Dashuria për xhaminë Aksa

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Vlera që do të përpiqemi të përcjellim në këtë temë, do të jetë rreth dashurisë për xhaminë Aksa. Vallë a të pushton ndonjëherë malli për xhaminë Aksa? A e do me gjithë zemër xhaminë Aksa? Vallë çfarë simbolizon për ty kjo xhami? Sa vend zë ajo në jetën tënde? A lutesh që Zoti të të nderojë të falesh në këtë xhami, apo që të bëhesh pjesë e ushtrisë, e cila do ta vendosë atë sërish nën kontrollin e myslimanëve?

Ne nuk duhet të harrojmë se xhamia Aksa zë një vend të rëndësishëm në Islam. Ajo është xhami e dashur për vetë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Ajo është xhamia nga drejtoheshin myslimanët për t’u falur në fillimet e fesë. Ajo është xhamia e tretë e shenjtë për myslimanët, pas Qabesë dhe xhamisë së profetit Muhamed (a.s.). Ajo është xhamia drejt së cilës udhëtoi profeti Muhamed (a.s.) natën e Israsë. Që aty ai u ngjit në udhëtimin e Miraxhit. Ajo është xhami, emri i së cilës ceket në Kuran dhe shoqërohet me epitetin e bekuar. Zoti thotë në Kuran: “I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jerusalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona.” (Isra, 1)

Secili prej nesh, ëndërron të vizitojë Qaben, ashtu siç ëndërron të vizitojë xhaminë dhe varrin e profetit Muhamed (a.s.). Ka myslimanë, të cilëve u rrjedhin lotët rrëke sa herë që përmendet Qabeja dhe xhamia e Profetit (a.s.), nga malli dhe nostalgjia për këto vende të shenjta. Po për xhaminë Aksa, vallë a kemi të njëjtat emocione? A ndjen të njëjtin mall për xhaminë Aksa, siç e ndjen për Mekën dhe Medinën?

Unë e di që do të thuash që është më i pakët dhe kjo është normale. Por, të paktën, a ndjen mall për ta vizituar këtë vend të shenjtë? Nëse do të pyesnin se cilat janë tre qytetet më të dashura për ty, vallë a do të radhitej Kudsi (Jerusalemi) ndër to? Nga dhjetë pikë, sa pikë do t’i jepje dashurisë dhe mallit që ndjen për xhaminë Aksa?

 Profeti Musa (a.s.) drejt xhamisë Aksa

Musai (a.s.) bashkë me popullin e tij, ndoqën rrugën në drejtim të malit Nibo, pasi është rruga më e shkurtër që të çon në xhaminë Aksa. Aty është një pikë e lartë, nga ku mund ta dallosh me sy xhaminë Aksa dhe Kubenë e Shkëmbit. Distanca nga mali Nibo deri në xhaminë Aksa është tridhjetë e ca kilometra. Rruga që ka përshkuar profeti Musa (a.s.) me popullin e tij deri në malin Nibo, tashmë është e shtruar dhe vizitohet nga turistë nga vende të ndryshme.

Musai (a.s.) sa më shumë i afrohej Kudsit, aq më shumë i shtoheshin emocionet dhe malli. Ditën që ai do të vdiste, iu lut Zotit që ta afronte sa më shumë me xhaminë Aksa dhe aty të varrosej. Kurse profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Nuk ndërmerren udhëtime vizite, veçse për tre xhami: Qabeja, xhamia Aksa dhe xhamia ime.”

Sa herë që përmendte xhaminë e Qabes, profeti Muhamed (a.s.) përmendte dhe xhaminë Aksa. Në një hadith, ai thotë: “Një namaz në Qabe vlen sa njëqindmijë namaze. Një namaz në xhaminë time,vlen sa njëmijë namaze. Kurse një namaz në xhaminë Aksa, vlen sa pesëqind namaze.”

Ta duash xhaminë Aksa dhe të dëshirosh të falesh në të, është nga treguesit e besimit dhe të përkushtimit fetar. Kur profetin Muhamed (a.s.) u pyetën se cila ishte xhamia e parë mbi tokë, ai u përgjigj: “Qabeja e shenjtë”. Pyetësi e pyeti: “Po pas saj?” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Xhamia Aksa”. Profeti (a.s.) u pyet: “Sa vite kishte mes tyre, o i dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj: “Dyzet vjet”.

Në këtë vend të shenjtë – në xhaminë Aksa – janë tubuar si asnjëherë më parë, të gjithë profetët e Zotit, nën udhëheqjen e profetit më të madh, profetit Muhamed (a.s.). Ky tubim madhështor, u zhvillua pikërisht në xhaminë Aksa dhe jo në Qabe. Udhëtimi i tij natën e Israsë, kishte si objektiv të parë pikërisht xhaminë Aksa. Miraxhi i profetit Muhamed (a.s.), ndodhi pikërisht nga xhamia Aksa.

Zoti thotë në Kuran: “I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jerusalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar.” (Isra, 1)

Myslimanët morën nën sundimin e tyre të gjithë Shamin, Irakun etj… Umer ibnul Hatabi, Prijësi i Besimtarëve, nuk vajti në asnjërin prej këtyre shteteve, që të merrte në dorëzim çelësat e qytetit kryesor. Por, kur u mor Jerusalemi, ai udhëtoi në të njëjtën rrugë, në të cilën kishte shkelur Musai (a.s.) dhe mori në dorëzim çelësat e Kudsit. Kur mbërriti në Kuds, Umerit i ishin grisur rrobat që kishte veshur. Me ta parë hebrenjtë dhe të krishterët, thirrën: “Ai është, ai është!”, d.m.th., ai që përmendet dhe në librat e tyre të shenjtë, ai që do të marrë në dorëzim çelësat e Kudsit. Cilësitë e atij, i cili do të merrte çelësat e Jerusalemit, ishin: shtat i lartë, rroba të grisura.

Kur erdhi koha për t’u falur, Umerit i kërkuan të falej në kishën e Ringjalljes. Por Umeri, duke qenë se i besonte bashkëjetesës mes feve, refuzoi të falej në kishë. Ai u tha: “Po të falem në kishë, brezat që do të vijnë do ta shndërrojnë në xhami, me pretekstin se është falur Prijësi i Besimtarëve, Umer ibnul Hattabi. Jo. Unë do të falem në një vend jashtë kishës.” Sot e kësaj dite kisha e Ringjalljes vazhdon të jetë kishë, për shkak të largpamësisë së Umerit.

Gjatë rrugës për në Jerusalem, në tokat e Jordanisë, mbretëria Hashimite ka ndërtuar një lapidar, i cili i dedikohet mesazhit të të gjithë profetëve, mesazh i cili ishte unik dhe i përbashkët.

Kur Umeri mbërriti në Jerusalem, e urdhëroi Bilalin të thërriste ezanin. Gjer atëherë, Bilali nuk kishte thirrur ezan, që nga vdekja e Profetit (a.s.). Kur pa hezitimin e Bilalit, i cili ishte betuar se nuk do të thërriste ezan pas vdekjes së Profetit (a.s.), Umeri i tha: ‘Thërrite ezanin o Bilal! Sot është një ditë që e gëzon të dërguarin e Zotit (a.s.)!”

Bilali qëndroi mbi një kodër të lartë, prej ku ezani buçiti në çdo kënd të Jerusalemit.

Benu Israilët pranë xhamisë Aksa

Që nga mali Nibo, Musai (a.s.) me popullin e tij vërshuan drejt Jerusalemit. Ai ishte qytet që Zoti ua kishte premtuar.

“O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë që Allahu e ka caktuar për ju dhe mos u ktheni prapa, se atëherë do të ktheheni të humbur!” (Maide, 21)

Kur mbërritën diku afro dhjetë kilometra pranë Jerusalemit, Benu Israilët u ligështuan dhe dëshira për të hyrë në Jerusalem u venit. Musai (a.s.) u rrek t’u jepte kurajë dhe zemër që të vazhdonin udhëtimin, derisa ta merrnin Jerusalemin. Ai u foli me fjalë prekëse. Këto fjalë, kanë vlerë dhe për myslimanët e sotëm, ato i drejtohen secilit prej nesh. Këshillat dhe predikimi që Musai (a.s.) mbajti para popullit të tij, janë përmendur në suren Maide.

“Kujto kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im! Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur prej jush bëri profetë, bëri sundimtarë dhe ju dha atë që nuk ia kishte dhënë asnjë populli para jush!” (Maide, 20)

Ai përdori katër stimulues që ta shtynte popullin e tij drejt Jerusalemit. Fillimisht, Musai (a.s.) u kujtoi mirësitë e Zotit, i cili i kishte nderuar me profetë. Ai u kujtoi dhe profetin Jusuf (a.s.), i cili udhëhoqi të gjithë ekonominë e Egjiptit. Me këtë, Musai (a.s.) sikur u thoshte: “Historia juaj është histori krenarie dhe jo nënshtrimi dhe poshtërimi”.

Këto fjalë, të drejtohen dhe ty o mysliman: Mos harro se historia jote është histori lavdie, është histori heronjsh si Umer ibnul Hattabi, Halid ibnu Velidi, është histori e bërë nga profeti Muhamed (a.s.), vula e të gjithë profetëve.

Sa herë që një mysliman vizitonte Qaben dhe xhaminë e Profetit (a.s.), menjëherë nisej të vizitonte edhe xhaminë Aksa. Myslimanët kanë jetuar në atë xhami dhe kanë kaluar një pjesë të jetës në atë vend. Vetë imam Shafiu udhëtonte drejt xhamisë Aksa ku mbyllej atje në itikaf. Aty gjendet një kolonë, e cila mbart emrin e reformatorit Ebu Hamid Gazzali.

 Toka e premtuar

“O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë që Allahu e ka caktuar për ju dhe mos u ktheni prapa, se atëherë do të ktheheni të humbur!” (Maide, 21)

Dikush me të drejtë mund të shtrojë pyetjen: Përderisa edhe Kurani e pranon që Jerusalemi është caktuar për çifutët, atëherë përse pretendojmë ne myslimanët që na përket neve?

Në fakt, Jerusalemi nuk është pronë e askujt. Ai i është caktuar dhe premtuar çdo profeti dhe të dërguari për kohën që jetonin. Meqë asokohe ishte Musai profet, Jerusalemi iu premtua atij dhe popullit të tij. Ata ishin përgjegjës për Jerusalemin për kohën e tyre. Kur erdhi Daudi dhe Sulejmani (a.s.), përgjegjësia kaloi tek ta. Me ardhjen e Isait (a.s.), përgjegjësia për Jerusalemin kaloi tek ai. Me ardhjen e profetit të fundit, Muhamedit (a.s.), përgjegjësia iu la në dorë atij dhe umetit të tij. Prandaj, ajeti i lartpërmendur, ka vlerë dhe fuqi vetëm për kohën e Musait (a.s.).

 Tubimi i profetëve në xhaminë Aksa

Për gjithçka sa përmendëm, gjatë udhëtimit të Israsë dhe të Miraxhit, xhamia Aksa u shndërrua në epiqendër. Në këtë xhami, në kohën e profetit Muhamed (a.s.), u realizua një prej tubimeve më madhështore, ai i të gjithë profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Objektivi kryesor i këtij tubimi, ishte dorëzimi i flamurit në duart e profetit të fundit. Ai që do të ishte përgjegjës për xhaminë Aksa, tashmë ishte profeti Muhamed (a.s.). Për këtë, ky tubim nuk u zhvillua në Mekë.

Me t’u vënë të gjithë profetët dhe të dërguarit në rreshta, Xhibrili (a.s.) nuk thirri askënd tjetër që t’i printe në namaz, por thirri profetin Muhamed (a.s.). Ishte profeti Muhamed (a.s.) ai që u fal si imam para të gjithë profetëve të mëparshëm. Në një hadith, Profeti (a.s.) thotë: “Askush të mos falet si imam, në shtëpinë e tjetrit!”

Meqë ai vetë u fal si imam në xhaminë Aksa, do të thotë se ai është kujdestari dhe përgjegjësi i kësaj xhamie. Edhe kur zbriti pas udhëtimit në qiell, profeti Muhamed (a.s.) para se të shkonte direkt në Mekë, zbriti fillimisht në xhaminë Aksa.

Malin Nibo, ku është varrosur dhe profeti Musa (a.s.), e kanë shkelur shumë këmbë sahabësh, dijetarësh dhe hoxhallarësh.

Ibnu Haxher El-Askalani thotë: “Musai (a.s.) i kërkoi Zotit të varrosej pranë Jerusalemit dhe jo brenda tij, pasi e dinte se përgjegjës i përhershëm për xhaminë Aksa, do të ishte profeti Muhamed dhe jo ai.”

Profeti Musa (a.s.) u varros larg xhamisë Aksa, me qëllim që ti o mysliman ta plotësosh atë që ai e la pa plotësuar.

Përse është quajtur Kuds (i shenjtë)?

Kjo, pasi aty kanë jetuar një numër i konsiderueshëm profetësh. Gjithashtu, në këtë vend të bekuar, janë tubuar si askund tjetër, të gjithë profetët e Zotit. Në këtë tubim, iu dorëzua flamuri i përkujdesjes për xhaminë Aksa, profetit Muhamed (a.s.). Të gjithë profetët, u falën pas profetit Muhamed (a.s.). Vetë profeti Musa (a.s.), Daudi dhe Sulejmani (a.s.), u falën pas tij.

Me këtë rast, dua të sqaroj dy gjëra: E para, jeta vërvitet mes paqes dhe luftës., adhurimit dhe xhihadit. Vetë adhurimi (ibadeti) përbëhet nga adhurimi që ushqen shpirtin dhe adhurimi që ushqen trupin (xhihadi). Edhe vendet e shenjta, janë dy: Ai në Mekë dhe ai në xhaminë Aksa. Meka, është vatra e ushqimit shpirtëror. Kushdo që shkel në atë rrip toke, ndihet i sigurt. Kurse xhamia Aksa, është vatra e xhihadit dhe e reformimit të mbarë jetës në tokë.

E dyta, xhamia Aksa, shërben si termometër për të gjitha vendet e tjera mbi rruzullin tokësor. Nëse kërkon të dish situatën mbi tokë, shih në duart e kujt është xhamia Aksa. Nëse Jerusalemi dhe xhamia Aksa janë në duart e racistëve, gjakderdhësve dhe tiranëve, e tillë është dhe jeta në tokë.

Për këtë, e përsërisim dhe një herë se xhamia Aksa nuk është pronë e askujt. Ajo i përket profetit aktual dhe umetit të tij. Meqë profeti i fundit, është profeti Muhamed (a.s.), atëherë ne myslimanët e meritojmë xhaminë Aksa më shumë se kushdo tjetër.

 Cilësitë e atyre që do të marrin Kudsin

Në ajetet e sures Maide, gjejmë katër cilësi të njerëzve, të cilët do ta marrin dhe do t’i shërbejnë xhamisë Aksa, siç duhet.

“Kujto kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im! Kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur prej jush bëri profetë, bëri sundimtarë dhe ju dha atë që nuk ia kishte dhënë asnjë populli para jush! O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë që Allahu e ka caktuar për ju dhe mos u ktheni prapa, se atëherë do të ktheheni të

humbur!” (Maide, 20-21)

Këto katër cilësi, janë:

1 – Kurajë, trimëri, shpirt i lirë dhe i paepur. Kjo është cilësia dhe tipari i parë i të rinjve, të cilët presim të edukohen për të marrë sërish xhaminë Aksa.

2 – Siguri dhe mbështetje e plotë tek Zoti.

3 – Unitet dhe vëllazëri, larg përçarjes dhe konfliktit.

4 – Lëvizje, produktivitet dhe kontribut.

Të kundërtat e këtyre cilësive, i hasim tek populli i Musait (a.s.), i cili u ligështua dhe refuzoi të hynte në Jerusalem. Zoti thotë në Kuran:

“Ata thanë: “O Musa! Në atë tokë gjendet një popull i fortë – e kundërta e kurajës dhe trimërisë – dhe ne nuk do të hyjmë pa dalë ata e, nëse ata dalin, ne atëherë, me siguri do të hyjmë në të”. Dy burra nga ata, të cilët i frikësoheshin Allahut dhe që Ai i kishte pajisur me mirësi, thanë: “Hyni në portën e qytetit! Kur të kaloni nëpër të, me siguri do të jeni fitues”. Nuk kërkohej prej tyre veçse të hynin brenda, por duke qenë pasivë dhe negativë, refuzuan. Ata ishin joproduktivë, dembelë dhe të plogësht. Si shumë të rinj, të cilët nuk kanë as punë dhe as nuk pranojnë të mësojnë një zanat. “Në qoftë se jeni besimtarë, atëherë mbështetuni tek Allahu!”

Çifutët e kundërshtuan si Musain (a.s.) ashtu dhe këta dy burra dhe refuzuan të hynin në Jerusalem.

“Ata thanë: “O Musa! Kurrsesi nuk do të hyjmë atje, derisa aty të gjenden ata. Kështu që shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu.” (Maide, 22-23)

Përveçse refuzonin urdhrin e profetit të Zotit, ata i përgjigjeshin me një etikë të ulët.

“Musai tha: “O Zoti im! Unë nuk kam fuqi për askënd tjetër veç vetes dhe vëllait, prandaj na veço neve prej këtij populli të pabindur!” (Maide, 24)

Të duash xhaminë Aksa, nuk ka të bëjë aspak me fjalë, teori dhe lot. Nëse e do xhaminë Aksa, duhet të përvetësosh katër cilësitë e lartpërmendura: kurajën dhe trimërinë, sigurinë në ndihmën e Zotit dhe mbështetjen, unitetin dhe vëllazërinë, produktivitetin dhe kontributin. Shkruaji këto katër cilësi dhe vlerësoje veten maksimumi dhjetë pikë për secilën. A ke kurajë dhe a je i guximshëm? A ke bindje e siguri tek Zoti dhe a i mbështetesh Atij? Si i sheh myslimanët e racave të ndryshme, a e ndjen se i ke vëllezër? A je produktiv, a ke kontribut në një fushë të caktuar? A merr nota të mira në shkollë?

Nëse e vlerëson veten me pikët maksimale, atëherë shih shokë të tjerë si vetja dhe punoni për realizimin e ëndrrës.

Duke qenë se Benu Israilët nuk gëzonin asnjërën nga cilësitë e lartpërmendura, u privuan nga hyrja dhe jeta në Jerusalem.

“Allahu tha: “Ajo (toka e shenjtë) u është ndaluar atyre për dyzet vjet. Ata do të bredhin të çoroditur nëpër tokë, por ty mos të të vijë keq për atë popull të pabindur.” (Maide, 26)

Lidhur me ndalimin për të hyrë në Jerusalem, mes dijetarëve myslimanë qarkullojnë dy mendime: Që Jerusalemi u është ndaluar derisa të përmbushin katër cilësitë e mësipërme dhe mendimi i dytë: Që Jerusalemi u është ndaluar të hyjnë përgjithmonë.

Si ndëshkim, çifutët e u dënuan dyzet vjet të humbur në shkretëtirë. Unë kam frikë, se edhe ne myslimanët po përjetojmë një lloj humbjeje virtuale, për shkak se kemi hequr dorë nga katër cilësitë e lartpërmendura.

Ndëshkimi për dyzet vjet, bëhej me qëllim që për dyzet vjet të ndërrohej brezi i vjetër. Kështu, që nga ai çast, roli i Musait (a.s.) do të fokusohej në edukimin dhe terbijetin e të rinjve. Ai synonte të formonte dhe të edukonte të rinj, të cilët i gëzonin të katërta cilësitë. Vetëm atëherë do të mund ta merrnin Palestinën dhe Jerusalemin.

Profeti Musa (a.s.) vdiq pa e parë ëndrrën të realizuar. Nxënësi i tij i zellshëm, Joshua bin Nun, ishte ai që e mori Jerusalemin. Ligjet e Zotit në univers, përfshijnë të gjitha aspektet e jetës. Ashtu siç dielli duhet të lindë çdo ditë në lindje dhe të perëndojë në perëndim, ashtu dhe për të marrë Jerusalemin duhen katër cilësi. Jerusalemi është termometër i tokës dhe nuk mund të merret vetëm me fjalë, lutje dhe adhurim.

Vallë a i përkasim atij brezi që do të marrë Kudsin, apo nuk i përmbushim cilësitë e duhura?

Unë kam frikë se xhamia Aksa nuk zë vend të rëndësishëm në zemrat e myslimanëve. Unë kam frikë se e shohin si një xhami të thjeshtë. Në fakt, ajo është një ndër amanetet, për të cilat do të na pyesë Zoti. Ajo është amanet që na e ka lënë profeti Muhamed (a.s.).

Këto tema, unë i kam përgatitur me qëllim që t’i ndërgjegjësoj myslimanët, por dhe fëmijët e mi mbi rëndësinë e xhamisë Aksa. Ato i kam përgatitur me qëllim që Ditën e Kiametit, të kem çfarë t’i them Zotit. Po ti o vëlla dhe oj motër, çfarë ke bërë për këtë xhami? Përderisa ajo nuk është në duart e myslimanëve, secili prej nesh do të pyetet dhe do të japë llogari.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.