Teksa hedh një vështrim të përgjithshëm mbi gjendjen e thirrësve në rrugë të Allahut të kënaqet syri e zemra të bëhet mal për atë që sheh. Megjithatë – dashje pa dashje – në mesin e thirrësve islam është përhapur një dukuri negative, ajo e plogështisë.
Plogështia mund të shfaqet si rezultat i preokupimit të thirrësit pas çështjeve të dynjasë. Në fillim të rrugëtimit të tij, ai i përkushtohet çështjes së thirrjes së njerëzve në besim, mirëpo me kalimin e kohës atij i çelet dynjaja me lukset dhe zbukurimet e saj, e si rrjedhojë dëshira për të thirrur venitet. Ilaçi i kësaj sëmundje është se ai vazhdmisht duhet t’ia kujtojë vetes se kjo botë është e përkohshme dhe se nëse ai bëhet sebep për dikënd që të pranojë fenë është më e mirë se e gjitha dynjaja dhe ç’ka brenda në të.
Plogështia mund të shfaqet si rezultat i mosndryshimit të gjendjes së njerëzve. Thirrësi i thërret njerëzit që të besojnë tek Allahu, por ata nuk reagojnë. Të tjerë njerëz i thërret që të falin namazin, por edhe ata nuk reagojnë. Të tjerë i thërret që të largohen nga harami, por edhe ata si të parët nuk reagojnë ndaj thirrjes së tij. Në një situatë të tillë, thirrësi plogështohet dhe e braktis thirrjen, sakaq ai duhet ta vazhdojë thirrjen pa ndërprerje. A nuk e thirri Nuhu (a.s) popullin e tij për 950 vite pa ndërprerje?!
Plogështia mund të shfaqet si rezultat i brezit jo të mirë. Mund të ndodhë që thirrësi shkon në xhami dhe brezi i fëmijëve apo i atyre që u jep mësim mund të jetë i atillë që nuk ka dëshirë të mësojë, por ka dëshirë vetëm të dëgjojë. Padyshim që kjo situatë e pezmaton thirrësin dhe e plogështon, por çelësi i suksesit në një rast të tillë është vazhdimësia, sepse më vonë me patjetër do të shfaqet një brez që ka shumë dëshirë të mësojë. Dhe kjo në realitet ka ndodhur.
Plogështia mund të shfaqet si rezultat i monotonisë. Jo rrallherë ndodh që thirrësi brenda një jave apo një muaji ta përsërisë të njëjtën ligjëratë disa herë dhe si rrjedhojë atij i duket sikur bëhet monoton dhe përsërit vetveten. Mirëpo, këtu duhet të theksojmë një çështje shumë të rëndësishme: pavarësisht faktit se ai e përsërit të njëjtën ligjëratë apo kumtesë disa herë në javë apo në muaj, ai po ia përcjell atë personave të ndryshëm, si për shembull ai të njëjtën ligjëratë e mban në tre xhami të ndryshme. Kjo do të thotë se atë ligjëratë e dëgjojnë tre xhemate të ndryshme, pavarësisht se ajo është e njëjta. Kështu që në një situatë të tillë thirrësi nuk duhet të bie pre e monotonisë.
Plogështia mund të shfaqet si rezultat i mungesës së nxënësve. Mund të ndodhë që thirrësi shkon në një xhami për të mbajtur një ligjëratë dhe numri i nxënësve është i vogël. Madje në disa raste ndodh që të vijë vetëm një nxënës. E si rrjedhojë e kësaj, thirrësi nuk e zhvillon mësimin për shkak se nuk mund të zhvillojë mësimin vetëm me një nxënës. Mirëpo kjo është gabim, pasiqë ai duhet ta zhvillojë atë edhe me një nxënës qoftë edhe sikur të përsërisë të njëjtin mësim , sepse ai duhet t’i japë hakun e duhur nxënësit që ka ardhur në mësim.
Plogështia mund të shfaqet si rezultat i humbjes së ndjenjës së përgjegjësisë. Në disa raste (të rralla) është vënë re se një thirrës apo disa janë falur si xhemat i thjeshtë për xhuma për një kohë relatisht të gjatë, sakaq në qarkun ku ai jeton apo ata jetojnë, në disa xhami nuk falet xhumaja. Ndoshta thirrësi – me të drejtë – mund të ankohet se nuk ka para mjaftueshëm për të përballuar rrugën për të shkuar në atë xhami, në të cilën nuk falet xhumaja. Por ai kurrësesi, nuk duhet të harrojë se thirrja në rrugë të Allahut është mision, që i është ngarkuar mbi supe. Dhe mbi të gjitha paratë edhe gjenden, mjafton nijeti, sakrifica dhe përpjekja.
Plogështia mund të shfaqet si rezultat i izolimit nga rrjetet sociale. Një prej mundësive më të mira për të thirrur njerëzit në rrugë të Allahut është edhe shfrytëzimi i rrjeteve sociale. Mirëpo një pjesë e madhe e thirrësve nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi duke menduar se nuk dinë, apo kanë frikë se mos e prishin nijetin në momentin që marrin “like”, etj. Ndërkohë që asnjë njeri nuk ka lindur i ditur dhe përdorimi i rrjeteve sociale është aq i thjeshtë saqë nuk kërkon ndonjë mund të madh. Kurse përsa i përket “like-ve”, të cilat mund edhe t’ia prishin nijetin, ai duhet të përpiqet mos t’i kushtojë atyre vëmendjen maksimale.
Autor: Elton Harxhi