Intervistë me dijetarin Jusuf Kardavi 2

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kardavi: Mosbindja civile, ka nevojë të studiohet, sakaq i refuzoj thirrjet për bojkot ndaj koptëve

Në pjesën e dytë të intervistës të zhvilluar me dr. Jusuf Kardavi – Kryetar i Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë – u trajtua dhe kriza e sajuar nga kryesia e kishës kopte në Egjipt. Me këtë rast, shejh Kardavi mendon se nëse një mysliman konvertohet në një fe tjetër me bindje të plotë, ai është i lirë dhe llogarinë e ka vetëm me Zotin.

Ai e konsideron të papranueshme thirrjen e disave për të bojkotuar koptët në Egjipt, duke theksuar se Egjipti është një strukturë e vetme që në lashtësi. Kolonizatorët janë rrekur të shkaktojnë përçarje duke goditur unitetin kombëtar, por që këto komplote dhe plane dashakeqe kanë dështuar.

Lidhur me bojkotin e disa deputetëve myslimanë që u kanë bërë zgjedhjeve në Jordani dhe Egjipt, shejh Kardavi ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje për t’i shërbyer vendit dhe njerëzve. Megjithatë, sipas tij, vendimi i fundit duhet të bazohet në balancimin mes avantazheve dhe disavantazheve.

Pyetje: Besoj se e keni ndjekur krizën e ndezur kohët e fundit në Egjipt, sidomos pas intervistës së dr. Muhamed Selim El-ava në kanalin Alxhazira në emisionin “Pa kufij”. A mendoni se doktori El-ava ndezi konfliktin ashtu siç e akuzojnë disa?

Përgjigje: Unë e kam ndjekur emisionin të plotë, fjalë për fjalë edhe pse në përgjithësi e kam të vështirë të ndjek televizionin për shkak të angazhimeve të shumta. Mendoj se vëllai ynë El-ava nuk tha ndonjë gjë provokuese. Përkundrazi, fjalët e tij ishin maksimalisht të ekuilibruara dhe në një nivel të lartë përgjegjësie, shkencore dhe objektive, të mbështetura në informacione të sigurta dhe jo mbi thashetheme. Ai solli fakte dhe argumente që flasin mbi zhvillimet e dosjes kopte në Egjipt. Ai paralajmëroi një rrezik që mund të prekë atdheun dhe që kërcënonte unitetin e tij.

Pyetje: Lidhur me dosjen dhe tematikën e raporteve mes myslimanëve dhe të krishterëve, e cila ngrihet me shqetësim herë pas here si në Egjipt ashtu dhe në disa vende, Egjipti është përfshirë në një debat të gjerë kohët e fundit. Çështja shtrohet në dy nivele: I pari, liria e besimit dhe konvertimit në një fe tjetër. E dyta, lidhur me identitetin kombëtar dhe pretendimeve kopte herë pas here që myslimanët në Egjipt kanë ardhur si “miq” të koptëve. Cili është mendimi juaj lidhur me ndërrimin e fesë dhe dënimit për felëshuesin?”

Përgjigje: Njeriu gëzon të drejtën të zgjedhë fenë e tij, pa imponim. Unë dua të theksoj se çështja e apostazisë (braktisjes së një feje) nuk shihet si sprapsje dhe kthim prapa për ne myslimanët. Po të shohim në bisedën e zhvilluar me Herakliut dhe Ebu Sufjanit, ky i fundit pyetet nëse myslimanët e Mekës shtoheshin apo pakësoheshin. Ebu Sufjani përgjigjet që vetëm shtoheshin. Herakliu e pyeti: ”A ka ndonjë prej tyre që e braktis fenë pasi e ka përqafuar atë?” Ebu Sufjani u përgjigj:”Jo.” Herakliu i tha: ”I tillë është besimi i vërtetë kur gjen zemra të sinqerta.”

Padyshim që unë nuk dua që ndonjë mysliman të braktisë fenë e tij, por nëse një syresh konvertohet në një fe tjetër me bindje, ai është i lirë dhe llogarinë e ka me Zotin e tij. Sakaq veprimtaria që bëhet për krishterizimin e njerëzve, duke shfrytëzuar nevojat e tyre, fukarallëkun dhe injorancën, duke përdorur shpifje dhe gënjeshtra për të lëkundur besimin e tyre, është diçka që e refuzojmë me forcë.”

Pyetje: Po lidhur me disa të krishterë koptë të cilët kanë përqafuar islamin dhe kanë dalë para një komisioni kishtar, për t’i kërkuar të pendohet dhe të kthehet sërish në fenë e tij të parë, çfarë mendoni?”

Përgjigje: Unë e mbështes një procedurë të tillë nëse zhvillohet një debat i lirë dhe pa presione. Por nëse procedura shoqërohet me presione, kanosje dhe shantazhe, e kundërshtoj me forcë. Unë do të dëshiroja që një debat dhe diskutim i tillë të zhvillohej dhe me myslimanët që konvertohen në fe të tjera. Nëse njeriu është i sigurt në besimin që ka zgjedhur, nuk do të ndikohet nga një diskutim i përfaqësuesve të çfarëdo feje. Megjithatë, një procedurë e tillë është e dobishme për të, me qëllim që kur të konvertohet ta bëjë me siguri dhe bindje. Nëse ka pasur dyshime dhe paqartësi, një diskutim dhe bisedë e ngrohtë, mund t’ia heqë dhe largojë ato. Por është fatale që kjo procedurë të zhvillohet vetëm me të krishterët që konvertohen në myslimanë dhe jo anasjelltas.”

Pyetje: A mendoni që konvertimi në islam i dikujt, duhet të reklamohet në internet apo televizor?

Përgjigje: Unë nuk e këshilloj diçka të tillë, pasi konsiderohet provokim për të tjerët. Kushdo që konvertohet në mysliman nga çfarëdo feje tjetër, nuk ka nevojë për reklamë dhe publikim. Kjo mund të bëhet vetëm në mesin e myslimanëve që ta njohin dhe ti gjenden nëse ka nevojë për ndihmë. Kjo, sepse në përgjithësi, njerëz të tillë braktisen nga familjarët dhe të afërmit, të cilët mund të ushtrojnë dhe presion ndaj tij. Një person i tillë ka nevojë për ndihmë dhe përkrahje, që ta përballojë këtë situatë.”

Pyetje: Kreu i kishës egjiptiane, gjatë një interviste dhënë një të përditshmeje, i etiketon myslimanët e Egjiptit si “miq”. Veç kësaj, ai ka bërë thirrje për një rishikim të Kuranit, ashtu siç hedh dyshime mbi disa ajete të Kuranit, duke thënë: Nuk e dimë nëse janë nga Kurani i Muhamedit, apo janë shtuar pas vdekjes së tij?!

Përgjigje: Fjala me të cilën na etiketon ne myslimanëve “miq” është e refuzuar dhe nuk përmban asgjë të vërtetë. Si është e mundur që shumica prej 94 % e Egjiptit të qenkan “miq” tek pakica kopte e cila nuk është më shumë se 6 % e popullatës?! Kush qenkan këta miq? Nga kanë ardhur myslimanët, të cilët në fakt nuk janë veçse koptë që pranuan islamin?!

Egjiptianët pranuan islamin në kohën e Kalifit Omer ibn Hattabit. Ishte Amr ibn As ai që e mori Egjiptin me një ushtri të përbërë prej tetë mijë ushtarësh. Fillimisht, ata ishin vetëm katër mijë, por hazreti Omeri u dërgon dhe katër mijë të tjerë, pas kërkesës së Amr ibn Asit. Pasi Amri e mori Egjiptin, i ktheu sërish katër mijë ushtarë dhe vetëm katër mijë mbajti për të siguruar rendin. Mos ishin këta katër mijë ushtarë ata që kthyen pothuaj gjithë Egjiptin në myslimanë?

Egjiptianët nuk u konvertuan njëherazi në myslimanë. Ata pranuan Islamin vetëm pasi konstatuan drejtësinë e myslimanëve arabë. Kjo përvojë e re u erdhi pas dhunës dhe shtypjes që Bizanti i krishterë kishte ushtruar mbi ta. Kur një nga koptët e krishterë u trajtua keq nga djali i valiut mysliman, babai i tij u ankua tek kalifi Omer, i cili i dha të drejtën të krishterit të hakmerret në të njëjtën masë. Mandej, shtoi: ”Që kur keni filluar t’i robëroni njerëzit, ndërkohë që nënat i kanë lindur të lirë?!”

Kjo drejtësi aplikohej në favor të një djaloshi kopt, i cili nuk guxonte të ngrejë kokën në kohën e Bizantit dhe nuk guxonte të lëvizë buzët  për tu ankuar tek guvernatorët. Po ky djalosh, merr rrugën nga Egjipti për në Medine, për të apeluar ndaj një padrejtësie nga djali i guvernatorit mysliman. Dhe kalifi mysliman, nuk sheh asnjë pengesë që t’i kthejë dinjitetin dhe të hakmerret për një kopt të krishterë. E gjitha kjo dhe kopti i krishterë nuk pranon Islamin.

Kur disa guvernatorë dhe qeveritarë omejadë, aplikuan sistemin xhizje të taksave, edhe mbi të krishterët që pranonin Islamin, këtë e anulloi Omer ibn Abdul Azizi. Kur guvernatori iu justifikua me nevojat që kishte thesari i shtetit, Omeri i tha: ”Sa mendim të shëmtuar më ke dhënë! A nuk e di që Zoti e ka dërguar Muhamedin si udhëzues dhe jo si taksambledhës?!”

Vazhdoi islami të përhapej mes koptëve egjiptianë, derisa myslimanët u bënë shumicë. Njerëzit konvertoheshin në Islam me bindje. Asnjë prej nesh nuk e di nëse ka pasur origjinë egjiptiane apo arabe. Kjo, edhe pse fjala kopt, nuk nënkupton vetëm të krishterët, por nënkupton të gjithë egjiptianët. Unë personalisht që jam klerik dhe dijetar mysliman, nuk e di nëse gjyshërit e mi kanë qenë arabë, apo ndonjë nga faraonët.

Para se egjiptianët të pranojnë Islamin, patën pranuar dhe përqafuar krishterimin, për të cilin edhe kanë sakrifikuar. Por pyetja që shtrohet është: Po para krishterimit, cila ishte feja e egjiptianëve? Padyshim kanë qenë paganë. Mos do të thotë kjo që banorët e vërtetë të Egjiptit janë paganët dhe adhuruesit e diellit dhe se të krishterët kanë ardhur si “miq” tek paganët? Edhe pse këta të fundit, tashmë janë zhdukur.

Vendet janë po ata që kanë qenë, kurse fetë e kësaj toke kanë ndryshuar. Sot, për bazë merret aktualiteti dhe jo e kaluara. Nëse dje egjiptianët kanë qenë të krishterë, sot ata janë myslimanë dhe janë shumicë absolute.”

Pyetje: Po lidhur me thirrjen e kreut të kishës për rishikim të Kuranit dhe hedhjes së dyshimeve lidhur me disa ajete, nëse janë që nga koha e Muhamedit (a.s), apo janë shtuar më pas?

Përgjigje: Thirrje dhe dyshime të tilla janë nonsens dhe gjepura të pabaza. Është fakt që ajetet e Kuranit fisnik janë ruajtur të pandryshueshme me përkujdesën e vetë Zotit të lartësuar, i cili premton:” Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.”[1]

Megjithatë, myslimanët i janë përkushtuar memorizimit të Kuranit që gjatë jetës së Profetit (a.s), kur filloi dhe shkrimi dhe memorizimi, vazhdoi në kalifatin e Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit dhe vazhdon deri në ditët e sotme. Ne e lexojmë Kuranin dhe fjalët e tij ashtu siç i lexonte i dërguari i Zotit (a.s,) deri në detajet më të hollësishme, siç janë zgjatjet, shqiptimi etj…

Madje, edhe në mënyrën e të shkruarit, i jemi përmbajtur kaligrafisë së Othmanit, si tregues i ruajtjes dhe mos lejimit të abuzimit siç ndodhi me librat e tjerë si Teurati dhe Ungjilli. Kështu, disa fjalë si salat, zekat, riba etj… nuk shkruan siç e diktojnë rregullat bashkëkohore të arabishtes, por ashtu siç shkruheshin asokohe. Këto detaje nuk i gjejmë vetëm në librat e vërtetë qiellorë siç është Kurani Fisnik.

Madje, ne e lexojmë dhe i përmbahemi në mënyrë të rreptë mënyrës si e ka pas lexuar i dërguari i Zotit (a.s). Më kujtohet që kur ishim të vegjël dhe mësonim Kuran përmendësh në mejtep, sa herë që një nga fëmijët shtonte qoftë dhe një shkronjë në mënyrë të pavëmendshme, të gjithë ne i drejtonim shikimet qortuese drejt tij.

Kuranin nuk e kanë mësuar përmendësh vetëm pleqtë e vjetër, por e kanë memorizuar dhe mësuar edhe fëmijët e moshave më të reja, gjë të cilën nuk e gjen tek ithtarët e asnëj feje tjetër. Unë i sfidoj të krishterët që të sjellin qoftë dhe një prift i cili e ka memorizuar biblën të gjithën përmendësh. Sakaq, numri i fëmijëve që e kanë mësuar të gjithë Kuranin përmendësh arrin në qindra mijëra syresh. Kush guxon t’i shtojë Kuranitqoftë dhe një ajet, apo ta fshijë një tjetër?”

Pyetje: A janë të krishterët qafirë (mohues)

Përgjigje: Dua të sqaroj se kur themi që të krishterët janë qafirë, shpesh herë keqkuptohet dhe interpretohet gabimisht. Atëherë, çfarë do të thotë nëse pohojmë se ata janë qafirë? Nëse i etiketojmë si qafirë, kjo nuk do të thotë se ata janë ateistë dhe nuk besojnë në Zotin dhe jetën tjetër, shpalljen hyjnore dhe profetët. Ata e besojnë Zotin në përgjithësi, por ata e mohojnë profecinë e Muhamedit (a.s) dhe thonë se ai është autori i Kuranit, të cilin nuk e konsiderojnë fjalë të Zotit si Teuratin dhe Biblën. Sakaq, hyjnizimi i Mesisë dhe triniteti konsiderohet kufr (mohim) në islam. Thotë Zoti në Kuran: “Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!”, sepse vetë Mesihu ka thënë: “O bijtë e Izraelit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës.”[2]

Ashtu siç unë jam mohues dhe jobesimtar i kredos aktuale të krishterë, të cilën e besoj si të shtrembëruar nga origjina, ashtu është mohues dhe jobesimtar edhe i krishteri për besimin dhe kredon time islame. Përndryshe, ekzistenca e dy feve – islami dhe krishterimi – nuk do të kishte asnjë kuptim dhe domethënie, nëse do të gjykoja se ata nuk e mohojnë fenë time. Mos harrojmë se sektet e krishtera, e akuzojnë njëri-tjetrin si mohues dhe jobesimtarë. Gjykimi ynë për jomyslimanët, si mohues dhe jobesimtarë për fenë time, nuk tregon gjë tjetër veçse pozicionin që ata kanë zgjedhur me fenë time.”

Pyetje: Cili është mendimi juaj lidhur me thirrjen e lëshuar nga blloku i dijetarëve të Ez’herit, drejtuar myslimanëve që t’i bojkojtojnë ekonomikisht të krishterët dhe kërcënimi se më vonë do të bojkotohen edhe në nivel social?

Përgjigje: Unë nuk e përkrah një thirrje të tillë, madje e shoh si të papranueshme dhe të palejueshme, përveçse në një rast të vetëm: Kur kreu i kishës kopte të bëjë thirrje për të bojkotuar myslimanët dhe të krishterët i binden. Vetëm në këtë rast na lejohet ne myslimanëve tua kthejmë me të njëjtën monedhë. Por unë nuk mendoj se kreu i kishës e bën diçka të tillë, sepse edhe të krishterët egjiptianë nuk do i bindeshin. Ne jemi një strukturë e vetme e kësaj toke që në lashtësi. Pushtuesit janë rrekur ta përçajnë këtë popull, duke goditur unitetin kombëtar, por të gjithë planet tyre kanë dështuar.”

Pyetje: Përse nuk keni luajtur ju personalisht rolin e ndërmjetësit, duke ditur se jeni kryetar i Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë?

Përgjigje: Unë kam menduar dhe mendoj se këtë rol mund ta luajnë më së miri dijetarët e Egjiptit, pasi është një çështje e brendshme dhe çdo ndërhyrje mund të interpretohet gabim dhe nuk do të ishte e dobishme, duke sjellë më shumë dëme. Ne si Union Botëror i Dijetarëve Myslimanë nuk kemi hequr dorë nga detyrat dhe përgjegjësitë tona, kemi lëvizur për çdo çështje që u përket myslimanëve në botë, e cila i shërben zgjidhjes së problemeve të tyre. Por në një rast të tillë si ky, kemi gjykuar që ndërhyrja jonë nuk do të ishte e dobishme. Një lëvizje të tillë, më së miri mund ta merrte përsipër institucioni përfaqësues i myslimanëve, Ez’heri, dijetarët e tij dhe Akademia e studimeve islame me figurat e saj. Unë i këshilloj që këtë krizë të trajtohet me objektivizëm nga njerëz të logjikshëm dhe të matur, larg demagogëve.”

Pyetje: Qeveritë aktuale të vendeve arabe dhe islame, herë pas here gjenden nën presione të shumta nga organizma të ndryshme, me qëllim që të ndërmarrin reforma demokratike të vërteta. Por, shohim që reagimi pozitiv i këtyre qeverive është shumë larg. Çfarë mendoni me thirrjet për mosbindje civile të lëshuara nga disa, si mjet presioni mbi qeveritë? A është kjo diçka e ligjshme apo jo? Nëse po, cilat janë kriteret që duhen pasur parasysh?

Përgjigje: ”Në fakt, unë akoma nuk kam një mendim timin të qartë lidhur me këtë mesele (mosbindjen civile), pasi është një mesele e re dhe e panjohur më parë. Prej nesh pritet të studiohet thellë, të përfitojmë nga eksperiencat e të tjerëve dhe të shohim efektivitetin, anët pozitive dhe negative të saj. Vetëm pas një studimi të tillë mund të japim mendimin tonë. Nëse reagime të tilla kanë shërbyer si katalizator reformash tek popuj të tjerë, ne e mirëpresim dhe e mbështesim një hap të tillë. Në të kundërt, duhet ta shtyjmë për një kohë të përshtatshme.”

Pyetje: Një pjesë e aktivistëve – mes tyre dhe myslimanë – bëjnë thirrje që të bojkotohen zgjedhjet parlamentare të ardhshme si në Jordani dhe në Egjipt. Sakaq, të tjerët mendojnë se pjesëmarrja në zgjedhje është mënyra më efikase për reformat. Sipas jush, a do të ishte më mirë pjesëmarrja në zgjedhje apo bojkoti?

Përgjigje: Në origjinë, unë mendoj që myslimanët duhet të marrin pjesë në të gjithë zgjedhjet që zhvillohen, për të çuar përpara reformat dhe për të çuar fjalën e Islamit në çdo cep. Por, ky proçes mund të pengohet nga barriera të shumta, të cilat e bëjnë pjesëmarrjen të pavlerë. Prandaj, kjo është një çështje që bazohet në ekuilibrat e avantazheve dhe disavantazheve. Nëse avantazhet janë më të shumta, e shoh si detyrë pjesëmarrjen në zgjedhje. Në të kundërt, nuk ka përse të merret pjesë në to, sidomos nëse sigurohemi se ato do të manipulohen dhe nëse forcat islame mund të përndiqen, siç ka ndodhur në disa zgjedhje ku kemi parë të plagosur dhe të vrarë. Në raste të tilla, është më mirë të mos marrim pjesë në këto zgjedhje. Marrja pjesë apo mos marrja pjesë, duhet të bazohet në studime shkencore nga ekspertë të asaj fushe.

Pyetje: A e mbështesni idenë e anëtarësimit të dijetarëve myslimanë në partitë politike?

Përgjigje: Po, e mbështes hyrjen e dijetarëve nëse bëhet për t’i shërbyer komunitetit dhe kontribuon në realizimin e objektivave islame, organizim qoftë, shoqatë, union, parti apo çfarëdo tjetër. Çdo dijetar duhet të kontribuojë në fushën që i përshtatet dhe që e vlerëson më shumë. Në raste të tilla, ai mund të zgjidhet si kandidat, gjë të cilën nuk duhet ta refuzojë, nëse është i përgatitur për beteja të tilla. Mos harrojmë se zëri islam nuk duhet t’i mungojë arenës politike. Por si mund të ekzistojë zëri islam, nëse secili prej nesh punon në mënyrë individualiste?! Një punë dhe vepër individuale kurrë nuk mund të jetë e fuqishme. Individi është i dobët i vetëm, por i fuqishëm në kolektiv. Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, ku tullat mbajnë njëra-tjetrën.”

Të gjithë strukturat e mëdha në kohën tonë, si shtetet e qytetëruara, kanë bashkuar kapacitetet dhe punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët. Sot shohim tre katër shtete të fuqishme që bashkëveprojnë për ndërtimin e një aeroplani të caktuar. Shtetet e Evropës, edhe pse për një kohë të gjatë qenë zhytyr në luftra të përgjakshme dhe konflikt të pafund, panë se më e dobishme për ta ishte ta harrojnë të kaluarën dhe të bashkohen në një union, të quajtur “Bashkimi Evropian.” Prandaj, është e rëndëishme që njerëzit e ditur të fuqizohen dhe mbështeten nëse marrin pjesë në zgjedhje nën flamurin e një partie apo grumbullimi.

[1] – Sure Hixhr: 9.

[2] – Sure Maide: 72 – 73.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.