Operacionet plastike (ndërhyrjet estetike) dhe këndvështrimi Islam ndaj tyre

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Jemi dëshmitarë të një dinamike të fuqishme të ndryshimeve drastike dhe risive të papara më herët. Kjo në masë të madhe po ndodh nga zhvillimi i hovshëm i teknologjisë, i cili ka mundësuar që të arrihen gjëra që më parë ndoshta edhe kanë qenë të paimagjinuara. Ndër këto ndryshime drastike padyshim që janë edhe operacionet plastike apo thënë ndryshe ndërhyrjet estetike, ndonëse si term “operacion plastik” përmendet edhe në të kaluarën, por atëherë kishte domethënie tejet të kufizuar, kryesisht me teknika dhe procedura tepër klasike që përshtateshin me rrethanat e atyre kohërave.
Sot, operacionet plastike në masë të madhe e kanë humbur rolin e vet primar, ngase për dallim nga e kaluara kur ato përdoreshin në raste kur një intervenim i tillë ishte më së i nevojshëm, sot janë shndërruar si një garë ku pjesëmarrësit garojnë jo për të bërë intervenime të nevojshme apo të domosdoshme, por gara bëhet në gjëra që janë krejtësisht të panevojshme, kryesisht për shfaqje e dukje sa për të marrë vëmendjen e tjerëve.
Ndërhyrjet estetike janë bërë modë dhe ato janë shndërruar në një fenomen mjaft të përhapur, i cili është inkorporuar si një modë për t’u dukur bukur. Ideja për t’u dukur sa më bukur dhe për të ndryshuar nga konstrukti i krijuar është një tendencë mashtrimi që tenton vëmendje. Dukuria për të rënë në sy te të tjerët dhe për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve është bërë obsesion dhe sëmundje që ka kapluar tërë botën, ku personazhe të ndryshme më tepër flasin për pamjen se sa për arritjen e tyre profesionale. Mungesa e anës profesionale, mbulohet nga ana e ndryshimit në dukje. Kjo dukuri komplekse është shndërruar në një mani që ka përfshirë çdo vend. Mania për t’u dukur më bukur, për të mashtruar me vitet e jetës, me pamjen, me moshën dhe me çdo gjë tjetër.
Andaj, në këtë punim, do t’i përmendim kategorizimet kryesore të operacioneve plastike dhe ndërhyrjeve estetike, duke u munduar që secilën prej tyre ta trajtojmë nga këndvështrimi islam, në mënyrë që besimtari ta ketë një pasqyrë më të qartë se kur lejohet një ndërhyrje e tillë dhe kur ndalohet një gjë e tillë, duke dhënë edhe arsyen për një ndalesë të tillë.

Çka synojmë me operacionet plastike?

Synimi ynë me operacionet plastike, konkretisht ndërhyrjet estetike, ka të bëjë me ndërhyrjet kirurgjike, si një term gjithë përfshirës që ngërthen në vete një gamë të larmishme të ndërhyrjeve që kryesisht mund t’i kategorizojmë në dy grupe:
I pari: Rregullimi i defekteve të pjesëve të trupit, qofshin ato defekte nga lindja apo të mëvonshme, si pasojë e ndonjë aksidenti, fatkeqësie, e të ngjashme.
I dyti: Ndërhyrja estetike, ku kryesisht bëhet për zbukurim të ndonjë pjesë të caktuar, e që realisht nuk ekziston ndonjë defekt.
Këto dy grupe, në brendësinë e tyre kanë ndarje e degëzime të tjera, ku disa dijetarë, vetëm në grupin e parë kanë bërë deri në katër kategorizime të ndryshme, megjithatë elementi i defektit është thelbësor te të gjitha ato kategorizime. Për këto grupe do të flasim në vijim.

Operacionet plastike të nevojshme apo të domosdoshme

Në këtë grup kryesisht renditen defektet, dëmtimet apo edhe deformimet e ndryshme të trupit, e të cilat defekte kanë nevojë për intervenim apo ndërhyrje kirurgjikale për mënjanimin e atij defekti apo deformimi. Në disa raste, intervenimet e tilla janë të domosdoshme, për dallim nga disa intervenime të tjera ku ato janë të nevojshme, por jo të domosdoshme.
Në këtë grup hyjnë:

Deformimet si pasojë e lindjes apo si pasojë e ndonjë sëmundjeje

Defektet apo dëmtimet që nga lindja, sikurse lindja e fëmijës me gishtërinj të ngjitur apo me gjashtë gishtërinj në duar apo këmbë, apo lindja e fëmijës me ndonjë defekt tjetër, si e çara në buzë, nofull, e të ngjashme, llogariten si defekte të shkaktuara nga rrethana të jashtme. Në këtë grup hyjnë edhe sëmundjet që e godasin njeriun gjatë jetës, sikur llojet e tumoreve që shkaktojnë telashe në shëndet deri te rënia e mishit nga pjesët e trupit, po ashtu edhe sëmundje të tjera, si tuberkulozi e lebra.

Deformimet si pasojë e aksidenteve e të ngjashme

Në këtë grup hyjnë të metat apo deformimet që e godasin njeriun si pasojë e ndonjë aksidenti në trafik, djegia e shtëpive, zjarret e ndryshme, aksidentet me armë, si rënia në mina e të ngjashme me këto, ku dëmtimet si pasojë e këtyre aksidenteve janë kryesisht në pjesët e jashtme të trupit, si në fytyrë, kokë, duar apo në këmbë.

Qëndrimi i islamit në raport me këto grupe

Sa i përket qëndrimit të Islamit në raport me grupin e shpjeguar deri tani, ku deformimet apo konkretisht të metat ose janë nga lindja, ose nga ndonjë sëmundje, ose si pasojë e aksidenteve të ndryshme, mund të themi se Islami në raste të tilla lejon plotësisht ndërhyrjen kirurgjikale, ngase deformimet e tilla janë anormale, andaj, ndërhyrjet përmes operacioneve janë plotësisht legjitime dhe të mirëpritura. Në këtë fushë operacionet dhe intervenimet e tilla janë të mirëseardhura, sepse në pyetje janë deformimet apo të metat që njeriun e vënë në situata të palakmueshme. Shembujt e mësipërm, por dhe shembuj të tjerë të kësaj natyre e që janë të shumtë, janë të nevojshëm për ndërhyrje kirurgjikale sepse, mbetja e defektit në trup mund ta vë në pozitë të palakmueshme dhe atij sigurisht se mund t’i shkaktojë pengesa e vështirësi. Sigurisht se një person i tillë me një defekt të tillë, mund edhe të mos e gjejë veten në shoqëri dhe të ndihet përherë i përbuzur dhe i turpëruar, shto kësaj edhe bullizmin dhe përqeshjen që mund ta përjetojë në shoqëri. Përveç kësaj, ai nga trupi dhe përqeshja mund ta zgjedhë rrugën e izolimit, e cila rrugë mund ta shpie në veprime plotësisht të gabuara.
Deformimet apo të metat e tilla, dijetarët i shohin si gjëra anormale që kanë njerëzit, e të tillët kanë nevojë për ndërhyrje, ngase intervenimi është i nevojshëm apo i domosdoshëm, varësisht nga rasti. Se këto intervenime lejohen, dijetarët kanë sjellë argumente të bollshme edhe nga vetë jeta e të Dërguarit të Allahut, ku siç ka ardhur në hadithe, gjatë një beteje, njëri ndër luftëtarët humbi hundën dhe i Dërguari i Allahut ia lejoi atij ta zëvendësojë me një hundë fillimisht nga argjendi, e më pas prej ari. Pra, e meta e tij ishte si pasojë e luftës dhe mbetja në atë gjendje sigurisht se atë do ta vinte në një situatë aspak të favorshme, ndaj i Dërguari i Allahut ia lejoi atij të bënte ndërhyrje dhe ta evitonte atë deformim si pasojë e luftës. Po ashtu në këtë kategori hynë të gjitha hadithet që flasin për shërimin, që e shoh të panevojshme t’i sjell këtu, ngase hadithin që e solla është argumenti më i qartë dhe argumenti më praktik i mundshëm.
Ajo që është e rëndësishme në këtë grup është ekzistimi i defektit, qoftë nga lindja, apo edhe më vonë si pasojë e ndonjë incidenti apo aksidenti të ndryshëm, ku intervenimi është i lejuar, ngase në vetvete ai intervenim realizon një interes. Në këtë kontekst, siç përmend Shatibiu, qëllimi nga një operacion apo intervenim i tillë duhet të shërbejë patjetër në realizimin e një interesi.(1)

Ndërhyrjet estetike

Në këtë grup ndërhyrjet janë kryesisht estetike, për bukuri shtesë, e jo për mënjanimin e ndonjë të mete apo defekti. Pra, për dallim nga grupi paraprak ku e meta dhe defekti ekzistonin, këtu nuk ekziston as e meta e as defekti. Qëllimi këtu është aparenca, dukja sa më e mirë e mundshme, perfeksionimi i pjesëve të ndryshme të trupit dhe ndryshimi i ndonjë pjesë të veçantë të trupit.
Realisht, ndërhyrjet estetike sot kanë pushtuar botën dhe janë bërë pothuajse përditshmëri nga gjeneratat më të reja për t’u dukur ndryshe e për të bërë ndryshime drastike në trupin dhe formën trupore.
Ndërhyrjet estetike ndahen në dy grupe: Ndërhyrjet estetike te mosha kryesisht e re, si:
-Fryrja e buzëve përmes injeksioneve;
-Ndryshimin i formës së hundës, kryesisht zvogëlimi i saj apo edhe ngritja e majës së hundës;
-Ndryshimi i nofullës, ku bëhet ndërhyrje në zvogëlimin e ashtit të nofullës nëse ashti i saj është i madh dhe e kundërta;
-Implantet e faqeve;
-Ndryshimi i formës së veshëve, ku bëhet një shtrirje e veshëve nga mbrapa;-Ndryshimi i formës dhe madhësisë së gjoksit te femrat;
-Vendosja e silikonit në trup, dhe intervenime të tjera të kësaj natyre, që kryesisht janë evidente te gjeneratat e reja.
Ndërhyrjet estetike te mosha e vjetër
Në këtë kontekst janë edhe ndërhyrjet që bëhen kryesisht në fytyrë, si:
-Ndërhyrjet për mënjanimin e rrudhave në fytyrë;-Mënjanimi i shenjave të plakjes;-Ndërhyrjet në vetulla, e intervenime të tjera të kësaj natyre, që kryesisht bëhet te gjenerata e vjetër, duke dashur t’i shmangin pasojat e pleqërisë.(2)

Qëndrimi i islamit në raport me ndërhyrjet estetike

Ndryshimet e panevojshme në trup, si fryrja e buzëve përmes injeksioneve, ndër hyrjet për ndryshimin e formës së hundës, me theks të veçantë zvogëlimi i hundës, ndryshimi i formës së nofullës dhe faqes, ndryshimi i formës dhe madhësisë së gjoksit te femrat, vendosja e silikonit (botox) në trup dhe intervenime të tjera të kësaj natyre, që kryesisht gjejnë aplikim te gjenerata e re, janë jo të domosdoshme e plotësisht të panevojshme, dhe kur mungon elementi i nevojshmërisë për një ndërhyrje të tillë, atëherë një veprim i tillë konsiderohet i ndaluar, ngase baza e kësaj dispozite është mbetja në esencë e çdo organi të trupit, ashtu siç e ka krijuar Allahu, me përjashtim të rasteve kur ka deformime apo të mete, atëherë në raste të tilla Islami e lejon rregullimin e asaj të mete, rikthimin në funksion të organit, përndryshe një gjë e tillë mbetet e ndaluar, dhe kjo për faktin se:
Islami nuk ia lejon njeriut ndryshimin e konstruktit pa pasur nevojë
Allahu i Madhëruar e krijoi njeriun në formën më të bukur, ndaj edhe tha në Kuran: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (Et Tin, 4). Gjithashtu thotë: “Allahu është Ai që ua bëri tokën vendbanim e qiellin kulm, dhe ju formësoi, e formën tuaj e bëri më të mirë dhe ju pajisi me të mira .” (Gafir, 64).
Allahu është i bukur dhe e do të bukurën, ashtu siç përshkruhet në hadithe. Megjithatë kur ndërhyrjet janë jo të domosdoshme e as të nevojshme, atëherë marrin tjetër karakter. Në këtë çështje ndërhyrjet vijnë si pasojë jo vetëm për t’u dukur më bukur, por edhe për të ndryshuar pjesë të caktuara të trupit. Islami nuk e ndalon rregullimin e as bukurinë, ai e ndalon ndryshimin që individi e bën pa nevojë, ngase Islami synon që njeriu ta ruaj me fanatizëm konstruktin që ia dha Krijuesi e të mos i tejkalojë kufijtë e të lejuarës asnjëherë.

Djalli dëshiron që njeriu ta ndryshojë formën e vet

E nëse njeriu i tejkalon ata kufij, atëherë ai do të bëhet vegël e djallit, i cili iu kishte betuar Allahut se ai do të bëj çmos derisa ta mashtrojë njeriun për ndryshimin (lexo shëmtimin) e konstruktit që ka: “…do t’i urdhëroj dhe ata do të ndryshojnë (shëmtojnë) krijesat e Allahut. E kush bën mik djallin, e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi.” (En Nisa, 119). Nga kjo qartazi kuptohet se ai s’do t’i ndalojë përpjekjet e tij gjersa individi të mos e shëmtojë veten e vet. Ky ajet shfaq gjërat e ndaluara që shejtani i inkurajon të pabindurit të bëjnë, e në mesin e tyre edhe ndryshimin e krijimtarisë.(3)
Ndërhyrjet estetike pa ndonjë interes dhe pa nevojë
Dijetarët kanë përmendur se ajo çfarë e bën të lejuar ndërhyrjen apo operacionin është nevoja e individit për ndërhyrje, në të kundërtën është e ndaluar.(4) Kur ndërhyrja nuk sjell ndonjë interes apo përfitim, Islami një gjë të tillë nuk e merr as në konsideratë. Si rrjedhojë e kësaj, nga ndërhyrjet estetike, nuk arrihet ndonjë interes sipas konceptit islam e as një gjë e tillë nuk konsiderohet si e nevojshme. Si rrjedhojë nga kjo mani e ndryshimit, sikur njeriu po bën një hap tutje të pakënaqësisë ndaj konstruktit të tij nga ana e Krijuesit.
Ndërhyrjet e tilla mund të sjellin mallkim
Abdullah ibën Mesudi ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Allahu i mallkoftë ato që bëjnë tatuazh dhe ato që kërkojnë t’u bëhet tatuazh, ato që ndukin qimet e vetullave dhe ato që kërkojnë t’u nduken (vetullat); ato që bëjnë veprime për t’i larguar dhëmbët (nga njëri-tjetri) që të duken më të bukura, dhe ato që ndryshojnë natyrshmërinë e krijimtarisë së Allahut.”5 Ky hadith sipas dijetarëve ngërthen në vete dy gjëra të rëndësishme: Estetikën (pamjen e jashtme), për të bërë gjëra të ndryshme sa për t’u dukur e bukur dhe ndryshimin e pamjes deri në atë masë të ndryshimit të natyrshmërisë së saj. Realisht këto gjëra janë evidente gjatë ndërhyrjeve estetike.
Ndërhyrjet estetike nuk janë edhe pa rreziqe
Përveç atyre që i përmendëm, duhet të mos e anashkalojmë faktin se janë qindra raste të vajzave të reja që kanë vdekur si pasojë e operacioneve plastike, ku gjithçka nuk shkoi sipas planeve të tyre. Pra, ndërhyrjet e tilla nuk janë pa rreziqe. Shumë raste të tjera fatmirësisht nuk përfunduan me fatalitet, por ndërhyrjet ishin të pasuksesshme dhe se pastaj ato patën nevojë edhe për ndërhyrje të tjera për ta përmirësuar ndërhyrjen e parë.
Keqpërdorimi i ndërhyrjeve nga kriminelët
Kjo e arritur e madhe është keqpërdorur nga shumë kriminelë të kërkuar, të cilët për t’u ikur dënimeve të ndryshme kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale dhe kështu kanë ndryshuar edhe pamjen e tyre. Realisht vetëm keqpërdorimi i ndërhyrjeve kirurgjikale nuk e bën të ndaluar atë, ngase gjithçka varet nga përdorimi, por duke ia bashkangjitur edhe arsyet e tjera që i përmendëm më lartë, bëhet e qartë se ndërhyrjet estetike të llojeve të fundit, që sot janë shumë në trend, janë të ndaluara.

Mesazh për fund

U munduam t’i ndajmë këto problematika, duke shpjeguar llojet e operacioneve plastike dhe të ndërhyrjeve estetike, që nuk janë të njëjta dhe realisht edhe qëndrimi fetar nuk është i njëjtë, ngase, siç kam shpjeguar, nganjëherë ndërhyrja kirurgjike mund të jetë e domosdoshme apo e nevojshme, e herë të tjera ajo mund të jetë krejtësisht e ndaluar dhe e panevojshme, siç janë ndërhyrjet estetike, të cilat janë asgjë më tepër se një ujëvarë mashtrimi dhe një pamje që të gënjen.
Ndërhyrjet estetike, kur njeriu nuk ka as të metë e as ndonjë deformim, është një bukuri sipërfaqësore e vezulluese, e cila tretet shumë më shpejt se sa që mendohet, ngase është farsë mashtrimi dhe investim sfidues ndaj kohës dhe plakjes, gjë që në fund rezulton pasuksesshëm. Çdo përpjekje për të dalë nga vetvetja është mashtrim dhe çdo sfidim për të ndalur plakjen dhe shenjat e saj është dështim!

Autor: Ejub Haziri
_____________________________
1. Shatibiu, El Muvafekat fi Usuli-l Ahkam, boton: Daru-l Fikr, Liban, 1341h, v.II, f.127.
2. Hasen el Kazvini, Fen Xhirahatu-t Texhmil, Paris, pa vit botimi, f.39 54; Grup autorësh, përgatiti Muhamed Ref’at, El Amelijat el Xhirahijeh ve Xhirahatu-t Texhmil, boton: Daru-l Ma’rifeh, 1405h, bot.IV-të, f.136-150.
3. Shinkit, Ahkamul-l Xhiraheti-t Tibbijeh, El athar el muterettebetu alejha, bot.II, 1994, f.194.
4. Shinkiti, Ahkamul-l Xhiraheti-t Tibbijeh, El athar el muterettebetu alejha, bot.II, 1994, f.105.
5. Buhariu në Sahih dhe Muslimi në Sahih. Hadithi është autentik.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.