Profeti Muhamed (a.s) është njeriu më i mirë që ka parë historia e njerëzimit në sipërfaqen e Tokës. Ai është zotëria i bijve të Ademit, është miku i Zotit, vula e profetëve, ai që do të ndërmjetsojë tek Allahu në Ditën e Kijametit. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Në Ditën e Kijametit unë do të jem zotëria i të gjithë bijve të Ademit dhe këtë nuk e them për t’u mburrur. Në dorën time do të jetë flamuri i “Falenderimit” dhe këtë nuk e them për t’u mburrur. Atë Ditë, të gjithë profetët, madje edhe Ademi do të jenë nën flamurin tim e unë do të jem personi i parë që do t’i hapet toka (në ditën e Ringjalljes) dhe këtë nuk e them për t’u mburrur.”[1]
Ai është Profeti ynë, Muhamedi (a.s) të cilin Allahu i Madhëruar e ka dërguar tek të gjithë njerëzit deri në Ditën e Fundit, përgëzuesi dhe paralajmëruesi i njerëzve dhe i xhindeve, arabëve dhe jo arabëve. Ja se i Dërguari i Allahut (a.s) e prezanton veten e tij: “Unë jam Muhamedi biri i Abdullahut, biri i Abdul Mutalibit. Vërtet Allahu i Madhëruar i ka krijuar krijesat dhe më ka përzgjedhur mua më të mirin e tyre. Më pas Ai i bëri ata dy grupe dhe më përzgjodhi mua tek grupi më i mirë. Pastaj Ai i bëri ata fise dhe mua më përzgjodhi tek fisi më i mirë. Pastaj i bëri ata në familje dhe më përzgjodhi mua në familjen më të mirë. Kështu që unë jam më i miri i familjeve dhe më i miri ndër ju.”[2] Ai është i Dërguari i Allahut, të cilin Allahu i Madhëruar e përzgjodhi midis të gjithë njerëzve për të përcjellur mesazhin hyjnor tek të gjithë njerëzimi. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, Allahu ka përzgjedhur Ismailin prej bijve të Ibrahimit, dhe përzgjodhi prej bijve të Ismailit Benu Kenanen, dhe prej Benu Kenaneve përzgjodhi Kurejshët dhe prej Kurejshëve përzgjodhi Hashimitët dhe prej Hashimitëve më përzgjodhi mua.”[3]
Profeti Muhamed (a.s) është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij, është njeriu më i dashur dhe më i afërt tek Allahu. Tek Profeti (a.s) janë mbledhur të gjitha moralet dhe virtytet e profetëve të mëparshëm. Ai (a.s) ka vendosmërinë e Nuhut (a.s), ka besnikërinë dhe sinqeritetin e Ibrahimit (a.s), bindjen dhe nënshtrimin e Ismailit (a.s), butësinë dhe mirësinë e Jakubit (a.s), faljen e Jusufit (a.s), durimin e Ejubit (a.s), qëndrueshmërinë e Musait (a.s), urtësinë e Sulejmanit (a.s) dhe bereqetin e Isait (a.s). Allahu i Madhëruar e pajisi atë me virtyte të larta dhe e ka lavdëruar në Kuranin Famëlartë duke thënë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit.”[4] Dhe mbi të gjitha, ai (a.s) është prijësi i njerëzve të devotshëm, shembulli dhe modeli më i mirë i tyre deri në Ditën e Kijametit.
Njeriu më madhështor
Profeti Muhamed (a.s) nuk ishte mëndjemadh por përkundrazi ishte njeri i thjeshtë dhe modest. Ai (a.s) ishte një njeri nevojtar që gjithmonë i drejtohej Allahut me lutje dhe përgjërim, pendohej dhe kërkonte falje (duke bërë istigfar) tek Ai më tepër se 70 herë në ditë.
Profeti Muhamed (a.s) jetoi në mesin e shokëve të tij si një njeri i thjeshtë, i sjellshëm, i butë i dhembshur, tolerant dhe i mëshirshëm. Ai (a.s) megjithëse ishte Profet i Dërguar nga Allahu i Madhëruar mbi të gjitha ishte njeri si gjithë të tjerët që ha, pi, fle, sëmuret, gëzohet, pikëllohet, pëlqen, urren, martohet dhe ka fëmijë. Ai (a.s) ishte një bashkëshort i mirë, një baba që kujdesej për fëmijët, mik besnik dhe vëlla i sinqertë për shokët e tij, një komandant i shkëlqyer dhe një lider i vërtetë. Ai (a.s) ishte i pajisur me virtyte të larta në të gjitha aspektet.
Profeti Muhamed (a.s) ka qenë njeriu më i sjellshëm dhe më i edukuar, i ka pasë mbajtur lidhjet farefisnore, i donte të varfërit, tregohej modest para tyre, i vizitonte dhe merrte pjesë në xhenazen e tyre, i përgjigjej ftesës së dikujt edhe nëse ai që e ftonte ishte skllav, ishte njeri me sjellje dhe zemër të butë, nuk fliste vetëm se në raste të domosdoshme dhe gjithmonë ishte i buzëqeshur.
Duke përshkruar moralin e Profetit (a.s), Aishja (r.a) ka thënë: “Ai ishte njeriu me moralin më të mirë, nuk ishte vulgar, imoral dhe as njeri që bënte zhurmë e rrëmujë. Ai nuk e kthente të keqen me të keqe, por ishte tolerant dhe falte.”[5] Po ashtu, Aishja (r.as) ka thënë: “Ai (a.s) ka pasë rregulluar sandalet, qepte rrobat dhe punonte në shtëpi ashtu sikurse vepron ndonjëri prej jush.”[6] E në një transmetim tjetër, ajo ka thënë: “Ai ka qenë njeri (si të gjithë të tjerët), paloste rrobat, milte delen dhe i ka pasë bërë shërbim vetes së tij.”[7]Kurse Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) ulej dhe hante në tokë, i lidhte delet dhe i përgjigjej ftesës së skllavit kur e ftonte për të ngrënë bukë elbi.”[8] Kurse Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) asnjëherë nuk e ka sharë ushqimin. Nëse i pëlqente hante dhe nëse nuk i pëlqente nuk e hante.”[9]
Obligimi ynë karshi Profetit (a.s):
Allahu i Madhëruar e ka bërë obligim për ne që ta duam, t’i bindemi dhe ta respektojmë Profetin (a.s). Profeti (a.s) ka thënë: “Askush prej jush nuk beson derisa të jem i dashur për të më tepër se babai i tij, fëmija dhe të gjithë njerëzit.”[10] Duke qenë se ne jemi të urdhëruar që ta duam dhe t’i bindemi atij, atëherë na del si detyrë që të njihemi me biografinë e tij, të pasojmë hapat e tij dhe ta marrim atë si shembull e model në të gjitha aspektet e jetës tonë.
Të duash Profetin (a.s) do të thotë që t’i drejtosh vetes disa pyetje: A vërtet i jam përgjigjur unë urdhrave të tij dhe a jam shmangur prej haramit, për të cilin ai (a.s) na ka urdhëruar që mos ta kryejmë? A po e ndjek unë Sunetin, rrugën dhe metodologjinë e tij? Si sillem unë me njerëzit dhe si është morali im me ta? A është Profeti (a.s) shembulli dhe modeli im? Nëse Profeti (a.s) do të ishte gjallë a thua vallë do të ishte i kënaqur me besimin, adhurimin, përkushtimin, moralin dhe sjelljen time?
Burimi: Revista “Muxhtema”
[1] – Tirmidhiu (3148). Hadithi është Sahih.
[2] – Tirmidhiu (3607). Hadithi është Sahih.
[3] – Ibn Hibani.
[4] – Sure Kalem: 4.
[5] – Ibn Hibani.
[6] – Ahmedi.
[7] – Ahmedi.
[8] – Tabaraniu
[9] – Buhariu.
[10] – Buhariu.