Qëndrimi i njeriut në raport me nënshtrimin ndaj Allahut

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nënshtrimi ndaj Allahut është fjala përmbledhëse që emërtohet e gjithë feja me fjalën Islam. Tema ndërlidhet me muajin e Ramazanit por jo vetëm, ajo ndërlidhet edhe me çdo temë tjetër. Edukata e  nënshtrimit, përuljes dhe  bindjes  së njeriut ndaj Allahut të Madhërishëm është një çështje që meriton të  fokusohemi me priorioritet dhe t’i kushtojmë shumë rëndësi. Feja jonë emërtohet me termin “Islam” që do të thotë “Paqë” “Nënshtrim dhe bindje ndaj Zotit”. Duke qenë një emërtim i tillë nënkupton edhe rëndësinë e madhe që ka çështja e nënshtrimit të muslimanit  ndaj Allahut. Emërtimi “musliman” do të thotë i nënshtruar dhe i bindur ndaj urdhërit të Allahut të Madhërishëm.

Në kuadër të muajit të Ramazanit zakonisht kryefjala e të gjitha temave është “Devotshmëria” edhe në ajetin e agjërimit, Allahu (xh.sh thotë): “… që të jeni të devotshëm”.[1] Agjërimi është çështje e urdhërit hyjnor. Përpara se të flasim për dobitë e agjërimit duhet të kuptojme së pari se: Agjërimi është nënshtrim total ndaj urdhërit të Allahut. Primare pikërisht është kjo: Që ti të ndërtosh raportin tënd me Krijuesin raportin e nënshtrimit absolut e ky është objektivi më madhor. Duke pasur bindjen e sigurtë se Allahu urdhëron krijesat e Tij vetëm atë që është më e mira për të dhe Ai është i Ditur e i Urtë, kurse njeriu duhet të shfaqë bindjen dhe nënshtrimin ndaj urdhërave të Krijuesit të gjithësisë. Prandaj thotë Muhamedi (a.s) ku Allahu i Madhërishëm ka thënë :  “Agjërimi është për Mua, vetëm Unë e di se si do e shpërblej”

Allahu i Madhërishëm në suren Nisa thotë “Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë … derisa të mos dorëzohen me nënshtrim”[2]. Një prej shembujve të lartë në nënshtrimin ndaj Allahut të Madhërishëm është Ibrahimi (a.s. )gadishmëria për të flijuar djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhërit të Zotit (xh.sh.) “Kur Zoti i tha: “Përulu!-ai u përgjigj: “Iu përula Zotit të gjithësisë!”[3]                                                      

Nënshtrimi ndaj Allahut është misioni i  muslimanit. Fjala e Allahut (xh.sh) e përcakton këtë: “O besimtarë! Përkuluni dhe nënshtrohuni, përuluni në sexhde! Adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin!”[4] Formula e shpëtimit është nënshtrimi ndaj Krijuesit tënd. Hajde në namaz, hajde në shpëtim, thirrja pesë herë në ditë ku demostrohet nënshtrimi ndaj Allahut nëpërmjet sexhdeve, përkuljes ndaj Allahut. Por edhe një nga ritet e kryerjes së Haxhit është thënia: “Të përgjigjemi o Zot të përgjigjemi” demonstron nënshtrim ndaj Zotit Fuqiplotë.

Besimi i vërtetë është t’i nënshtrohesh Allahut me përulje. Allahu (xh.sh) në Kuranin Famëlartë thotë: “Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, ku thirren te Allahu dhe i Dërguari i Tij … është “ dëgjuam dhe u bindëm”. Pikërisht këto janë të shpëtuarit”.[5] I nënshtruari ka një reagim përpara urdhërit të Allahut. “…Ne dëgjojmë  dhe u bindemi. Na fal o Zot tek Ti është kthimi ynë!”[6] Për rëndësinë e madhe që ka nënshtrimi i njeriut ndaj Krijuesit të tij e dëshmon fakti që 13-vjet në Mekë sahabët u edukuan në besim dhe për nënshtrim ndaj Allahut. Rabia Ibn Amër iu përgjigj komandantit Pers, Rostumit: “Na ka dërguar Zoti që të nxjerrim njerëzimin nga adhurimi i njerëzve në adhurimin dhe nënshtrimin ndaj Zotit të njerëzve”. Ai që  i nënshtrohet Allahut nuk e nënshtron asgje tjetër më. Më përpara ishin skllevër. e me islamin u bënë mbretër, nga bari delesh në bari kombesh, përballë Persisë dhe Bizantit. Njeriu e ka mundësinë të jetë dhe të jetojë madhështor, por kjo ka vetëm një rrugë e kjo është t’i nënshtrohet vullnetit të Krijuesit. Allahu nënshtroi universin në shërbim të njeriut dhe krijoi njeriun t’i nënshtrohet Zotit të gjithësisë. Kurani Famëlartë në të gjitha rrethanat të sqaron që o njeri nënshtroju Zotit se nuk ke ku me shkuar. Kulmi i lirisë dhe mirësisë është t’i nënshtrohesh Krijuesit tënd.

Popujt e mëparshëm janë ndëshkuar për shkak që Allahu na i përmend: “ishin mohues të pabindur” Nuhu (a.s) i tha: “Biri im, hip me ne (në anije) e mos u bëj me mohuesit”. Ai tha: “Do strehohem në një mal të më ruaj nga uji”. Kështu ai nuk u bind. “Një valë i ndau në mes dhe ai u mbyt”. Ky është rezultati i mosbindjes. Historia e Faraonit përfundoi me mbytjen e tij në ujë, për shkak të mohimit dhe mosnënënshtrimit. Historia e Nemrudit përfundon me një mizë, e Hamanit e Karunit etj. Allahu (xh.sh) mallkoi Iblisin si shkak i mosnënshtrimit. Populli i Hudit ishte popull i pabindur ndaj Zotit. Si shkak u erdhi ndëshkimi nga një erë e fuqishme që i shkatërroi në tërësi. Urdhëri që i drejtohet Muhamedit (a.s) edhe besimtarëve është që të jenë të nënshtruar ashtu siç janë urdhëruar nga Zoti i tyre. “Ti (Muhamed) përqendrohu vendosmërisht ashtu siç je urdhëruar, e bashkë me ty edhe ata që u penduan…”. Allahu i kërkoi nënshtrim total. Allahu (xh,sh) i drejtohet Muhamedit (a.s): “Thuaj: “ Unë jam urdhëruar të jem i pari nga ata që i nënshtrohen Atij”.[7]

Nënshtrimi ndaj Zotit e çliron njeriun nga robëria e nefsit të tij që e urdhëron në të keqe, nga epshet, nga shejtani etj. Dy rrugë ka njeriu do t’i  nënshtrohet  Allahut ose djalli do ta nënshtrojë atë, ose melek i bindur ose shejtan i pabindur. Allahu thotë: “Ata i ka (vënë poshtë) nënshtruar djalli dhe i ka bërë që të harrojnë përmendjen e Zotit”.[8] “Kur u thamë engjëjve: Përuluni në sexhde para Ademit, ata të gjithë iu përulën në sexhde, përveç Iblisit!” Bindja ndaj urdhërave të Zotit është cilësi e melekëve kurse mosbindja është karakteristikë e djallit. Bindja dhe mosbindja janë në konkurencë kështu që kushdo që dëshiron të shpëtojë nga mosbindja duhet t’i kundërvihet me bindje derisa të zhduket mosbindja.

Allahu (xh.sh) në Kuran thotë:“Përkujtoni robërit tanë Ibrahimin, Ishakun, Jakubin që ishin të fortë në zbatimin e detyrave…”. Cilësia e robërve të Allahut është nënshtrimi dhe modestia. Nuk ka forcë që të nënshtron pos Allahut të Madhëruar sikurse njohja e Tij. Në ajetin e parë që ka zbritur Allahu ka përmendur njeriun: “Lexo (për t’u ngritur) me emrin e Zotit tënd që krijoi” mirëpo surja e parë nuk e ka emrin “Ikra” por e ka  “Alek” , që emërtohet “Pika e ngjizur” ç’ka nënkupton o njeri mos harro bazën tënde, pikënisjen se si Allahu të krijoi, të udhëzoi, njihe vetën tënde që je një pikë e ngjizur uji e sa më tepër kujton dobësinë tënde dhe nevojën për Allahun, atëherë duhet të nënshtrohesh ndaj Krijuesit tënd që të solli etapë pas etape.

Allahu i Madhëruar e përshkruan Nuhun (a.s) me cilësinë “abd-rob” që nënkupton shkallën më të lartë të nënshtrimit ndaj Allahut. Nuhu (a.s) ishte model se si e thirri popullin e tij në besim dhe nënshtrim ndaj Zotit. Allahu i Madhëruar thotë: “Ç’është kështu me ju, që nuk madhëroni Allahun siç duhet, ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa. A nuk e shihni se Allahu ka krijuar shtatë qiej njëri mbi tjetrin dhe në të e ka bërë hënën dritë, kurse diellin e ka bërë fenerë”.[9] Nuhu (a.s) i ftoi për tek Zoti me argumentet e besimit. Numri i argumenteve është aq sa është edhe numri i krijesave të Zotit, Krijuesit të Madhërishëm.

Thonë dijetarët se kur tha Jusufi (a.s): “Zoti im Ti më dhe mua prej pushtetit tënd”, se me fjalën “pushtet” e kishte për qëllim se arriti të nënshtrojë nefsin e tij në momente shumë delikate, që pak njerëz mund të arrijnë. Me ndihmën e Zotit Jusufi (a.s) e pati në dorë nefsin, pra e nënshtroi nefsin për të fituar kënaqësinë e Allahut, e kjo ishte fitore e madhe. Agjërimi është një akt që demonstron përuljen e krijesave ndaj Krijuesit të tyre. Allahu i Madhëruar nëpërmjet agjërimit synon të kultivojë së pari  devotshmërinë dhe nënshtrimin ndaj Zotit, e cila është esenciale për triumfin e njeriut dhe burimi i të gjitha të mirave që vijnë më pas. Fryt i Ramazanit është devotshmëria dhe nënshtrimi i plotë ndaj Krijuesit tonë.

Shpërblimi i atyre që i binden dhe  nënshtrohen Zoti është Xheneti. Allahu i Madhërishëm thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “ Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u thonë: “ Mos u friksoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar”.[10]

Mirësitë e pafundme të Zotit ndaj nesh na bëjnë që të jemi falenderues  dhe të nënshtruar. Allahu na bëftë prej robërve të Tij të përulur, të nënshtruar, të bindur, falenderues dhe adhurues të sinqertë deri në përfundimin e jetës. Amin!

Autor: Muhamed Selmani

[1] – Sure El Bekare: 183.

[2] – Sure Nisa: 65.

[3] – Sure Bekare: 131.

[4] – Sure Haxh: 77.

[5] – Sure Nur: 51.

[6] – Sure Bekare: 285.

[7] – Sure Zumer: 12.

[8] – Sure Muxhadele: 19.

[9] – Sure Nuh: 13-16.

[10] – Sure Fussilet: 30.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.