Pyetje:”A lejohet që të djegim Biblën ashtu siç dogjën Kuranin? Urojmë t’i përgjigjeni kësaj pyetje dhe Zoti ua shpërbleftë me të mira.”
Përgjigje:”Islami ka ligjëruar metodologjinë e tij – e cila qëndron mbi reagimet emocionale dhe rastësore – në komunikimin me kundërshtarët në përgjithësi dhe me ithtarët e Librit në veçanti. Kjo metodologji bazohet mbi respektin, drejtësinë, moralin, debatin në formën më të mirë, larg përbuzjes dhe diskriminimit.
Ne na mjafton si argument për këtë, që vetë i dërguari i Zotit a.s, na ka treguar se mes ne myslimanëve dhe ithtarëve të Librit ekzistojnë lidhje gjaku e farefisi. Në një hadith të transmetuar nga imam Buhari, Profeti a.s thotë:”Unë jam njeriu më i afërt me Isain (Jezusin) birin e Merjemes (Marisë) në këtë botë dhe në botën tjetër. Profetët janë vëllezër të një babai por me nëna të ndryshme, kurse feja e tyre është e njëjtë.” Feja është një dhe e vetme, islami. Kjo, edhe pse legjislacionet janë të ndryshme.
Për t’iu përgjigjur pyetjes që ngre pyetësi, duhet ditur se ideja e djegies së Ungjillit (Biblës) si reagim për gjestin e shëmtuar të djegies së Kuranit, është një ide që nuk ia vlen as të diskutohet. Kjo, pasi në raste të tilla teoria e kthimit me të njëjtën monedhë nuk vlen, për disa arsye:
Së pari: Sepse Zoti i Lartësuar e ka bërë besimin tek profetët dhe librat e tyre kusht për saktësinë e besimit. Ajeti i fundit i sures Bekare e sqaron më mirë këtë ku thotë:
“I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”[1]
Profeti a.s, duke numëruar bazat e besimit, ku nëse njëra mungon, besimi nuk konsiderohet i plotë, thotë:”Të besosh Zotin, melekët e tij, librat, profetët, Ditën e Fundit dhe caktimin e Zotit, pozitiv apo negativ qoftë.”
Kështu, shohim që Zoti na ka obliguar ta adhurojmë Atë, duke besuar në librat e shpallur prej Tij profetëve të parakaluar. Ashtu siç na ka kërkuar ta adhurojmë duke i besuar Kuranit fisnik. Ndër këto libra është dhe Ungjilli, të cilin Zoti ia ka shpallur Isait a.s (Jezusit). Thotë Zoti në Kuran:
“Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut.”[2]
Bazuar në këtë ne na kërkohet ta besojmë Ungjillin që Zoti ia ka shpallur profetit Isa a.s.
Së dyti: Ajo që tregon se të djegësh Ungjillin është e ndaluar, është dhe ajeti:
“Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos e shajnë Allahun armiqësisht nga padija.”[3]
Thotë imam Kurtubij në librin Xhamiu Ahkamil Kuran:”Edhe pse në ajetin e mësipërm Zoti i drejtohet Profetit a.s, ai urdhër vlen për të gjithë umetin mysliman në çdo kohë dhe vend. Kurdo që jomyslimanët janë në pozita force dhe të sigurtë gjë e cila ua mundëson të shajnë islamin ose profetin Muhamed a.s, vetë myslimanit nuk i lejohet të shajë kryqet e tyre, fenë apo kishat. Atij nuk i lejohet t’u bëjë keq jomyslimanëve, pasi konsiderohet si abuzim me gjynahet.”
Së treti: Veç sa përmendëm, Islami kërkon që myslimani të karakterizohet nga një personalitet dhe karakter të veçantë, të rrallë dhe tipik lidhur me moralet dhe vlerat e tij si besim e legjislacion. Këtë e konfirmon Profeti a.s në një hadith të transmetuar nga imam Tirmidhij nga Hudhejfe se Profeti a.s ka thënë:”Mos jini imitues duke thënë:”Nëse njerëzit sillen mirë dhe ne sillemi mirë. Nëse ata sillen padrejtësisht edhe ne sillemi padrejtësisht. Por jini të qëndrueshëm! Nëse njerëzit sillen mirë, silluni mirë, nëse sillen padrejtësisht, ju mos bëni padrejtësi.”
Detyrë praktike: Nëse ne e konsiderojmë haram djegien e Ungjillit, ajo që kërkohet është që secili të kryejë rolin që pritet prej tij. Politikanët le të angazhohen në mbledhjet ndërkombëtare, gazetarët të angazhohen me mediat të shkruara apo të lexuara qofshin etj… Djegia e Kuranit Fisnik duhet të dënohet nga i gjithë opinioni publik. Ashtu siç këshillohet që raste të tilla, të shfrytëzohen për t’i prezantuar njerëzit me islamin, duke u bërë dëshmitarë për ta.
Sihariq: Në fund, unë të përgëzoj me hadithin e Profetit a.s i cili thotë:”Kjo fe do të depërtojë kudo që depërton nata dhe dita, pa harruar shtëpi pa depërtuar. Kjo do të realizohet me fuqinë e ndonjë heroi apo me dobësinë e një të shtypuri…”
Zoti e di më mirë.
[1] – Sure Bekare: 285
[2] – Sure Maide: 46.
[3] – Sure En’am: 108