Gjynahu i atyre të dyjave është më i madh se përfitimi prej tyre dhe Fikhu i Ekuilibrit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pirja e alkoolit dhe bixhozi janë dy gjynahe për të cilat Allahu i Madhëruar ka ndaluar rreptësisht që të veprohen nga ana e muslimanit dhe muslimanes. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron përveçse nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkolit dhe bixhozit)!”[1]

Është i ditur fakti se pirja e verës (alkoolit) dhe po ashtu edhe  bixhozi nuk janë ndaluar menjëherë, por në mënyrë graduale dhe në disa etapa, gjë të cilën e ka përmendur edhe Allahu i Madhëruar në Kuranin Fisnik.

Etapat e ndalimit të pirjes së verës (alkoolit):

Ndalimi i verës (alkoolit) në mënyrë graduale ka kaluar në katër etapa.

Etapa e parë: Në etapën e parë, Allahu i Madhëruar tregon për ushqimin dhe pijet e mira të frutave dhe rrushit përveç alkoolit. Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe nga frutat e palmave dhe të hardhisë, ju përgatitni pije dhe ushqim të shijshëm. Natyrisht, kjo është shenjë e vërtetë për ata që mendojnë.”[2]

Etapa e dytë: Në etapën e dytë, Allahu i Madhëruar tregon se gjynahu i përdorimit të verës (alkoolit) për të pirë është më i madh se dobia apo përfitimi prej tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por gjynahu i atyre të dyjave është më i madh se përfitimi prej tyre”[3]

Etapa e tretë: Në etapën e tretë, Allahu i Madhëruar i ndaloi besimtarët t’i afrohen namazit duke qenë të dehur. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat! Mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se çfarë flisni”[4]

Etapa e katërt: Në këtë etapë, Allahu i Madhëruar do ta ndalonte përfundimisht pirjen e verës (alkoolit). Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron përveçse nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit dhe bixhozit)!”[5]

Etapat e ndalimit të bixhozit:

Në lidhje me etapat e ndalimit të bixhozit, dijetarët nuk kanë folur, por duke u bazuar tek ajetet e Kuranit, vërejmë se ai është ndaluar në dy etapa:

Etapa e parë: Në të cilën Allahu i Madhëruar tregon se dëmi i tij është më i madh se dobia prej tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por gjynahu i atyre të dyjave është më i madh se përfitimi prej tyre”[6]

Etapa e dytë: Në të cilën Allahu i Madhëruar e ka ndaluar përfundimisht. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron përveçse nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkolit dhe bixhozit)!”[7]

Këto pra janë etapat graduale të ndalimit të verës (alkoolit) dhe bixhozit. Gjithsesi ajo që na intereson në këtë artikull është ajeti kuranor: “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por gjynahu i atyre të dyjave është më i madh se përfitimi prej tyre”[8] Në këtë ajet kuranor, Allahu i Madhëruar na tregon se tek pirja e verës dhe bixhozi ka dëme dhe dobi. Dijetarët kanë thënë se në një veprim që është i ndaluar, rrallëherë mund të gjesh dëm absolut apo në një veprim të mirë të hasësh në dobi absolute. Përkundrazi në atë gjë do të gjesh dëm të shoqëruar me dobi dhe anasjelltas. Prandaj duke qenë se çështja është e tillë, atëherë ne na lipset që të vendosim në peshojë dhe të ekuilibrojmë midis dëmit dhe dobive për një veprim të caktuar, në rastin konkret të peshojmë dhe të ekuilibrojmë midis dëmeve të pirjes së alkoolit dhe bixhozit dhe midis dobive prej atyre të dyjave. Dhe pasi t’i kemi vendosur në peshojë, do të biem në një përfundim të caktuar, që është se dëmi i tyre është më i madh se dobia dhe si rrjedhojë ne duhet të shmangemi prej tyre.[9]

Dëmet dhe dobitë e verës (alkoolit) në peshore dhe ekuilibër:

Së pari: Dëmet e verës (alkoolit):

Alkooli është substancë e konsumuar prej shekujsh nga njerëzimi dhe ai konsiderohet si një drogë depresive. Alkooli konsiderohet si një portë drej drogërave. Në fakt, një studim i vitit 2012 tregoi që ai përdorej tek të rinjtë më shumë sesa kanabisi. Në fillim njeriu pi një gllënjkë, pastaj një teke dhe vazhdon e shton dozën derisa njeriu arrin deri në atë gradë që të krijojë varësi ndaj tij.

Varësia ndaj alkoolit e njohur ndryshe si alkoolizëm përkufizohet si varësia e shkaktuar nga kjo substancë si në aspektin fizik po ashtu edhe në atë psikologjik. Pasiqë njeriu ka krijuar një varësi të plotë ndaj tij e ka shumë të vështirë që ta braktisë atë. Alkoolizimi prezantohet me simptoma të dëmshme për njeriun, si:

1 – Dëshira e vazhdueshme për alkool.

2 – Shpenzimi i kohës dhe parave me përdorimin e alkoolit dhe rikuperimin ndaj efekteve të tij.

3 – Dështimi në kryerjen e përgjegjësive në vendin e punës, shkollës apo në shtëpi për shkak të abuzimit me alkoolin.

4 – Largimi nga aktivitetet më parë të këndshme për të lejuar përdorimin e alkoolit.

5 – Përkeqësimi i dukshëm i organeve të trupit si zemrës, mëlçisë, mushkërive, pankreasit..etj.

6 – Largon mendjen.

7 – Njeriu bëhet objekt i sharjeve dhe ofendimeve dhe kjo jo vetëm nga të huajt, por edhe nga pjestarët e familjes.

8 – E nxit njeriun drejt shthurrjes dhe degjenerimit.

9 – Në disa raste njeriu mburret dhe krekoset se ai e mban pijen më shumë se të tjerët.

10 – Nxit urrejtjen, grindjet, zënkat dhe armiqësinë me të tjerët.

11 – Njeriu i alkoolizuar kthehet në një njeri i neveritshëm dhe i urryer tek pjesëtarët e familjes. Shkaqet janë të shumta, por në disa raste ai shndërrohet  një njeri i dhunshëm që godet çdokënd prej pjesëtarëve të familjes.

12 – Njeriu i alkoolizuar flet fjalë të pahijshme vend e pavend.

13 – Njeriu i alkoolizuar mban erë të pakëndëshme dhe bëhet i bezdisshëm për të tjerët.

14 – E largon njeriun nga përmendja e Allahut.

15 – E largon njeriun nga falja e namazit.

16 – Është vepër e shëmtuar nga shejtani.

Nuk ka dyshim se pirja e alkoolit ka efekte negative qofshin ato afatshkurtra dhe afatgjata;

Efektet afatshkurtra: Funksioni kognitiv i dëmtuar, aftësi e dobët vendimmarrëse, koordinim i dobët i gjymtyrëve, të folurit jo të qartë, dëmtime në formimin e kujtesës afatshkurtër, pavetëdije, të vjella, depresioni respirator, ulja e ndjeshme e rrahjeve të zemrës, amnezia anterogradë, vdekje të qelizave të trupit dhe vdekje të parakohshme të vetë njeriut.

Efektet afatgjata: Kur njeriu pi vazhdimisht alkool ai dëmton disa sisteme të trupit të pakthyeshme si sistemin kardiovaskular, sistemin nervor qëndror, sistemin riprodhues të grave shtatzënë, shkakton sëmundje hepatike (në mëlçi), shkakton depresion, ankth, krizë, skizofreni, panik si dhe shkakton kancerin e ezofagut.

Udhëzimet për mos të pirë alkool nga institucione të ndryshme:

Të shumta janë ato organizata dhe institucione (jo islame) që e ndalojnë dhe japin udhëzime për moskonsumimin e alkoolit. Për shembull, rregullat e qarkullimit rrugor e ndalojnë konsumimin e alkoolit më tepër se masa e përcaktuar me ligj për drejtuesit e mjeteve. Ligji e ndalon konsumimin e alkoolit për të gjithë ata të rinj të cilët nuk e kanë mbushur moshën 18 vjeç. Konsumimi i alkoolit është rreptësisht i ndaluar për gratë shtatëzëna, ata që vuajnë nga zemra, mushkëritë, mëlçia..etj. Prindërit i ndalojnë fëmijët e tyre të pijnë alkool megjithëse vetë ata mund të jenë konsumtator të tij. Të gjitha këto masa nuk janë gjë tjetër vetëm se tregues i qartë se konsumimi i alkoolit është i dëmshëm dhe mjaft i rrezikshëm për njeriun.

Vërejtje: Nuk është e thënë që të gjitha këto dëme dhe efekte negative të gjenden tek një njeri, sikur tek njeriu të gjenden vetëm dy prej këtyre dëmeve dhe efekteve do të ishte mëse e mjaftueshme për të evidentuar dëmin dhe rrezikun e madh nga pirja e alkoolit.

Së dyti: Dobitë e verës (alkoolit):

Ashtu sikur e cekëm edhe më lart në një çështje të caktuar nuk kemi dëm absolut, përkundrazi dëmi mund të shoqërohet edhe me disa dobi dhe përfitime. Prandaj nisur nga ky fakt – i vendosur nga dijetarët – themi se disa dobi të alkoolit janë:

1 – Njeriu që e pi ndjen kënaqësi dhe lezet.

2 – Ai që e shet përfiton në aspektin monetar.

3 – Largon stresin, por kjo është relative, sepse njeriu i cili pi alkool për të larguar alkoolin nuk bën gjë tjetër vetëm se ia shton hallet më tepër vetes dhe bëhet pasiv për jetën.

4 – Njerëzit thonë se një gotë verë, apo një teke raki në mëngjes të bën mirë për shëndetin, por një gjë e tillë nuk është e vërtetuar, përveçse një gojëdhënë nga njerëz të papërgjegjshëm.

Fikhu i ekuilibrit midis dëmëve dhe dobive që sjell konsumimi i alkoolit:

Teksa flasim për ekuilibrimin midis dëmeve dhe dobive që sjell konsumimi i alkoolit për të dalë në një përfundim të caktuar, duhet të kemi parasysh disa gjëra, si:

Dëmet apo dobitë duhet të jenë reale dhe jo të imagjinuara

Cila prej anëve prevalon ndaj tjetrës, ne do t’i japim përparësi. Nëse dëmi prevalon ndaj dobisë, atëherë i jepet përparësi dëmit dhe si rrjedhojë ne jemi të urdhëruar ta shmangim dhe ta eleminojmë atë. E nëse dobia prevalon ndaj dëmit, atëherë i jepet përparësi dobisë.

Nuk ka dyshim se kushdo që posedon logjikë të shëndoshë e vëren mjaft qartë se dëmet – e shumta – që shkakton konsumimi i alkoolit prevalon mbi dobitë që sjell alkooli.

E si rrjedhojë, njeriu që ka logjikë nuk e konsumon alkoolin dhe shmanget prej tij.

Dëmet dhe dobitë e bixhozit në peshore dhe ekuilibër:

Së pari: Dëmet e bixhozit:

Për shumë njerëz bixhozi është një formë argëtimi dhe nuk shohin asgjë të keqe në të. Mirëpo ky kufi mund të kalohet lehetësisht dhe njeriu jo vetëm që humb para, por edhe përjeton efekte negative në shëndetin e tij mendor. I ashtëquajturi pasion për lojërat e fatit e shtyn njeriun të harrojë botën përreth tij. Nuk është e rëndësishme sesa është shuma që njeriu ka humbur, por njeriu që ka krijuar varësi ndaj tij dhe është e vështirë që të shkëputet prej tij. Njeriu që është i varur nga bixhozi beson se fati është në anën e tij dhe shumë shpejt do të vijë dita që do të fitojë shumën që ëndërron.

Ka disa shenja paralajmëruese që tregojnë për problemet që bixhozi shkakton:

1 – Humbjen e shpeshtë të parave.

2 – Humbjen e interesit për hobi.

3 – Humbjen e kohës.

4 – Përtacinë.

5 – Papunësinë.

6 – Vjedhjen dhe fitimin e pasurisë në mënyrë të pandershme.

7 – Dhunimin e familjarëve, por edhe të tjerëve.

8 – Nxit urrejtjen, grindjet, zënkat dhe armiqësinë me të tjerët.

9 – Divorcin dhe prishjen e familjes.

10 – Falimentimin.

11  – Huazimin e parave nga miqtë dhe të afërmit.

12 – Sjellje mbrojtëse kur bixhozxhiu përballet me pyetje në lidhje me çështjet e lojërave të fatit.

13 – Simptoma depresioni.

14 – Insomnia.

15 – Abuzimi me substancat si duhani, alkooli, droga..etj.

16 – Mungesa në ngjarje të rëndësishme.

17 – E largon njeriun nga përmendja e Allahut.

18 – E largon njeriun nga falja e namazit.

19 – Është vepër e shëmtuar nga shejtani.

Fazat e varësisë ndaj lojrave të fatit:

1 – Humbja e kontrollit gjatë lojrave të fatit: Kjo është ajo që e dallon një bixhozxhi nga një njeri të zakonshëm, sepse bixhozxhiu është jashtë kontrollit dhe vazhdon të luajë për adrenalinë dhe jo për paratë. Meqenëse ai nuk mund të fitojë gjithmonë, edhe kur humbet, ai vazhdon të luajë bixhoz me qëllim që t’i përjetojë emocionet dhe adrenalinën. E vetmja pengesë për të është se ai nuk ka para, sepse përndryshe ai do të qëndronte vazhdimisht në lojë.

2 – Zhvillimi i varësisë psikologjike: Bixhozxhinjtë përdorin lloj – lloj mundësish për të hyrë në kazino, në eurolloto..etj. Dhe atje ata humbin kohën dhe paratë dhe kalojnë shumë pak kohë me familjen e tyre.

3 – Kriza: Me kalimin e ditëve, bixhozxhiu fillon të ndjejë një krizë psikologjike. Ai ndihet keq, i përgjumur, nervoz, i irrituar dhe ka humor të prishur. Borxhet grumbullohen dhe vjen dita kur ai tashmë i njofton familjarët për to. Familjarët e ndihmojnë dhe për disa kohë ai mund të heqë dorë nga bixhozi, por jo përfundimisht, sepse ai përsëri do të kthehet tek ky ves i shëmtuar.

4 – Faza e dëshpërimit: Dëshira e madhe për të luajtuar bixhoz, ku vazhdimisht ai humbet. Kjo dëshirë e shtyn bixhozxhiun të shesë gjërat me vlerë të shtëpisë, të harxhojë rrogën, paratë e biznesit.. etj. Si rrjedhojë e kësaj, ai bie në depresion, stresohet, fillon të pijë alkool, pilula dhe në disa raste mendon të vrasë edhe veten.

Së dyti: Dobitë e përfituara nga bixhozi:

Edhe dëmet që ka bixhozi nuk janë absolute, sepse në disa raste nga bixhozi ka përfitime dhe dobi, si:

1 – Njeriu që luan bixhoz argëtohet dhe ndjen adrenalinë.

2 – Në disa raste ai fiton. Dhe kjo i jep atij më tepër kënaqësi dhe dëshirë për të luajtur përsëri.

3 – Njeriu që luan bixhoz e fiton pasurinë pa mund dhe pa djersë.

4 – Kompanitë e basteve fitojnë pasuri të mëdha në kurriz të bixhozxhinjve.

Fikhu i ekuilibrit midis dëmëve dhe dobive që sjell bixhozi:

Ashtu sikur e ceka edhe më lart, dëmet dhe dobitë që vijnë nga bixhozi janë reale dhe jo imagjinare. Po ashtu dëmet që vijnë nga bixhozi – padyshim – prevalojnë ndaj dobive që mund të sjellë bixhozi. Prandaj si rrjedhojë e këtij ekuilibri dhe peshoje të drejtë, njeriu me logjikë të shëndoshë ndalohet nga të luajturit bixhoz dhe shmanget plotësisht prej tij.

Dhe së fundmi: E ritheksoj edhe njëherë se konsumimi i verës (alkoolit) dhe bixhozi janë të ndaluara rreptësisht. Ajo që dëshiroja të theksoja nëpërmjet këtij artikulli është ekuilibri midis dëmëve dhe dobive që sjellin secila prej konsumimit të alkoolit dhe bixhozit.

Autor: Elton Harxhi

 

[1] – Sure Maide: 90 – 91.

[2] – Sure Nahl: 67.

[3] – Sure Bekare: 219.

[4] – Sure Nisa: 43.

[5] – Sure Maide: 90 – 91.

[6] – Sure Bekare: 219.

[7] – Sure Maide: 90 – 91.

[8] – Sure Bekare: 219.

[9] – Nuk ka dyshim se vera dhe bixhozi janë të ndaluara rreptësisht, por nëpërmjet këtij artikulli kam për qëllim të flas rreth fikhut të ekuilbrave midis dëmit dhe dobisë.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *