Shehadeti, pastaj namazi, pastaj zekati

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ibn Abasi (r.a) tregon se Pejgamberi (a.s) dërgoi Muadhin (r.a) në Jemen dhe i tha: “Thirri njerëzit të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër të merituar përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguar i Allahut. Në qoftë se binden për këtë, atëherë bënu të qartë se Allahu u ka detyruar atyre faljen e namazit pesë herë në ditë. Dhe në qoftë se të binden edhe për këtë, atëherë njoftoji se Allahu u ka bërë detyrim atyre të paguajnë detyrimin nga pasuria e tyre, e cila u merret të pasurve të tyre dhe u jepet të varfërve të tyre.  E nëse binden edhe për këtë, atëherë largohu nga pasuria e tyre më e mirë. Dhe ki frikë nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi, sepse midis lutjes së tij dhe Allahut nuk ka perde.”[1]

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

Allahu i Madhëruar e dërgoi Profetin Muhamed (a.s) tek të gjithë njerëzit në çdo kohë dhe vend. Allahu i Madhëruar e urdhëroi atë që mesazhin hyjnor t’ia përcillte të gjithë njerëzve. Për ta përmbushur këtë mision që iu ngarkua, profeti (a.s) vendosi të dërgonte emisarët e tij në çdo cep të gadishullit arab. Në fund të jetës, profeti (a.s) dërgoi Muadh ibn Xhebelin (r.a) dhe Ebu Musa Es’arijun në Jemen. Ai (a.s) i porositi ata të dy duke ju thënë: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni! Përgëzoni dhe mos përzeni kënd!” Profeti (a.s) i tha Muadhit (r.a) të drejtohej për nga Adeni, kurse Ebu Musës (r.a) i tha të drejtohej për nga Sana’ja. Misioni  që Muadhi (r.a) do të kryente  ishte ai i  thirrësit, mësuesit dhe gjykatësit në Aden. Profeti (a.s) e njoftoi Muadhin (r.a) se populli tek i cili do të shkonte ishin ithtarë të Librit dhe popull i lexuar, ç’ka lipsej prej tij që të gjente gjuhën e komunikimit të përshtatshme me gjendjen e tyre. Profeti (a.s)  i shpjegoi Muadhit (r.a) se ai duhej të tregohej i matur dhe i urtë me njerëzit, sepse ata nuk ishin popull i paditur përkundrazi ishin të kënduar e të dijshëm. Ai (a.s) e porositi atë se gjëja e parë që duhet të bënte ishte që t’i thërriste ata të pranonin shehadetin. Padyshim që shehadeti është gjëja më e rëndësishme për t’u pranuar sepse pa atë asnjë adhurim nuk është i pranuar. E nëse ata pranonin të bëheshin muslimanë, Muadhi (r.a) duhet t’i njoftonte se Allahu i Madhëruar e ka bërë obligim për besimtarët muslimanë që të falin pesë namaze në ditë. Dhe nëse ata i bindeshin këtij urdhri, atëherë Muadhi (r.a) duhet t’i njoftonte se Allahu e ka bërë obligim dhënien e zekatit, i cili ju merret të pasurve dhe u jepet të varfërve. Dhe në fund profeti (a.s) e porositi Muadhin (r.a) të bënte shumë kujdes që mos t’i hyjë askujt në hak, sepse personi të cilit i është bërë padrejtësi, mund të ngrejë duart lart në qiell e t’i lutet Allahut kundra zullumqarit, pasi që lutja e atij që i është bërë padrejtësi është e pranuar tek Allahu dhe askush nuk ka mundësi ta pengojë atë.

Orientimet e hadithit:

Njësimi i Zotit është mbi gjithçka

Nëpërmjet këtij hadithi, profeti (a.s) e mëson Muadhin (r.a) dhe të gjithë Umetin se gjëja e parë që thirrësi në rrugë të Allahut duhet të bëjë është të thërrasë njerëzit në njësimin e Allahut të Madhëruar. Ky ka qenë dhe misioni i të gjithë profetëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: Adhuroni Allahun e largojuni adhurimit të djajve!”[2]

Fikhu i realitetit dhe prioritetit

Profeti (a.s) i tregoi Muadhit (r.a) situatën e popullit tek i cili do të shkonte. Kjo tregon qartë se profeti (a.s) e njihte shumë mirë realitetin e atij populli. Kështu që edhe thirrësi në rrugë të Allahut, nëse dëshiron që thirrja e tij të japë fryte duhet të njohë mirë realitetin e vendit, kohës dhe njerëzve përreth tij. Po ashtu fakti që profeti (a.s) e porositi Muadhin (r.a) që në fillim duhet t’i thërrasë njerëzit në besim, pastaj t’i mësojë namazin e pastaj zekatin, nënkupton se thirrësi në rrugë të Allahut duhet të vërë në peshojë çështjet tek të cilat do t’i thërrasë njerëzit dhe të fillojë me atë që është më e rëndësishme.

Dijetarët janë ftues në rrugë të Allahut

Profeti (a.s) dërgoi në Jemen Muadhin (r.a), i cili ishte njohës i mirë i rregullave të hallallit dhe haramit. Kjo vërteton se dijetarët, përveçse janë të dijshëm janë edhe ftues në rrugë të drejtë njëkohësisht.

Rreziku i padrejtësisë

Profeti (a.s) e dërgoi Muadhin (r.a) në Jemen për të përmbushur misionin më të rëndësishëm dhe më fisnik, atë të thirrjes së njerëzve në Islam. Ai (a.s) i dha Muadhit (r.a) një sërë porosish dhe porosia e fundit që i dha ishte që ai duhet të bënte shumë kujdes nga padrejtësia ndaj njerëzve. Të thërrasësh njerëzit në rrugë të Allahut nuk do të thotë që t’i hysh atyre në hak, prandaj thirrësi në rrugë të Allahut duhet ta ketë parasysh një fakt të tillë. Megjithëse misioni i thirrjes së njerëzve në rrugë të Allahut është fisnik, ai nuk mund ta pengojë lutjen e atij që i është bërë padrejtësi, sepse Allahu i përgjigjet lutjes së atij që i lutet.

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 – Udhëheqësi i shtetit e ka për detyrë t’i dërgojë thirrësit në vende të ndryshme me qëllim që ata t’i thërrasin njerëzit në Islam.

2 – Udhëheqësi duhet t’ia bëjë të qartë thirrësit vështirësitë dhe problematikat me qëllim që ai të jetë vizionar në thirrjen e tij.

3 – Udhëheqësi duhet të zgjedhë si emisarë të thirrjes islame njerëz të ditur e të sakrificës.

4 – Thirrësi në rrugë të Allahut duhet të jetë i mirëinformuar për gjendjen e njerëzve që do i thërrasë në Islam.

5 – Thirrësi në rrugë të Allahut duhet të jetë i aftë të komunikojë me të gjithë njerëzit sipas kapaciteteve të tyre.

6 – Thirrësi në rrugë të Allahut duhet t’i thërrasë njerëzit tek çështjet më të rëndësishme.

7 – Çëshjta më e rëndësishme është shehadeti, pastaj namazi, pastaj zekati.

8 – Është obligim me i mësuar personit që bëhet musliman pesë shtyllat e Islamit.

9 – Personi i cili shqipton shehadetin konsiderohet musliman.

10 – Falja e pesë namazeve në ditë është obligim.[3]

11 – Dhënia e zekatit është obligim.[4]

12 – Zekati është obligim vetëm për të pasurit.

13 – Zekati nuk i jepet mosbesimtarit dhe as të pasurit.

14 – Një prej tetë kategorive të cilëve u jepet zekati janë fukarenjtë.

15 – Prej urtësisë së dhënies së zekatit është përmbushja e nevojave të fukarenjve.

16 – Islami i kushton rëndësi gjendjes së fukarenjve.

17 – Islami fton për tek solidariteti midis individëve të shoqërisë.

18 – Njeriu duhet të bëjë shumë kujdes nga padrejtësia që mund t’i bëjë dikujt.

19 – I lejohet personit që i është bërë padrejtësi t’i lutet Allahut të Madhëruar për të drejtën e tij.

20 – Allahu i përgjigjet lutjes së atij që i është bërë padrejtësi.

21 – Direktivat e dhëna nga profeti (a.s) janë dëshmi e urtësisë së tij profetike.

22 – Vlera dhe statusi i lartë i Muadh ibn Xhebelit (r.a), sespe ai ishte i aftë për ta përmbushur misionin që iu ngarkua.

Autor: Elton Harxhi

[1] – Buhariu (1496) dhe Muslimi (19).

[2] – Sure Nahl: 36.

[3] – Për atë që i plotëson kushtet.

[4] – Për atë që i plotëson kushtet.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.