Abdul Mutalibi vdiq në atë kohë, kur nipi i tij i dashur Muhamedi (a.s) ishte 8 – të vjeç. Shqetësimi i Abdul Mutalibit (ndoshta i vetmi) kur ishte në prag të vdekjes ishte se kush do të kujdesej për nipin e tij jetim. Këtë shqetësim të tijin ia parashtroi djemve të tij, të cilët nuk hezituan që kujdeseshin për Muhamedin (a.s), por ai që i dha fjalën babait se do të kujdesej për Profetin ishte Ebu Talibi, megjithëse ai nuk ishte aq i pasur sa vëllezërit e tij. Duke qenë se xhaxhai i tij, Ebu Talibi nuk kishte shumë pasuri, Profeti Muhamed (a.s) vendosi që të punonte me qëllim që t’ia lehtësonte xhaxhait të tij sadopak barrën. Puna që Profeti (a.s) bëri ishte ruajtja e dhenve.
Ebu Hurejra transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo profet që e ka dërguar Allahu ka qenë bari dhensh. Edhe ti ke qenë bari – e pyetën shokët? Po edhe unë kam qenë bari. Unë kam pasë ruajtur dhentë e banorëve të Mekës për disa dinarë.”[1]
Xhabir ibn Abdullahu transmeton: “Ishim bashkë me Profetin (a.s) në Mer Dhahran duke vjelur frytet e drurit të misvakut. Ai na tha: Vilni kokrën e zezë sepse është më e mirë. A ke qenë bari dhensh (që e di këtë gjë) – e pyetën? A nuk ka rujatur dhentë çdo profet – tha ai?!”[2]
Ebu Seidi (r.a) thotë: Barinjtë e deveve dhe dhenve po mburreshin me njëri-tjetrin. I Dërguari i Allahut tha: “Musai (a.s) është dërguar dhe ka qenë bari dhensh, edhe Daudi ka qenë bari dhensh dhe po ashtu edhe unë jam dërguar dhe kam ruajtur dhentë për banorët e Exhjadit (vend në Mekë).”[3]
Ajo ç’ka të tërheq vëmendjen në këto hadithe është fakti se Profeti (a.s) i cili është dërguar si shembull dhe model për mbarë njerëzimin ka qenë bari dhensh, ashtu sikurse edhe profetët e tjerë kanë qenë barinj dhensh. Me të drejtë këtu lind një pyetje: Përse të Dërguarit e Allahut kanë ruajtur dhentë? Në lidhje me këtë pyetje, dijetarët kanë thënë se duke qenë se Profetët janë udhëheqësit dhe liderët e njerëzimit, ata duhet të stolisen me cilësi e tipare të cilat i posedon bariu i dhenve. Imam Karafi ka thënë: [Çdo profet – qysh në vegjëli – është inspiruar që të ruajë dhentë me qëllim që ai të adaptohet dhe të familjarizohet me drejtimin dhe udhëheqjen e njerëzve.Sepse gjatë kohës që ai ruan dhentë mbron delen e dobët se mos lëndohet nga ajo që është më e fortë, tufa e deleve nuk ndjek më të dobëtin, bariu e trajton me butësi qingjin dhe e bashkon tufën që mos të shpërndahet në kohën e kullosjes, ashtu sikurse Profeti vepron edhe me njerëzit gjatë periudhës së profetësisë.][4] Sa të mrekullueshme që janë këto udhëzime për të gjithë liderët dhe udhëheqësit e botës, të cilët nuk duhet që t’i lejojnë të fortit që t’i lëndojnë të dobëtit, por të sillen me butësi ndaj tyre.
Një ilustrim të mrekullueshëm të bariut të dhenve na e paraqet edhe Allahu i Madhëruar në Kuranin Fisnik. E ky ilustrim i mrekullueshëm shfaqet tek Musai (a.s) dhe më specifikisht tek shkopi i tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Ç’është ajo që mban në dorën e djathtë o Musa? Ai u përgjigj: Ky është shkopi im, me të cilin mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia, më shërben edhe për punë të tjera. (Allahu) i tha: Hidhe atë, Musa! Ai e hodhi atë dhe, menjëherë (shkopi) u bë gjarpër që zvarritej. (Allahu) i tha: Merre atë dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë atë në gjendjen e tij të mëparshme.”[5] Ishte ky bari dhensh (Musai) i cili do të dilte në mbrojtje të Benu Israilëve të cilët Faraoni i kishte skllavëruar dhe shtypur: “Ne të dy jemi të Dërguarit e Zotit tënd, lëshoji bijtë e Izraelit që të vijnë me ne dhe mos i mundo!”[6] Gjëja më e habitshme që ne hasim tek historia e thirrjes (davetit) së Musait (a.s) është fakti se ajo fillon me shkopin dhe mbaron po me shkopin: “Dhe Ne i shpallëm Musait: Bjeri me shkopin tënd detit. Menjëherë deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh”[7]
Kurse imam Ibn Haxheri ka thënë: [Urtësia se përse profetët janë inspiruar që të ruajnë delet konsiston në faktin se ata duhet të jenë të përgatitur për misionin e ardhshëm që është udhëzimi i popujve në rrugë të drejtë.][8] Nëse thirrësi në rrugë të Allahut dëshiron që të jetë i suksesshëm në thirrjen e tij, si fillim ai duhet që të jetë praktikuar më parë. Misioni me të cilin Profetët u ngarkuan ishte i vështirë, sepse ata duhet t’i nxirrnin njerëzit nga errësira në dritë, nga errësisra e mosbesimit në dritën e besimit. Dhe si rrjedhojë, përmbushja e këtij misioni me sukses ka nevojë për takat dhe energji njerëzore për ta përballuar. Ruajtja e dhenve nuk është e lehtë, sepse bariu duhet të qëndrojë në këmbë e në lëvizje, në vapë e në të ftohtë, në diell e në shi. E gjitha kjo buron nga forca dhe energjia e njeriut për t’u kujdesur për to. Në një vend tjetër, imami i nderuar thotë: [Ai i cili ruan dhentë mëson butësinë dhe keqardhjen sepse ai cili bën durim teksa merret me ruajtjen dhe grumbullimin e tyre pasi që ato janë shpërndarë, e ka ma të lehtë që të bëjë durim me njerëzit, të cilët ndryshojnë nga njëri-tjetri dhe kanë tabiate të ndryshme.][9] Allahu i Madhëruar thotë: “Ti ishe i butë ndaj atyre, sepse Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje, prandaj t’i fali ata, kërko ndjesë për ta e konsultohu me ta në gjitha çështjet.[10]
Të gjitha llojet e dhenve – në historinë e beduinëve – ka qenë tregues i varfërisë dhe dobësisë, teksa devetë kanë qenë tregues i pasurisë dhe mëndjemadhësisë. Imam Ibn Haxher Askalani ka thënë: [Arsyeja përse profetët kanë qenë barinj dhensh dhe jo të deveve apo të lopëve konsiston në faktin se bariu i dhenve tregon butësi ndaj tyre dhe për shkak se dhentë shpërndahen, ndryshe nga devetë dhe lopët.][11] Nisur nga ky fakt, kush shoqërohet me të dobëtit, të varfërit e kërkon të drejtat e tyre është më i denjë për të udhëhequr e drejtuar. Këtë fakt e dëshmon edhe Herakliu (mbreti i bizantëve) i cili e pyeti Ebu Sufjanin: Kush e ndjek atë (Profetin) të dobëtit apo të fortit? Të dobëtit – u përgjigj Ebu Sufjani. Po kështu është – tha Herakliu, të dobëtit janë ndjekësit e të Dërguarve. Misioni i liderëve është përkujdesja ndaj masës. Bariu i dhenve duhet që t’ju shërbejë dhenve, t’i ruajë ato, të flejë pranë tyre, madje ai mund edhe të ndotet nga papastëritë e tyre, por ai nuk bezdiset nga kjo gjë. Pikërisht këtë gjë kanë pasë vepruar të Dërguarit e Allahut, prandaj edhe Profeti (a.s) ka thënë: “Më kërkoni në mesin e të dobtëve prej jush, sepse ndihma dhe risku nuk ju vjen vetëm nëpërmjet të dobtëve.”[12] Fakti që Profeti (a.s) u tregon shokëve të tij se ai ka qenë bari i dhenve dhe jo i deveve, tregon për thjeshtësinë dhe modestinë e tij. Ai (a.s) me nostalgji kujton të kaluarën e tij dhe e falenderon Allahun e Madhëruar për këtë të mirë. Prandaj ai nuk tregohet arrogant ndaj njeriut të varfër sepse edhe ai vetë ka qenë i varfër, nuk tregohet mëndjemadh ndaj të voglit (në pozitë), sepse edhe ai vetë ka qenë vetë i vogël. “ Tregohet se njëherë tek Profeti (a.s) erdhi një njeri i cili filloi të dridhej përpara tij. Profeti (a.s) i tha: Qetësohu, sepse unë nuk jam mbret. Unë thjesht jam biri i një gruaje që ka pasë ngrënë pastërma”[13]
Bariu i dhenve mësohet që ta nxjerrë riskun nga djersa e ballit dhe mos t’ia shtrijë dorën askujt. Po kështu edhe thirrësi në rrugë të Allahut, nuk ia shtrin dorën askujt por e nxjerr riskun nga djersa dhe puna e tij. Prandaj duke studjuar jetën e Profetit (a.s) do të vërejmë se ai (a.s) as edhe njëherë të vetme nuk ia ka shtrirë dorën mosbesimtarëve. Po kështu kanë qenë edhe të gjithë Profetët e tjerë të cilët i janë drejtuar njerëzve me fjalët: “Ne nuk kërkojmë prej jush as edhe një shpërblim. Shpërblimi ynë është vetëm tek Allahu.” Mirëpo ai i cili ia shtrin dorën njerëzve, veçanërisht zullumqarëve, ai është i destinuar që t’i bindet dhe përulet atyre. Dhe kjo gjë padyshim sjell dëme të parikuperueshme në mejdanin e thirrjes islame. Prandaj pasuria më e mirë për njeriun është ajo pasuri që njeriu e fiton nga puna dhe djersa e tij.
Bariu i dhenve jo vetëm që kujdeset për dhentë në aspektin e kullosjes së tyre, përkundrejt kësaj ai i ruan ato – ditën dhe natën – se mos t’i hajë ujku, apo i ruan nga hajduti apo çdo gjë tjetër. Përballja e bariut me ujkun , apo hajdutin kërkon prej tij që të jetë trim dhe mos të ketë aspak frikë. Po kështu profetët në përmbushjen e misionit të tyre do të përballen me sfida nga më të ndryshmet. Ata do të përballen me armiq nga më të ndryshëm, qofshin ata prej xhindëve apo njerëzve. Padyshim që përballja e tyre me këta armiq kërkon forcë, guxim e trimëri.
Kështu pra, ruajtja e dhenve është shkollë më vete që kërkon forcë fizike, vendosmëri, qetësi, durim, butësi, sinqeritet, trimëri, praktikim, modesti, administrim dhe udhëheqje të drejtë.
[1] – Buhariu (2262).
[2] – Buhariu (5453).
[3] – Edebul Mufred (577). Hadithi është Sahih.
[4] -“Edh Dhekhire”
[5] – Sure Taha: 17-21.
[6] – Sure Taha: 47.
[7] – Sure Shuara: 63.
[8] – “Fet’hul Bari”
[9] – “Fet’hul Bari”
[10] – Sure Ali Imran: 159.
[11] – “Fet’hul Bari”
[12] – Ebu Daudi (2594). Hadithi është Sahih.
[13] – Ibn Maxheh (1101). Hadithi është Sahih.