Nuk ka dyshim se thirrja e imam Hasan El-Benës – e cila përforcon faktin se Islami është fe dhe shtet, rend shoqëror dhe metodologji e jetës -, shkaktoi ndryshim të madh në idenë islame të kohës së tij. Në atë kohë, Islami konceptohej si një fe e zhveshur nga fusha politike dhe shoqërore, madje ishte obliguar një konceptim i pjesshëm për Islamin, pra se gjoja kjo fe përbëhej thjesht nga disa adhurime dhe rituale fetare. Ky konceptim i pjesshëm i Islamit nxiste shoqërinë muslimane që të ishte e ngjashme me shoqërinë perëndimore në mënyrën e konceptimit të fesë.
Për këtë arsye, muslimanët patën mospajtime të mëdha rreth konceptimit të Islamit. Disa njerëz e konceptonin Islamin në kufijtë e një adhurimi formal. Kështu, nëse dikush i kryente adhurimet apo shikonte dikë tjetër duke i kryer, ndjehej i qetë dhe gëzohej me këtë fakt. Një person i tillë mendonte se kishte arritur esencën e Islamit. Sot, ky është koncepti më i përkrahur nga pjesa më e madhe e muslimanëve.
Disa të tjerë e konceptonin Islamin vetëm si moral fisnik dhe përjetim shpirtëror. Ata e konsideronin këtë fe thjesht si një ushqim të shijshëm filozofik për mendjen e shpirtin, si dhe një mënyrë për t`u larguar nga materializmi i egër dhe i padrejtë. Ky koncept është i vlefshëm, por nuk është gjithëpërfshirës. Nuk ka ndonjë problem, nëse përdoret si argument fjala e Dërguarit të Allahut (a.s): “Unë jam dërguar për të plotësuar moralet më të vyeshme”([1]), pasi e dimë se Sheriati islam buron dhe përhapet nga një besim, i cili ka në themel të tij moralin. Jo vetëm kaq, por të gjitha marrëdhëniet shoqërore ndërtohen dhe ngrihen mbi moralet e larta. Për këtë arsye, moralet nuk duhet t`i kufizojmë vetëm në rrafshin individual – siç janë besnikëria, vërtetësia, sinqeriteti, apo morale të tjera fisnike.
Dikush tjetër e kufizonte islamin e tij vetëm me admirimin e madh për konceptet e jetës dhe anës praktike të Islamit. Ky person nuk shikonte asnjë filozofi tjetër, por mjaftohej vetëm me këtë konceptim.
Dikush tjetër e konceptonte Islamin si një grumbull besimesh të trashëguara, si disa doke dhe rite të vjetra, që tashmë ishin të panevojshme dhe e pengonin përparimin. Një person i tillë e urren Islamin dhe çdo gjë që ka lidhje me Islamin. Këtë koncept e vëren qartë tek shpirti i atyre, të cilët janë pajisur me kulturë të huaj dhe nuk kanë pasur rast për të kuptuar të vërtetat e patundshme të Islamit. Këta nuk dinë asgjë nga Islami, apo e kanë njohur Islamin sipas një këndvështrimi deformues, për shkak se kanë jetuar me njerëz që nuk e kanë mishëruar siç duhet Islamin.
Në përgjithësi, këta janë pasues apo nxënës të shkollave perëndimore, të cilët thërrasin me të madhe, se nuk ka fe në politikë dhe nuk ka politikë në fe. Këta janë ithtarë të ndarjes së fesë nga shteti dhe këta kanë qenë kundërshtarët e lëvizjeve islame, pa marrë parasysh nëse kanë qenë lëvizje me prapavijë atdhetare, nacionaliste etj, lëvizje të tilla kanë qenë të përhapura në kohën e imam Hasan El-Benës.
Këta itharë e sulmuan aq shumë lëvizjen islame, e cila thërriste në Islamin gjithëpërfshirës dhe mbarëbotëror, aq sa dëgjoje prej tyre se praktikimi i fesë në atë kohë konisderohej si një lloj fanatizmi dhe neglizhimi e përçmimi ndaj jomuslimanëve. Sipas këtyre, kësaj feje i kishte kaluar koha, kishte qenë e vlefshme për një periudhë kohore dhe për një popull që kishte në mesin e tij të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe shokët e tij.
Më pas, këta njerëz u përqendruan në faktin se fetarizmi është një nga veprimet personale, ka lidhje vetëm me individin, i cili thotë: “Besimin e kam në zemër”, “Mes meje dhe Zotit ka lidhje shpirtërore të forta”, “Jepi Çezarit atë që i takon atij dhe jepi Allahut atë që i takon Allahut”, duke harruar se: “Çfarë i takon Çezarit, është e Allahut dhe ajo që i takon Allahut, është e drejtë absolute e Tij, pasi çdo gjë dhe çdo çështje i përket vetëm Allahut të Madhëruar”.
Këto ishin konceptet për Islamin, të cilat imam Hasan El-Bena (Allahu e mëshiroftë) i hasi në kohën e tij. Këto koncepte ishin shfaqur, pasi kishte rënë Kalifati dhe në vendet muslimane nuk ekzistonte më sistemi qeverisës islam. Në një situatë të tillë, armiqtë e Islamit e sulmuan këtë fe me dyshime, gënjshtra, mashtrime dhe pretendime të pavërteta. Ata nxitën koncepte të gabuara dhe të devijuara që nuk përkonin dhe nuk përkojnë me Islamin, me qëllim që të cenonin personalitetin e muslimanit të vërtetë.
Armiqtë e Islamit e dinë se kur personaliteti i një muslimani është i kompletuar – pra kur ai e kupton drejt fenë dhe e zbaton atë – ky musliman përbën një rrezik real për ta. Për këtë arsye, armiqtë e Islamit kanë punuar me të gjitha forcat për shkatërrimin e personalitetit të muslimanit, me qëllim që të mos ketë individë të tillë mbi faqen e tokës. I Dërguari i Allahut (a.s) formoi burra me personalitet dhe morale të larta, rrënjosi Islamin në zemrat e tyre, duke i bërë ata shëmbëlltyrë të Islamit në tokë.
Për individin me personalitet të tillë ka ftuar edhe imam Hasan El-Bena. Nëpërmjet thirrjes së tij, ai ka korrigjuar keqkuptimet që njerëzit kishin për Islamin. Ai ka thënë: “Ne kemi bindje të plotë se dispozitat dhe mësimet e Islamit janë gjithëpërfshirëse dhe sistemojnë të gjitha çështjet e njerëzve, në Dynja dhe në Ahiret. Ne kemi bindjen se kanë gabuar rëndë të gjithë ata, të cilët mendojnë se mësimet e Islamit përfshijnë vetëm aspektet e adhurimit dhe aspekte shpirtërore. Nuk ka dyshim se Islami është besim dhe adhurim, atdhe dhe komb, fe dhe shtet, shpirt dhe punë, Kuran dhe shpatë. Kurani ka folur qartë për të gjitha këto dhe i ka konsideruar thelb dhe ajkë të Islamit. Kurani ka porositur për mirësi në të gjitha këto. Për këtë dëshmon ajeti fisnik: “Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu, që të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu siç të ka bërë mirë Allahu ty”.([2])([3])
Kur ti o musliman lexon Kuran, gjen të sqaruara çështjet e:
– Besimit dhe adhurimit: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë”.([4])
– Qeverisjes dhe politikës: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjykatës për kundërshtitë mes tyre; e pastaj të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”.([5])
– Tregtisë dhe huasë: “O besimtarë! Shkruajeni huanë që ia jepni njëri-tjetrit për një afat të caktuar. Le ta shënojë atë me drejtësi një shkrues ndërmjet jush”.([6])
– Xhihadit, luftës dhe betejës: “Kur të jesh ti (o Muhamed) në mes të besimtarëve dhe të udhëheqësh faljen e namazit (në luftë), atëherë njëri grup prej tyre le të falet me ty dhe le t`i mbajnë pranë edhe armët e veta! Pastaj këta, le të rrinë pas jush dhe le të vijë grupi tjetër, i cili nuk është falur dhe le të falet me ty! Le të jenë syçelë dhe t`i mbajnë armët e veta”!([7])
Kështu janë lidhur “Vëllezërit Muslimanë” me Librin e Allahut të Madhëruar, ata e kanë përthithur atë dhe janë orientuar me të. Ata kanë bindjen e sigurtë se koncepti islam është gjithëpërfshirës, prandaj duhet të mbizotërojë në të gjitha fushat e jetës, të cilat duhet të ngjyrosen vetëm me Islam, duhet të pranojnë gjykimin e tij, si dhe duhet të përshtaten me parimet dhe mësimet e tij. Për këto arsye, Umeti islam duhet ta marrë forcën e tij vetëm nga Islami, nëse dëshiron të jetë Umet islam i kulluar.
Në mënyrë që ky koncept të rrënjoset dhe të zbatohet, imam Hasan El-Bena (Allahu e mëshiroftë) ka përcaktuar objektiva, të cilat kanë lidhje me qëllimin final. Këto objektiva janë:
1- Reformimi i vetes.
2- Formimi i shtëpisë muslimane.
3- Orientimi i shoqërisë.
4- Thirrja drejtuar qeverisë për të zbatuar ligjin e Allahut me metodat e duhura dhe etikën islame.
5- Thirrja për unitet mes të gjithë muslimanëve.
Mënyrat për konkretizimin e këtyre objektivave janë:
Një: Ftesa islame që kontrollohet nga urtësia dhe këshilla e mirë, debati me mënyrën më të mirë, pa imponuar dhe pa përdorur dhunë. Motoja e kësaj ftese është: “Nuk ka imponim në fe”.
Dy: Edukim islam, baza e të cilit është metoda kuranore dhe Suneti i të Dërguarit të Allahut (a.s). Motoja e këtij edukimi është: “Njihe Zotin tënd, fto të tjerët dhe ndërtoje shtetin islam në zemrën tënde”.
Tre: Formimi i familjes muslimane, xhematit dhe më pas qeverisë islame me individët e edukuar, me qëllim që të konkretizohet dhe realizohet qëllimi final, me lejen e Allahut të Madhëruar.
([1]) – Hadith i vërtetë. Ahmedi, vëll. II, f. 381, Hakimi (4221), Bejhakiu në “Sunenu`l-Kubrâ”, vëll. X, f. 191-192, dhe Buhariu në “Edebu`l-Mufrad”, (273).
([2]) – Kurani: Kasas, ajeti: 77.
([3]) – Hasan El-Bena, “Traktatet”, f. 379.
([4]) – Kurani: Bejine, ajeti: 5.
([5]) – Kurani: Nisa, ajeti: 65.