Pavarësia e Shqipërisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pavarësia e Shqipërisë e shpallur nga Ismail Qemali më 28 nëntor të vitit 1912, shënon një moment historik në rrugën e kombit shqiptar drejt lirisë. Kjo ngjarje ishte kulmi i përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar dhe për të krijuar një shtet të pavarur  në një kohë sfidash të mëdha gjeopolitike në rajonin e Ballkanit.

Në shekullin XIX shqiptarët jetonin kryesisht nën sovranitetin e Perandorisë Osmane. Gjatë kësaj periudhe nisën të forcohen ndjenjat kombëtare dhe dëshira për autonomi dhe më vonë për pavërësi. Arsyet që ndikuan në këtë proces ishin rilindja kombëtare që kishte për qëllim zgjimin kombëtar, kongresi i Berlinit, i cili favorizonte fuqitë fqinje dhe rrezikonte territoret e Shqipërisë. Po ashtu një arsye tjetër ishte edhe kriza ballkanike, luftërat ballkanike dhe copëtimi i territoreve osmane në rajon krijuan rrezikun e ndarjes së tokave shqiptare ndërmjet shteteve fqinje.

Kuvendi i Vlorës dhe shpallja e pavarësisë

Më 28 nëntor 1912, në qytetin e Vlorës, delegatët nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën për të shpallur pavarësinë. Kuvendi i udhëhequr nga Ismail Qemali vendosi:

Shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë duke ndarë përfundimisht vendin nga Pernadoria Osmane.

Krijimin e qeverisë së përkohshme me Ismail Qemalin si kryetar për të administruar shtetin e sapo krijuar.

Roli i muslimanëve në pavarësinë e Shqipërisë

Padyshim që një rol të rëndësishëm në pavarësinë e Shqipërisë kanë luajtur edhe muslimanët.

Shpërthimi i luftës Ballkanike në tetor të vitit 1912, përbënte një rrezik shumë të madh për shqiptarët, sepse mund të kishte aneksim të trojeve shqiptarë. Në këtë situatë mjaft të rënduar, para patriotëve, udhëheqësve dhe drejtuesve fetarë lindën detyra të mëdha që kërkonin me patjetër zgjidhje të menjëhershme. Padyshim se detyra themelore ishte shpallja e pavarësisë duke qenë se edhe platforma adminastrive nën kuadrin e Perandorisë Osmane nuk funksiononte më. Kështu që shumë patriotë, me në krye Ismail Qemalin morën përsipër nismën për të shpallur pavarësinë.

Në kohën kur Ismail Qemali ishte jashtë Shqipërisë për të siguruar mbështetjen nga Fuqitë e Mëdha, organizatat patriotike në vend, bënë të mundur zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësonin qytetet e Shqipërisë në Kuvendin Kombëtar. Duke qenë se ushtritë e huaja po përparonin në drejtim të qyteteve kryesore të vendit, Ismail Qemali kërkoi nga delegatët e zgjedhur të ngrinin flamurin, secili në qytetin e tij. Në qytetin e Korçës, midis atyre që ngritën flamurin ishte edhe Hafiz Ali Korça, në Tiranë ishte edhe Hafiz Ibrahim Dalliu e shumë të tjerë. Nga delegatët e zgjedhur kishte edhe shumë prijës fetarë, si myfti Vehbi Dibra, Sherif Lëngu, Mahmud Kaziu, Zihni Abaz Kanina, etj.

Rolin dhe kontributin e muslimanëve në pavarësinë e Shqipërisë, mund ta përmbledh në pikat e mëposhtme:

1 – Përfshirja e muslimanëve në Rilindjen Kombëtare: Shumë prej liderëve të Rilindjes Kombëtare si Abdul Frashëri, Sami Frashëri dhe Naim Frashëri ishin myslimanë. Myslimanët e kësaj periudhe u angazhuan në hapjen e shkollave shqipe.

2 – Lidhja e Prizrenit: Myslimanët luajtën një rol vendimtar në Lidhjen e Prizrenit që synonte mbrojtjen e territoreve shqiptare nga copëtimi nga Fuqitë e Mëdha. Lidhja e Prizrenit e udhëhequr kryesisht nga liderë myslimanë si Ymer Prizreni dhe Abdul Frashëri është konsideruar si themeli i organizimit politik shqiptar që çoi drejt pavarësisë.

3 – Harmonia fetare dhe uniteti kombëtar: Myslimanët ishin ndër promovuesit kryesorë të harmonisë ndërfetare, duke punuar krah për krah me shqiptarët katolikë dhe ortodoksë për kauzën kombëtare. Një shembull i rëndësishëm ishte bashkëpunimi ndërmjet prijësve fetarë dhe politikë për të ruajtur unitetin kombëtar dhe shmangien e ndasive fetare.

4 – Kontributi ushtarak dhe diplomatik: Myslimanët shqiptarë dhanë kontribut të rëndësishëm në luftërat kundër forcave të huaja që synonin ndjarjen e trojeve shqiptare, si dhe në përpjekjet diplomatike për njohjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha.

5 – Mbrojtja e identitetit kombëtar pas pavarësisë: Pas shpalljes së pavarësisë, prijësit myslimanë luajtën një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar dhe në përballimin e sfidave që vinin nga jashtë dhe nga brenda, përfshirë për cënimin e sovranitetit shqiptar.

Përmblodhi: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.