Në një nga betejat e myslimanëve, ku merrte pjesë dhe vetë i dërguari i Zotit (a.s.), shokët e Profetit (a.s.) dalluan një nga myslimanët që luftonte fuqishëm, si askush tjetër. Ai vazhdoi të luftojë derisa ndërroi jetë. Kur e panë të shtrirë përdhe, myslimanët thanë: “E gëzoftë xhenetin!”, pasi menduan se ai vdiq si dëshmor, shehid. Profeti (a.s.) i dëgjoi dhe u tha: “Jo. Ai do të jetë në zjarr.” Myslimanët, të çuditur e pyetën: “E si mund të ndodhë kjo, o i dërguar i Allahut?!” Profeti (a.s.) u përgjigj: “Duke mos i përballuar dot plagët e shumta, u mbështet mbi shpatë dhe vrau veten.” Kur myslimanët vajtën ta verifikonin, e gjetën në atë gjendje që e kishte përshkuar i dërguari i Allahut (a.s.).
Profeti (a.s.) ka thënë: “Betohem për Zotin që nuk ka Zot tjetër veç Tij. Ka prej jush që veprojnë punë të banorëve të xhenetit, derisa të mos ketë mes tij dhe Xhenetit veçse një pash distancë. Në këtë kohë, i paraprin libri duke vepruar punë të banorëve të zjarrit dhe hyn brenda tij (zjarrit).”
Po përse ndodh kjo o Zot, ndërkohë që njeriu është afruar shumë me Xhenetin?! Ku qëndron pika e dobët e një njeriu të tillë?! Çfarë mund të ketë lënë mangët?!
Në jetëshkrimin e profetit Muhamed (a.s.), hasim edhe historinë e Alkames. Ai ishte një nga shokët e Profetit (a.s.) dhe kur i erdhi vdekja, nuk e shqiptonte dot shehadetin. Shqiptonte çdo fjalë tjetër, përveç shehadetit. Të pranishmit nxituan për te Profeti (a.s.) dhe i treguan gjendjen e tij.
Profeti (a.s.) i pyeti: “A e ka nënën gjallë?”
“Po“, – i thanë.
Profeti (a.s.) shkoi te nëna e tij dhe e pyeti: “A ka ndodhur ndonjë gjë jo e mirë mes teje dhe djalit tënd?”
“Po, o i Dërguari i Allahut. Fëmijëve dhe gruas së tij u jepte fruta të mira, kurse mua më jep çfarë tepronte. Ndërkohë që unë jam e ëma, o i dërguar i Allahut!” u përgjigj nëna.
Me qëllim që ta zbuste zemrën e nënës, Profeti (a.s.) u tha shokëve:“Ndizni një zjarr dhe hidheni Alkamen të digjet brenda”.
Kur nëna dëgjoi këtë, thërriti: “Mos e bëj, o i Dërguar i Zotit, se e kam falur Alkamen”. Në ato çaste, Alkame e shqiptoi shehadetin dhe vdiq.”[1]
Për këtë, Profeti (a.s.) sa herë që lutej, thoshte: “O Zot! Unë të lutem që mbyllja e jetës së kësaj bote të jetë sa më e mirë! O Zot! Më ndihmo që jetën e kësaj bote ta mbyll me veprat më të mira!”
Shpeshherë, ai i këshillonte shokët e tij të luteshin, që Zoti t’u bënte risk një fund të mirë.
Mbyllja e mirë dhe ajo e keqe kanë lidhje të drejtpërdrejtë me zemrën e njeriut, dëlirësinë, ose sëmundjet e saj. Sëmundjet e zemrës janë: përgojimi, urrejtja, hasedi (smira), dashakeqësia, neveria, egoizmi, mendjemadhësia, vetëpëlqimi etj… Nëse ke në zemër një nga këto sëmundje, frikësohu për fundin që të pret. Nëse ke gjynahe, por zemrën e ke të pastër nga këto sëmundje, kij shpresë se Zoti do të të falë.
Kontrollo zemrën!
Kur Ebu Bekri caktoi Umerin si pasuesin e tij në pushtet, njerëzit u shqetësuan dhe i thanë: “Si po e cakton atë si Halifen tonë, ndërkohë që ti e di se ai është i dhunshëm dhe i ashpër?!”
Por, Ebu Bekri u përgjigj: “Ai është një burrë, i cili anën e tij të brendshme, e ka më të mirë se të jashtmen.”
Zakonisht, ajsbergët shfaqin vetëm njëzet për qind të madhësisë së tyre, kurse tetëdhjetë për qind mbetet nën ujë. Zakonisht, ne i kushtojmë vëmendjen më të madhe këtij njëzet përqindëshit tonë, i cili shfaqet para njerëzve. Por, besimtar i mirë dhe i ndershëm, është ai që përqendrohet më shumë tek pjesa e padukshme e tij, tek tetëdhjetë përqindëshi.
Sa herë që Profeti (a.s.) dilte para pasqyrës, thoshte: “O Zot! Ashtu siç më ke hijeshuar fizikisht, më hijesho dhe shpirtërisht e moralisht!”
Bil’am Baura
Gjatë rrugëtimit të tij për në Jerusalem, Musai (a.s.) bashkë me popullin e tij kaluan pranë një personi, i cili nga pamja e jashtme të linte pa fjalë, ishte shumë i devotshëm dhe tejet i ditur. Por, nga brenda, zemra e tij ishte mbërthyer nga një egoizëm i sëmurë.
Secili prej nesh kur vuan nga një sëmundje fizike, menjëherë u drejtohet mjekëve për ta kuruar. Vallë sa prej nesh rendim për të kuruar sëmundjet e zemrës? Sëmundjet e trupit përfundojnë një herë e mirë me vdekjen dhe nuk kanë pasoja pas vdekjes. Kurse sëmundjet e zemrës, pasojat më të rënda i kanë sidomos pas vdekjes. Sëmundjet e trupit, mund t’i reduktojnë lëvizjet e tua në këtë botë. Kurse sëmundjet e zemrës të bëjnë të humbasësh këtë botë dhe tjetrën. Kjo temë të bën thirrje ty o vëlla dhe oj motër që ta kontrollosh zemrën, nëse vuan nga ndonjë sëmundje e brendshme si përgojimi, urrejtja, hasedi (smira), dashakeqësia, neveria, egoizmi, mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi.
Përderisa jemi njerëz dhe bëjmë gabime, është e mundur që disa apo të gjitha këto sëmundje të gjenden tek ne të gjithë. E keqja dhe rreziku qëndron nëse këto sëmundje gjenden me përqindje të lartë, mbi 60 %. Nëse këto sëmundje ose disa prej tyre, gjenden në zemrën tënde me një përqindje 60 % dhe më shumë, kam frikë se do të kesh fund jo të mirë, kam frikë se nuk do ta shqiptosh dot shehadetin.
Në rrugë e sipër për në Jerusalem, Musai (a.s.) do të takohej me një person, i cili nga jashtë dukej 100 % besimtar dhe i ndershëm dhe më i dituri i vendit. E keqja e tij ishte se ai vuante nga një sëmundje shumë e rrezikshme e zemrës, egoizmi. Historia e këtij burri, është mishërim i hadithit të profetit Muhamed (a.s.) i cili thotë:
“Betohem për Zotin që nuk ka Zot tjetër veç Tij. Ka prej jush që veprojnë punë të banorëve të xhenetit, derisa të mos ketë mes tij dhe xhenetit veçse një pash distancë. Në këtë kohë, i paraprin libri duke vepruar punë të banorëve të zjarrit dhe hyn brenda tij (zjarrit).”
Zemra e tij i ngjante një gote të mbushur me qumësht, por që fundi ishte gjithë papastërti dhe pisllëqe. Nëse një gotë me qumësht i hedh disa pika ujë, përbërja nuk ndryshon dhe qumështi e ruan shijen, ngjyrën dhe bardhësinë. Por nëse i hedh disa pika bojë, ky qumësht nuk është më i vlefshëm për t’u konsumuar. Kështu dhe zemrën e prishin sëmundje të tilla si: urrejtja patologjike, smira, vetëpëlqimi, egoizmi etj… Historia e Bil’am Baura, në thelb është pasqyrë ku secili prej nesh sheh veten dhe zemrën e tij.
Nga shkretëtira e Sinait, Musai (a.s.) bashkë me popullin e tij u nisën drejt Jerusalemit, i cili u ishte premtuar dhe caktuar nga Zoti. Zoti i lartësuar thotë në Kuran: “O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë që Allahu e ka caktuar për ju.”[2]
Kur Benu Israilët u afruan pranë malit Nibu, prej ku duket dhe Jerusalemi, kaluan pranë një fisi me emrin Benu Kenan. Mes tyre ndodhej një burrë i ditur dhe besimtar, edhe pse nuk ishte nga Benu Israilët. Ai e dinte se Musai (a.s.) ishte profet i Zotit dhe se predikonte besimin e duhur. Ky burrë quhej Bil’am Baura dhe historia e tij ceket në suren Araf, në dy ajete. “Tregoju atyre (hebrenjve) për njeriun, të cilit Ne i mësuam shpalljet Tona, por u largua prej tyre. Kështu, djalli e pushtoi atë dhe ai u bë nga të humburit.”[3]
E keqja e tij ishte se edhe pse besimtar dhe i ditur, ai vuante nga një egoizëm i sëmurë. Ai vuante nga një dëshirë e flaktë për të qenë i famshëm, që të ishte objekt i bisedave të njerëzve dhe për këtë ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka tjetër. Benu Kenanët, nuk i kishin kushtuar as vëmendjen më të vogël Bil’am Bauras. Ata e konsideronin si një murg besimtar që shihte hallin e tij.
Kur Musai (a.s.) dhe populli i tij ngritën çadrat pranë vendbanimeve të tyre, të cilat ndodheshin në mal, Benu Kenanët u frikësuan, nga numri i madh i hebrenjve. Veç kësaj, Benu Kenanët kishin marrëdhënie të ngushta me Faraonin e Egjiptit.
Duke mos pasur mundësi tjetër, Benu Kenanët vajtën tek Bil’am Baura dhe i thanë: “Ti pretendon se je i ditur dhe besimtar! Duam që ta mallkosh Musain dhe popullin e tij!” Bil’ami ua ktheu: “Çfarë po thoni kështu, o njerëz?! Të mallkoj profetin e Zotit?! E kush jam unë që ta bëj këtë?!”
Ata i thanë: “Nëse i mallkon dhe ky mallkim manifestohet në ndëshkimin e tyre, ne do të të besojmë si njeri i ditur dhe do të të ofrojmë një pozitë të lartë”.
Mesa duket, njerëzit e tij e prekën aty ku Bil’am Baura nuk duronte. Historia e tij u drejtohet të gjithë atyre, të cilët e sakrifikojnë fenë dhe besimin, për të bërë karrierë dhe për të gëzuar pozitë të lartë në shoqëri. Ajo u drejtohet të gjithë atyre, të cilët e sakrifikojnë të vërtetën për të fituar një karrige. Ajo u drejtohet të gjithë atyre që japin dhe marrin ryshfete për karrierë. Historinë e këtij burri, Zoti nuk e rrëfen në Kuran për Benu Israilët, por e rrëfen për ne myslimanët.
“Tregoju atyre (hebrenjve) për njeriun, të cilit Ne i mësuam shpalljet Tona, por ai u largua prej tyre. Kështu, djalli e pushtoi atë dhe ai u bë nga të humburit.”
Duke parë që njerëzit filluan t’i kushtonin vëmendje dhe t’i ofronin poste, Bil’am Baura filloi ta mallkonte Musain (a.s.) dhe të lutej kundër Benu Israilëve. Ai i mallkoi dhe u lut për një kohë të gjatë kundër tyre, por asgjë nuk u ndodhi. Kur panë që kjo nuk pati fajde, njerëzit i thanë: “Ti nuk ke asnjë vlerë dhe s’ke ç’na duhesh. U lute dhe i mallkove dhe ato vazhdojnë të jenë si kokrra e mollës”.
Hileja e Bil’am Baura-së
Duke parë që edhe atë pak reputacion po e humbiste, Bil’am Baura tha:”Meqë humba Ahiretin duke mallkuar Musain (a.s.) dhe Benu Israilët, nuk ka përse të humbas dhe Dynjanë”. Ai vajti tek elita e fisit dhe u tha: “Nëse mallkimet dhe lutjet e mia kundër Musait nuk u pranuan, atëherë le të provojmë dredhinë dhe hilen. Vetëm kështu do t’i heqim qafe”. Njerëzit e pyetën: “E çfarë të bëjmë?!”.
Edhe pse i ditur dhe besimtar, ai e uli veten shumë poshtë. Ai u tha: “Zbukurojini dhe stolisini gratë tuaja, parfumojini dhe dërgojini të shesin mall dhe ushqime tek Benu Israilët. Ndërkohë, porositini që nëse ndonjë nga Benu Israilët i fton në shtrat, të mos refuzojnë”.
Këto direktiva i jepte një besimtar dhe i ditur, por që zemrën e kishte të sëmurë. Sëmundja e zemrës e bën njeriun të mos shohë gjë tjetër, veçse interesin dhe karrierën, edhe pse në llogari të fesë, të së vërtetës dhe të drejtësisë.
Paria ia dëgjoi fjalën dhe menjëherë dërgoi disa gra e vajza të bukura të shisnin ushqime tek Benu Israilët, ku disa prej tyre nuk e përmbajtën veten dhe fjetën me këto gra. Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Sprova (fitneja) e parë me të cilën u sprovuan Benu Israilët ishin gratë.”
Kur Musai (a.s.) dëgjoi mbi atë që kishte ndodhur dhe se kjo ishte sipas udhëzimeve të Bil’am Bauras, e mallkoi dhe u lut kundër tij. Zoti ia pranoi lutjet Musait (a.s.) dhe thotë në Kuran, duke e plotësuar historinë e Bil’am Bauras:
“Tregoju atyre (hebrenjve) për njeriun, të cilit Ne i mësuam shpalljet Tona, por u largua prej tyre. Kështu, djalli e pushtoi atë dhe ai u bë nga të humburit”. Sikur të donim, do ta ngrinim atë (me shpalljet Tona), por ai u mbërthye pas jetës tokësore dhe u dha pas dëshirave të veta. Shembulli i tij është si shembulli i qenit: nëse e ndjek, ai të nxjerr gjuhën, nëse largohesh, ai përsëri të nxjerr gjuhën. Ky është shembulli i njerëzve, të cilët mohojnë shpalljet Tona. Tregojua atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.”[4]
Krahasimi me qenin në këtë rast, nuk është për të ulur vlerat e qenit, pasi ai përmendet në ajete të tjera për mirë, si në rastin e banorëve të shpellës. Në çdo pozicion të jetë qeni, do e mbajë gjuhën jashtë, e arrin objektivin apo jo. Kështu ishte dhe Bil’am Baura. Ai vazhdoi të rendte pas famës dhe prestigjit dhe sapo i dukej se i afrohej, i largohej.
Është e pamundur që Muhamedi (a.s.), ta përmblidhte historinë e Bil’am Bauras në dy ajete, veçse nëse besojmë se ai ishte i dërguari i Zotit dhe se gjithçka i shpallej prej Tij. Kur një artist dhe shkrimtar u pyet nëse ishte e mundur që një histori të rrëfehej në dy fjali, ai tha se është e pamundur. Kur i treguan mbi këtë histori, ai u mendua dhe tha se kjo patjetër është prej Zotit të Lartësuar.
Vallë a kemi në mesin tonë njerëz të tillë si Bil’am Baura? A kemi njerëz të tillë, të cilët ndjekin gjurmët e tij?
Nëse ekzistojnë Bil’am Baura në mesin tonë, le t’i frikësohen Zotit. Nëse ti o motër e ke harruar fenë, e ke lënë pas dore, e ke neglizhuar atë, ke tradhtuar burrin tënd, ke hequr hixhabin, ke bërë gjynahe etj… kije frikë Zotin, se mund ta mbyllësh këtë jetë shumë keq. Ruhuni nga mënyra si e mbylli jetën Bil’am Baura!
“Ky është shembulli i njerëzve, të cilët mohojnë shpalljet Tona. Tregojua atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.”
Pasqyra e Bil’am Baurasë është një pasqyrë e frikshme, për këdo që e sheh veten të ngjashëm me të. Unë për vete ia kam frikën një përfundimi të tillë, për këtë e lus Zotin me gjithë zemër të më pajisë me sinqeritet, i cili e pastron dhe kullon zemrën nga papastërtitë. Lute Zotin të të pajisë me sinqeritet që ta mbyllësh jetën sa më mirë. Nëse vetë profeti Muhamed (a.s.) e luste Zotin ta mbyllte sa më mirë jetën në Dynja, çfarë mund të themi ne të tjerët! Janë sëmundjet e zemrës ato që e vulosin mbylljen e zezë të jetës.
Njerëz me fund të mirë
Duke parë që i shoqi, Bilal ibn Rebah, po ndërronte jetë, gruaja e tij filloi të mjerohej dhe të thoshte: “Ah të mjerët ne!”
Por Bilali ndërhyri dhe i tha: “Mos thuaj të mjerët ne, por thuaj lum si ne, pasi nesër do të takohem me të dashurit e mi, Muhamedin (a.s.) dhe shokët e tij”.
Kur po jepte shpirt Muadh ibn Xhebel, i pyeti familjarët: “Çfarë kohe është tani?” Ata iu përgjigjën: “Akoma nuk ka aguar.” Ai u lut: “O Zot! Unë të kërkoj një vdekje, e cila syfyrin e ka në dynja, kurse iftarin në xhenet.” Mandej i shpërthyen lotët dhe kur e pyetën mbi shkakun u tha: “Nuk po qaj për dynjanë, por qaj pasi do të më marrë malli për namazin e natës dhe leximin e Kuranit.”
Shejh Kishku, Zoti e mëshiroftë, vdiq dhe ndërroi jetë teksa kishte vënë kokën në sexhde dhe po falej.
Shejh Muhamed Gazali vdiq teksa po debatonte duke mbrojtur islamin. Në ato çaste atij i bie infarkt dhe vdes. Kur u varros, nuk gjetën vend tjetër për ta varrosur në Medinë, përveçse mes varrit të imam Malikut dhe Ibrahimit, djalit të Profetit (a.s.).
Njerëz me fund të keq
Një miku im, i cili quhet Husam, më tregoi se një ditë po udhëtonte me një kolegun e tij me aeroplan. Kolegu i tij ishte i pasur, i veshur mirë me kostum dhe kollare të shtrenjtë. Papritur kolegu i tij sëmuret dhe fillojnë t’i shfaqen shenjat e vdekjes. Ai filloi të zbërthejë këmishën dhe të djersitej. Ndërkohë që stjuardesat po i vinin në ndihmë, unë përpiqesha ta bëja të thoshte dëshminë, kurse ai më thoshte: “Më jep çantën e parave, më jep çantën”. Nuk thoshte asgjë tjetër. Kur ngulmova si shumë për të shqiptuar shehadetin, më tha: “Mos u lodh se nuk e them dot, sa herë që mundohem ta them, sikur më lidhet gjuha dhe nuk e them dot.”
Nëse do ta dish si do të vdesësh, shih dhe kontrollo zemrën, nëse e ke të sëmurë apo jo.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!”[5]
Nëse i frikohesh Zotit në Dynja, Ai të garanton vdekje të mbarë dhe pozitive. Nëse do ta mbyllësh sa më mirë këtë botë, kontrolloje zemrën, dhe nëse e gjen të sëmurë, kuroje dhe shëroje nga ato sëmundje. Nëse sëmundjet që kemi lartpërmendur – urrejtja, hasedi (smira), dashakeqësia, neveria, egoizmi, mendjemadhësia, vetëpëlqimi – i gjen me një përqindje të lartë në zemër, bëj çmos që të kurohesh.
Bil’am Baura vuante nga egoizmi dhe dëshira për t’u bërë i famshëm, sëmundje e cila e shkatërroi dhe humbi si Dynjanë dhe Ahiretin.
[1] – Trannsmetojnë Ahmeti dhe Tabaraniju. Hadithi është shumë i dobët.
[2] – Sure Maide: 21.
[3] – Sure A’raf: 176,
[4] – Sure A’raf: 176-177.
[5] – Sure Ali Imran: 102.