e fesë dhe nëpërmjet tij dallohet harami nga hallalli. Suneti është shpjeguesi i Kuranit dhe qartësuesi i objektivave dhe koncepteve të tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë”[2] Kjo nënkupton, se sqaruesi i Kuranit duhet ruajtur, me qëllim që të mos cënohet teksti sheriatik dhe të sigurohet i pastër burimi i dytë i Sheriatit – pra Suneti profetik.
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kjo dituri (Kurani dhe Suneti) mbrohet dhe ruhet brez pas brezi nga transmetues të besueshëm dhe të përkushtuar, të cilët e mbrojnë atë nga interpretimi i ekstremistëve, nga pretenduesit (e rremë) dhe shpjegimet e të paditurve”[3]
Ebu Hanife thotë: “Nëse nuk do të ishte Suneti, nuk do ta kuptonim kurrë Kuranin”[4]
Ibn Dekik Idi thotë: “Interesi fillestar për kërkuesin e hadithit le të jetë njohja e shkencës së hadithit, pasi mendojmë se kjo është gjëja më e rëndësishme për njohjen e hadithit të vërtetë”[5]
Autor: Rushit Musallari
[1] – Sure Ali Imran: 164.
[2] – Sure Nahl: 44.
[3] – Bezari në Keshaf (143). Hadithi është i pranuar.
[4] – “Kauaidut Tahdith” (fq: 70).
[5] – “El Iktirah” (fq: 40).