Falenderimet janë për Zotin, paqa dhe mëshira e Tij për profetin Muhamed a.s, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.
Njerëzit e mëdhenj, e përmendnin Zotin dhe e madhëronin Atë, pasi diçka të tillë e shihnin si furnizim shpirtëror, lumturi, kënaqësi të syve tyre, pastrim të zemrës, shpirtin e luftëtarëv. Kjo, pasi vetëm me përkujtimin e Zotit qetësohen zemrat. Qetësohen nga zhgënjimi i jetës së kësaj bote, qetësohen nga frika dhe jeta e stresuar. Me përkujtimin e Zotit qetësohen zemrat, është një realitet të cilin e përjetuan njerëzit e mëdhenj.
Imam Muslimi, transmeton se Profeti a.s kaloi me shokët e tij pranë një mali të veçuar nga malet e tjerë dhe u tha shokëve:”Ecni, ky është Xhemedani (për malin).” Shokët u ndalën duke vështruar se çfarë të veçante kishte ai mal. Profeti a.s u tha:”Janë dalluar njësuesit.” Të habitur, shokët e pyetën:”Kush janë njësuesit o i dërguar i Zotit?” Ai u tha:”Janë ata burra dhe gra që e përmendin Zotin shpesh.”
Një ditë Profeti (a.s.) u tha shokëve: “A t’ju tregoj se çfarë është më e mirë nga veprat tuaja, që është më e pastër dhe që ka shpërblimin më të madh, që është më e mirë se të japësh flori apo argjend sadaka, që është më mirë se të luftosh me armiqtë në rrugë të Zotit?” Sahabet i thanë: “Cila është ajo vepër, o i Dërguar i Zotit?” Ai u tha: “Përkujtimi i Allahut.
Thotë Zoti në Kuran:“Më kujtoni (me adhurime) që t’ju kujtoj (me shpërblim), më falenderoni dhe mos më mohoni.”[1]
Nëse përkujtimi i Zotit nuk do të kishte dobi tjetër, do të mjaftonte që të përmend vetë Zoti. Nëse ti e përmend në veten tënde, Ai të përmend me veten e Tij, nëse ti e përmend mes njerëzve, Ai të përmend mes melekëve, banorëve të qiellit.
Kur një njeriu të mirë dhe adhurues me përkushtim ndaj Zotit të tij, i thanë:”Përse nuk e cakton kohën kur përkujton Zotin, në mëngjes, drekë dhe darkë?” Ai u përgjigj:”Si më kërkoni të caktoj një kohë specifike për të përkujtuar Zotin, në një kohë që unë këtë e bëj gjatë gjithë kohës, natën dhe ditën?!”
Thotë Zoti në Kuran:”Ata që e përkujtojnë Zotin në këmbë, të ulur dhe të mbështetur dhe meditojnë rreth krijimit të qiejve dhe të tokës.”[2]
Imam Ahmedi transmeton një hadith ku thotë:”Përmendeni Zotin aq shpesh, sa të tjerët t’ju konsiderojnë të çmendur.”
Disa njerëz panë një nga dijetarët muslimanë, i cili gjatë gjithë kohës i lëvizte buzët me përkujtim të Zotit. Të habitur ata i thanë:”Mos je i çmendur?” Ai u përgjigj:”Unë kam ilaçin që shëron të çmendurit.”
Kush kërkon zemër të mbushur me qetësi, jetë plot lumturi dhe një arsyetim të drejtë, e këshillojmë të përmendë sa më shumë Zotin. Tregon Ibn Tejmije, që Ebu Hurejre kishte lidhur një mijë nyja në një pe dhe me të përkujtonte Zotin duke thënë çdo ditë 12.000 herë subhanallah. Siç thoshte vetë ai, këtë e bëj pasi aq është shpagimi i gjakut dhe thoshte se e bën për të liruar veten.
Tregon Ibn Rexhebi: ”Halid ibn Midani, adhuruesi i përkushtuar, thoshte çdo ditë njëqind mijë herë subhanallah. Kur vdiq dhe njerëzit u afruan ta varrosin, papritur melekët e morrën kufomën e tij dhe e vendosën në varr.”
Një burrë i shtyrë në moshë, duke u mbështetur në bastunin e tij, vajti tek Profeti a.s dhe e pyeti:”O i dërguar i Zotit! Ligjet dhe obligimet fetare janë shtuar, prandaj më trego diçka më të lehtë që të kapem për saj!” Profeti a.s iu përgjigj:”Ta mbash gjuhën gjithmonë të freskët me përkujtimin e Zotit.”
Musai a.s, i kërkoi Zotit t’i mësojë diçka të re, me të cilën ta përkujtonte duke u dalluar nga njerëzit e tjerë. Zoti i tha:”Më përkujto me fjalën: La ilahe il-lallah” Musai i tha:”O Zot! Të gjithë njerëzit e thonë këtë, unë dua diçka specifike.” Zoti iu përgjigj:”O Musa! Nëse do të vendoseshin shtatë qiejt bashkë me tokën në njërën anë të peshores dhe fjala “La ilah il-lallah në anën tjetër, padyshim që fjala “La ilahe il-lallah” do të rëndonte më shumë.”
Ndodhte që Ibn Tejmije ulej në xhami pas namazit të sabahut dhe qëndronte ulur duke kujtuar Zotin derisa të lindte dielli. Më pas çohej dhe u thoshte nxënësve:”Ky është ushqimi im për sot.”
Tregon Ibn Tejmije:”Sa herë që hasja vështirësi në çështjet e fikhut, thoja njëmijë herë subhanallah dhe më vinte zgjidhja menjëherë.”
Shokët dhe nxënësit e tij e shihnin gjatë gjithë kohës duke lëvizur buzët. Dikush i tha një ditë:”O mësuesi ynë! Të shohim që gjatë gjithë kohës lëviz buzët!” Ai u tha:”Zemra ime është si puna e peshkut, që po e nxorre nga uji ngordh. Zemra ime vdes nëse nuk e ushqej me përkujtimin e Zotit.”
Ai vazhdonte ta lexojë suren Fatiha që pas namazit të sabahut derisa të ngrihej dielli. Kur e pyetën mbi këtë shkak, ai u tha:”Zoti ka shpallur 104 libra qiellorë, të cilët i ka përmbledhur në katër prej tyre (Zeburi, Teurati, Ungjilli dhe Kurani). Këta të katër, i ka përmbledhur në një libër, Kuranin. Vetë Kuranin e ka përmbledhur në suren Fatiha. Kurse këtë sure, e ka përmbledhur në dy fjalitë:”Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”
Imam Buhariu e përfundon librin e tij të haditheve me hadithin e bukur:”Dy fjalë të lehta për t’u shqiptuar, të rënda në peshore, të dashura tek Zoti, ato janë: “subhanallahi ve bi hamdihi, subhanallil adhijm.”
Këta njerëz të mëdhenj si imam Buhariu, Muslimi dhe dijetarë të tjerë të hadithit, porosisin dhe këshillojnë Umetin që të përsërisin sa më shpesh fjalët:”La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike lehu, lehul mulku ve lehul hamdu ve huva ala kul-li shejin kadir.” Kush i përsërit këto fjalë njëqind herë në ditë, i shkruhen njëqind të mira, i fshihen njëqind të këqija, i quhet sikur u ka falur lirinë dhjetë skllevërve dhe askush nuk mund të ketë bërë një vepër më të mirë, përveçse dikush që ka thënë më shumë se ai.”
Profeti Junus a.s, u gëlltit nga balena dhe ndodhej në tre erësira: E barkut të balenës, e oqeanit dhe e natës, i shkëputur nga të gjithë të afërmit, të dashurit, fëmijët dhe gruaja. I gjendur në këtë situatë, ai kujtoi Krijuesin e vetëm dhe të pashok dhe thirri me forcën e besimit:”Nuk ka zot tjetër përveç Teje o Zot. I pa të meta je Ti, unë i bëra padrejtësi vetes time.” Thotë Profeti a.s:”Çdo i brengosur që i përsërit këto fjalë, do i largohen brengat.”
Fillimisht, lutjen e tij ai e filloi me fjalët:”Nuk ka zot tjetër përveç Teje o Zot.” Fjalë me të cilat ai shprehte njësimin dhe ekzistencën e një Zoti të vetëm, duke mohuar çdo lloj mundësie për ekzistencën e rivalëve të Zotit të Madhëruar.
Me fjalët:“I pa të meta je Ti” ai përforcon idenë dhe bindjen e tij se Zoti është larg çdo të mete, Ai është larg çdo lloj padrejtësie. Më pas, Junusi a.s pranon gjynahin e bërë:” unë i bëra padrejtësi vetes time.”
Thotë Zoti në Kuran: “Dhennuni (Junusi) kur doli i zemëruar (prej popullit) dhe kujtoi se nuk do t’i vijë më puna ngushtë. Ai thirri në errësira se nuk ka zot tjetër veç Teje, i pa të meta je Ti. Unë u solla padrejtësisht ndaj vetes”[3]
Kurse Jusufi a.s, u burgos në burg, duke u ndarë nga njerëzit e dashur dhe duke qëndruar i vetëm në qelinë e tij të rrethuar me hekura. Edhe pse në qeli dhe në vuajtje, ai gjente kohën e duhur dhe ftonte të burgosurit e tjerë në besim dhe adhurim të një Zoti të vetëm.
Thotë Zoti në Kuran: “O ju shokët e mi të burgut, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm apo Zoti, i vetmi ngadhnjimtar?”[4]
Me këtë, ai u thoshte që para se të shpjegojmë ëndërrat tuaja dhe të flasim mbi çështje të tjera, le të biem dakord që nuk ka zot tjetër përveç Atij që na ka krijuar dhe që e merriton adhurimin tonë.
Edhe gjatë luftës, Zoti na nxit që ta përkujtojmë Atë më shpesh. Thotë Zoti në Kuran:”O ju që keni besuar! Kur të takoheni me kundërshtarin tuaj, rezistoni dhe përkujtojeni Zotin sa më shumë me shpresë që të shpëtoni.” [5]
Kur dikush e pyeti Ibn Tejmijen se ç’lidhje kishte përkujtimi i Zotit në luftën me armikun, ndërkojë që gjithsecili është i zënë me luftën, ai tha:”Është zakon që në kohët dhe çastet më të vështira, njeriu të përkujtojë dhe t’i shkojë mendja tek më i dashuri i tyre. A ka më të dashur se Zoti për besimtarët?” Ndërkohë që armiqtë e muslimanëve kujtonin fëmijët, gratë dhe pasuritë e tyre që kishin lënë dhe me këto merrnin forcë dhe zemër për të luftuar, muslimanët përkujtonin Zotin e tyre për t’i inkurajuar dhe dhënë zemër.
Shembullin dhe modelin më të mirë në përkujtimin e Zotit ne kemi profetin Muhamed a.s. Rrugën e tij e ndoqën dhe dijetarët dhe njerëzit e mëdhenj që erdhën pas tij. Kishte prej tyre që lexonin çdo ditë suren “Ihlas” një mijë herë. Një tjetër thoshte një mijë herë në ditë:”La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike lehu, lehul mulku ve lehul hamdu ve huva ala kul-li shejin kadir.” Dikush tjetër e thoshte njëzet mijë herë, dikush tjetër e përfundonte leximin e Kuranit çdo javë.
Zemra është organi që vështrohet dhe kontrollohet nga Zoti i Madhëruar. Nëse atë e mbush me lexim Kurani, përkujtim të Zotit, lutje, madhështi të Zotit dhe shenjtërim, ajo do i ngjajë një kopështi të mbushur me lule të ndryshme dhe do të të nxisë për punë të mira, moral, siqeritet, mall dhe besim të fortë.
Por nëse ti e mbush me përgojime, epshe, dëshira për argëtime dhe dëfrime, dyshime etj. Ajo i ngjan një ndërtese të vjetër dhe pothuaj të shembur, e cila nuk ka gjë brenda përveç minjve, akrepave, merimangave etj.Kjo zemër është e mbushur me urrejtje, zili dhe smirë, devijim nga rruga e drejtë, mendjemadhësi dhe epshe.
Tani le të përmendim disa forma me të cilat e kujtonte Profeti (a.s.) Zotin dhe të përmendim edhe shpërblimin e tyre.
Thotë Profeti a.s:”Fjalët: Subhanallah, vel hamdu lil-lah, ve la ilahe il-lallah, vallahu ekber, janë fjalët më të mira që mund të thuhen në një ditë dhe janë veprat më të mira me të cilat mund të fshihen gjynahet.”
Thotë Profeti a.s:”Kush thotë çdo ditë “subhanallahi ve bi hamdihi” një qind herë, i falen gjynahet edhe sikur të jenë si shkuma e detit.”
Përkujtimi i Zotit kënaq Zotin, dëbon shejtanin, shton veprat e mira në peshore, qetëson zemrën, mbush shpirtin me freski, është mbrojtës, shton të mirat dhe fshin të këqijat, të bën të dashur tek Zoti, largon brengat dhe shqetësimet, të ndihmon dhe të jep forcë për të kryer obligimet ndaj Zotit, të largon nga gjynahet dhe të jep bereqet në veprat dhe punët e tua.
Është e dobishme që ne muslimanët të studiojmë jetëshkrimet e këtyre njerëzve të mëdhenj dhe të mësojmë se si ata e madhëronin dhe përkujtonin Zotin e tyre.
Thotë Zoti në Kuran :”Namazi ndalon veprat e ulëta dhe të këqija.”[6]
Kurse Ibn Tejmije, lidhur me namazin thotë:”Namazi ka dy dobi: Njëra është se ndalon nga veprat e ulëta dhe e dyta është se me anë të tij përkujtohet Zoti i Madhëruar. Dhe përkujtimi i Zotit në namaz, është dobia më e madhe edhe se vetë ndalimi i veprave të ulëta dhe të këqija.
Kurse dijetarë të tjerë, rreth ajetit:”dhe përkujtimi i Zotit është më i madh” kanë thënë:”Ky veprim ëshë më i madh dhe më i dobishëm se çfarëdo lloj vepre tjetër të mirë.”
Shumë dijetarë thonë se puna më e mirë dhe më e vlefshme, është përkujtimi i Zotit, gjë e cila njëkohësisht është dhe puna më e lehtë.
Sa njerëz të mirë janë ata që kohën e mbushin me përkujtim të Zotit! Sa të mirë janë ata që zemrat e tyre janë plot fjalë përkujtuese dhe madhëruese për Zotin e tyre! Sa të mirë janë ata që gjuha e tyre është gjithmonë në kontakt me fjalët e Zotit të tyre.
Profeti a.s vajti një natë tek shtëpia e Ubej ibn Kab. Kur Ubej vajti të hapë derën dhe gjeti Profetin a.s tek pragu, u gëzua dhe tha:”Nuk ka mik më të mirë që ka hyrë në këtë derë, se ky që po vjen sonte.” Profeti a.s hyri dhe i tha:”O Ubej, Zoti më ka dërguar që të të lexoj suren Bejjine.” Ubej i shtangur dhe i gëzuar njëkohësisht, i tha:”O i dërguar i Zotit! A e përmendi Zoti emrin tim?!” “Po” iu kthye Profeti a.s. Atëherë, Ubej shpërtheu në të qarë nga gëzimi, që Zoti e kishte përmendur emrin e tij mes banorëve të qiellit.
Nëse ti o vëlla dhe o motër e përkujton Zotin në vetmi, Ai të përkujton në vetmi. Nëse përkujtoni mes banorëve të tokës, ai u kujton mes banorëve të qiellit.
E lusim Zotin që të na bëjë nga ata që e përkujtojnë, falenderojnë Atë dhe që ndjekin rrugën e Profetit të Tij të nderuar.
Autor: Aid El Karni
[1] – Sure Bekare: 152.
[2] – Sure Ali Imran: 154.
[3] – Sure Enbija: 87.
[4] – Sure Juasuf: 37.
[5] – Sure Enfal: 45.
[6] – Sure Ankebut: 45.