“Ndërgjegja e umetit” “fakihu i ftuesve dhe ftuesi i fakihëve” “fakihu i rizgjimit islam” “lideri reformator” “dijetari i zellshëm” “imam i epokës moderne, i cili ka kombinuar mahnitshëm mes fikhut të studiuar dhe fikhut të transmetuar…” Këto janë disa vlerësime, epitete dhe dëshmi të dijetarëve dhe mendimtarëve të ndryshëm, për doktor dhe sheh Jusuf Kardavin, kryetar i Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë. Këto dëshmi janë koleksionuar nga dijetarë të vjetër si sheh Muhamed Gazzali dhe bashkëkohorë si doktor Taha Xhabir Ulvani, Rashid Gannushi dhe Abdullah bin Bejje.
Me rastin e startimit të faqes elektronike www.onislam.net ne arritëm të zhvillojmë një intervistë me imamin e rrugës së mesme në botën islame, lidhur me situatën aktuale të myslimanëve në mbarë botën. Intervista ishte e fokusuar në disa çështje që shqetësojnë opinionin mysliman, si ndërtimi i xhamisë në ground zero në Amerikë, mundësinë e djegies së Biblës ashtu siç dogjën Kuranin, ndalimit të perçes në disa vende evropiane etj. Më poshtë, sjellim tekstin e intervistës:
Pyetje: ”Qendra islame në Nju Jork shkaktoi debate dhe polemika të ashpra në SH.B.A dhe jashtë saj. çfarë mendoni lidhur me ndërtimin e një qendre islame pranë vendit ku ekzistonin dy kullat binjake? A mendoni se ky projekt është një provokim për mbarë opinionit publik amerikan? Mos ishte më e drejtë që organizatorët të zgjidhnin dhe të kërkonin një vend tjetër më të përshtatshëm?”
Përgjigje: ”Unë nuk mendoj se myslimanët gabuan me zgjedhjen e vendit për ndërtimin e qendrës islame, madje, unë i mbështes ata. Fillimisht, u kuptua sikur qendra do të ngrihet pikërisht në vendin ku më parë qëndronin dy kullat binjake, por më vonë mora vesh që kjo qendër do të ngrihet në një vend të largët, të cilin e ndajnë disa rrugë nga vendi i dy kullave. Ajo që ndodhi është se opinioni i gjerë amerikan e trajtoi me një ndjeshmëri të ekzagjeruar këtë çështje, edhe pse vetë Amerika dhe Evropa janë të mbushura me xhami e faltore. Ku qëndron e reja në këtë rast?! Nuk ka asgjë të re, përveç faktit që makineria mediatike sioniste bëri punën e saj në opinionin amerikan, të cilët menjëherë u rreshtuan kundër një projekti të tillë dhe rrjedhimisht, racizmi dhe fanatizmi kundër myslimanëve është në rritje ditë pas dite. Por edhe nëse qendra e xhamia do të ndërtoheshin në vendin ku më parë ngriheshin dy kullat, çfarë të keqeje ka? A nuk është xhamia burim i paqes dhe sigurisë si për myslimanin ashtu dhe për jomyslimanin? A nuk është xhamia ajo që i mëson myslimanit se: ”Mysliman është ai që nga duart dhe gjuha e të cilit nuk vuajnë njerëzit” “Besimtar është ai me të cilin njerëzit ndihen të sigurtë si për çështjen e jetës dhe të pasurisë.”
Xhamia nuk mund t’u mësojë myslimanëve veçse vlerat e të mirës, virtytit, drejtësisë dhe vëllazërisë. Xhamia e edukon myslimanin të ndërtojë dhe jo shkatërrojë. Prandaj, ndërtimi i një xhamie kudo qoftë, nuk ka përse të frikësojë dhe provokojë askënd.”
Pyetje: ”Aktet e dhunës që ndodhën në Evropë, ndodhën nga të rinj të cilët ishin formuar në disa xhami. A është kjo e vërtetë?”
Përgjigje: ”Diçka e tillë nuk është aspak e vërtetë. Xhamitë e myslimanëve, në mbarë botën janë me miliona. Vallë në sa xhami kanë ndodhur akte të tilla? Një ose dy suresh… Kur ka ndodhur që xhamitë tona të bëhen burim frike dhe paniku për njerëzit?! Xhamitë qëndrojnë të hapura për këdo që dëshiron të hyjë dhe t’i vizitojë. Le të shkojnë dhe të hetojnë çfarë bëhet në xhamitë tona dhe çfarë u ofrohet aty njerëzve. Kurrë nuk ka ndodhur që xhamitë t’u mbyllen në fytyrë myslimanëve apo jomyslimanëve. Në fakt, xhamitë kanë qenë dhe janë burim sigurie dhe paqeje si për vetë myslimanët dhe për jo myslimanët. Xhamitë nuk janë skuta të fshehta ku mund të fshihen armë e bomba. Përkundrazi, xhamitë janë vende të hapura për të gjithë, burra e gra dhe kurrë nuk mund të shndërrohen në qendra të rrezikshme.”
Pyetje: ”Si mund të praktikohet fikhu i ekuilibrave në një situatë kaq të ndërlikuar?”
Përgjigje: ”Prej nesh kërkohet që çështjet t’i peshojmë sa më mirë para se të ndërmarrim hapa konkretë dhe të ngjashëm, të cilat duhet të bazohen në njohjen e aktualitetit. Nuk kemi përse të fshikullojmë dhe fajësojmë veten tonë, siç bëjnë shumë njerëz.”
Pyetje: ”Nën hijen e krizës me të cilën përballen myslimanët në SH.B.A që kur filloi projekti i qendrës islame, fushatat e urrejtjes dhe mllefit të krishterëve ekstremistë, thirrjet për djegien e Kuranit etj, pasojnë njëra-tjetrën. A u lejohet myslimanëve që të mbrojnë veten dhe besimin e tyre, duke i ftuar këta ekstremistë të krishterë për t’u lutur që mallkimi i Zotit të bjerë mbi gënjeshtarët dhe fajtorët, ashtu siç përmendet në suren Al Imran dhe siç u bëri thirrje vetë i dërguari i Zotit a.s të krishterëve të Nexhranit? Kjo, me qëllim që e drejta të dallohet nga e liga dhe që një abuzimi të tillë t’i vihet fre?”
Përgjigje: ”Unë personalisht nuk jam për diçka të tillë. Kjo, sepse thirrja për t’u lutur që mallkimi i Zotit të bjerë mbi gënjeshtarët, mund të bëhet me besimtarët e logjikshëm, të cilët i frikësohen ndëshkimit të Zotit dhe hakmarrjes së Tij. I dërguari i Zotit a.s i ftoi të krishterët e Nexhranit për diçka të tillë, por mos harrojmë se ata ishin të kapur fort pas besimit të tyre, e pranonin debatin dhe dialogun. Për njerëz të tillë Zoti shpalli ajetin:“Atyre që të kundërshtojnë ty për çështjen e Isait, pasi të ka ardhur njohuria, thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, veten tonë dhe ju vetë, pastaj, të lutemi që mallkimi i Allahut t’i godasë gënjeshtarët!”[1]
Një thirrje të tillë e shoh të papërshtatshme në këto momente, pasi nuk pritet asgjë e dobishme dhe me vlerë.
Pyetje: ”Teksa shohim fanatikët e zellshëm kundër islamit dhe myslimanëve të përdhosin gjërat e shenjta të myslimanëve, si djegia e Kuranit fisnik, a u lejohet myslimanëve që si reagim, të bëjnë thirrje për djegien e Biblës ose disa pjesëve të saj?”
Përgjigje: ”Neve nuk na lejohet që të përdhosim gjërat e tyre të shenjta, ashtu siç përdhosin tonat. Reagimi ndaj agresionit, nuk lejohet të bëhet me një agresion, gjë e cila është ndaluar në islam.
Thotë Zoti në Kuran:” Nëse ndëshkoni, ndëshkoni aq sa jeni ndëshkuar, por, nëse duroni, kjo është më e mira (rrugë) për të durueshmit.”[2]
Pra, edhe kur bëhet fjalë për ndëshkim ekuivalent në rastin e një krimi me pasojë humbjen e jetës, ndëshkimi nuk mund të bëhet me diçka që e ndalon feja dhe moralet tona. Nëse dikush kryen marrëdhënie jashtëmartesore me gruan e dikujt tjetër, fajtori nuk mund të ndëshkohet me të njëjtën monedhë. Nëse dikush i merr jetën dikujt në mënyrë ç’njerëzore, nuk mund të ekzekutohet në të njëjtën mënyrë, e cila bie ndesh me sheriatin. Gjëra të tilla janë të ndaluara në fenë islame.
Mua si mysliman më kërkohet t’i respektoj të gjithë librat qiellorë, t’i respektoj dhe t’i besoj të gjithë profetët e parakaluar. Nëse një person e fyen dhe shan Mesinë, prej meje si mysliman pritet të reagoj dhe të dal në mbrojtje të tij. Kur përmbajtja e një filmi fyente rëndë Mesinë a.s, myslimanët e atij vendi ku u transmetua filmi shpërthyen në protesta dhe e dënuan këtë akt. Ne besojmë tek profeti Musa a.s, Isa a.s dhe gjithë të tjerët.
Kurani fisnik i ndalon myslimanët që të shajnë dhe fyejnë perënditë e idhujtarëve:“Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos e shajnë Allahun armiqësisht nga padija.”[3]
Kur diçka e shenjtë e myslimanëve cenohet dhe përdhoset, atyre nuk u lejohet t’ua kthejnë me të njëjtën monedhë. Unë personalisht jam kundër thirrjeve për të djegur Biblën ashtu siç dogjën Kuranin. Thirrje të tilla nuk përkojnë me mësimet e fesë tonë dhe moralet e saj. Në islam, është i ndaluar agresiviteti dhe përdhosja e librave dhe vendeve të shenjta të besimeve të tjerëve, edhe pse ata e kanë bërë diçka të tillë. Ky është një ndër dallimet thelbësore mes islamit dhe feve të tjera.”
Pyetje: ”Dikush nga ata që bëjnë thirrje të tilla, mund të thotë:”Kurani ynë është i shenjtë dhe i mbrojtur nga çdo ndryshim. Sakaq Bibla e tyre ka pësuar ndryshime dhe nuk gëzon të njëjtën shenjtëri si Kurani. Bazuar mbi këtë, unë nuk po djeg një Libër të shenjtë, por një libër të shtrembëruar. çfarë mendoni ju lidhur me këtë?”
Përgjigje: ”Është e vërtetë që Teurati dhe Bibla kanë pësuar disa ndryshime gjatë historisë, por kjo nuk ka prekur të gjithë përmbajtjen e tyre. Këta dy libra përmbajnë urtësi, këshilla dhe përkujtim të Zotit. Mua si mysliman më kërkohet që të besoj në Ungjillin e vërtetë dhe origjinal. Veç kësaj, nëse një libër nuk konsiderohet i shenjtë për mua, ai konsiderohet i tillë tek ithtarët e tij dhe islami e garanton lirinë e besimit, mbron librat e tyre të shenjtë dhe nuk lejon që ato të cenohen dhe të përdhosen.”
Pyetje: ”Problemi i ndalimit të perçes në Francë dhe disa vende të tjera evropiane, pritet të marrë përmasa më të mëdha, sidomos pas miratimit të parlamentit francez për ndalimin e veshjes së perçes në vende publike. Si e shihni zgjidhje e kësaj krize për myslimanët që jetojnë në Evropë? A mund të gjendet një zgjedhje e duhur duke u bazuar në fikhun e pakicave islame?”
Përgjigje: ”Mendimi im lidhur me perçen është i njohur, ku jam shprehur hapur se perçja nuk është farz. Megjithatë, unë e respektoj mendimin e atyre që e shohin si farz dhe nuk pranoj t’i imponohem askujt në mendim. Ashtu siç jam kundër atyre dijetarëve të cilët thonë se perçja është bidat e zakon dhe nuk ka bazë në islam. Ky është një mendim joshkencor dhe i pabazuar. Shumica e dijetarëve mendojnë se fytyra nuk është avret (pjesë e turpshme), por ka dijetarë që mendojnë të kundërtën dhe se perçja është farz. Shtete si ato të Gadishullit Arabik – sidomos ata që operojnë sipas medh-hebit Hanbeli – e kanë adaptuar një mendim të tillë. Myslimanët e Indisë, Pakistanit, Bangladeshit dhe Afganistanit, edhe pse janë hanefi, mendojnë se perçja është farz. Në një libër me titull “Hixhabi” profesori Meududi, mendon se perçja është farz për femrën myslimane. Padyshim që unë nuk rreshtohem me ata që mendojnë se perçja nuk është praktikë islame, por thjesht një zakon.
Nëse një femër myslimane bindet se perçja është obligim dhe se fytyra është avret (pjesë e turpshme) ne duhet ta respektojmë mendimin e saj, të mos e pengojmë dhe të mos i imponohemi në bindjet e saj fetare.
Unë u kërkoj shteteve evropiane që t’i respektojnë liritë personale dhe të drejtën e besimit. Ata vetë bëjnë thirrje për respekt të lirisë personale, liri e cila shihet si e shenjtë në perëndim. Atëherë, përse duhen gjithë këto shtrëngime për një myslimane e cila dëshiron të veshë perçen? Përse nuk shohim të njëjtat shtrëngime për femrat që dalin pothuaj lakuriqe? Përse ky dualizëm?”
Pyetje: ”Si duhet të veprojë një myslimane e cila e sheh perçen si një obligim, sakaq qeveria e vendit ku jeton e ndalon veshjen e perçes?”
Përgjigje: ”Kur Franca ndaloi mbulesën islame për vajzat në shkolla, unë u dhashë një mendim (fetva) sipas të cilit, ato të shkonin me mbulesë në shkollë. Me të shkelur derën e shkollës, ta hiqnin dhe me të dalë ta vishnin sërish. çështjen e shamisë, ne e gjykojmë në bazë të dy parimeve:
Parimi i parë: Gjërat e domosdoshme lejojnë praktikimin e gjërave të ndaluara dhe nevojat janë ekuivalente me gjërat e domosdoshme. Nëse shamia e femrës myslimane, bie ndesh me domosdoshmërinë për arsim, ose domosdoshmërinë për punë, asaj i lejohet ta heqë shaminë.
Parimi i dytë: Gjërat e domosdoshme vlerësohen sipas shkallës dhe nevojës. Kjo do të thotë që femra myslimane, me të dalë jashtë ambienteve të punës apo arsimit, obligohet të veshë menjëherë shaminë. E njëjta gjë vlen dhe për perçen (nikabin) i cili është ndaluar kohët e fundit.”
Pyetje: ”Ka disa dijetarë të cilët ua kanë lejuar myslimaneve veshjen e parukës në vend të shamisë, pasi flokët e parukës nuk janë ato origjinalë. A e mbështesni një fetva të tillë?”
Përgjigje: ”Jo, padyshim që nuk e mbështes këtë fetva. Kjo, sepse vetë paruka nuk lejohet të vishet. Ajo nuk konsiderohet si mbulesë, por si një stoli e ndaluar dhe kurrë nuk mund të luajë rolin e mbulesës. Paruka hyn në gjykimin e hadithit, ku Profeti a.s thotë:”Zoti e ka mallkuar gruan që kërkon t’i shtojë artificialisht flokët dhe atë që merret me këtë zanat.”
Pyetje: ”Fenomeni i ndalimit të perçes nga disa qeveri evropiane, është përhapur edhe në disa vende myslimane, të cilat e ndalojnë perçen në shkolla dhe spitale. A i lejohet sovranit të vendosë ndalimin e perçes në vendet myslimane?”
Përgjigje: ”Nuk i takon asnjë sovrani dhe asnjë funksionari që të ndaloj perçen. Përderisa nuk po ndalojmë veshjet e shkurtra, si guxojmë të ndalojmë një femër që kërkon të mbajë perçe? Vetëm në raste të veçanta, mund të kërkohet nga një femër me perçe që të zbulojë fytyrën për tu identifikuar, si fotografimi për kartë identiteti dhe pasaportë. Në raste të tilla, myslimania duhet të zbulojë fytyrën për t’u identifikuar. Kjo kërkohet edhe gjatë provimeve, me qëllim që mos lejohet që dikush të hyjë në provim në vend të dikujt tjetër.”
Pyetje: ”Ju thatë se lidhur me çështjen e perçes, ka mospajtime mes dijetarëve myslimanë, edhe pse ju vetë anonit nga mendimi që perçja nuk është farz. Sheriati islam i jep të drejtë sovranit që të adaptojë një mendim të caktuar për të shmangur kundërshtitë dhe divergjencat. A i lejohet sovranit ose një ministri që në rastin e perçes, të nxjerrë një vendim ku e ndalon veshjen e saj nga femrat myslimane?”
Përgjigje: ”Ky gjykim vlen për sovranin i cili e njeh mirë islamin dhe dispozitat e tij. Në të kundërt, njerëz të tillë duhet t’u referohen dijetarëve dhe fakihëve për t’u prezantuar me mendimin e sheriatit në çështje të ndryshme, nëse janë hallall apo haram. Veç kësaj, kjo lejohet për ata sovranë të cilët kanë adaptuar sheriatin si ligj dhe referencë ligjore të shtetit që udhëheqin. Kurse ata që i kanë kthyer shpinën sheriatit islam dhe kanë lejuar haramin, s’kanë asnjë lidhje me islamin. Njerëz të tillë nuk e praktikojnë ligjin e Zotit, nuk e pëlqejnë dhe nuk u përshtatet dëshirave të tyre.”
[1] – Sure Ali Imran: 61.
[2] – Sure Nahl: 126.
[3] – Sure En’am: 108.