ABAS IBN FIRNAS, “AVIATORI” I PARË NË HISTORI

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nga studjuesit e myslimanëve të hershëm mund të përmendim: Thabit ibn Mensurin, Havarizmin, El Betanin, Jahja ibn Mensurin etj… Këta përbënin zanafillën e shkencave të aerodinamikës. Më vonë, këtyre përpjekjeve iu bashkëngjitën dhe një plejadë tjetër e shkencëtarëve myslimanë të astronomisë me studimet e tyre të thella rreth trupave qiellorë.

Në atë fluks studimesh dhe hulumtimesh, një pjesë shkencëtarësh u fokusuan në botën e aviacionit. Studimet dhe eksperimentet e tyre shënuan zanafillën e kësaj shkence.

Një ndër flamurtarët e botës së aviacionit, të cilit i mbetet borxhli civilizimi i sotëm, është dhe dijetari i shquar mysliman, Abas Ibn Firnas. Ai i ishte përkushtuar fushës së shkencës dhe ka bërë një sërë shpikjesh, saqë asokohe filloi të njihej ndryshe dhe si “I mençuri i Andaluzisë”. Tek myslimanët e asaj kohe konsideroheshin si “njerëz të mençur”, ata që merreshin me kimi dhe mjekësi.

Abas Ibn Firnas ishte një enciklopedi më vete dhe vepra e tij meriton të vlerësohet. Përveç shkencave ekzakte, ai merrej dhe me filozofi, si atë greke ashtu dhe atë islame. Ai e njihte mirë gjuhën greke, prej të cilës solli në arabisht shumë kryevepra. Kjo gjë ndikoi pozitivisht në jetën intelektuale. Abas ibn Firnas shkëlqeu në dijet e lashta dhe ato të kohës, duke kontribuar fuqishëm në përhapjen e koncepteve të reja. Dorëshkrimet andaluziane lidhur me kontributin e Abas ibn Firnas-it në lëmin e filozofisë, matematikës, mjekësisë, astronomisë, kimisë, inxhinierisë së ndërtimit dhe arkitekturës, janë të shumta.

Kush ishte Abas ibn Firnas?

Ai njihej me nofkën Ebu Kasim (babai i Kasimit), kurse emrin e kishte Abas ibn Firnas ibn Verdas Takirtij, Andalusij, Kurtubij. Ai ishte novatori i Andaluzisë, filozofi dhe poeti i saj. U rrit në qytetin e dijeve dhe të dijetarëve në Kordobë. Historianët nuk e cekin datën e lindjes së tij, përveç faktit se ka jetuar mes shekullit të dytë dhe të tretë hixhri. Ai ka qenë bashkëkohës i kalifit omejad El-Hakem I, Abdurrahman II dhe Muhamed I, gjatë shekullit të shtatë sipas kalendarit diellor. Për disa kohë, ai ishte poeti i pallatit të kalifatit omejad në Kordobë.

Abas ibn Firnas ishte një personalitet mysliman i shquar në matematikë, astronomi dhe fizikë. Por më tepër ai u bë i njohur për tentativat për të fluturuar. Ai konsiderohet si piloti i parë në histori.

Historianët pohojnë, se Abas ibn Firnas ndërroi jetë në vitin 887 të kalendarit diellor dhe po sipas tyre, ai jetoi 80 vjet.

Ai lindi në Kordobë, fanarin e shkencave dhe industrisë, ku mblidheshin arabë e joarabë në kërkim të dijeve të kohës. Ai mësoi Kuranin dhe dijet e sheriatit në shkollat e Takertës. Më vonë, filloi të frekuentojë mësimet dhe ligjëratat, që mbaheshin në xhaminë e madhe të Kordobës, të cilat i ndiqte me interes të veçantë. Kjo ia lehtësoi udhën për tu bërë pjesë e debateve, diskutimeve, seminareve, fjalimeve dhe polemikave mbi çështje të ndryshme të poezisë, letërsisë dhe gjuhës. Bazuar në logjikën dhe arsyen e fortë, shumë gjuhëtarë, poetë dhe shkrimtarë i uleshin pranë, për të përfituar nga dijet e tij të thella gjuhësore. Përveç shkencës së gjuhës, Abas ibn Firnas njihej për dijet e thella në astronomi, mjekësi, matematikë dhe kimi. Ai ishte mjeshtër në ndërthurjen e informacioneve të shkencave të ndryshme. Kështu, dijet në lëmin e kimisë e ndihmuan maksimalisht në prodhimin e qelqit, ushtrimin e farmacisë dhe mjekësisë, si dhe për fluturimin në qiell. Si dëshmi e aftësive të tij, mjafton ajo që shumë admirues dhe bashkëkohës të tij kanë pohuar: ”Ai ishte superior ndaj kolegëve të tij në shkencën e natyrës, matematikës, mjekësisë, farmacisë, kimisë, inxhinierisë etj… Ai ishte pionier i vënies në praktikë të dijeve teorike dhe për këtë e meritonte titulli “I mençuri i Andaluzisë”.

Abas ibn Firnas, mjek dhe farmacist

Ai u thellua edhe në studimin e mjekësisë dhe farmacisë, duke dhënë kontribut të madh në këto dy fusha. Ai iu dha me gjithë shpirt studimit të veçorive të sëmundjeve të ndryshme, simptomave dhe diagnostikimit të tyre. Një vëmendje të veçantë i kushtoi parandalimit të sëmundjeve, bazuar në thënien: ”Një dërhem i shpenzuar për parandalimin e një sëmundjeje, është më i dobishëm se një okë flori për kurimin e saj”. Ai zhvilloi shumë eksperimente me të sëmurë të ndryshëm, duke u dhënë recetat e tij me ilaçe.

Ai studioi edhe veçoritë e bimëve dhe barnave të ndryshme, duke u fokusuar tek dobitë kuruese të tyre. Ai takohej shpesh me doktorë dhe farmacistë të ndryshëm, me të cilët debatonte rreth këtyre barnave çudibërëse, që mbronin shëndetin e njeriut. Emirët omejadë në Andaluzi, e patën emëruar doktorin e tyre personal, i zgjedhur nga një grup doktorësh të njohur. Ai u ra në sy menjëherë emirëve për zhdërvjelltësinë, shkathtësinë dhe recetat mjekësore të veçanta, të cilat synonin parandalimin e sëmundjeve, mbikëqyrjen e rreptë të ushqimit të emirëve, i cili garantonte shëndetin e tyre pa pasur nevojë për ilaçe përveç rasteve të rralla. E nëse për ndonjë arsye apo një tjetër u nevojiteshin ilaçi, ai u jepte recetat më efikase.

Ibn Firnasi nuk ishte i bindur me gjithçka teorike të shkruar prej studiuesve. Ai ia bëri vetes detyrë që çdo teori ta eksperimentojë për t`u siguruar mbi vërtetësinë e saj, për ta shndërruar në një realitet shkencor ose për ta hedhur poshtë.

Abas ibn Firnas zhytej thellë në dijet e përftuara, duke i vënë në praktikë teoritë shkencore, ku ndër më të rëndësishmet mund të veçojme mjekësinë dhe farmacinë, sidomos studimin e karakteristikave të barnave.

Gjurmët dhe shpikjet e tij shkencore

Ai është i pari, që shpiku një mjet (mikate dhe minkale) për matjen e kohës, gjë e cila ceket dhe në librin “A’lam nubela”. Një model i këtij mjeti ndodhet në xhaminë e madhe të qytetit Tanxhier.

Për herë të parë, ai shpiku një mjet të ngjashëm me astrolabin, i cili maste lëvizjet e diellit, hënës, yjeve dhe planetëve. Mjeti njihej me emrin “Dhatul Halk”.

Kubeja qiellore: Ibn Firnasi është shpikësi i parë i Kubesë Qiellore. Ai kishte shumë vizitorë në shtëpi, të cilët vinin vetëm për të parë nga afër vizatimet e tij të bukura, ku përshkruhej forma e qiellit me retë, rrufetë, diellin, hënën, yjet dhe orbitat e tyre.

Shpikja e xhamit nga rëra: Historianët pajtohen me faktin, se Abas ibn Firnas është personi i parë në Andaluzi, i cili arriti të prodhojë xhamin nga rëra.

Fluturimi dhe çarja e hapësirës

Abas ibn Firnas bëri shumë eksperimente, nëpërmjet të cilave studioi peshën e trupave, rezistencën e ajrit dhe ndikimin e presionit të ajrit mbi këto trupa, nëse fluturojnë në hapësirë. Ajo që e ndihmoi maksimalisht në këtë fushë, ishte thellimi i tij në shkencat natyrore, matematikë dhe kimi. Ai u njoh me veçoritë e trupave dhe informacionet e përftuara prej tyre e shtynë të testojë një mundësi për të fluturuar. Kështu, ai e veshi trupin me pupla të prodhuara nga një lloj mëndafshi i fortë, si dhe ndërtoi dy krahë po me fije mëndafshi, të cilët do të mundësonin mbajtjen e trupit në ajër. Pasi siguroi gjithçka i duhej për këtë iniciativë të rrezikshme dhe u sigurua se po të lëvizë këto krahë, do të mund ta mbanin në ajër – ashtu siç fluturonin zogjtë – do të mund të fluturonte me lehtësi nga një vend në tjetrin.

Pasi kishte përgatitur gjithçka, njoftoi njerëzit mbi dëshirën e tij për të fluturuar dhe pikënisja do të ishte pallati “Resafe” në Kordoba. Ditën e shënuar, shumë njerëz u grumbulluan për ta parë me sytë e tyre këtë zog njerëzor, i cili do të fluturojë mbi qiellin e Kordobës.

Abas ibn Firnas u ngjit mbi kullë me mjetet e tij të mëndafshta, përplasi krahët dhe u hodh në ajër. Ai fluturoi për një farë kohe larg vendit nga ku u hodh, i ndjekur nga shikimet e njerëzve. Kur bëri të zbresë, ai pësoi një dëmtim në kurriz.

Shohim se për eksperimentimin e këtij testi të rrallë, Ibn Firnasi u bazua në studime të thella në lëmin e fizikës dhe astronomisë. Përpjekja e Abas ibn Firnasit për të fluturuar, konsiderohet si hapi i parë në botën e hapësirës.

Sipas teorisë së fluturimit të Abas ibn Firnas, trupi duhet të jetë i lehtë për të shmangur gravitetin e tokës. Kur ai hidhet nga një lartësi, mbahet më kollaj nga ajri. Kjo teori ka gjetur zbatim edhe sot e kësaj dite nga dashamirësit e aeronautikës, sidomos në fluturimin me anën e balonave, të cilat tashmë janë pajisur me bisht.

Shpeshherë, studiuesit dhe historianët e ngatërrojnë eksperiencën e Abas ibn Firnasit me atë të El-Xheuherij, i cili bëri një testim të ngjashëm me të Ibn Firnasit në qytetin Nesabur, në vitin 1003. Ai bëri dy krahë prej dërrase si tip vele, i lidhi me një litar rreth vetes dhe u hodh nga tarraca e xhamisë në Nesabur. Prova e tij pati sukses të pjesshëm, veçse nuk arriti ta vazhdojë fluturimin për shkak të rraskapitjes të papërballueshme. Kështu, ai nuk pati fat dhe u rrëzua, duke humbur jetën.

Vlerësim për kontributin e Abas ibn Firnas

Studimi i parë rreth përpjekjes së parë për fluturim, është kryer në Evropë, nëpërmjet një studimi të përgatitur nga profesori i historisë, amerikani Lynn White. Studimi u publikua në revistën “Teknologjia dhe Kultura” volumi 2, numri 2, viti 1960. Në këtë studim thuhet, se flamurtari i parë i fluturimit në Evropë është Elmer Malsperi, një murg në manastirin Malspery në Angli. Ai bëri përpjekjen e parë për të fluturuar në fillimin e shekullit të njëmbëdhjetë. Siç thotë dhe White: “Elmer bëri krahë me pupla, i lidhi me dy krahët dhe këmbët e tij dhe fluturoi për një distancë të konsiderueshme. Pastaj ai u rrëzua përtokë dhe si rrjedhojë theu të dy këmbët. Kjo ka ndodhur rreth vitit 1010.

Lidhur me këtë përpjekje, White komenton duke thënë: “Nuk është e mundur, që Elmer të jetë frymëzuar nga Sotionis, i cili në dramën e tij mitologjike, përshkruan rënien vdekjeprurëse të njërit prej personazheve. Nuk është e mundur as të jetë frymëzuar nga mitologjia greke rreth fluturimit të Daedalus dhe i biri Icarus, pasi ajo është thjesht një legjendë, e cila nuk ka lidhje me të vërtetat shkencore dhe historike. Ajo që vlen të përmendet në këtë çështje, është rëndësia e gjurmimit të përpjekjeve shkencore dhe empirike, që njihen në histori shumë kohë para Elmert. Ne mund të cekim këtu përpjekjen shkencore më madhështore dhe më të guximshme të Abas ibn Firnas, e cila është larg çdo fantazie apo miti. Ajo karakterizohet nga metodologjia shkencore në të gjitha detajet. Veç kësaj, eksperimenti i Abas ibn Firnas u ekzekutua bazuar në dy teori shkencore të këtij dijetari mysliman, të cilat akoma gjejnë zbatim në fushën e fluturimeve”.

Ajo që nuk ka dyshim është, se eksperienca e Abas ibn Firnas ishte burimi i vetëm i evropianëve që nga shekulli i njëmbëdhjetë. Nuk ka asnjë fije dyshimi, që pionieri evropian i fluturimeve Elmer dhe i atyre që e pasuan, të kenë lexuar mbi eksperiencën e Abas ibn Firnasit dhe ta kenë pasur si burim frymëzimi për të fluturuar. Pikërisht kjo theksohet edhe nga dr. White.

Ajo për të cilën të vjen keq, është se hartuesit e enciklopedive moderne, teksa i qasen historisë së fluturimeve, vlerësojnë kontributin e Orville Wright (1877 – 1923) dhe vëllait të tij Wilbur (1867 – 1912), duke lënë mënjanë, me ose pa dashje, kontributin e shkencëtarit mysliman Abas ibn Firnas.

Abas ibn Firnas u ka paraprirë kolosëve të shekullit njëzet, me përvojën e tij në lëmin e fluturimeve. Kjo ka ndodhur më shumë se dhjetë shekuj më parë. Shpikjet e tij përbënin mrekulli për kohën kur jetoi. Shpikjet e tij dhe eksperimentet mahnitëse, konsiderohen si burim krenarie për myslimanët. Ai ishte aventurier i rrallë, pasi fluturoi në ajër ashtu siç fluturojnë zogjtë. Megjithatë, Abas ibn Firnas mbetet pionieri i aeronautikës në histori, duke dhënë kontribut në këtë shkencë, e cila është zhvilluar gjatë tetë shekujve, derisa dy vëllezërit Orville dhe Wilbur Wirght realizuan fluturimin e parë nëpërmjet një aeroplani mekanik në vitin 1903.

Abas ibn Firnas ishte i pari, që i hapi udhën rrezeve të dritës, të cilat u ndriçuan rrugën atyre që erdhën më pas, ku shumica ishin evropianë, për një zbulim të rëndësishëm në historinë e aeronautikës.

Autor: Salah Abdu Settar Shehavij

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.