Njeriu më i ndershëm

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ebu Hurejra ka thënë: Disa (njerëz) e kanë pyetur Pofetin (a.s): O i Dërguar i Allahut! Kush është njeriu më i ndershëm? Profeti (a.s) tha: Ai që është më i devotshëm. (Të pranishmit) thanë: Nuk të pyetëm për këtë. Ai (a.s) tha: Jusufi i cili është profet i Allahut, bir i profetit të Allahut, bir i profetit të Allahut, bir i mikut të Allahut. Ata thanë: As për këtë nuk të pyetëm. Profeti (a.s) tha: A për të parët e arabëve po më pyesni?! Ata të cilët kanë qenë të zgjedhur në xhahilijet janë të zgjedhur edhe në Islam, vetëm nëse janë që kuptojnë (njohës të dispozitave fetare)”[1]

Shpjegimi i hadithit:

Sahabët janë brezi më i mirë që ka parë ndonjëherë shoqëria e njerëzimit. Arsyet për këtë janë nga më të ndryshmet; një prej këtyre arsyeve ka qenë vetë prezenca e Profetit (a.s) në mesin e tyre, sepse ai (a.s) ishte mësuesi dhe edukatori më i mirë. Prezencën e Profetit (a.s) në mesin e tyre, ata e shfrytëzuan në maksimum. Ata asnjëherë nuk ndaheshin prej tij, konkurronin me njëri-tjetrin se kush prej tyre të fitonte sa më shumë prej bereqetit të tij. Prezencën e tij në mesin e tyre e shfrytëzonin duke i drejtuar pyetje nga më të ndryshmet. Në shumicën e rasteve këto pyetje kishin lidhje me çështjet e besimit, adhurimit, moralit dhe çdo gjë që kishte lidhje me ato punë me të cilat afroheshin tek Allahu i Lartësuar.

Ebu Hurejra (r.a) sjell përpara nesh një prej rasteve të shumta në të cilat sahabët e pyesnin Profetin (a.s). Këtë rradhë, sahabët e pyetën Profetin (a.s): “O i Dërguar i Allahut! Kush është njeriu më i ndershëm?” Pyetja të cilën sahabët ia drejtuan Profetit (a.s) nënkupton dy gjëra: e pyetën atë për njeriun më bujar, sepse fjala arabe “Kerem” nënkupton bujarinë dhe zemërgjerësinë e njeriut. Por fjala arabe “Kerem” nënkupton edhe njeriun më të ndershëm e më fisnik. Ia drejtuan këtë pyetje Profetit (a.s) sepse ëndërronin të ishin vetë ata njerëzit më bujarë e më fisnikë se kushdo tjetër. Ata nuk shqetësoheshin shumë për ngrënien, pijen dhe gjërat materiale të kësaj bote. Shqetësimi i tyre i vetëm ishte vetëm për të qenë në gradat më të larta të besimit.

“Ai që është më i devotshëm” Kjo do të ishte përgjigja e Profetit (a.s), një përgjigje e drejtë e saktë dhe shumë me vend, sepse feja islame i ka kushtuar shumë rëndësi devotshmërisë. Në kohën e injorancës para islame – madje edhe në ditët e sotme – njerëzit mburreshin e krenoheshin me emrin e baballarëve dhe gjyshërve të tyre. Mirëpo këtë koncept të gabuar, Allahu i Lartësuar e hedh poshtë duke sjellë një parim bazë  dhe universal që vlen për të gjithë kohrat dhe vendet deri në Ditën e Gjykimit. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo.”[2] Ai që është i pasur tallet dhe e nënçmon atë që është i varfër. Ai që është me pozitë tallet dhe e nënçmon atë që është në një rang më të ulët se ai. Ai që është nga qyteti tallet dhe e nënçmon atë që është nga fshati. Ai që është i bardhë tallet dhe e nënçmon atë që është i zi. Këto janë zakonet dhe adetet e shëmtuara të cilat i gjejmë tek shoqëritë në kohët e lashta, por edhe në kohët moderne dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë nëse njeriu apo shoqëritë nuk e ndjekin udhëzimin hyjnor, i cili thotë: “O ju njerëz! Ne ju krijuam nga një burrë dhe një grua dhe ju bëmë popuj dhe fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Me të vërtetë njeriu më fisnik tek Allahu është ai që është më i devotshëm.”[3] Njeriu më fisnik dhe më i mirë tek Allahu i Lartësuar është ai i njeri i cili është më i devotshëm dhe jo ai që është i pasur, me pozitë, i bardhë, qytetar apo diç tjetër. Devotshmëria është njësia matëse nëpërmjet të cilës njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri. Nuk ka dallim midis mashkullit dhe femrës vetëm se me devotshmëri. Nuk ka dallim midis arabit dhe jo arabit vetëm se me devotshmëri. Nuk ka dallim midis të riut dhe të vjetrit vetëm se me devotshmëri. Nuk ka dallim midis të pasurit dhe të varfrit vetëm se me devotshëmri. Ky koncept është një prej parimeve bazë të fesë islame.

Sahabët – me edukatë –  i thonë Profetit (a.s) se nëpërmjet kësaj pyetje nuk kishin për qëllim këtë përgjigje, prandaj edhe Profeti (a.s) për herë të dytë jep një përgjigje tjetër ndryshe nga e para, sepse vetë fjala “kerem” nënkupton një gjë të tillë. Profeti (a.s) u përgjigj me fjalët: “Jusufi është profet i Allahut, bir i profetit të Allahut, bir i profetit të Allahut, bir i mikut të Allahut.” Babai i Jusufit (a.s) ka qenë Jakubi (a.s), bir i Is’hakut, bir i Ibrahimit (a.s). Që të katërt këta kanë qenë profetë. Edhe në këtë rast përgjigja e Profetit (a.s) është e saktë dhe e drejtë sepse përkon me pyetjen, pavarësisht faktit se sahabët nuk kishin për qëllim këtë përgjigje. Prandaj me mirësjellje ata i thonë Profetit (a.s) se nuk kishin për qëllim që të dinin se kush njeri kishte prejardhje më të fisshme. Për herë të tretë, Profeti (a.s) do të japë përgjigje duke thënë: “A për të parët e arabëve po më pyesni?! Ata të cilët kanë qenë të zgjedhur në xhahilijet janë të zgjedhur edhe në Islam, vetëm nëse janë që kuptojnë (njohës të dispozitave fetare)” Kjo është ajo për të cilën ata pyetën dhe donin përgjigje. Kjo pyetje ka të bëjë me fiset arabe, me njerëzit e shquar, me ata që kanë qenë trima, fisnikë, me pozitë..etj. Të gjithë këta njerëz të cilët janë shquar për diçka në mesin e shoqërisë përpara ardhjes së Islamit, të tillë janë edhe në Islam, por me një kusht, të jenë njohës të mirë të rregullave dhe parimeve të fesë.

Rregulla dhe dispozita fetare:

Imam Kurtubiju thotë: “I lejohet dijetarit i cili pyetet rreth një çështjeje që të përgjigjet në varësi të asaj që kupton nga pyetja. Ai (dijetari) nuk e ka për detyrë që të shtjellojë mundësitë e tjera të përgjigjes, vetëm nëse ka frikë se pyetësi ngatërrohet apo e keqkupton përgjigjen që i ka dhënë dijetari.”[4]

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Të bësh pyetje të rëndësishme

2 – Mëndjemprehtësia e Profetit (a.s)

3 – Nocioni i “kerames” sipas këndvështrimit islam

4 – Devotshmëria

5 – Vlerat dhe pozita e lartë e Jusufit (a.s)

6 – Vlera e kuptimit të fesë

1 – Të bësh pyetje të rëndësishme:

Të shumtë janë njerëzit të cilët i drejtojnë pyetje nga më të ndryshme ftuesit në rrugë të Allahut. Pyetjet që ata drejtojnë mund të jenë të rëndësishme, por mund të jenë edhe të parëndësishme. Në këtë hadith vërehet qartë se pyetja që sahabët i drejtojnë Profetit (a.s) është një pyetje mjaft e rëndësishme që lidhet në mënyrë të drejpërdrejtë me çështjet e fesë dhe të dynjasë.  Këtë etikë dhe moral ata e kanë mësuar nga fjala e Allahut të Lartësuar: “O besimtarë! Mos pyesni për gjëra, që sikur t’ju thuheshin haptazi, nuk do t’ju pëlqenin.”[5] Ibn Kethiri thotë: “Allahu – nëpërmjet këtij urdhri – i mëson robërit e Tij besimtarë duke i ndaluar që ata të bëjnë pyetje perj të cilave nuk kanë kurrfarë dobie, ose të bëjnë ato pyetje që nëse do të merrnin përgjigjet – e atyre pyetjeve- , përgjigjet do t’i hidhëronin”[6] Shkak i zbritjes së këtij ajeti është ajo të cilën tregon Enesi (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) doli sapo u ul dielli pak nga zeniti dhe fali namazin e drekës. Pastaj ai u ngjit në minber dhe foli për Orën (Ditën e Ringjalljes) duke përmendur se atë ditë do të ndodhin ngjarje të mëdha. Pastaj ai (a.s) tha: “Kushdo që dëshiron të më pyesë për ndonjë gjë le të më pyesë dhe dhe do t’i përgjigjem për çdo gjë, derisa të jem këtu ku jam. Shumica e njerëzve filluan të qajnë, ndërsai ai (a.s) po përsëriste duke thënë: “Më pyesni!” Kështu u ngrit Abdulla ibn Hudhafe dhe pyeti: Kush është babai im? Profeti (a.s) tha: “Babai yt është Hudhafe” dhe vazhdoi të përsëriste: “Më pyesni! Më pyesni!”Pastaj Omeri (r.a) u ul në gjunjë përpara tij dhe tha: Ne jemi të kënaqur me Allahun si Zoti ynë, me Islamin si fenë tonë, dhe me Muhamedin si Profetin tonë. pas kësaj ai (a.s) heshti pak dhe tha: “Sapo m’u shfaqën para syve Xheneti dhe Zjarri i Xhehenemit, mu në këtë mur. Kurrë nuk kam parë gjë më të mirë sesa i pari dhe gjë më të keqe sesa i dyti.”[7] Prandaj çdo musliman duhet që të mësohet me këtë edukatë kuranore dhe të pyesë gjithmonë pyetje që i vlejnë atij për çështjet e kësaj bote dhe botës tjetër.

2 – Mëndjemprehtësia e Profetit (a.s):

Pyetja që sahabët i drejtuan Profetit (a.s) ishte vetëm një. Mirëpo duke qenë se fjala “Kerem” nënkupton tre gjëra të ndryshme, Profeti (a.s) i jep përgjigje këtyre tre nënkuptimeve. Një veprim i tillë, dëshmon zgjuarsinë, mprehtësinë dhe aftësinë e Profetit (a.s) për të paraqitur tre variante të ndryshme duke ngulitur në mendjen e sahabëve tre parime dhe principe të fesë islame.

Zgjuarsinë e Profetit (a.s) e vërejmë në një sërë ngjarjesh dhe ndodhish që kanë ndodhur gjatë jetës së tij. Në këtë kontekst do të mjaftohemi duke përmendur vetëm dy ndodhi:

Ndodhia e parë:

“Fiset arabe konkuronin me njëri-tjetrin në rindërtimin e Qabes, duke dashur secili prej tyre të ishte i pari dhe të fitonte prestigj. Ky konkurim u kthye pothuajse në një luftë të përgjakshme në faltoren e shenjtë. Urrejtja u përhap midis punëtorëve kur u përgatitën për të vendosur gurin e zi në anë të Qabes. Ebu Umeje ibn Mugireh i fisit Mahzum e qetësoi situatën, duke sugjeruar që ta zgjidhnin këtë çështje duke i kërkuar njeriut të parë, që do të hynte në portën Safa, të vendoste midis tyre. Allahu deshi që Muhamedi (a.s) të ishte ai njeri dhe kur e panë bërtitën: Ky është i Besuari. E pranojmë atë si gjykues.

Muhamedi (a.s) kërkoi një rrobë dhe e vendosi gurin e zi në mes të saj. Më pas thirri krerët e fiseve që kishin mosmarrëveshje dhe të gjithë së bashku mbajtën nga një cep të rrobës. Ata e ngritën dhe  e çuan në Qabe, ndërsa vetë Muhamedi e vendosi gurin në vendin e duhur.

Kjo ishte zgjidhja e ofruar nga dikush i pajisur me gjykim të shëndoshë, në sytë e të cilit njerëzit ishin mbushur me optimizëm dhe qetësi dhe që ata me dëshirë e pranuan si gjykues. Kjo tregon pozitën e lartë, që ai kishte fituar në sytë e tyre.”[8]

Ndodhia e dytë:

“Kur Profeti (a.s) mblodhi plaçkën e luftës pas Hunejnit, ua shpërndau atë të konvertuarve të rinj prej kurejshëve dhe të gjithë arabëve përveç Ensarëve, të cilët nuk morrën as edhe një gjë të vetme. Grupi i ensarëve u ndje kaq i irrituar saqë njëri prej tyre tha: Pasha Allahun, i Dërguari i Allahut u ribashkua me njerëzit e tij.

Më pas, S’ad ibn Ubade (r.a) shkoi te Profeti (a.s) dhe i tha: O i dërguar i Allahut, grupi i Ensarëve është mërzitur me ty.

Kur ai e pyeti se për ç’arsye, Sa’di iu përgjigj: Sepse ti ua shpërndave plaçkën e luftës njerëzve të tu dhe pjesës tjetër të arabëve, por atyre nuk u dhe asgjë.

Profeti (a.s) pyeti: Po çfarë qëndrimi mban ti për këtë çështje? Sa’di i tha: Edhe unë jam si ata, sepse u përkas atyre.

Atëherë Profeti (a.s) i tha: M’i mblidh njerëzit e tu në këtë dhomë dhe kur të jenë grumbulluar më vër në dijeni.

Sa’di (r.a) u largua dhe thirri njerëzit e tij, të cilët i grumbulloi në atë dhomë. Kur ishin mbledhur të gjithë Ensarët, ai vajti për njoftuar Profetin (a.s). Profeti (a.s) erdhi, dhe duke qëndruar midis tyre filloi të fliste duke lavdëruar Allahun në fillim:

Më pas tha: O Ensarë! A nuk erdha unë tek ju kur ju ishit jashtë rruge dhe më pas Allahu ju udhëzoi; kur ju ishit në nevojë dhe më pas Allahu ju pasuroi?! Ju ishit armiqtë e njëri-tjetrit e më pas Allahu i bashkoi zemrat tuaja.

Ata të gjithë thirrën: Po

Profeti (a.s) u tha: A nuk do të përgjigjeni o Ensarë?

Ata thanë: E çfarë mund të themi ne? Çfarë përgjigje duhet të japim, o i Dërguar i Allahut? Mirësia është e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Ai u tha: Pasha Allahun, nëse do të kishit dashur, ju do të kishit thënë të vërtetën; se ti erdhe tek ne si një i arratisur dhe ne të dhamë strehë; erdhe si një njeri në nevojë dhe ne të ndihmuam; erdhe si njeri me frikë dhe ne të dhamë siguri, erdhe si njeri i dëbuar dhe ne të ndihmuam.

Ata thanë: Nderi është i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij.

Ai u tha: A ishit ju të zemëruar për vogëlsirat e kësaj bote, të cilat unë ua dhashë muslimanëve të rinj, ndërsa juve ju lashë pjesën që Allahu ju dha nga Islami? A nuk jeni të kënaqur, që njerëzit të largohen me kafshët, delet dhe devetë e tyre, kurse ju të ktheheni me të Dërguarin e Allahut? Pasha Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nëse njerëzit ecin në një rrugë dhe Ensarët në një tjetër, unë do të shkoja në rrugën e Ensarëve. Nëse nuk do të kishte Hixhret, do të kisha qenë njëri prej Ensarëve. O Allah ki mëshirë për Ensarët, për fëmijët e Ensarëve dhe fëmijët e fëmijëve të Ensarëve.

Kur dëgjuan këtë, të gjithë të mbledhurit qanë, derisa mjekrat e tyre u bënë qull nga lotët dhe thanë: Ne jemi të kënaqur me Allahun si Zot dhe të Dërguarin e Tij si pjesë e jona.”[9]

Nga kjo ndodhi, vërehet qartë se Ensarët ishin mërzitur shumë se përse Profeti (a.s) u kishte dhënë njerëzve – nga plaçka e luftës – kurse atyre jo. Zgjidhja e këtij problemi kërkonte aftësi në komunikim dhe mëndjemprehtësi, gjë të cilën Profeti (a.s) e zgjidhi në mënyrën më të mirë të mundshme. Fjalët e tij ishin të vërteta, por ai (a.s) arriti që me këto fjalë të prekte zemrat e tyre duke i bërë ata që ishin të kënaqur që të shkonin në Medine dhe bashkë me ta të ishte dhe i Dërguari i Allahut (a.s).

3 – Nocioni i “kerames” sipas këndvështrimit islam:

Allahu i Lartësuar e ka krijuar njerin në formën më të bukur dhe e ka dalluar atë nga të gjithë krijesat. Në një ajet, Allahu i Lartësuar thotë: Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit; ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.”[10]

Allahu i Lartësuar e ka nderuar njeriun nga krijesat e tjera duke i dhënë mendjen, nëpërmjet të cilës ai logjikon gjithçka që ndodh përreth tij. Allahu i Lartësuar thotë: “I Gjithmëshirshmi, ua ka mësuar Kuranin (robërve të Tij) ka krijuar njeriun dhe ia ka mësuar atij të folurit të qartë.”[11]

Allahu i Lartësuar e ka nderuar njeriun duke bërë që ligjet e universit të jenë në shërbim të tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai ka vënë në shërbimin tuaj ç’ka gjendet në qiej dhe në Tokë. Të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këto ka shenja për ato që mendojnë.”[12]

Allahu i Lartësuar e ka nderuar njeriun duke e bërë atë mëkëmbës në Tokë, përgjegjës të veprimeve të veta dhe të punojë për të qenë i lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër.

Prandaj nocioni i “kerames” (njeriut të mirë e të nderëshëm) sipas këndvështrimit islam ka të bëjë me përmbushjen e objektivit madhor të ekzistencës së njeriut në këtë botë. E ky objektiv është adhurimi i Allahut të Lartësuar, një të vetëm e të pa shok në sundimin e Tij. Njeriu duhet ta konsiderojë këtë botë si një urë që të shpie në botën tjetër duke qenë se kjo botë është sprovë dhe parapërgatitje për botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë:Sa për atë që dëshiron këtë botë, Ne shpejtojmë që t’i japim çfarë të dëshirojmë atij që duam. Pastaj ia caktojmë atij Xhehenemin, në të cilin ai do të përvëlohet, duke qenë i turpëruar dhe i dëbuar. Sa për atë që dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të me gjithë shpirt e duke qenë besimtar, përpjekja e tij do të shpërblehet.”[13]

Duke u nisur nga kjo që thamë më sipër feja islame nuk ka vendosur si njësi matëse që njeri i mirë është ai njeri i cili ka prejardhje më të mirë, që ka një pozitë të lartë në shoqëri, apo që posedon pasuri të madhe. Ajo e ka përcaktuar qartë se kush është njësia matëse e të qënurit më i mirë. Allahu i Lartësuar thotë:“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.”[14] Kështu pra, njësia matëse se kush është njeriu më i mirë sipas këndvështrimit të fesë islame ka lidhje me veprat e mira që i kryen njeriu qoftë për veten e tij apo në dobi të shoqërisë duke e kapur fort pas të vërtetës.

Prandaj mosbesimi nuk i vlen njeriut edhe nëse ai (njeriu) rrjedh nga një derë e fisshme, siç është rasti i djalit të Nuhut (a.s) për të cilin Allahu i Lartësuar ka thënë:“O Nuh, ai nuk është nga familja jote, ai ka bërë punë të keqe.”[15] Mirëpo në krahun tjetër, besimi është tregues i të qënurit njeri i mirë ashtu siç ndodhi me Abdullah ibn Ummu Mektumin (r.a) për të cilin Allahu i Lartësuar do të shpallte:“Ai i vrenjt dhe ktheu kurrizin, kur i erdhi pranë njeriu i verbër. E ku e di ti, ndoshta ai dëshironte të pastrohej (nga gjynahet) ose të merrte këshillë, e këshilla t’i sillte dobi atij.”[16] Profeti (a.s) po thërriste në islam parinë e Mekës,  kur papritur vjen Abdullah ibn Ummu Mektum, që ishte i verbër, dhe kërkoi prej Profetit (a.s) që ta këshillonte. Mirëpo Profeti (a.s) nga dëshira e madhe që kishte që paria e Mekës të pranonte islamin u vrenjt në fytyrë. Për këtë veprim të Profetit (a.s), Allahu i Lartësuar do të shpallte këto ajete kuranore si qortim dhe mësim për Profetin (a.s). Shpallja e këtyre ajeteve nënkupton në mënyrë të drejtpërdrejtë se ajo që vlen tek Allahu i Lartësuar është besimi dhe vepra e mirë e jo mosbesimi. Prandaj ai njeri i cili i kundërshton urdhrat e Allahut të Lartësuar, bën shkatërrime në Tokë dhe e zemëron Allahun e Lartësuar, nuk mund të quhet njeri i mirë edhe nëse gëzon pozitë apo pasuri.

Nocioni i “kerames” sipas këndvështrimi të islamit ka lidhje me mirësjelljen ndaj atij që është sjellë keq me ty, me falje në vend të hakmarrjes, me tolerancë ndaji individëve të shoqërisë. Në krahun tjetër ky nocion nuk ka lidhje me mëndjemadhësinë, arrogancën dhe përbuzjen që u bëhet njerëzve. Profeti (a.s) ka thënë:“Muslimani është vëlla i muslimanit; nuk e tradhton, nuk e gënjen dhe nuk e lë në baltë atë. Çdo musliman ndaj muslimanit tjetër e ka të ndaluar nderin, pasurinë dhe gjakun e tij. Devotshmëria është këtu.(duke bërë me shenjë tek zemra) I mjafton njeriut nga e keqja që ta nënçmojë vëllanë e tij musliman.”[17]

4 – Devotshmëria

Devotshmëri do të thotë që njeriu të ketë frikë nga pasoja e kundërshtimit të urdhrit të Allahut të Lartësuar. Devotshmëri do të thotë që njeriu të ketë frikë nga Allahu i Lartësuar për atë që vepron. Një burrë e ka pyetur Ebu Hurejren rreth devotshmërisë e ai e pyeti burrin: A të ka qëlluar ndonjëherë që të ecësh në një rrugë me ferra? Po – u përgjij burri. Si ke vepruar – e pyeti Ebu Hurejra? Kur kam parë ferrat, i kam kapërcyer ose anashkaluar ato – u përgjigj burri. Ja kjo është devotshmëria – u përgjigj Ebu Hurejra. Devotshmëria kërkohet prej njeriut në çdo kohë dhe vend, ashtu sikurse thotë Profeti (a.s):“Kije frikë Allahun kudo që të jesh!”[18] Kështu që kur vjen koha e faljes së namazit, prej njeriut kërkohet që ta falë namazin për të qenë i devotshëm. Kur vjen koha e dhënies së zekatit, prej tij kërkohet që ta japë zekatin që të jetë i devotshëm. Kur vjen koha për të kryer një obligim fetar, prej njeriut kërkohet që ai ta zbatojë atë që të jetë i devotshëm. Po kështu nëse njeriu përballet me një vepër të ndaluar kërkohet prej tij që të largohet dhe të shmanget prej saj që të jetë i devotshëm. Allahu i Lartësuar thotë:“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu siç i takon Atij.”[19] Duke hedhur një vështrim në Kuran, do të vërejmë se porosia më e madhe është të qenurit i devotshëm. Allahu i Lartësuar thotë:Ne i kemi porositur ata që ju është dhënë libri përpara jush dhe juve që të keni frikë Allahun.”[20]

Fjalët e Profetit (a.s) “Ai që është më i devotshëm” kur sahabët e pyetën për njeriun më fisnik, të ndershëm e më të mirë janë treguesi më i mirë se devotshmëria e njeriut zë një pozitë të lartë tek Allahu i Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë:“Ata që nuk besojnë, janë të joshur nga jeta e kësaj bote, prandaj tallen me besimtarët. Por njerëzit që i frikësohen Allahut, do të jenë mbi ata në Ditën e Kijametit. Allahu begaton pa kufi kë të dojë.”[21] Njerëzit që e kanë frikë Allahun e Lartësuar  e meritojnë dashurinë e Tij ndaj tyre, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar në një ajet: “Jo. Por kushdo që plotëson premtimin e  e tij dhe ruhet nga të këqijat, (ta dijë) se Allahu, me të vërtetë, i do ata që janë të devotshëm.”[22] Njerëzit që e kanë frikë Allahun e Lartësuar dhe janë të devotshëm, Allahu i Lartësuar është bashkë me ta. Në një ajet kuranor Allahu i Lartësuar thotë: Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat.”[23] Ata që i frikësohen Allahut të Lartësuar janë të shpëtuar, ashtu siç mund të lexojmë në ajetin kuranor:“O ju të mençur, kijeni frikë Allahun që të shpëtoni”[24] Njerëzit e devotshëm do të përgëzohen me fjalë të mira në këtë botë dhe në botën tjetër, ashtu siç citohet në ajetin kuranor:“Ata që besojnë dhe i frikësohen Allahut, i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën. S’ka ndryshim në fjalët e Allahut, kjo është fitorja madhështore.”[25]  Për ata të cilët janë të devotshëm dhe e kanë frikë Allahun e Lartësuar, zbresin bereqete nga Qielli dhe Toka, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka..”[26]

Në këtë kontekst, çdokush i cili dëshiron të jetë i devotshëm, i cili e ka frikë Allahun e Lartësuar duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke u shmangur nga mëkatet, i cili dëshiron të gëzojë një pozitë të lartë tek Allahu i Lartësuar, është kureshtar të dijë se cila është rruga që duhet të ndjekë për të qenë i devotshëm?

Që  njeriu të arrijë të jetë i devotshëm duhet të ndjejë dashuri dhe përmallim për Allahun, ta ndjejë se Allahu i Lartësuar e mbikqyr dhe e vrojton në çdo moment dhe kudo që ai është, të mendojë dhe të reflektojë se çfarë pasojash negative e presin për shkak të kryerjes së mëkatit, të njohë se cila është mënyra për të mos rendur pas epsheve shfrenuese me qëllim që ta largohet nga punët e shëmtuara si dhe të njohë rrugët që ndjek shejtani për ta çuar njeriun në humbje me qëllim që ai (njeriu) mos t’i bindet atij. Më poshtë po flasim për secilën prej këtyre pikave që janë shkak e sebep që njeriu të jetë i devotshëm:

1 – Dashuria dhe përmallimi i njeriut për Allahun e Lartësuar:

Imam Ibn Kajjimi thotë: [Dashuria është si një pemë e rrënjosur në zemër; rrënjët e të cilës janë nënshtrimit ndaj të Dashurit (Allahut), trungu i saj është njohja e Tij, degët e saj janë  përkushtimi ndaj Tij, gjethet  e saj janë ndenja e turpit ndaj Tij. Kjo pemë ujitet me dhikrin e Allahut të Lartësuar. Nëse ndonjëra prej këtyre mungon, atëherë edhe dashuria për Allahun është e mangët.][27]

Dashuria e njeriut për Allahun do të thotë që njeriu të dojë atë gjë që Allahu i Lartësuar e do, të urrejë atë gjë që Allahu i Lartësuar e urren, të dojë të Dërguarin e Tij duke i dhënë përparësi fjalës së tij përpara çdokujt tjetër, të dojë të gjithë profetët dhe pasuesit e tyre, të urrejë mosbesimtarët dhe kriminelët për veprimet e tyre.

Nuk ka dyshim se duke lexuar vazhdimisht Kuranin, duke kryer sa më shumë adhurime – farzet dhe vullnetare – , duke kujtuar mirësitë e shumta që Allahu i Lartësuar i ka dhuruar njeriut, duke bërë sa më shumë dhikër me zemër dhe me gjuhë, duke iu lutur Allahut të Lartësuar me përgjërim, veçanërisht në 1/3 e fundit të natës  e duke menduar për Xhenetin të cilin Allahu i Lartësuar e ka përgatitur për robërit e Tij besimtarë, të gjitha këto janë shkaqe që njeriu ta dojë Allahun e Lartësuar.

2 – Ndjenja se Allahu i Lartësuar është Mbikqyrësi i veprave të njeriut:

Fjala e Profetit (a.s):“Kije frikë Allahun kudo që të jesh!”[28] do të thotë se njeriu duhet ta ketë frikë Allahun e Lartësuar kudo që të jetë dhe në çdo moment, në publik dhe fshehtësi. A është e mundur që ai njeri i cili e ndjen se Allahu i Lartësuar e shikon dhe e vrojton në çdo moment dhe kudo që të jetë, të bëjë mëkate?! Ndjenja e mbikqyrjes bën që njeriu të ketë turp që të kryejë mëkate.

3 – Pasojat negative të mëkatit:

Në Kuranin Fisnik lexojmë se Allahu i Lartësuar e ka përzënë Iblisin nga mëshira e Tij, lexojmë se Allahu i ka ndëshkuar me lloj-lloj ndëshkimesh popujt e mëparshëm. Duke reflektuar dhe medituar rreth shkakut se përse këta popuj janë ndëshkuar do të vërejmë se ata popuj i kanë përgënjeshtruar profetët dhe e kanë thyer urdhrin e Allahut të Lartësuar.

4 – Frenimi nga epshet shfrenuese dhe nënshtrimi ndaj Allahut të Lartësuar:

Allahu i Lartësuar thotë:“E përsa i përket atij që e ka tepruar, dhe i jep përparësi jetës së kësaj bote, Xhehenemi do të jetë vendi i tij. E kush iu frikësua Zotit të vet dhe ndaloi veten e tij prej epsheve Xheneti është vendi i tij.”[29]

Personi i cili rend pas epsheve i bindet vetëm pasioneve shfrenuese,  e ka zemrën të prishur, e ka humbur rrugën e drejtë, e ka të vështirë të ndjekë të vërtetën, i pëlqen vetja e vet, i bën padrejtësi vetes së tij sepse kryerjen e mëkateve e quan diçka të lehtë, i jep përparësi dynjasë në vend të ahiretit, madje ai e ka shumë të vështirë që të kryejë vepra të mira. Nuk ka dyshim se një njeri i tillë ka humbur shumë si në dynja ashtu edhe në ahiret; në dynja jeton me stres, ankth dëshpërim e pikëllim. Në Berzeh, varri i tij do të ngushtohet, e në Ahiret e pret Zjarri i Xhehenemit për të marrë ndëshkimin e merituar.

E nëse njeriu kthehet tek Allahu i Lartësuar, do jetë në gjendje të kuptojë qëllimin e vërtetë të ardhjes së tij në këtë botë, nuk ka për të rendur më pas epsheve dhe ka për të qenë më i vendosur për të kryer vepra të mira duke mbjellë të ardhmen e tij në botën tjetër.  Dhe i rrjedhojë zemra e tij do të shërohet e kur në Ditën e Kijametit të dalë përpara Zotit do të jetë i pastër nga gjynahet dhe do hyjë në Xhenet, të cilin Allahu i Lartësuar e ka përgatitur për robërit e Tij të devotshëm.

5 – Mosndjekja e hapave të shejtanit:

Armiqsia e shejtanit me njeriun zë fill qysh kur Allahu i Lartësuar e krijoi Ademin (a.s). Shejtani i mallkuar ashtu siç e nxorri babain tonë Ademin (a.s) nga Xheneti, po ashtu dëshiron që t’i shpie njerëzit në humbje e të ketë sa më shumë shokë me vete në Zjarr të Xhehenemit. Shejtani e shtyn njeriun që ta mohojë Allahun, nëse ai e pranon Allahun e shtyn që t’i shoqërojë Atij shok në adhurim, e nëse njeriu adhuron Allahun, shejtani depërton nga porta e risive dhe bidateve. Nëse njeriu është larg bidateve, shejtani e nxit njeriun që të dembeloset ndaj adhurimeve. E nëse njeriu është i rregullt, shejtani provon të depërtojë nga porta e mëkateve të mëdha, e nëse dështon depërton nga porta e mëkateve të vogla. E nëse nuk e gjen derën e hapur depërton tek njeriu duke e tepruar me gjërat e lejuara. Prandaj njohja e hapave të cilat shejtani i mallkuar ndjek për ta shpënë njeriun në humbje është e domosdoshme. Mosndjekja e hapave të shejtanit nënkupton bindje dhe nënshtrim ndaj urdhrave të Allahut të Lartësuar.

5 – Vlerat dhe pozita e lartë e  Jusufit (a.s):

Nëse përgjigja e parë e Profetit (a.s) kishte lidhje me vlerën e lartë të punëve të mira, devotshmërisë dhe frikë respektit ndaj Allahut të Lartësuar, përgjigja e dytë ka lidhje me vlerën dhe pozitën e prejardhjes së fisshme. E kjo prejardhje e fisshme është: Jusufi biri i Jakubit, biri i Is’hakut, biri i Ibrahimit, që të gjithë Profetë e të Dërguar të Allahut.

Kur Jusufi (a.s) i tregoi babait të tij, Jakubit (a.s) se kishte parë në ëndërr 11 yje, diellin dhe hënën që i bënin sexhde atij, Jakubi (a.s) e kuptoi domethënien e ëndrrës, e këshilloi të birin që këtë ëndërr mos t’ia tregojë vëllezërve për shkak të xhelozisë të tyre ndaj tij dhe pastaj i thotë:“Dhe kështu Zoti yt të ka zgjedhur ty..”[30] Por përse Allahu i Lartësuar e zgjodhi Jusufin (a.s)? Përgjigjen e gjejmë tek i njëjti ajet:“.. Ai të mëson shpjegimin e ëndrrave dhe e plotëson dhuntinë e Vet ndaj Teje dhe familjes së Jakubit, ashtu siç e ka plotësuar më parë, ndaj të parëve të tu, Ibrahimit dhe Is’hakut. Pa dyshim, Zoti yt është i Urtë dhe i Gjithdijshëm.”[31] Shpjegimi i ëndrrave, dhënia e profetësisë, forcimi i pozitës së Jusufit (a.s), nënshtrimi i vëllezërve duke rënë në sexhde për të, prejardhja e tij e fisshme janë disa prej dhuntive dhe mirësive që Allahu i Lartësuar i dha atij. Tek lutja me të cilën Jusufi (a.s) i drejtohet Allahut të Lartësuar vërejmë qartë disa prej mirësive të Allahut të Lartësuar ndaj tij:“O Zoti im! Ti më ke dhënë pushtet dhe më ke mësuar shpjegimin e ëndrrave! O Krijuesi i qiejve dhe tokës, Ti je Mbrojtësi im në këtë botë dhe në botën tjetër! Bëj që të vdes si musliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)”[32] “Kur Jusufi arriti moshën e pjekurisë, Ne i dhamë aftësinë e të gjykuarit dhe dituri. Kështu i shpërblejmë ne punëmirët.” [33]Kjo ishte një dhunti tjetër që Allahu i Lartësuar i dha Jusufit (a.s).“Dhe kështu ne i dhamë Jusufit pozitë në atë vend dhe ai kishte çfarë të dëshironte. Ne e shpërblejmë me mëshirën Tonë, kë të duam dhe, punëmirëve nuk ua humbim shpërblimin.”[34] Pozita të cilën Allahu i Lartësuar ia mundësoi Jusufit (a.s) kishte të bënte me përgjegjësinë që mbreti i Egjiptit i kishte dhënë Jusufit (a.s) për të administruar dhe menaxhuar depot dhe të gjithë të ardhurat e shtetit të madh të Egjiptit.

6 – Vlera e kuptimit të fesë:

Imam Ibn Haxheri thotë: [Njeriu më i mirë është ai i cili është njeri fisnik, i ndershëm dhe i mirë si në Xhahilije dhe Islam. Në kohën e Xhahilijes, fisnikëria e tij ka lidhje me moralin e mirë që përputhet me natyrën e pastër dhe në Islam fisnikëria ka lidhje me moralin e mirë të përcaktuar sipas parimeve të fesë. Dhe në një gradë më të lartë qëndron ai i cili i kupton rregullat e fesë.][35]

Allahu i Lartësuar thotë:“Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojnë popullin e vet..”[36]

Profeti (a.s) ka thënë:“Atij që Allahu i do të mirën, Ai e bën atë që ta kuptojë fenë”[37] Imam Neveviu ka thënë: [Ky hadith flet për vlerën e dijes, vlerën e kuptimit të fesë dhe motivimi për të mësuar e kuptuar fenë. Kuptimi (mësimi) i fesë e orienton njeriun për tek devotshmëria.][38]

Imam Ibn Kajjim thotë: [Dijetarët e fik’hut dhe ata që japin fetva të cilët merren me deduksionin e dispozitave fetare dhe të cilët kanë vendosur rregullat e duhura për përcaktimin e hallallit dhe haramit janë si yjet në qiell, sepse ai që ka humbur në errësisë orientohet nëpërmjet tyre. Njerëzit kanë shumë nevojë për dijetarët, madje më tepër se ç’kanë ata nevojë për ushqim dhe pije. Madje bindja ndaj tyre është më obligative se bindja ndaj prindërve sepse Allahu i Lartësuar thotë:“O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.”[39] Në një transmetim të Ibn Abasit thuhet se ata që drejtojnë punët tuaja janë dijetarët.][40]

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 – Njeriu vlerësohet në bazë të devotshmërisë.

2 – Në lidhje me fisnikërinë njerëzit dallojnë nga njëri-tjetri.

3 – Fisnikëria e prejardhjes së njeriut vlerësohet më shumë nëse ajo ka lidhje me devotshmërinë.

4 – Vlera dhe pozita e lartë e Jusufit (a.s)

5 – Vlera e lartë e kuptimit të fesë

6 – Njerëzit me moral të lartë në periudhën para islame ngelen të tillë edhe pasi e pranojnë islamin nëse i kuptojnë drejt rregullat e fesë.

Epilog:

Shokët e Profetit (a.s) janë brezi më i mirë që ka parë historia e njerëzimit. Ata kanë jetuar në dy periudha: në xhahilijet dhe në islam. Qysh në periudhën e xhahilijes ata njiheshin për moralet e tyre të larta, morale të cilat i trashëguan edhe në Islam. Por tashmë me një ndryshim shumë të madh, ngase ata ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë. Në epilogun e këtij hadithi, shkurtimisht do të përmendim disa prej moraleve të larta të  katër halifëve të drejtë.

Ebu Bekri (a.s) gëzonte një mëndjemprehtësi të madhe saqë asnjëherë në jetën e tij nuk ka besuar apo adhuruar ndonjë idhull. Ai ishte njohës i mirë i prejardhjes së fiseve arabe saqë ishte referencë për arabët dhe Profetin (a.s) duke i shërbyer shumë Islamit.

Omeri (r.a) gëzonte cilësi dhe morale shumë të larta, morale të cilat edhe vetë Profeti (a.s) i vlerësonte në maksimum. Vetë Profeti (a.s) do t’i lutej Allahut të Lartësuar:“O Allah, forcoje Islamin me njërin prej këtyre dy burrave më të dashur tek Ti, Ebu Xhehlin ose Omer ibn Hatabin”[41] Omeri ka qenë njeri i drejtë dhe e ka pasë dashë shumë drejtësinë. Në atë vit që në Medine pllakosi zia e bukës, ai e konsideroi veten të barabartë me të gjithë njerëzit duke ngrënë njëlloj si ata megjithëse ishte prijësi i tyre.

Othmani (r.a) ka qenë bujar i madh, bujaria e tij manifestohet në blerjen e pusit nga çifuti që muslimanët ta përdornin atë falas e në shumë raste të tjera. Ka qenë mjaft i turpshëm aq sa vetë Profeti (a.s) dhe engjëjt kishin turp prej tij. Ai gëzonte një pozitë të lartë në mesin e popullit të tij, saqë në paktin e Hudejbijes, Profeti (a.s) dërgoi tek kurejshët Othmanin (r.a) për të negociuar ngaqë ai kishte reputacion të mirë në mesin e tyre.

Aliu (r.a) ka qenë trim dhe mjaft i guximshëm. Në këtë kontekst mjafton të themi që kur Profeti (a.s) do të emigronte për në Medine, ai pranoi të shtrihej në shtratin e Profetit (a.s). Ai ka qenë njohës i mirë i rregullave të fesë, saqë konsiderohet prej atyre sahabëve më të ditur.

Autor: Elton Harxhi

 

 

 

[1] – Buhariu (3353) dhe Muslimi (2378).

[2] – Sure Huxhurat: 11.

[3] – Sure Huxhurat: 12.

[4] -“El Mufhim” i Kurtubijut, fq: 6/227.

[5]  – Sure Maideh: 101.

[6] -“Tefsiri Ibn Kethirit” I Ibn Kethirit, fq: 5/379.

[7] – Buhariu (540).

[8] -“Fik’hus sire” i Muhamed Gazalit, fq: 103, version shqip.

[9] -“Fikhus Sire” i Muhamed ibn Gazalit, fq: 485-487, version shqip.

[10] – Sure Isra: 70.

[11] – Sure Rahman: 1-4.

[12]  – Sure Xhathije: 13.

[13] – Sure Isra: 18-19.

[14] – Sure Huxhurat: 13.

[15] – Sure Hud: 46.

[16] – Sure Abese: 1-4.

[17] – Tirmidhiu (1927). Hadithi është sahih.

[18] – Tirmidhiu (1987). Hadithi është Hasen.

[19]  – Sure Ali Imran: 102.

[20] – Sure Nisa: 131.

[21]  – Sure Bekare: 212.

[22]  – Sure Ali Imran:76.

[23]  – Sure Bekare: 194.

[24]  – Sure Maideh: 100.

[25]  – Sure Junus: 63-64.

[26]  – Sure A’araf: 96.

[27] -“El Xhami” i fq: 728.

[28] – Tirmidhiu (1987). Hadithi është Hasen.

[29]  – Sure Naziat: 37 – 41.

[30] – Sure Jusuf: 6.

[31]  – Sure Jusuf : 6.

[32] – Sure Jusuf: 101.

[33] – Sure Jusuf: 22.

[34] – Sure Jusuf: 56.

[35] -“Fet’hul Bari” i Ibn Haxher Askalanit, fq: 6/477.

[36] – Sure Teube: 122.

[37] – Buhariu (71) dhe Muslimi (1037).

[38] -“El Minhaxh” i imam Neueuiut, fq: 16/656.

[39]  – Sure Nisa: 59.

[40] -“I’lamul Muuekiin” i Ibn Kajjim El Xheuzijes. Fq: 1/18.

[41] – Tirmidhiu (3681). Hadithi është Sahih.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.