Hyrje
E fillojmë me emrin e Zotit të Lartësuar, që është shumë i dashur dhe i dhembshur me krijesat e Tij. Paqja dhe përshëndetjet më të sinqerta ia dhurojmë profetit Muhamed a.s, shokëve të tij dhe të gjithëve që ndjekin gjurmët e tyre.
Në rreshtat në vazhdim, do i qasemi jetëshkrimit të profetit Muhamed a.s, të dërguarit të fundit nga Zoti. Me këtë qasje, nuk synojmë thjesht prezantimin me të dërguarin e Zotit dhe renditjen e disa ngjarjeve në mënyrë kronologjike. Një ndër synimet kryesore është që të lehtësojmë të kuptuarit e Kuranit famëlartë, pasi, pa ditur dhe kuptuar mirë jetëshkrimin e Profetit a.s, nuk mund të kuptohet Kurani. Të shumta janë ato versete Kuranore të cilat nuk kuptohen veçse pasi t’i referohemi shkakut të shpalljes së tyre, gjë e cila gjendet në jetëshkrimin e Profetit a.s.
Arabët para islamit
Jetëshkrimin e Profetit a.s do e startojmë jo me lindjen e tij, por me një kronologji të shkurtër të periudhës paraislame. Kjo, me qëllim që ta kemi më të lehtë të bëjmë paralelizma mes periudhës paraislame dhe asaj pasislame. Ndryshimet mes dy epokave janë të prekshme, por që nuk mund të kuptohen pa njohur jetëshkrimin e profetit Muhamed a.s.
Në fakt, ti qasesh historisë së arabëve para islamit, është diçka jo e lehtë, pasi është një histori e gjatë. Unë preferova ta startoj me profetin Ibrahim a.s, i cili u urdhërua të marrë të shoqen Haxheren dhe foshnjën Ismailin a.s dhe t’i braktisë në luginën e shkretë të Mekes. Asokohe Qabeja nuk ishte ndërtuar dhe lugina e Mekes ishte e pabanuar, e shkretë dhe pa burime uji. Ibrahimi a.s iu bind urdhrit hyjnor dhe menjëherë u nis nga Palestina për në Mekë, ku la të shoqen dhe djalin foshnje dhe mori rrugën e kthimit.
Haxhereja nuk po e kuptonte sjelljen e çuditshme të Ibrahimit a.s. Si mendonte t’i braktisë në atë luginë të shkretë, pa njerëz, pa ujë dhe pa ushqim?! Ajo filloi ta ndjekë nga pas duke i përsëritur fjalët:”Ku po na lë kështu?!” por pa marrë asnjë përgjigje nga i shoqi. Në fund, ajo e pyeti:”Mos vallë është urdhri i Zotit ky?!” Ibrahimi a.s iu kthye për herë të parë dhe iu përgjigj:”Po.” E bindur dhe e sigurt se Zoti nuk cakton veçse të mirën për besimtarët, ajo iu kthye:”Atëherë nuk do na lërë pasdore.”
Kur i mbaroi uji, Haxhereja e la foshnjen e saj aty ku sot gjendet burimi i Zemzemit dhe përshkoi shtatë herë distancën mes dy kodrave Safa dhe Merva, me shpresë se mos dallon dikë ose zbulon ndonjë burim uji. Sakaq, Xhibrili a.s kishte zbritur pranë Ismailit a.s, kishte goditur tokën me krahun e tij, toka ishte çarë dhe për herë të parë në atë vend të bekuar, kishte filluar të burojë uji i Zemzemit.
Këto ngjarje, zhvilloheshin paralelisht me shembjen e digës Marib në Jemen. Origjina e të gjithë arabëve është nga Jemeni, përveç disa fiseve endacake që gjendeshin aty këtu nëpër shkretëtirë. Diga Marib kishte një rëndësi të madhe për arabët në Jemen, pasi i furnizonte me ujë. Me shembjen e tij, fiset arabe u shpërndanë në të katër anët e Gadishullit Arabik, në kërkim të burimeve të reja të ujit. Kështu, fisi Thekif u vendos në qytetin Taif, Gasasinët u vendosën pranë kufijve me Shamin, Menadhire u vendosën pranë kufijve me Irakun e kështu me radhë.
Kur shpërtheu burimi i Zemzemit, diku aty pranë gjendej fisi Xhurhum, të cilët ishin në kërkim të ujit. Duke ndjerë prezencën e ujit, shumë zogj dhe shpendë filluan të grumbullohen dhe fluturonin rreth e rrotull ujit. Arabët e fisit Xhurhub, i dalluan zogjtë që silleshin rreth e rrotull dhe thanë:”Kurrë më parë në këtë vend nuk ka pasur ujë. Ç’ne këto zogj të grumbulluar atje?!” Menjëherë dërguan disa persona të hetojnë prezencën e ujit. Kur mbërritën, gjetën Haxheren me Ismailin e vogël dhe sigurisht, burimin e Zemzemit. Edhe pse ishin të shumtë në numër dhe të fuqishëm fizikisht, ata i kërkuan leje Haxheres. Ata i thanë:”Ky ujë u përket juve. A pranoni që të banojmë këtu pranë jush dhe t’u paguajmë në këmbim të përdorimit të ujit?” Haxhereja e pranoi këtë ofertë dhe fisi Xhurhum u vendosën përfundimisht në Meke. Kështu, Haxhereja siguronte ushqimin për veten dhe për djalin e saj foshnje. Mes këtij fisi, rritet Ismaili a.s, i cili ishte me nënë palestineze (Haxheren) dhe me baba (Ibrahimin a.s) nga veriu i Irakut. Duke jetuar mes fisit Xhurhum, Ismaili a.s mësoi arabishten e pastër. Kur u rrit, ai u martua me një vajzë nga ky fis. Për këtë, arabët që rrjedhin nga familja e Ismailit a.s, konsiderohen të arabizuar, pasi në origjinë nuk ishin arabë.
Urdhri për ndërtimin e Qabes
Herë pas here, Ibrahimi a.s e vizitonte të shoqen dhe djalin e tij Ismailin. Në njërën nga vizitat, Zoti e urdhëron të ndërtojë Qabenë, faltoren e parë mbi tokë. Urdhri ishte që ngrehina e Qabesë, të bëhej në themelet që kishte hedhur hazreti Ademi a.s.
“Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt.”[1]
Fillimisht, Qabeja është ndërtuar në kohën e Ademit a.s, por që me kalimin e kohës është shembur. Për këtë, ajo konsiderohet si faltorja e parë e ngritur për njerëzit. Në bazë të kësaj, Ibrahimit a.s iu kërkua ta ndërtojë mbi themelet e para.
Ibrahimi a.s dhe Ismaili a.s filluan menjëherë gërmimet, derisa i zbuluan themelet e vjetra dhe mbi to, plotësuan godinën e re të Qabes.
Kur Ibrahimi a.s mbërriti në gurin e qoshes, kërkoi një gurë të veçantë dhe të fortë. Ai dërgoi Ismailin a.s të kërkojë mbi një gurë të tillë. Ismaili kërkoi por nuk gjeti dhe kur u kthye pa që Ibrahimi a.s e kishte vendosur një gur të tillë në qoshe. I habitur, Ismaili e pyeti ku e kishte gjetur dhe ai iu përgjigj:”E solli Zoti.” Ai gur qosheje, ishte sjellë nga Xheneti dhe është pikërisht Guri i Zi që njohim sot dhe që gjendet në qoshen e Qabes.
Sa herë më shumë që lartësohej ngrehina, Ibrahimi a.s tërhiqej disa hapa pas dhe hetonte nëse muret ishin në një linjë apo jo. Për t’ia lehtësuar vetes, ai solli një shkëmb dhe shpesh herë qëndronte sipër tij. Ky shkëmb më vonë u ruajt dhe u quajt “mekami i Ibrahimit a.s”.
“Bëjeni vendin e Ibrahimit si vendfaljeje!”[2]
Mekami i Ibrahimit a.s gjendet disa metra larg Qabesë, pasi që aty Ibrahimi a.s hetonte lartësinë dhe nivelin e mureve.
Me përfundimin e Qabesë, ngrihej një dilemë e madhe: Si do të vinin njerëzit të faleshin në atë vend? Kush do i njoftonte?
Zoti i Lartësuar e urdhëroi Ibrahimin a.s:”Thirri njerëzit të kryejnë Haxhin në Shtëpinë e Shenjtë të Zotit!” Ibrahimi a.s e pyeti i çuditur:”O Zoti im! Po sa mund të arrijë zëri im?!”
Zoti i Lartësuar iu përgjigj:”O Ibrahim! Detyrimi yt është t’i thërrasësh, kurse detyrimi im është që këtë thirrje ta përcjell tek çdo njeri.”
Atëherë Ibrahimi a.s u ngjit në malin e Arafatit dhe i thirri njerëzit të kryejnë Haxhin pranë Qabesë. Që nga ky moment, Arafati do të hyjë në listën e vendeve të shenjta.
Thirrja e Ibrahimit a.s u përcoll në të katër anët e botës dhe tek të gjithë njerëzit u rrënjos dashuria dhe madhështia për Qaben. Që atëherë, njerëzit filluan të udhëtojnë drejt Qabes për të kryer ritin e Haxhit. Vetëm si mrekulli nga ana e Zotit, mund të shpjegohet numri i madh i njerëzve që venë për Haxh në atë vend të bekuar. Me ndërtimin e Qabes dhe ritualin e Haxhit, banorët arabë të Gadishullit besonin në një Zot të vetëm.
Zanafilla e idhujtarisë në Mekë
Fisi Huza’a, hyn në luftë me fisin Xhurhum për pushtetin mbi Qaben dhe Meken. Fisi Xhurhum thyhet në këtë betejë dhe dalin nga Meka, duke ia lënë parinë fisit Huza’a. Meqë burimi i Zemzemit ishte shumë i rëndësishëm për banorët e Mekes dhe pa të lidershipi i Mekes dobësohej shumë, fisi Xhurhum para se të largohej përfundimisht nga Meka, e mbyll këtë burim. Kur Huza’a shtrin sundimin e tyre mbi Mekë, kërkojnë burimin por nuk e gjejnë dot. Atëherë detyrohen që furnizimin me ujë, ta bëjnë nga burime dhe oaze larg Mekes. Vetëm në kohën e Abdul Mutalibit, burimi i Zemzemit do të hapet sërish.
Amr ibn Luhaj
Për treqind vite, Huza’a do të ketë pushtetin politik mbi Meke. Me kalimin e viteve, shfaqet në skenë një burrë me emrin Amr ibn Luhaj, nga fisi Huza’a. Ai ishte liderishipi i fisit dhe personi më i pushtetshëm në Mekë. Askush nuk mund t’i shkelte urdhrat e tij. Ai ishte më i pasuri në Mekë dhe njëkohësisht më bujari. Ai furnizonte me ushqim të gjithë haxhilerët krejt i vetëm, pa dashur kontribut nga askush tjetër. Fjalët e Amr ibn Luhaj tek anëtarët e fisit të tij, tek banorët e Mekes dhe haxhilerët, ishin ligje që nuk mund të shkeleshin dhe refuzoheshin.
Një herë, Amr ibn Luhaj niset për në Sham. Gjatë udhës, ai qëndron tek një fis me emrin Amalik, fis pagan. Gjer atëherë, arabët ishin monoteistë dhe nuk e njihnin paganizmin. Duke hetuar ritet e paganëve, Amr ibn Luhaj i pyet mbi idhujt e tyre dhe ata i përgjigjen: ”Këta na ushqejnë kur jemi të uritur, na përkrahin kur ndihemi pa përkrahje, na ndihmojnë kur dikush na bën zullum dhe na afrojnë pranë Zotit më shumë.”
Diçka e tillë i bëri përshtypje Amr ibn Luhaj, i cili u tha: ”Më jepni një prej tyre, ndoshta na ndihmojnë dhe neve për të siguruar ujë në Meke.”
Ata pranuan dhe i dhanë një idhull që quhej Hubel. Kështu, ai ishte idhulli i parë që depërtoi në tokën e Gadishullit Arabik, nëpërmjet Amr ibn Luhaj.
Me ta sjellë në Meke, Amr ibn Luhaj u kërkoi njerëzve ta adhurojnë dhe ata iu bindën. Ai nuk u mjaftua vetëm me një idhull, por solli dhe idhuj të tjerë, duke urdhëruar çdo fis të ketë idhullin e tij dhe ta adhurojë pranë Qabes. Veç kësaj, ai u kërkoi fiseve të kenë nga një idhull edhe në shtëpitë e tyre, idhull të cilin duhej ta merrnin nga Mekeja. Idhulli në këtë rast, nuk ishte gjë tjetër veçse një gur që merrej nga qyteti i Mekes dhe adhurohej. Kështu, të gjithë arabët që vinin në Meke, merrnin nga një gur të cilin më pas e adhuronin në shtëpitë dhe fiset e tyre. Kështu u përhap paganizmi dhe idhujtaria në Gadishullin Arabik, nëpërmjet Amr ibn Luhaj. Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith të transmetuar nga imam Muslimi:”E kam parë Amr ibn Luhaj, duke tërhequr zvarrë zorrët e tij në zjarr. Ai është i pari që ndryshoi fenë e arabëve.”
Veç të tjerave, Amr ibn Luhaj ndryshoi dhe telbijen. Më parë, arabët recitonin telbijen monoteiste:”Të përgjigjemi o Zot, të përgjigjemi. Të përgjigjemi Ty që nuk ke rival. Me të vërtetë falënderimit, mirësitë dhe pushteti të takojnë vetëm Ty. I pa shok je Ti o Zot.” Kurse Amr ibn Luhaj i shtoi dhe fjalët:”Përveç një rivali i cili të përket Ty, e ke në dorë atë dhe gjithçka që posedon ai.” Pra, Ti o Zot ke vetëm një rival dhe shok, të cilin edhe pse e ke në dorë, ai mbetet shok dhe rivali Yt.
Mandej, Amr ibn Luhaj u kërkoi që për herë të parë të shenjtëronin kafshët, të cilat nuk duheshin përdorur për punë të përditshme, ishin të paprekshme. Kështu, ai shenjtëroi behirën, hamin, saiben etj… Hami ishte deveja femër e cila kishte lindur dhjetë deve mashkull. Sipas tij, çdo deve që kishite lindur dhjetë meshkuj, kishte mbrojtur shpinën dhe kurrizin e saj nga puna. Ajo nuk mund të përdorej për udhëtim, as nuk ngarkohej, as nuk therej dhe duhej mbajtur si e shenjtë.
Ndër idhujt më të famshëm, pas Hubel, ishte idhulli Vudd, të cilin kryesisht e adhuronte fisi Benu Kelb. Suvan e adhuronte fisi Benu Hudhejl, Jeguth fisi Tajj dhe Ehlu Xheres, Jeuk nga fisi Hemedhan, Nesr nga banorët e Jemenit, kurse Hubel i përkiste fisit Kurejsh. Idhujt më të çuditshëm ishin Isaf dhe Naile. Isaf është emri i një djaloshi nga Jemeni, kurse Naile emri i një vajze po nga Jemeni. Meqë të dy ishin përfshirë në një lidhje emocionale, Isaf kërkon dorën e Nailes nga babai i saj, por ai refuzon. Të dy, i kishin premtuar njëri-tjetrit të takoheshin gjatë sezonit të Haxhit në Qabe. Ata e mbajnë premtimin dhe takohen në Haxh. Në një moment kur njerëzit ishin të pakët, Isaf shfrytëzon rastin dhe kryen marrëdhënie seksuale me Nailen, mu pranë Qabes. Përveçse ishin marrëdhënie jashtëmartesore, ishte një vepër që kryhej në një vend të shenjtë, pranë Qabes. Si ndëshkim, Zoti i shndërroi të dy në gurë. Njerëzit i morën këta dy gurë dhe Isafin e vendosën mbi kodrën Safa, kurse Nailen mbi kodrën Merve, me qëllim që njerëzit të nxjerrin mësim. Me kalimin e viteve, njerëzit filluan ta harrojnë historinë e këtyre dy gurëve. Kur erdhi Amr ibn Luhaj, urdhëroi që këta dy gurë të vendoseshin në godinën e Qabes dhe urdhëroi njerëzit t’i adhurojnë.
Tregohet se Omer ibn Hattabi, kur ndodhej mes njerëzve, qante dhe i rridhnin lot pa ndonjë shkak. Herë të tjera, po pa ndonjë shkak, e shihnin të qeshë me vete. Dikush guxoi dhe e pyeti:”O prijës i besimtarëve! Herë të shohim të qash dhe herë të tjera të qeshësh pa ndonjë shkak të dukshëm. Çfarë po ndodh me ty?!”
Omeri r.a iu përgjigj:”Lidhur me të qarën, shkaku është se para islamit, i urrenim vajzat. Aq shumë i urrenim vajzat, saqë kur dikujt i lindte vajzë, ashpërsohej në fytyrë dhe nuk qeshte. Një herë mua më lindi një vajzë, për të cilën u hidhërova shumë. Megjithatë u vetëpërmbajta dhe nuk e shfaqa hidhërimin. Edhe pse kishte mbushur gjashtë vjeç, unë vazhdoja ta urreja me gjithë zemër. Duke mos e përballuar dot këtë neveri dhe urrejtje që ndjeja, e mora vajzën dhe dola me të në shkretëtirë. Menjëherë hapa një gropë dhe e futa vajzën të gjallë brenda saj. Teksa e mbuloja, dheu dhe pluhuri që ngrihej më mbuluan mjekrën. Vajza, edhe pse po groposej e gjallë, rrekej të shkundë mjekrën time. Megjithatë, unë vazhdova derisa e groposa për së gjalli.”
“Kur foshnja e varrosur për së gjalli të pyetet për çfarë faji ishte vrarë;”[3]
Pra, ishte bërë traditë që t’i groposin vajzat për së gjalli.
Mandej, Omeri shtoi:”Lidhur me shkakun përse qesh, është se një ditë dola jashtë Mekes. Atë dita kisha harruar ta marr me vete idhullin që ta adhuroj. Kur erdhi koha të lutem dhe duke mos pasur idhullin, mora hurmat e thata që kisha marrë si ushqim dhe u dhashë formën e një statuje. Mandej fillova t’i lutem dhe ta adhuroj. Kur më mori uria, duke mos pasur ushqim tjetër përveç hurmave, hëngra zotin që kisha adhuruar pak më parë.”
Është e vlefshme të njohim mënyrën e jetesës së arabëve para islamit, që ta kuptojmë çfarë ndryshimesh dhe reformash iu nënshtruan me ardhjen e islamit.
Autor: Tarik Suvejdan
Përshtati: Elmaz Fida
[1] – Sure Ali Imran: 96.
[2] – Sure Bekare: 125.
[3] – Sure Tekuir: 8-9.