Allahu i Madhëruar thotë:
“A mos vallë, ata kanë në dorë thesaret e mëshirës së Zotit tënd, të Plotfuqishmit, Dhuruesit?!”
Të dashur fëmijë!
Allahu është Dhuruesi (El Uehab).
Allahu është Ai që jep jetën (El Muhji).
Allahu është Ai që e merr jetën (El Mumitu).
Historia e Ibrahimit (a.s) me Nemrudin:
Në kohën kur ka jetuar profeti Ibrahim (a.s) ka qenë një mbret i quajtur Nemrud. Nemrudi nuk besonte tek Allahu, madje ai arriti deri aty sa tha që unë jam zot. Midis Profetit Ibrahim (a.s) dhe Nemrudit ka ndodhur një dialog:
Kush është Zoti yt – pyeti Nemrudi me mëndjemadhësi?
Zoti im është Allahu i Cili ka dhënë jetën çdo gjallese dhe e merr atë – u përgjigj Ibrahimi (a.s)
Edhe unë e jap dhe e marr jetën – tha Nemrudi.
Si – pyeti i habitur Profeti Ibrahim (a.s)?
Nemrudi mori dy të burgosur: Njërin e la të lirë, kurse tjetrin e vrau.
Ky veprim e habiti, Profetin Ibrahim (a.s). Vërtet kaq budalla qenka Nemrudi sa nuk e kuptoi qëllimin e fjalëve të Profetit?! Megjithatë Profeti Ibrahim (a.s) nuk e humbi toruan, por me siguri të plotë i tha Nemrudit:
Zoti im është Allahu i Cili e sjell diellin nga Lindja dhe meqë ti pretendon se je zot sille atë nga perëndimi.
Nemrudi u shtang në vend, u hutua dhe nuk diti se çfarë përgjigje t’i jepte Profetit Ibrahim (a.s)
Allahu nuk më ka dhënë asgjë:
Një ditë një njeri shkon tek një hoxhë dhe i thotë:
Njeriu: Hoxhë i nderuar! Mua Allahu nuk më ka dhënë asgjë.
Hoxha: E përse?
Njeriu: Po ja, filan fisteku ka gjithë atë pasuri, kurse unë nuk kam asgjë.
Hoxha: Biri im, ti je shumë i pasur.
Njeriu: Unë i pasur?! Ha ha sa po gajasem së qeshuri. Pa më trego si qenkam unë i pasur!
Hoxha: A pranon që të japësh dritën e syve në këmbim të një floriri?
Njeriu: Jo kurrrë.
Hoxha: A pranon që të mos dëgjosh në këmbim të një floriri?
Njeriu: Jo kurrë.
Hoxha: A pranon që të japësh gjuhën në këmbim të një floriri?
Njeriu: Jo kurrë.
Hoxha: A pranon të japësh zemrën në këmbim të një floriri?
Njeriu: Jo kurrë.
Hoxha: Pra ti nuk pranon që shikimin, dëgjimin, gjuhën dhe zemrën ta këmbesh me katër florinj?!
Njeriu: Jo, vetëm me katër florinj, por me gjithë pasurinë e botës nuk do t’i këmbeja këto mirësi.
Hoxha: Pra biri im, e shikon që ti je shumë i pasur. Prandaj ti duhet të falenderosh Allahun që të ka dhuruar gjithë këto mirësi në këmbim të asgjëje.
Njeriu: Elhamdulilah.
Le të mendojmë së bashku!
Fëmijë të dashur!
Ne gjithmonë shkojmë në dyqan për të blerë ushqime apo produkte që na nevojiten. Ushqimet të cilat i blejmë kanë një çmim të caktuar. Mirëpo herë pas herë vërejmë se çmimet rriten dhe padyshim një gjë e tillë neve nuk na pëlqen. Përvoja e jetës ka dëshmuar se gjithmonë çmimet e ushqimeve rriten. Kur një gjë e tillë ndodh, ka prej atyre njerëzve që nuk e kanë problem që t’i blejnë ushqimet. Mirëpo ka edhe prej atyre njerëzve (fukarenj) që kur çmimet rriten nuk kanë mundësi që t’i blejnë ato.
Tani imagjinoni, fëmijë të dashur sikur ajri që thithim të shitej në dyqan. Padyshim që do të vinte një ditë që njerëzit do ta rrisnin çmimin e saj dhe një pjesë e njerëzve nuk do të kishin mundësi që ta blinin.
Për këtë arsye ne duhet të falenderojmë Allahun e Madhëruar që na ka dhuruar ajrin të cilin e thithim pa paguar as edhe një lek.
Një poet musliman ka recituar këto vargje:
Thuaji foshnjës që sapo lind, fillon e qan pa pushim:
Kush të bëri të qash, kush ta mësoi këtë aktrim?!
Kur ta shohësh gjarprin, helmin e tij ta hedhë me furi,
Pyete: kush të krijoi me helm në brendësi?!
E pyete: o gjarpër si ja bën për të jetuar,
Me helmin vdekjeprurës, që në gojë e ke strehuar?!
Pyeti barqet e bletëve: mjalti nga ju si pikoi?!,
E mjaltit thuaji: kush të ëmbëltoi?!
Qumështin steril, që në brendinë,
Me gjak e fekale të bagëtisë qe strehuar,
Pyete: kush të bëri të kulluar?!
Rezen e diellit që nga skajet drejt tokës udhëton,
Pyete: në rrugën për tek njerëzit kush të komandon?!
Hënën kur ta shohësh të vezulloj,
Pyete: kush bëri që drita jote të ndriçoj?!
O njeri, përmbahu, bëj kujdes, ku po shkon?
Nga Zoti yt i Lartmadhëruar ç’po të çorienton?
Profeti Sulejman (a.s) i lutet Dhuruesit:
Profeti i Allahut, Sulejmani (a.s) vazhdimisht e falenderonte Allahun për mirësitë dhe begatitë e shumta që Allahu i kishte dhënë. Njëherë, ai iu lut Allahut me këto fjalë: “O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje. Me të vërtetë, Ti je Dhurues i madh!”
E Allahu i Madhëruar iu përgjigj lutjes së Sulejmanit (a.s).
Allahu i Madhëruar i dha atij pushtet e mbretëri të madhe si askush tjetër.
Allahu i Madhëruar i dha atij erën që e shpinte ku të dëshironte.
Allahu ia nënshtroi atij xhindet. Disa prej xhindëvve ndërtonin çfarë ai të dëshironte kurse të tjerë zhyteshin në thellësitë e detrave dhe i sillnin atij thesare nga më të ndryshmet.
E nuk ka dyshim se Sulejmani (a.s) e falenderonte Allahun e Madhëruar për këto të mira që Ai i kishte dhënë.
Abullahu në xhami:
Ditën e Xhuma, Abdullahu shkoi në xhami për të dëgjuar hytben dhe për të falur xhumanë. Gjatë hytbes, hoxha tha se:
Allahu ka krijuar jetën dhe vdekjen.
Në këtë botë njerëzit nuk do të jetojnë gjithmonë, por do të vdesin, sepse kush ka lindur edhe do të vdesë.
Mirëpo në botën tjetër, Allahu do t’i ringjallë njerëzit nga i pari deri tek i fundit.
Në botën tjetër njeriu do të jetojë përgjithmonë dhe nuk do të vdesë kurrë.
Abdullahu i dëgjoi me vëmendje fjalët e hoxhës dhe e kuptoi se Ai i cili na e ka dhënë jetën, do të na e marrë atë dhe do të na ringjallë është Allahu, Dhuruesi i gjërave.
Besimtari është falenderues:
Besimtari duhet të falenderojë Allahun e Madhëruar për të mirat dhe begatitë që i ka dhënë.
Besimtari duhet ta falenderojë Allahun e Madhëruar për mirësinë e besimit.
Besimtari duhet ta falenderojë Allahun e Madhëruar që ia ka mundësuar atij që ta adhurojë Atë.
Besimtari duhet ta falenderojë Allahun e Madhëruar që ia ka shpallur Kuranin, Profetit Muhamedit (a.s)
Besimtari duhet ta falenderojë Allahun e Madhëruar që për robërit e Tij besimtarë ka përgaditur Xhenetin.
Ja se si i lutet Kenza Allahut të Madhëruar:
O Allah! Krijues i qiejve, Tokës e ç’ka midis tyre. O Dhurues i të mirave dhe begative!
Më jep jetë dhe më mundëso që vetëm Ty të adhuroj dhe vetëm prej Teje ndihmë të kërkoj.
Më dhuro nga begatitë e Tua të pafundme në këtë botë.
Zoti ynë! Mos na i lër zemrat tona që të shmangen nga e vërteta pasi Ti na ke udhëzuar dhe na dhuro mëshirë nga mëshira Jote. Vërtet Ti je Dhurues i Madh.
Zoti ynë. Më dhuro mua prindërve të mi dhe gjithë besimtarëve nga të mirat dhe begatitë e Xhenetit të cilin e ke krijuar enkas për besimtarët.
Amin!