Kolosi Ebu Hanife

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Imam Ebu Hanife ka jetuar në një mjedis dijesh të fikhut, të cilat e transferuan nga marrja me biznes, për tek marrja me studime dhe ndjekja e mësimeve tek dijetarët e kohës dhe kjo që në moshë të njomë. Diçka e tillë ngjau pas këshillës së atyre që pikasën tek ai zgjuarsinë dhe inteligjencën. Askush nuk ka përse ta nënvlerësojë moshën e njomë të dikujt dhe të tregohet koprrac me një këshillë, orientim dhe ndihmë sado të vogël për të ndryshuar linjë, ose për vendosje të këmbës në vendin e duhur.

Emri dhe prejardhja:

Ai thirrej Ebu Hanife (babai i Hanifes), kurse emrin e kishte Numan ibnu Thabit ibn Zuta. Thuhet se Zuta ka qenë skllav i Benu Thalebe.

Lidhur me origjinën e tij, ka mendime të ndryshme. Disa thonë se ka qenë me orgjinë nga Kabuli, të tjerë nga Babel, Nesa, Tirmidh, Enbar etj…

Transmeton Hatib nga Ismail ibn Hamad ibn Ebi Hanife, se thoshte: “Unë jam Ismail ibn Hamad ibn Numan ibn Thabit ibn Numan ibn Merzeban, me prejardhje perse dhe nga familje e fisme. Për Zotin kurrë nuk kemi qenë skllevër si familje. Gjyshi im ka lindur në vitin tetëdhjetë dhe Thabit ka vajtur tek Ali ibn Ebi Talib që në moshë të vogël. Imam Aliu është lutur që Zoti ti japë bereqet ne familje. Ne urojmë që Zoti t’ia ketë pranuar këtë lutje të imam Aliut.”

Thotë Serraxh Hindij, pasi citon thënien e mësipërme të Ismailit: “Të njëjtën gjë ka pohuar dhe vëllai i Ismailit. Asnjë myslimani nuk i lejohet që figurave të tilla tu atribuojë lidhje gjaku përveç atyre prindërore.”

Lindja e tij:

Thotë imam Dhehebij: “Ai ka lindur në vitin e tetëdhjetë hixhri.”

Sakaq të tjerë pohojnë se ka lindur vitin e gjashtëdhjetë, ose vitin gjashtëdhjetë e tre. Thotë Kureshij: “ E vërteta është se ai ka lindur vitin tetëdhjetë.”

Thotë Dhehebij: “Ai ka lindur vitin e tetëdhjetë, gjatë jetës së sahabëve të fundit. Është takuar me Enes ibn Malikun kur ky i fundit vizitoi Kufen dhe nuk është vërtetuar se ai ka spekuluar me mendimet e tyre.”

Ka thënë Abdul Kadir Kureshij: “Disa pretendojnë se ai (Ebu Hanife) ka dëgjuar (hadithe) nga tetë sahabe, emrat e të cilëve disa dijetarë i kanë koleksionuar në një volum. Unë kam shkruar një libër lidhur me pamundësinë e diçkaje të tillë (që Ebu Hanife është takuar me tetë sahabe). Në këtë libër kam përmendur sahabët me të cilët është takuar dhe me ata të cilët nuk i ka takuar dot. Ashtu siç kam replikuar me ata që mendojnë se Ebu Hanife nuk është takuar me Enes ibnu Malik.”

Nxënia e dijes:

Ebu Hanife u orientua drejt studimit të shkencës së fikhut dhe hadithit, duke nxënë prej një plejade figurash nga brezi i tabi’inëve. Ai u shqua në fushën e shkencave islame, duke u radhitur tek imamët e mëdhenj të islamit.

Vlen të citojmë se Ebu Hanife nuk u mor me dije që në moshë të vogël, pasi angazhohej me çështje të biznesit dhe shitblerje. Kjo vazhdoi derisa imam Sha’bij e këshilloi ti përkushtohej dijeve fetare. Ngjarjen vendimtare të orientimit të Ebu Hanifes drejt shkencave islame e rrëfen ai vetë ku thotë:

“Një ditë kalova pranë imam Sha’bij, i cili ishte i ulur dhe me të më dalluar më kërkoi ti shkoj pranë. Pasi u afrova, më tha: Tek cili usta shkon? Unë iu përgjigja:Tek ustallarët e pazarit. Ai më tha: S’të pyeta për ustallarët e pazarit, por ustallarët e dijes. Unë i thashë: Në fakt, shkoj shumë rrallë tek ata. Ai shtoi:  Mos hiq dorë nga shkollimi, dijet dhe qëndrimi me njerëz të ditur! Unë dalloj tek ti inteligjencë dhe pasion. Këto fjalë më prekën në zemër dhe që atëherë fillova të heq dorë nga pazari dhe iu qepa nxënies së dijes. Padyshim që ia kam parë hairin.”

Lidhur me fillesat e tij me dijen, na mjafton përgjigja e tij kur u pyet se si e kishte filluar nxënien e dijeve. Ai u përgjigj: Unë jetoja në vatrën e dijes dhe të fikhut. Kështu, fillova të ulem pranë dijetarëve dhe kryesisht iu qepa njërit prej tyre.”

Dijetari të cilit iu qep pas Ebu Hanife, ishte pikërisht Hamad ibn Sulejman, të cilit nuk iu shqit për tetëmbëdhjetë vite të plota. Kushdo që lexon mbi këtë emër, ia vlen të kërkojë dhe studiojë më shumë rreth figurës së tij, për ta kuptuar më mirë përse nuk iu nda Ebu Hanife për dy dekada.

Pasi Ebu Hanife kishte përcaktuar orientimin e tij akademik, pra zgjodhi fikhun, filloi të marrë pjesë në mësimet që jepte Hamadi. Shejhu i tij e vuri re menjëherë inteligjencën dhe aftësinë memorizuese të këtij djaloshi të njomë. Për këtë, ai kishte thënë: Askush tjetër nuk do të ulet pranë këmbëve të mia gjatë mësimit, përveç Ebu Hanifes.

Tregon Ebu Hanife: Pasi kisha qëndruar pranë tij për dhjetë vite me radhë, nefsi më tundoi që të shkëputem prej tij dhe të formoj një grup nxënësish dhe të apasionuarish pas fikhut. Një ditë kisha vendosur ta çoj në fund planin tim dhe isha gjithë entuziazëm. Por kur hyra në xhami dhe pashë fytyrën e shejhut tim, ndryshova mendim aty për aty dhe vajta u ula tek vendi im. Atë natë, atij i erdhi një letër ku njoftohej për  vdekjen e një personi të afërm në Basra, i cili nuk kishte lënë trashëgimtarë përveç tij. Kështu, i duhej të largohej për disa kohë. Për këtë, shejh Hamadi më urdhëroi të ulem në vendin e tij dhe të jap mësim.

Kështu, Ebu Hanife zuri vendin e shejhut të tij, po atë ditë që kishte vendosur të ndahej prej tij për të formuar një grup të ri nxënësish. Ai e realizoi planin e vet, pra po jepte mësim pa u mbështetur tek shejhu, por këtë herë në rrugë të ndershme dhe jo separatiste. Ai po e bënte me lejen e shejhut dhe profesorit të vet, të cilin e donte shumë, saqë e kujtonte me nostalgji edhe pasi kishte ndërruar jetë. Sa herë që lutej për prindërit e tij, Ebu Hanife do të lutej edhe për mësuesin e vet të dashur.

Për herë të parë Ebu Hanife do të ulet në fronin e dijes, për të dhënë mësim dhe për tu përgjigjur pyetjeve që shqetësonin popullsinë. Asokohe, ai ishte vetëm tridhjetë vjeç.

Tregon ai vetë: Gjatë mungesës së shejh Hamad, kam dëgjuar pyetje dhe mesele të cilat kurrë nuk i kisha dëgjuar më parë. Unë u jepja përgjigje, të cilat i shënoja në letër. Kur shejhu u kthye pas dy muajsh, ia tregova përgjigjet e meseleve, numri i të cilave ishte tetëdhjetë. Mendimi i tij përkoi me dyzet mesele të miat, kurse për njëzet mesele kishte mendim të kundërt. Që atëherë ia bëra vetes obligim që të mos ndahem prej tij deri në vdekje dhe në fakt, nuk i jam shqitur derisa ndërroi jetë.”

Ngjarje të tilla lënë gjurmë të thella në jetën e personit që i përjeton. Ato shndërrohen në mësime të gjalla për çdo nxënës dije dhe shërbejnë si kushtetutë për hapat që do të hedhë në të ardhmen. Litarët e dijes janë të gjatë dhe brigjet e saj të largët. Dijet nuk përftohen veçse duke pasur një model, profesor, zell, modesti dhe vijimësi. Në të kundërt, je një flluskë sapuni, e cila ka vlerë përderisa nuk ka plasur akoma. E mandej, thahet dhe zhduket pa lënë gjurmë.

Tiparet dhe moralet:

Ebu Hanife kishte fytyrë simpatike, plot autoritet, i kushtonte vëmendje veshjes dhe parfumit. Ai radhitej tek njerëzit më të hijshëm, me gojën bilbil dhe më zërin melodioz.

Thotë Jahja Kuttan: Jam ulur pranë Ebu Hanifes dhe kam dëgjuar prej tij. Pasha Zotin, po ta shihje në fytyrë, e kuptoje menjëherë se ai është një burrë që e ka frikë Zotin.

Nxënësi i tij, Ebu Jusufi, duke folur për vlerat e shejhut të vet para Kalifit Harun Reshid, thotë: Thotë Zoti në Kuran: “dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).”[1] Kjo vlen për gjuhën e çdo personi që flet. Sipas njohurive të mia për Ebu Hanifen, ai u ruhet fort harameve, ruhet që të mos thotë për fenë e Zotit atë që nuk e di, dëshriron që Zotit ti bindet dhe të mos e kundërshtojë. Ai qëndron larg qejflive të kohës, nuk e sheh veten rival të tyre, shpesh herë qëndron i heshtur, mediton shumë, ka dije të shumta dhe të thella, nuk është banal dhe as llafazan. Nëse pyetet mbi një mesele të cilën e njeh, përgjigjet sipas dijeve që ka. Ai përpiqet ta ruajë veten dhe fenë e tij, është zemërgjerë me dijen dhe pasurinë, nuk manifeston nevojë ndaj askujt, nuk e njeh lakminë dhe të tjerët nuk i përmend veçse për mirë.” Reshid i tha:”Këto janë moralet e njerëzve të mirë. Hidhi këto tipare në letër dhe jepja djalit tim tu hedhë një sy!”

Ebu Hanife ka qenë shumë i pasionuar pas fikhut dhe e mbanin ndër më të diturit në këtë fushë. Njihej për devotshmëri, shumë i pasur, tepër bujar me ata që e rrethonin, durues gjatë mësimdhënies ditë apo natë qoftë, simpatik, i heshtur dhe fjalëpakë derisa të biseda orientohej për hallallin apo haramin. Ai të orientonte tek e mira më mirë se kushdo tjetër dhe qëndronte larg dhuratave të sulltanit.”

Ibn Mubarak ka thënë: Nuk kam parë burrë më të hijshëm teksa jepte mësim dhe as më të matur sesa Ebu Hanife.

Ka thënë Haxher ibn Abdul Xhebbar, Zoti e mëshiroftë: Nuk kam parë njeri më të fisëm në mesin e njerëzve të vet, sesa Ebu Hanife dhe as më respektues sesa ai.

Ai ishte i urtë, i matur dhe nuk e provokohej nga xhahilët.

Thotë Abdurrezzak: Ndodhesha në xhami, kur dikush e pyeti Ebu Hanifen dhe ai iu përgjigj. Burri i tha: Hasani mendon ndryshe nga ti dhe thotë… Ebu Hanife ia ktheu: Po, por ka gabuar në këtë çështje. Mandej vjen një burrë me fytyrë të mbuluar dhe gjithë nerva e i thotë: Ti thua se Hasani ka gabuar o bir…” dhe largohet. Ebu Hanife, pa i ndërruar fytyra aspak tha: Ah medet! Po, ka gabuar Hasani dhe ia ka qëlluar Ibn Mes’udi në këtë mesele.”

Sehl ibn Muzahim ka thënë: E kam dëgjuar Ebu Hanifen të thotë pasi lexonte ajetin: “Pra, jepu lajme të gëzueshme robërve të Mi, të cilët, pasi i dëgjojnë fjalët (që u thuhen), ndjekin atë që është më e mira prej tyre.”[2]  “O Zot! Na bëj zemërgjerë me ata që tregohen zemërngushtë me ne!”

Ka thënë Jezid ibn Kemit: Një burrë i tha Ebu Hanifes: Kij frikë Zotin! Ebu Hanife brofi në këmbë i zverdhur në fytyrë dhe kokulur i tha: Zoti ta shpërbleftë me të mira! Njerëzit kanë nevojë për dikë që u thotë fjalë të tilla.”

Ebu Hanife thoshte: Në çdo namaz që kam falur pas vdekjes së Hamad, jam lutur për të bashkë me prindërit e mi. Unë kërkoj falje për ata që më kanë dhënë mësim.”

Imam Ebu Hanife ishte tokë pjellore ku mbinte dhe rritej dija. Ai bashkoi mes dijeve të thella dhe urtësisë.

Adhurimi i tij:

Sufjan ibn Ujejne thotë: Nuk ka vënë këmbë në Meke gjer sot ndonjë njeri më namazli se Ebu Hanife.

Ebu Asim Nebil thotë: Ebu Hanife njihej me nofkën “pykë” për shkak të qëndrimit të gjatë në namaz.

Ebu Muli tregon: Gjendesha në Mekë dhe sa herë që hyja në tavaf gjatë orëve të natës, gjeja Ebu Hanifen dhe Sufjanin, duke u sjellë rrotull Qabes.

Esed ibn Amr thotë: Nga ajo që mbahet mend, është se Ebu Hanife ka falur sabahun me abdesin e jacisë për dyzet vite. Ai e përfundonte leximin e Kuranit në një rekat të vetëm. Ngashërimet e tij gjatë namazit dëgjoheshin nga komshinjtë, të cilët shprehnin keqardhje. Njerëzit e tij tregojnë, se në vendin ku dha shpirt, e ka lexuar Kuranin shtatëdhjetë mijë herë.

Një nga djemtë e tij ka thënë: Kur ndërroi jetë babai, i kërkuam Hasen ibn Imare ta lajë dhe ai pranoi. Pasi përfundoi larjen e xhenazes, ai tha: Zoti të mëshiroftë! Ke tridhjetë vite që agjëron dhe dyzet vite që nuk fle natën. Për Zotin i turpërove lexuesit e Kuranit dhe pasuesit e tu.

Vlen të theksojmë. se duket qartë, që është ekzagjeruar me adhurimin e Ebu Hanifes. Të qëndrosh gjithë natën pa vënë gjumë në sy është diçka. që nuk përkon me sheriatin islam. Vetë Zoti i thotë Profetit (a.s): “Çohu të falesh natën, përveçse pak prej saj (mos të falesh). Falu gjysmën e saj ose diç më pak.”[3]

Shokët e Profetit (a.s) tregojnë, se ai një pjesë të natës flinte dhe pjesën tjetër falej. E njëjta gjë vlen dhe për leximin e Kuranit në një rekat të vetëm, gjë e cila është e vështirë. Diçka e tillë nuk është thënë as për Profetin (a.s) dhe as për ndonjë nga shokët e tij.

Të përfundosh leximin e Kuranit shtatëdhjetë mijë herë, lipsen dyqind vite jetë, ku të bëhet hatme çdo ditë pa ndërprerje nga sëmundja, udhëtimi etj…

E keqja është, se gjatë shkrimit të biografisë së dikujt, personit i mvishen edhe gjëra dhe vepra, që nuk i ka pasur.

Rrëfimi i vlerave të tilla rreth imamëve, pa i vërtetuar ato, ndikon negativisht në vullnetin dhe moralin e njerëzve. Një rrugë e thepisur dhe gjithë rreziqe nuk preferohet nga udhëtarët. Kjo vlen për të gjithë teprimet dhe ekzagjerimet, që bëhen me figurat e ndryshme islame.

Modelin dhe shembullin më të mirë për ta ndjekur e gjejmë tek i dërguari i Allahut, për të cilin Zoti thotë në Kuran: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”[4]

Zuhdi dhe devotshmëria e tij:

Ebu Hanife ka qenë imam i zuhdit dhe devotshmërisë dhe për këtë cilat dëshmojnë të gjithë bashkëkohësit e tij.

Imami Ahmed ibn Hanbel thotë: Ai shquhej për dije, devotshmëri, zuhd dhe vetëmohim për botën tjetër”.

Abdullah ibn Mubarek thotë: Nuk kam parë më të devotshëm se Ebu Hanife. Ai u sprovua me kamxhikë dhe pasuri.

Ibnu Xhurejxh thotë: Kam dëgjuar për Numan (Ebu Hanifen) fakihun e Kufes, se është shumë i devotshëm, i përkushtuar ndaj fesë dhe dijeve të tij. Ai nuk jepet pas të mirave të dynjasë dhe nuk është neglizhent ndaj punëve të ahiretit.

Atij iu ofruan të mirat e dynjasë, por i refuzoi. U fshikullua me kamxhik, por përsëri nuk i pranoi”.

Jezid ibn Harun thotë: Jam takuar me shumë njerëz, por më të devotshëm dhe më të arsyeshëm se Ebu Hanife nuk kam parë.

Imam Dhehebiu ka thënë: ”Ai ishte imam i devotshëm dhe i ditur, i cili vepronte sipas dijeve, ishte adhurues, autoritar dhe nuk i pranonte dhuratat e sulltanit”.

Fakte rreth devotshmërisë së tij:

Hafs ibn Abdurrahman ishte ortak i Ebu Hanifes. Një herë, Ebu Hanife e nisi me një ngarkesë dhe e porositi, se filan rrobë kishte një të metë, të cilën duhet t’ia bënte të ditur blerësit.

Hafs harroi dhe e shiti rrobën, pa ia treguar blerësit të metën që kishte ajo. Kur Ebu Hanife e mori vesh këtë gjë, i dha sadaka të gjithë fitimet nga dërgesa.

Ai nuk e përdori dijen, për të vënë pasuri, gjë e cila as që i shkonte ndërmend. Nxënia e dijes nuk e pengoi nga marrja me tregti dhe kërkimi i rrizkut në rrugë hallall. Kjo ishte rruga e ndjekur nga shokët e Profetit (a.s) dhe njerëzit e udhëzuar, të cilët Kurani i përshkruan me fjalët: “njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për të përmendur Allahun, të cilët falin namazin dhe japin zekatin dhe të cilët kanë frikë nga Dita (e Kiametit), kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara”[5]

Po, ata ishin biznesmenë dhe merreshin me tregti, por kjo nuk i pengonte nga përkujtimi i Zotit, namazi dhe nxënia e dijes.

Njerëz të tillë janë distancuar nga ata, të cilët i përdorin dijet e tyre për të vënë sa më shumë pasuri. Ata pretendojnë, se i janë përkushtuar dijes, por nga ana tjetër bëjnë çmos, që të përfitojnë sa më shumë nga pasanikët dhe qeveritarët.

Ebu Hanife dhe gjykata:

Është i ditur fakti, që Ebu Hanife është fshikulluar me kamxhikë, në mënyrë që të pranojë postin e kadiut, por ai refuzoi.

Jahja ibn Ebi Mein thotë: Ne e radhisim Ebu Hanifen tek njerëzit e sinqertë. Ai nuk është akuzuar kurrë për gënjeshtra, është fshikulluar për të pranuar postin e gjykatësit dhe ai nuk e pranoi atë.

Ubejdullah ibn Amr Rekij thotë: ”Ibn Hebire i kërkoi Ebu Hanifes, të pranojë postin e gjykatësit të Kufes, por ai e refuzoi. Për këtë, ai e dënoi me 110 kamxhikë, nga dhjetë të rëna në ditë, por ai sërish refuzoi. Mandej, ai hoqi dorë nga kjo kërkesë dhe e la të qetë”.

Ismail ibn Salim Bagdadi thotë: Ebu Hanife u torturua, me qëllim që ta pranojë postin e kadiut, por ai sërish e refuzoi. Sa herë që Ahmed ibn Hanbel i kujtohej kjo, i shpërthenin lotët dhe lutej për Ebu Hanifen, pasi edhe vetë imam Ahmedi ishte torturuar.

Vlen të theksohet, se Ebu Hanife dhe imamët e tjerë që e kanë refuzuar postin e kadiut, e kanë bërë këtë, pasi e kanë parë vetën të paaftë, ose për ndonjë arsye tjetër. Në të kundërt, do të ishte e palogjikshme, që njerëzit të liheshin pa gjykatës. Këtë post e kanë pranuar një numër shumë i madh imamësh dhe figurash të shquara.

Biznesi dhe profesioni i tij:

Ebu Hanife ka qenë biznesmen dhe njeri shumë i pasur. Ai ushqehej me mundin e vet dhe u ofronte asistencë nevojtarëve dhe fukarenjve.

Umer ibn Hamad ibnu Ebu Hanife tregon: Ebu Hanife merrej me tregtinë e mëndafshit dhe dyqani i tij njihej nga të gjithë.

Ebu Neim Fadl ibn Dekin e përshkruan Ebu Hanifen me fjalët: Ebu Hanife ishte shumë i ndershëm dhe solidarizohej me të gjithë ata, që kishte rreth e rrotull.

Fudejl ibn Ijad thotë: Ebu Hanife ishte shumë i pasur dhe i ndihmonte të gjithë ata, që kishte përreth.

Ai dërgonte dhe sillte mall nga Bagdadi. Pasi llogariste të ardhurat, ai blinte ushqime dhe veshje për nevojtarët dhe në fund u jepte edhe të holla, duke u thënë: ”Me këto plotësoni nevojat e tjera dhe mos falënderoni askënd përveç Zotit! Unë nuk po u jap nga pasuritë e mia, por nga mirësitë e Zotit, të cilat m`i ka besuar mua. Këto janë të ardhurat e mallrave tuaja”.

Autor: Selman Aude

Përktheu: Elmaz Fida

[1] – Sure Kaf: 18.

[2] – Sure Zumer: 17 – 18.

[3] – Sure Muzemmil: 1 – 3.

[4] – Sure Ahzab: 21.

[5] – Sure Nur: 37.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.