Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Elif Lam Mim. Romakët u mundën në hapësirën më të ulët në Tokë, por ata pas kësaj humbjeje do të dalin fitimtarë brenda pak vitesh. Me të vërtetë, është vendimi i Allahut, si për të parën ashtu dhe për të dytën (si për fitoren e persëve, ashtu edhe për fitoren e romakëve). Dhe atë ditë do të gëzohen besimtarët për ndihmën e Allahut. Ai ndihmon kë të dojë dhe është i Plotfuqishëm e Mëshirplotë. Ky është premtimi i Allahut e Allahu nuk e thyen premtimin e vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”[1]
Fakte shkencore:
Librat e historisë flasin për një betejë mes Perandorive Perse dhe Bizantine, ku kjo e fundit përfaqësonte pjesën lindore të Perandorisë Romake. Kjo betejë u zhvillua në hapësirat midis Adhras dhe Basras pranë detit të Vdekur, dhe përfundoi me fitoren e persëve në vitin 619 të erës sonë. Humbja ishte shkatërrimtare për romakët dhe në atë kohë të gjithë menduan se perandoria e tyre do të binte.
Çuditërisht ata zhvilluan një betejë tjetër në vitin 627 të erës sonë në afërsi të hapësirës Nivenes, të cilën bizantët e fituan dhe kthyen shumë toka nën sundimin e tyre. Pas disa muajsh bizantët dhe persët firmosën një marrveshje sipas së cilës Persia do t’i kthente të gjitha tokat e pushtuara më parë. Atlasi gjeografik tregon se pika më e ulët në rruzullin tokësor është hapësira pranë Detit të Vdekur. Sipërfaqja e tokës atje është 395 metra nën nivelin e detit. Fotot e marra nga satelitët e mbështesin këtë fakt.
Mrekullia shkencore:
Vargjet e mësipërme vënë në dukje dy fakte të mrekullueshme:
1 – Parashikimin se Perandoria Bizantine do t’i mundte persët brenda pak vitesh. Pas shtatë vitesh parashikimi i Kuranit të Madhërishëm u vërtetua. Fitorja e romakëve erdhi në të njëjtën kohë me fitoren e muslimanëve në betejën e Bedrit. Për arabët paganë të asaj kohe fitorja e romakëve dukej e pamundur, prandaj ata filluan të tallen me muslimanët në lidhje me fjalët e Kuranit. Kur parashikimi doli, ata ngelën të zhgënjyer dhe kokëulur.
2 – Vargjet kuranore përmendin një fakt gjeografik, të panjohur në atë kohë. Ato thonë se romakët e humbën betejën në hapësirat më të ulëta, që do të thotë se ajo pikë është më e afërta me Gadishullin Arabik dhe është njëkohësisht pika më e ulët në rruzullin tokësor. Faktet historike dëshmojnë, se beteja u zhvillua në hapësirën afër Detit të Vdekur. Sipas Enciklopedisë Britanike satelitët kanë provuar se kjo pikë është më e ulëta në rruzullin tokësor, rreth 400 metra nën nivelin e detit. Në atë kohë ishte e pamundur për këdo ta dinte që kjo është pika më e ulët e Tokës. Kjo është edhe një provë tjetër, që Kurani i Madhërishëm është fjala e Zotit. I Plotfuqishmi thotë: “Dhe thuaj: Falenderimi qoftë për Allahun, Ai do t’jua tregojë shenjat e Tij e ju do t’i njihni ato. E Zoti yt, nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që bëni ju.”[2]
Autor: Dr: Itidal Albanuai
Përktheu: Astrit Hykaj
[1] – Sure Rum: 1-6.
[2] – Sure Neml: 93.