Sot, spikeri apo shkrimtari, nuk i drejtohet vetëm një shtrese të caktuar njerëzish, të cilët i njeh dhe e njohin. Me përhapjen e internetit dhe mjeteve të tjera të telekomunikacionit, fqinji yt mund të mos dëgjojë ty, pasi është duke dëgjuar dikë në Poloni, Finlandë, apo Gjermani. Njëkohësisht, fansat dhe dëgjuesit e mi, janë nga skajet më të largëta të botës.
Kushdo që ka një email e kupton mirë këtë që them. Lëre pastaj atë që anëtarësohet në forume dhe biseda elektronike (chatt), të cilët e kanë më se të qartë çfarë dua të them. Ata që kanë hapur faqe interneti ku u përgjigjen pyetjeve dhe shqetësimeve të lexuesve, mund të surprizohen nga numri i pyetjeve dhe kontakteve. E njëjta gjë vlen dhe për ata që shfaqen në TV, të cilët habiten nga numri i madh i ndjekësve dhe reagimeve.
Në një faqe interneti, mund të hyjnë me miliona njerëz në ditë, ata u përkasin moshave të ndryshme, nga 13 e lart, burra e gra. Kjo faqe interneti u shërben lexuesve në të katër anët e botës, duke kapërcyer të gjithë kufijtë politikë, konfliktet dhe barrierat.
Pyetja që shtrohet këtu është: Kjo formë e re komunikimi, a nuk meriton një rishikim të përmbajtjes që u ofrojmë njerëzve? A nuk është e sigurt, se ata u përkasin kulturave, traditave, rrethanave sociale, trashëgimive dhe situatave politike dhe ekonomike? Mos vallë po shkelim një tokë të shkretë dhe të papopulluar? Apo jemi duke depërtuar në zona të mbushura me godina, pyje, ide të vjetra dhe të patolerueshme nga banorët, tradita të rrënjosura, kushte sociale të skalitura, presione politike, ndikime historike e aktuale?
A mund të jetë e suksesshme një përpjekje, ku injorohen të gjitha këto që lartpërmendëm, e t’i flitet njerëzimit ashtu siç i flitet një personi me të cilin jeton, shoqërohesh, e njeh që prej dhjetëra vitesh, ia di karakterin, natyrën, mendimet, i përkisni të njëjtës shtresë sociale dhe kulturore, keni mbaruar të njëjtën shkollë, keni studiuar të njëjtat metoda mësimore dhe jeni bijtë e të njëjtës shoqëri?
Ali ibn ebi Talib thotë: “U flisni njerëzve në gjuhën që kuptojnë! Mos doni të përgënjeshtrojnë Zotin dhe të dërguarin e Tij?!”[1] Kurse Ibn Mesudi thoshte: “Çdo fjalë që ia thua një populli, fjalë të cilën se bluajnë mirë mendjet e tyre, për disa do të merret si provokative.”
Nga përvoja ime e thjeshtë kam parë se mbajtësit e ligjërimit kulturor, në veçanti ata fetar – jo të gjithë – e teprojnë me kujdesin që duhet treguar me komunitetin përreth, të cilit nuk i duhet prishur terezia, i duhen respektuar bindjet deri në nivel “përkëdhelie” etj… Sikur bindjet dhe realiteti nuk u dashkan ngacmuar fare, me qëllim që të kuptohet se gjithçka nuk ishte gjë tjetër veçse një traditë e trashëguar nga i madh e i vogël dhe e shenjtëruar ndër breza. Vetëm duke e gërvishtur njeriu e ka më të kollajtë që ta gjejë fillin mes kësaj tradite e cila ushtron presion mbi idetë dhe mendimet tona, e mes tekstit fetar i cili e përforcon dhe e stimulon. Tradita merret në konsideratë dhe hyn tek gjërat e lejuara.
Mirë, por si i bëhet me traditat e përhapura tek popujt e tjerë, tradita kulturore qofshin apo sociale? A nuk bën që edhe ato të merren në konsideratë? Nëse njeriu ballafaqohet me një traditë dominuese në shoqërinë e tij, bëhet më i përgjegjshëm, më i ndërgjegjshëm dhe më realist, pasi jeton në këtë shoqëri. Atij i lipset njëfarë taktike, herë i lë gjërat të nënkuptohen, fillon me diçka e shtyn diçka tjetër. Por kur përballet me tradita të tjera larg tij, tradita të cilat as i njeh, e jo më të orvatet ti ndryshojë, ai nuk do t’ia dijë për reagimet negative apo pozitive qofshin, sepse nuk i ka në llogari, ashtu siç ka reagimet përreth.
Po, ndikimi i tij në shoqëritë e largëta mund të mos jetë i njëjti me ndikimin në shoqërinë ku jeton, por atij nuk duhet t’i mungojnë disa mekanizma komunikimi. Në fund të fundit, një reformator i vërtetë nuk dëshiron të bëhet shkak për të prodhuar probleme tek të tjerët, me pretekstin se po trajton një problem në shoqërinë e tij. Ndoshta, ky është një nga kriteret e suksesit të ligjërimit global: Aftësia për të ruajtur ekuilibrin mes çështjeve të brendshme dhe atyre të jashtme.
Nëse profetët e mëparshëm dërgoheshin tek popujt e tyre dhe flisnin vetëm gjuhën e tyre, vula e profetëve, Muhamed Mustafaja, është mëshira e mbarë botrave, është përkujtuesi i të gjithëve. Prandaj ligjërimi profetik ishte i mbushur me “globalizëm” në çështjet që trajton. Ai fliste për persët, romakët, turqit, fillimin e jetës dhe fundin e saj. Në ligjërimin e tij nënkuptohen shumë ndryshime politike, sociale dhe politike të cilat do të ndikojnë dhe në dispozitat sheriatike. Kështu, ai u shërbente klerikëve dhe studiuesve pas tij, me qëllim që të ndërgjegjësohen se premtimi i Zotit është i drejtë, se ligjet dhe dispozitat e tij nuk janë veshje të gatshme të një numri, që u jepen njerëzve sado përmasa fizike të ndryshme të kenë. Por qëllimi i këtyre dispozitave ishte ruajtja e interesave të njerëzimit, mbulimi i të metave dhe sigurimi i jetës së tyre. Kështu, këto norma dhe dispozita, u përshtaten të gjithë njerëzve me të gjithë përmasat e tyre, kushtet atmosferike dhe diversitetin mjedisor ku jetojnë.
Gjuha e ligjërimit i drejtohet kujtdo që i mbërrin dhe e dëgjon. Në këtë rast, gjuha nuk janë ato pak shkronja dhe fjalë, por stili i saj, mentaliteti të cilit i drejtohet, tendencat dhe niveli.
Përmbajtja e ligjërimit është diçka e kërkuar, pasi duhen ndarë dispozitat e përgjithshme nga ato të veçanta, rrënjët nga degët. Gjërat sekondare nuk ka përse të vihen në vendin e parësoreve dhe anasjelltas. Përpjekjet dhe mundi ynë do të shkojë dëm nëse insistojmë tek gjërat sekondare. Kështu i shpërdorojmë parësoret dhe nuk lejojmë që ato të rrënjosen.
Sakaq, gabimi dhe avaritë në çështjet dytësore janë më pak të dëmshme. Është vullneti hyjnor që një pjesë e njerëzve të kenë gjykim të ngushtë dhe ta ketë të vështirë perceptimin e drejtë. Sot janë mbi katër miliardë njerëz të cilëve nuk u ka mbërritur thelbi i mesazhit të islamit, nuk e kanë konceptin e drejtë për Zotin dhe mund të mos kenë dëgjuar fare për islamin. Por edhe nëse kanë dëgjuar, e kanë dëgjuar në atë formë që u është neveritur. Ç’mendoni sikur këtyre t’i shtonim dhe çështjet dytësore?
Disa çështje me specifika lokale, mund të jenë të pranueshme për një vend të caktuar, për shkak të mjedisit dhe ambientit. Por, të njëjtat çështje mund të jenë të pakuptueshme, e jo më të pranueshme, për një shoqëri fqinje. Nëse kjo ndodh me një shoqëri fqinje, ç’mund të them për një shoqëri të skajshme?
Prandaj, teksa flitet dhe debatohet për çështje teorike të çuditshme në media, na lind pyetja: Mos vallë ne si arabë po bëhemi gazi i botës duke reklamuar disa ide të çuditshme dhe të shpërfytyruara, sikur jetojmë në një planet tjetër?
Autor: Selman Aude
Përktheu: Elmaz Fida
[1] – Buhariu.