Dispozita fetare e devijimit nga Kibla

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pyetja: Në universitetin ku studiojmë, ka një faltore ku falemi në drejtim të murit të ndërtesës përkatëse, mirëpo duke u falur në këtë drejtim, ne devijojmë nga Kibla. Kjo çështje u ngrit disa herë dhe më në fund, përgjegjësi për studentët muslimanë në universitet, vendosi që të vazhdojë falja e namazit në drejtim të murit, me pretekst të shfrytëzimit të hapësirës, dhe se devijimi nga Kibla ndodh në kufij të lejuar, bazuar në një fetva të një studenti.

Mirëpo, shumë namazfalës nuk janë të qartë për saktësinë e namazit me këtë devijim nga Kibla, që pas një llogaritje precise, del se devijimi është afërsisht 35 shkallë.

Me këtë rast, kërkohet përgjigje në pyetjet vijuese:

Dispozita e namazit që e falim në drejtimin aktual?

Si duhet të veprojmë me namazet e kaluara, nëse përgjigja është se falja në drejtimin aktual nuk është e saktë? Me këtë rast, duhet të theksojmë se ne nuk kemi pasur të dhëna korrekte për drejtimin e saktë të Kiblës, por u bazuam në një fetva që e lejonte faljen në këtë drejtim.

Çfarë jemi të obliguar të veprojmë nëse ndodh përçarje brenda faltores në lidhje me Kiblën? Dhe ç’ka i këshilloni përgjegjësit e qendrave islame dhe xhamive, si dhe të gjithë muslimanët në lidhje me këtë çështje? Allahu ju shpërbleftë me të mira.

Përgjigja: Çështjen tuaj do ta sqarojmë si vijon:

E para: Drejtimi kah Kibla është kusht i saktësisë së namazit, dhe nuk është i vlefshëm namazi, veçse i drejtuar nga Qabja. Allahu i Madhërishëm thotë: “..ktheje fytyrën tënde kah ana e xhamisë së shenjtë!”[1]

Kjo e obligon çdo person që kur fal namaz, duhet të gjejë anën e Kiblës dhe të drejtohet kah ajo. Duhet të mundohet ta përcaktojë drejtimin nga Kibla me çdo mënyrë të mundshme, qoftë përmes shenjave, instrumenteve që i përcaktojnë anët e botës, apo duke u bazuar në pohimet e njerëzve të besueshëm nga banorët e vendit përkatës, të cilët kanë njohuri për drejtimin e Kiblës në objektin në fjalë. Pra, personi që fal namaz, patjetër që duhet të mundohet të gjejë anën e Kiblës, madje është përcjellë prej imam Ahmedit, i cili në lidhje me hadithin: “Hapësira ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, është Kibla.” – për saktësinë e të cilit ka mospajtime – ka thënë: “Duhet të gjejmë mesin.”[2] Imam Ahmedi ka qenë i mendimit se duhet ta gjejë mesin ndërmjet këtyre dy anëve, dhe se hadithi i përmendur, nuk jep të kuptohet se nuk duhet gjurmuar për anën e Kiblës, dhe se mjafton mesi ndërmjet dy anëve.

Por, ka polemika në mesin e dijetarëve se a është obligim që të kthehemi kah ana ku gjendet Qabja, apo është obligim të drejtohesh kah objekti i Qabes?

Ky është një debat i njohur në librat e “Fikhut” në mes shumicës së dijetarëve në njërën anë dhe juristëve të shkollës juridike Shafi’ite në anën tjetër. Pjesa më e madhe e dijetarëve e mbështesin qëndrimin se, drejtimi duhet të jetë në anën kah e cila gjendjet Qabja, ndërkaq Shafi’itët mendojnë se drejtimi duhet të bëhet në drejtim të vetë objektit të Qabes. Qëndrimi i pjesës më të madhe të dijetarëve shpjegohet me atë se i referohet gjendjes kur nuk mund të detektohet drejtimi nga vetë Qabja, ndërkaq kur mund të detektohet drejtimi kah objekti i Qabes, siç është rasti me ju, dijetarët nuk kanë mospajtime për faktin se është obligim që të synohet drejtimi kah objekti i Qabes. El Behuti, një jurist i shkollës juridike Hanbelite ka thënë: “Ka tolerancë nëse ndodh devijim i paktë në të djathtë ose në të majtë, bazuar në një transmetim. Kjo, sepse është e pamundur që drejtimi kah objekti i Qabes të bëhet sipas mendimit të lirë, për këtë arsye në rastet të këtilla, ngelet në fuqi, si domosdoshmëri, drejtimi nga ana në të cilën gjendet Qabja.”[3]

Ky konstatim bazohet në hadithin të cilin e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi në dy Sahihët e tyre prej Ibn Abasit (r.a), se i Dërguari i Allahut (a.s) kur hyri në Qabe, u lut duke u kthyer nga të gjitha anët e Qabes, por nuk u fal derisa doli prej saj. Kur doli, i fali dy rekate para Qabes dhe tha: “Kjo është Kibla (drejtimi).”

Nisur nga kjo, nëse dihet konkretisht drejtimi i objektit të Qabes, apo ka tregues që na orientojnë në drejtimin e saj, atëherë është obligim që të drejtohemi kah objekti i Qabes, e jo të mjaftohet me drejtimin kah ana e Qabes, pa një domosdoshmëri.

Këtë e kanë pohuar disa dijetërë të shquar. Es San’ani në librin e tij “Subus Selam” 1/200, pasi e ka përmendur hadithin e Ebu Hurejres (r.a) ku qëndron “Hapësira ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, është Kibla.” Ka thënë: “Hadithi është argument se është obligim që drejtimi të bëhet kah ana ku gjendet Qabja, e jo konkretisht kah objekti i Qabes, në rast se nuk mund të drejtohesh nga Qabja. Këtë e kanë pohuar disa dijetarë duke u bazuar në këtë hadith. Hadithi argumenton për këtë çështje, me atë që, qëllimi është se, ndërmjet dy anëve ka Kibël, për atë që nuk mund ta shohë Qaben, apo për ata që e marrin statusin e tyre.”

Kjo do të thotë se ai që e sheh Qaben dhe ata që e marrin statusin e tij, siç janë ata që sot e dinë saktë drejtimin e Qabes përmes instrumenteve precize modern, nuk e kanë të lejuar devijimin nga drejtimi në të cilin është i bindur, sepse e ka statusin e personit i cili e sheh Qaben.

Në lidhje me këtë, Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime ka publikuar fetvanë (3/1).

Nisur nga kjo, nëse e dini saktë dhe sigurt drejtimin e Kiblës përmes ekspertëve të kësaj fushe, ju e keni statusin e atyre që e shohin Qaben, ndërkaq, nëse ju jepni mendime për anën kah e cila është Kibla, atëherë mospajtimet e logjikshme, janë të pranuara dhe nuk duhet të përçaheni, por duhet t’u drejtoheni ekspertëve që e përcaktojnë anën e Qabes, siç urdhëron edhe Allahu i Madhërishëm: “Ju pyesni dijetarët nëse ju nuk e dini.”[4]

Nuk duket se dijetarët kanë mospajtime për atë që u përmend, pasi janë treguar tolerantë në drejtimin kah ana, kah e cila gjendet Qabja, në rast se nuk mund ta detektojmë drejtimin e objektit të Qabes.

Devijimi nga ana e Kiblës, kur dihet saktë, me qëllim që vendi të absorbon numër më të madh personash që falin namaz, nuk është as domosdoshmëri dhe as nevojë që e justifikon diçka të tillë. Në rast se paraqitet nevojë për absornimin e numrit më të madh të personave, kjo mund të realizohet përmes drejtimit me trup kah Kibla.

E Dyta: Statusi i namazit që e keni falur gjatë kësaj kohe, nëse nuk ka qenë në drejtim të Kiblës.

Pjesa më e madhe e juristëve islam janë të mendimit se namazet që keni falur deri më tani, janë të vlefshme, bazuar në atë që ju nuk e keni ditur saktë drejtimin e Kiblës, dhe për këtë arsye janë dhënë mendime të ndryshme. Ibn Abdul Berri (r.h) ka thënë: “Kush kthehet pak në të majtë, apo në të djathtë, pasi mundohet të gjejë drejtimin e Kiblës, nuk duhet t’i përsërisë namazet e falura, as gjatë kohës sa nuk ka kaluar koha e një namazi, as pasi të kalojë koha e namazit.”[5]

E Treta: Përsa i përket pyetjes suaj se përcaktimi i drejtimit të sigurt të Kiblës mund të shkaktojë përçarje mes anëtarëve të xhamisë, ne ju këshillojmë që këtë çëshjte ta menaxhoni me urtësi dhe përgjegjësi. Ju duhet ta njoftoni xhematin e xhamisë për këtë fetva, pasi të bini në ujdi me përgjegjësit e xhamisë që ta aprovojnë atë. Ne jemi të bindur dhe shpresojmë se personat të cilët janë përgjegjës për ndonjë qendër islame në Evropë, do ta miratojnë qëndrimin e fesë, unitetin e bashkësisë dhe përmirësimin dhe saktësinë e veprimeve të njerëzve për drejtimin e Kiblës, me qëllim që mos ta mbajmë mbi supet e veta përgjegjësinë e gabimit të vazhdueshëm të personave të cilët falin namaz, në veçanti kur kihet parasysh fakti se pjesa më e madhe e përgjegjësve të qendrave islame në Evropë, këtë punë e bëjnë vullnetarisht, duke e llogaritur në shpërblimin e Allahut të Madhërishëm.

Ne i këshillojmë përgjegjësit për xhamitë në Evropë që, për fetvatë dhe dispozitat fetare, t’u drejtohen institucioneve të ixhtihadit (analizave) kolektive në Evropë, t’u përmbahen vendimeve të tyre, si dhe të mundohen maksimalisht që ta evitojnë përçarjen dhe ndasinë në mesin e muslimanëve. Sepse Allahu i Madhërishëm ka thënë: “E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet.”[6]

Po ashtu i këshillojmë muslimanët në Evropë që t’u përmbahen vendimeve të institucioneve të fetvasë dhe ixhtihadit kolektiv në Evropë, qëndrimeve që t’i përzgjedhin imamët e xhamisë së tyre dhe mos t’i kundërshtojnë, bile edhe nëse janë qëndrime të diskutueshme nga dijetarë të tjerë, derisa kanë bazë në legjislacionin islam, apo në shkollat juridike islame. Kjo, sepse përçarjet, siç shprehet edhe Abdulla ibn Mes’udi (r.a) janë diçka e keqe.

Allahu e di mës së miri.

Autor: Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime

Përktheu: Bashkim Aliu.

[1] – Sure Bekare: 150.

[2] – “El Mugni” 1/457 i Ibn Kudames.

[3] – “Sherhu Muntehal Iradat” 1/346 i El Behutit.

[4] – Sure Nahl: 43.

[5] – “El Kafi” 1/199 i Ibn Abdul Berrit.

[6] – Sure Ali Imran: 105.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.