Liria është e barazvlefshme me disiplinën

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Titulli i këtij artikulli – në pamje të parë – të jep përshtypjen sikur është kontradiktor. Si është e mundur që liria, e cila do të thotë çlirim nga prangat është e barazvlefshme me disiplinën, e cila do të thotë vendosje e disa rregullave të caktuara për të kufizuar lirinë? Një prej tipareve më të spikatura që Allahu ia dha njeriut, duke e e dalluar nga të gjitha gjallesat, është të qënurit i lirë. Njeriu është i lirë për të menduar dhe për të vepruar. E sikur njeriu mos të ishte i lirë për të zgjedhur, atëherë ai nuk do ishte i ngarkuar me përgjegjësi juridiko-fetare dhe as nuk do të ishte vënë në provë në këtë botë, për të cilën Allahu i Madhëruar thotë: “Ai ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë.”[1]Si mund të jetë testi korrekt e i drejtë nëse njeriu nuk është i lirë të shkruajë përgjigjet?!

Ky tipar dallues është një mundësi e artë që njeriu pastrojë shpirtin dhe të ngrihet në gradat më të larta të moralit, sjelljes dhe emocioneve, ashtu sikur thotë Allahu i Madhëruar: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë.”[2]Dhe kështu ai e ndërton jetën e tij në këtë botë duke u ngritur në piedestalin që i takon, ndaj të cilit engjëjt ranë në sexhde. Mirëpo nëse njeriu e keqpërdor lirinë që i është dhënë padyshim që ai do të ulet në gradën më të ulët të moralit, sjelljes dhe emocioneve ashtu sikur thotë Allahu i Madhëruar: “Ndërsa kushdo që e shtyp atë (shpirtin) me punë të këqija, do të dështojë.”[3]

Kështu pra, ti duhet ta kufizosh veten tënde dhe duhet t’i vësh fre disa veprimeve me qëllim që të jesh i lirë. Kjo nënkupton se ushtrimi i lirisë në çdo sferë të jetës ka nevojë për disiplinë dhe vendosje të një caku. Le të marrim një shembull: Nuk ka dyshim se ne të gjithë jemi të lirë t’i bijmë instrumenteve muzikore, por cili prej nesh ka mundësinë të kompozojë muzikën dhe melodinë më të bukur? Këtë ka mundësi ta bëjë vetëm ai i cili vazhdimisht ushtrohet, duke shpenzuar kohë dhe mund, për të mësuar. Për t’ia arritur kësaj atij i nevojitet që të mësojë një sërë rregullash dhe parimesh të instrumentit dhe notave muzikore, dhe këtë ai e bën me dëshirën e tij të lirë. Shembuj të këtillë ka sa të duash në jetën e përditshme. Kështu pra, disiplina është domosdoshmëri për të ushtruar lirinë e për ta shfrytëzuar kohën në formën më të mirë të mundshme, është domosdoshmëri për të bashkëpunuar me të tjerët e për të punuar me frymën e grupit dhe është domosdoshmëri për t’i falur e toleruar të tjerët. Sa më shumë të disiplinuar të jemi aq më e zgjeruar është sfera e lirisë.

Duke qenë se disiplina na lejon të ushtrojmë lirinë, atëherë cila është ajo disiplinë të cilën duhet ta respektojmë? Veprimet tona të disiplinuara duhet të jenë konform rregullave dhe ligjeve hyjnore. Nëse ti je i lirë të zgjedhësh, kjo nuk do të thotë se ti je i lirë të zgjedhësh pasojat e veprimeve  të tua, sepse ligjet hyjnore janë ato që diktojnë pasojat. Ti je i lirë të hidhesh nga kati i dhjetë, por nuk je i lirë të zgjedhësh pasojën e thyrjes së kockave, sepse forca e gravitetit është ajo që përcakton këtë pasojë. Ti je i lirë të mos i dëgjosh të tjerët, por nuk je i lirë të zgjedhësh pasojën  e largimit të njerëzve prej teje, sepse ligji thotë: që njerëzit largohen prej atyre që nuk i dëgjojnë ata. Ti je i lirë të jetosh pa një objektiv në jetë, por nuk je i lirë të zgjedhësh pasojën e dështimit, sepse ligji i jetës thotë:  njeriu nuk mund të arrijë tek një objektiv të cilin ai nuk e njeh.

Liria e shoqëruar me injorancë nuk është në rruga e duhur dhe liria e shoqëruar me shthurrje nuk është liri, por egoizëm dhe adhurim i “vetes”. Le të çlirohemi nga injoranca, shturrja dhe egoizmi. Le të përveshim mëngët e të ndërgjegjësohemi për çelësin e suksesit që vjen prej ligjeve të Zotit për t’u ngritur në stadin e lirisë tek e cila dëshirojmë.

Autor: Jasir El Iti

Përktheu: Elton Harxhi

 

[1] – Sure Mulk: 2.

[2] – Sure Shems: 9.

[3] – Sure Shems: 10.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.