Jo rrallherë ndodh që prindërit nxjerrin nga goja fjalë pa u menduar, fjalë të cilat mund të shkatërrojnë punën edukative me fëmijët. Fjala është themeli i edukimit, sepse përmes fjalës, ne i këshillojmë, i qortojmë, i inkurajojmë, i lavdërojmë dhe zemërohemi ndaj fëmijëve tanë. Edukimi i fëmijëve bëhet përmes fjalëve dhe veprave, dhe në të dyja rastet ajo është një formë komunikimi. Fjala është dialog verbal, ndërsa veprimet janë dialog joverbal. Pra, e gjithë çështja lidhet me fjalën, që do të thotë se ajo ka lidhje të drejpërdrejtë me edukimin.
Nga përvoja ime në zgjidhjen e problemeve edukative, kam zbuluar se një nga faktorët më të rëndësishëm që shpie në mosdëgjimin e fëmijëve është përdorimi i gabuar i fjalëve. Para dy ditësh, bisedova me një të ri që kishte ikur nga shtëpia, Pasi e dëgjova se çfarë problemi kishte ai me prindërit, dola në përfundimin se prindërit përdornin një gjuhë të keqe ndaj tij. Një vajzë tjetër më tregoi për arsyen e mosdëgjimit të saj: ajo dukej e pakënaqur me veten dhe kërkonte të hakmerrej për fjalët e rënda që dëgjonte nga prindërit.
Në këtë artikull, kam përmbledhur dhjetë fjalë dhe shprehje që shkatërrojnë psikologjinë e fëmijëve dhe i nxisin drejt mosdëgjimit: Këto fjalë janë:
Fyerja: Përshkrimi i fëmijës me epitetet e kafshëve, si gomar, qen, dem, cjap, o kafshë…etj, apo mallkojmë ditën në të cilën ka lindur.
Përçmimi: përmes përshkrimeve negative, si i keq, gënjeshtar, i shëmtuar, i shëndoshë, çalaman, hajdut. Përçmimi është si një thëngjill që e djeg zemrën.
Krahasimi: Kjo e shkatërron plotësisht personalitetin e fëmijës, pasi çdo fëmijë ka aftësi dhe talente që e bëjnë atë të dallojë nga të tjerët. Krahasimi e bën atë të ndihet i mangët, vret vetëbesimin tek ai dhe bën që fëmija ta urrejë atë me të cilin është krahasuar.
Dashuria e kushtëzuar: T’i kushtëzosh dashurinë me një veprim të caktuar, si psh: nuk të dua sepse bëre kështu; të dua vetëm nëse ha këtë, apo nëse mëson dhe arrin sukses… Dashuria e kushtëzuar e bën fëmijën të ndjehet se ai është i padëshiruar dhe se të tjerët (prindërit) nuk e duan. E kur fëmijët rriten, ata ndihen si të pavarur nga familja për shkak se kur kanë qenë të vegjël nuk kanë ndjerë dashuri dhe ngrohtësi. Një arsye përse fëmijët i duan gjyshin dhe gjyshen është se dashuria që ata i japin nipit apo mbesës është e pakushtëzuar.
Informacioni i gabuar: Si psh: burrat nuk qajnë, hesht se je ende i vogël, ky fëmijë po më çmend, nuk kam fuqi ndaj tij, Zoti do të të ndëshkojë dhe do të të djegë në zjarr.
Zhgënjimi: Shprehje si ti nuk kupton asgjë, hesht o djall, nuk ka shpresë për ty.
Kërcënimet e gabuara: Si do të ta thyej kokën, do të ta pij gjakun, do të të vras.
Ndalimi pa arsye: Si për shembull, vazhdimisht pa asnjë aryse i themi fëmijës “Jo”, apo refuzojmë t’i përgjigjemi kërkesave të tij pa ia shpjeguar përsenë.
Mallkimi: Si Zoti të marrtë, vdeksh, mallkuar qofsh.
Turpërimi: Zbulimi i sekreteve dhe privatësisë së fëmijës.
Këto pra janë dhjetë fjalë të cilat e dëmtojnë personalitetin e fëmijës. Teksa po lexoja një studim, hasa në rastin e një fëmije i cili deri në moshën e adoleshencës kishte dëgjuar plot gjashtëmbëdhjetë mijë fjalë të këqija nga prindërit, mirëpo studimi nuk përmendte vetëm se një prej dhjetë rasteve të lartpërmendura. Imagjinoni një fëmijë që akoma nuk i ka mbushur tetë vjeç dhe fjalori i tij është i ngarkuar me pesë mijë fjalë që e dëmtojnë personalitetin e tij. Padyshim që efekti i tyre negativ do të jetë shumë herë më i madh sesa efekti i armëve të shkatërrimit në masë.
Profeti (as) e ka përmbledhur gjithë këtë artikull në katër fjalë:“Besimtari nuk është shpifës, mallkues, i pacipë apo vulgar.” Kjo nënkupton shmangien e këtyre katër cilësive negative dhe zëvendësimin e tyre me katër cilësi pozitive: dashuri, inkurajim, lavdërim dhe respekt.
Fjala e mirë është më e rëndësishme se dhurata. Allahu thotë: “Fjala e mirë dhe falja janë më të mira se një lëmoshë që shoqërohet me fyerje.” Ne u japim fëmijëve tanë gjithçka – ushqim, lodra, arsim – por i shkatërrojmë dhe i dëmtojmë me fjalë, gjë që bie ndesh me metodologjinë kuranore. Sociologët kanë zbuluar se fjala e mirë dhe lëmosha kanë të njëjtin ndikim në tru.
Prandaj, le të kujdesemi për përzgjedhjen e fjalëve në shtëpitë tona, sepse fjala ka një ndikim të madh. Kurani është një fjalë, njeriu hyn në Islam dhe del prej tij me një fjalë. Beqari martohet ose divorcohet (pas martesës) me një fjalë. Prandaj, le të mos e anashkalojmë rëndësinë e fjalës dhe të fokusohemi tek ato fjalë që formojnë dhe zhvillojnë personalitetin e fëmijëve tanë. Përmes fjalëve arrijmë të sjellim paqe dhe harmoni duke rritur kështu fëmijë të mrekullueshëm.
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi