Rijadus Salihin (1 – 100)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kapitulli i sinqeritetit dhe nijetit në të gjitha veprat dhe fjalët e dukshme dhe të padukshme

1 – Prijësi i besimtarëve, Omer ibn Hatabi (r.a) thotë: “Kam dëgjuar Profetin (a.s) të thotë: “Me të vërtetë veprat varen sipas nijetit.Çdokujt i takon ajo që ka pasur për nijet. Ai, i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, emigrimi i tij konsiderohet për Allahun dhe të Dërguarin e Tij,ndërsa kush ka emigruar për të fituar diçka të kësaj bote, apo për t`u martuar me ndonjë grua, ai përfiton nga emigrimi i tij vetëm atë që ka pasur për qëllim”[1].

2 – Nëna e besimtarëve, Aishja (r.a) thotë: “I Dërgari i Allahut (a.s) ka thënë: “Një ushtri ka për të sulmuar Qaben. Kur ajo të mbërrijë në një tokë të shkretë, do të fundosen të gjithë (ushtarët) nga i pari deri tek i fundit”. Unë e pyeta: “O i Dërguar i Allahut! Si është e mundur që të fundosen të gjithë, kur ka prej atyre që janë tregtarë dhe të tjerë që nuk kanë ardhur për të luftuar?”“Do të fundosen të gjithë, nga i pari deri tek i fundit dhe kur të ringjallen, do të ringjallen në varësi të nijetit që kanë pasur”– u përgjigj ai”.[2]

3 – Aishja (r.a) transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim (Hixhret), mirëpo lufta dhe nijeti (për të luftuar)janë të vazhdueshme. Nëse ju bëhet thirrje për të përkrahur fenë e Allahut(për të luftuar), mos ngurroni për të marrë pjesë”[3].

4 – Ebu Abdullah Xhabir ibn AbdullahEl Ensarij (r.a) transmeton: “Ishim me të Dërguarin e Allahut (a.s) në një betejë, kur ai (a.s) na tha:“Vërtet në Medine ka burra, të cilët kanë qenë me ju, edhe kur keni ecur nëpër kodra, edhe kur keni ecur nëpër lugina. Ata nuk kanë qenë me ju, sepse i ka penguar sëmundja”.Në një transmetim tjetër thuhet: “Ata kanë marrë të njëjtin shpërblim si ju”[4].

Buhariu transmeton, se Enesi(r.a) ka thënë: “Po ktheheshim nga beteja e Tebukut me Profetin (a.s), kur ai (a.s) tha: “Vërtet, pas nesh në Medine ka burra, të cilët kanë qenë me ne (marrin të njëjtin shpërblim) në çdo shteg dhe luginë që kemi përshkuar dhe vetëm pamundësia i ka penguar që të jenë me ne”[5].

5 – Ebu Jezid Ma’n ibn Jezid ibn Ahnes (r.a), – babai dhe gjy­shi i të cilit kanë qenë sahabë, – transmeton: “Babai im Jezidi, nxorri disa dinarë (ari) për t’i dhënë sadaka dhe i la tek një njeri në xhami. Pak më vonë, unë i mora (dinarët) dhe shkova (në shtëpi). Ai më tha: “Pasha Allahun, unë nuk i kam lënë këto për ty”. Atëherë unë shkova tek i Dërguari i Allahut (a.s) (që të gjykonte mes nesh). Ai (a.s) tha: “E jotja është ajo që ke pasur për nijet o Jezid, kurse e jotja është ajo që e ke marrë o Ma’n”[6].

6 – Ebu Is’hak, Sa’d ibn ebi Uekas (r.a), – një prej 10 të përgëzuarve me Xhenet,- transmeton: “Në vitin e Haxhit të Lamtumirës, Profeti (a.s) erdhi tek unë për të më vizituar, për shkak të një sëmundjeje që më kishte rënduar së tepërmi. Unë iu drejtova Profetit (a.s) me këto fjalë: “O i Dërguar i Allahut! Siç e shikon unë jam shumë i sëmurë, kam shumë para dhe si trashëgimtare kam vetëm vajzën time. A të jap lëmoshë 2/3 e pasurisë time?” “Jo”,– tha ai (a.s). “Po gjysmën, o i Dërguar i Allahut?” “Jo”,– tha ai (a.s). “Po 1/3 e saj, o i Dërguari i Allahut?” Ai (a.s) tha: “Jep 1/3, por edhe 1/3 është shumë. Është më mirë për ty, që t’i lësh trashëgimtarët të pasur, sesa t`i lësh të varfër, duke lypur tek njerëzit. Ti do të marrësh shpërblimin e çdo gjëje, që e shpenzon për hir të Allahut, madje (shpërblehesh)edhe për kafshatën e bukës që ia jep gruas”. Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut! A do të qëndroj (jetoj) në Meke, pasi shokët e mi të largohen prej saj?”Ai (a.s) më tha: “Nëse do të qëndrosh, atëherë për çdo punë që e bën për hir të Allahut, do të ngrihesh në gradë dhe pozitë të lartë tek Allahu. Ka mundësi, që ti të jetosh aq gjatë,derisa një popull të ketë dobi prej teje, ndërsa një tjetër të dëmtohet. O Zot! Plotësoje Hixhretin për shokët e mi dhe mos i kthe mbrapa. Fatkeq është Sa’d ibn Khauleh”. Profeti (a.s) akoma ndjente keqardhje për Sa`d ibn Kahuleh, ngaqë ai vdiq në Meke”[7]

7 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu nuk shikon as trupat dhe as pamjen tuaj, por shikon zemrat dhe veprat tuaja”([8])

8 – Ebu Musa Abdullah ibn Kajs El Esh’ari (r.a) transmeton: “Dikush e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s): “Cili person lufton në rrugë të Allahut: ai person që lufton për (të treguar) trimëri, ai që lufton nga fanatizmi, apo ai person që lufton për syfaqësi?” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Vetëm ai person, i cili lufton (me armikun), me qëllim që fjala e Allahut (feja e Tij – Islami) të jetë më e larta, është (po lufton)në rrugën e Allahut”([9])

9 – Ebi Bekre Nufej’i ibn Harith Eth Thekafij (r.a) transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Kur dy muslimanë ndeshen me shpata me njëri-tjetrin, edhe vrasësi edhe i vrari janë në Zjarr”. Unë e pyeta: “O i Dërguar i Allahut! Për vrasësin është e qartë, po i vrari pse është në Zjarr?” Ai (a.s) tha: “Është në Zjarr, sepse edhe ai dëshironte që ta vriste shokun e tij”[10]

10 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Namazi, që njeriu fal me xhemat, është njëzet e ca gradë më i vlefshëm, sesa namazi që ai fal në shtëpinë e tij apo në treg, sepse ai që merr abdes në formën më të mirë, pastaj shkon në xhami me qëllimin e vetëm që të falë namazin me xhemat, – duke mos i interesuar asgjë tjetër, – për çdo hap që hedh, i shtohet një gradë dhe i shlyhet një mëkat, derisa të hyjë në xhami. Pasi të hyjë në xhami, atëherë ai është në namaz, për aq kohë sa është i angazhuar me të(namazin). Engjëjt luten për atë person, përderisa ai qëndron në vendin ku është falur namazi. Ata thonë: “O Zot, mëshiroje! O Zot, fale! O Zot, pranoja pendimin”. Engjëjt veprojnë kështu, për aq kohë sa njeriu nuk I shqetëson të tjerët, apo nuk e prish abdesin (në xhami)”[11]

11 – Ebu Abas Abdullah ibn Abas ibn Abdul-Mutalib (r.a) transmeton nga i Dërguari i Allahut (a.s), se Allahu i Lartësuar ka thënë:“Vërtet Allahu i ka shkruar, se cilat janë veprat e mira dhe cilat janë veprat e këqija, pastaj i ka sqaruar ato: Kush dëshiron (me zemër) të kryejë një vepër të mirë, por nuk e kryen atë, Allahu do t’ia shkruajë (shpërblimin e saj)si një vepër të mirë, të plotë dhe nëse dëshiron të kryejë një vepër të mirë dhe e kryen atë, Allahu do t’ia shkruajë (shpërblimin e saj) nga 10 – 700 fish, apo edhe më tepër. Mirëpo nëse dëshi­ron të kyejë një vepër të keqe, por nuk e kryen atë, Allahu do t’ia shkr­uajë (shpërblimin e saj) si një vepër të mirë, të plotë dhe nëse ai dëshiron të kryejë një vepër të keqe dhe e kryen atë, atëherë Allahu do t’ia shkruajë vetëm si një vepër të keqe”[12]

12 – Abdullah ibn Omer ibn El-Hattab (r.a) transmeton: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë:“Tre persona – nga gjeneratat para jush – u nisën për rrugë. Nata i zuri para një shpelle, në të cilën hynë për të fjetur. Një shkëmb u rrokullis nga mali dhe e mbylli (plotësisht) hyrjen e shpellës. Ata thanë:“Vërtet ne nuk mund të shpëtojmë nga ky shkëmb, nëse nuk e lusim Allahun e Lartësuar, që ta largojë atë për shkak të veprave tona të mira”.

I pari tha: “O Zoti im, unë i kam pasur prindërit shumë të vjetër dhe asnjëherë nuk ju kam dhënë përparësi fëmijëve dhe shërbëtorëve të mi, që ata të hanë apo të pijnë para tyre (prindërve). Një ditë u dhashë pas kërkimit të kullosës më të mirë për kopenë time, kështu që kur erdha (në shtëpi), ata i kishte zënë gjumi. Unë e mola qumështin në një enë dhe kur ua solla (prindërve), i gjeta duke fjetur. Më erdhi keq qët’i trazoj, por nuk desha t’iu jepja për të pirë as familjes e as shërbëtorëve përpara tyre, prandaj prita me enë në dorë, që ata të zgjoheshin. Kjo pritje zgjati deri në agim, megjithëse fëmijët e mi qëndronin te këmbët e mia dhe klithnin të uritur. Pasi ata (prindërit) u zgjuan, u dhashë për të pirë(dhe pastaj u dhashë edhe të tjerëve). O Zoti im! Nëse këtë gjë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga ky shkëmb!” Shkëmbi lëvizi pak, por jo edhe aq sa të kishin mundësi për të dalë!

I dyti tha: “O Zoti im! Unë kam pasur një vajzë xhaxhai, të cilën e kam dashuruar më tepër se çdokënd tjetër, – sipas një transmetimi tjetër – e kam dashur aq fort,ashtu siç burrat i duan gratë, prandaj i kërkova asaj(siç kërkojnë burrat prej grave të tyre), por ajo nuk më lejoi. Një vit pllakosi zia e bukës dhe ajo erdhi tek unë(për të kërkuar ndihmë). Unë i dhashë 120 dinarë (monedha ari), që ajo të vetmohej me mua dhe ajo ashtu veproi. Kur unë e kisha në dorë (nën zotërim) – sipas një transmetimi tjetër: kur isha sipër saj -, ajo (duke qarë) më tha: “Frikësoju Allahut dhe mos ma merr virgjërinë pa të drejtë!” Atëherë u largova prej saj (duke mos e prekur), megjithëse e doja më tepër se çdokënd tjetër dhee lashë të lirë, duke ia dhuruar edhe të hollat që ia kisha dhënë. O Zoti im! Nëse këtë gjë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga ky shkëmb!” Shkëmbi lëvizi edhe pak, por jo aq sa të kishin mundësi për të dalë!

I treti tha: “O Zoti im! Unë kam pasur rrogëtarë dhe të gjithëve ua kam paguar menjëherë hakun (pagën) përveç njërit prej tyre, i cili u largua pa e marrë atë. Unë e shtova pasurinë e tij dhe ajo u rrit. Pas një kohe rrogëtari im erdhi e më tha: “O robi i Allahut, ma jep hakun tim!” Unë i thashë: “Krejt çka sheh, – delet, lopët, devetë dhe robërit – janë pasuria jote, që është shtuar”. Ai tha: “O robi i Allahut, mos u tall me mua!” Unë ia ktheva: “Unë nuk po tallem me ty”, Atëherë ai i mori të gjitha dhe u largua, duke mos lënë asgjë. O Zoti im! Nëse këtë gjë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na shpëto nga kjo gjendje ku ndodhemi!” Shkëmbi lëvizi, kurse udhëtarët dolën dhe vazhduan rrugën!”[13]

Kapitulli i pendimit

13 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Pasha Allahun! Me të vërtetë unë kërkoj falje dhe pendohem tek Allahu më tepër se shtatëdhjetë herë në ditë”[14]

14 – El Egar ibn Jesar El Muzeni (r.a) thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “O ju njerëz, pendohuni dhe kërkoni falje tek Allahu, sepse unë pendohem 100 herë në ditë([15])

15 – Enes ibn Malik (r.a) – shërbëtori i të Dërguarit të Allahut (a.s) – ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu gëzohet më tepër me pendimin e robit të Tij, sesa ndonjëri prej jush, i cili rrëzohet nga deveja e tij, e humbet atë në shkretëtirë, por më pas e gjen atë([16]) Ndërsa në transmetimin e imam Muslimit lexojmë: “Kur dikush pendohet, Allahu gëzohet më tepër me pendimin e tij, sesa ndonjëri prej jush që ka udhëtuar me devenë e tij nëpër shkretëtirë, mirëpo ajo i humbet së bashku me ujin dhe ushqimin (që ka mbi shpinë). Ai e humb shpresën për ta gjetur (pasi e kërkon atë), prandaj shtrihet i lodhur dhe me shpresë të humbur nën hijen e një peme. Duke qenë në këtë gjendje, ai sheh devenë, duke qëndruar përpara tij. Atëherë ai ngrihet, e kap për litari dhe nga gëzimi i madh thërret: O Zot! Ti je robi im, kurse unë jam zoti Yt”, duke u shprehur gabimisht, për shkak të gëzimit të madh[17]

16 – Ebu Musa Abdullah ibn Kajs El Esh’ari (r.a) transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë,  Allahu i Lartësuar e shtrin dorën e Tij natën, që të pendohet mëkatari i ditës. Po ashtu Ai e shtrin dorën e Tij ditën, që të pendohet mëkatari i natës. Kjo ndodh vazhdimisht, derisa dielli të lindë nga perëndimi.”[18]

17 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Allahu ia pranon pendimin atij personi, i cili pendohet para se dielli të lindë nga perëndimi”[19]

18 – Ebu Abdurrahman Abdullah ibn Omer ibn Hatab (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar ia pranon pendimin robit, përderisa nuk i ka ardhur shpirti në fyt”[20].

19 – Zir ibn Hubejsh thotë: “Shkova tek Safuan ibn Asali (r.a), që ta pyes për fshirjen mbi meste. Ai më tha: “Përse ke ardhur, o Zir”. “Për të kërkuar dijen”,- u përgjigja. Ai tha: “Me të vërtetë engjëjt shtrijnë krahët e tyre mbi nxënësin e dijes, si kënaqësi për atë që ai po kërkon”. Unë i thashë: “Në të vërtetë më shqetësoi çështja e fshirjes mbi meste pas kryerjes së ujit të trashë apo të hollë. Duke qenë se ti ke qenë shoku i Profetit (a.s) erdha tek ty për të tëpyetur: A ke dëgjuar, që ai (a.s) të ketë folur rreth kësaj çështjeje”? Ai tha: “Po. Kur ishim në udhëtim apo udhëtarë, ai (a.s) na urdhëronte, që mos t’i hiqnim mestet për tre ditë dhe tre net, pasi kishim kryer ujin e trashë dhe ujin e hollë e pasi të kishim fjetur, por duhet t’i hiqnim vetëm pas xhunubllëkut”.

Unë e pyeta: “A ke dëgjuar të flasë për dashurinë mes miqve dhe animin nga ajo”?Ai tha: “Po. Ishim bashkë me Profetin (a.s) në udhëtim, kur një bedeuin e thirri atë me zë të lartë e kumbues: “O Muhamed”!“Urdhëro”,- iu përgjigj Profeti (a.s) me të njëjtin ton. Unë i thashë beduinit: “Hej, bëj kujdes dhe ule zërin, sepse ti je përpara Profetit (a.s), sepse ne jemi urdhëruar që të mos e ngremë zërin përpara tij”. Beduini tha: “Betohem në emër të Allahut, që nuk e ul zërin”. Më pas  ai iu drejtua Profetit (a.s): “Njeriu do një grup njerëzish (ngaqë rri gjithmonë me ta), por nuk është në të njëjtën gradë me ta”. Profeti (a.s) ia ktheu: “Në Ditën e Kijametit, njeriu do të jetë pranë atij që e do”. Ai (a.s) vazhdoi të fliste, derisa përmendi një derë nga Perëndimi, gjerësia e të cilës është sa distanca që përshkon një kalorës për 40 vjet ose 70 vjet.

Sufjani (një prej transmetuesve të hadithit) thotë: “Ajo (derë) është nga Shami. Allahu i Lartësuar e ka krijuar atë në ditën që krijoi qiejt dhe tokën. Ajo është e hapur për ata që pendohen, derisa dielli të lindë nga ajo (perëndimi)”([21])([22]).

20 – Ebu Seid Sa’d ibn Malik ibn Sinan El Hudri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Shumë kohë përpara jush, ka jetuar një njeri, i cili kishte vrarë 99 persona. Ai pyeti se kush është njeriu më i ditur në rruzullin tokësor. Atij i treguan për një murg. Ai shkoi te murgu dhe e pyeti nëse mund të pendohej,pasi kishte vrarë 99 persona. “Jo”,- i tha murgu. Atëherë ai e vrau dhe atë duke i plotësuar kështu 100 persona të vrarë. Pastaj pyeti për njeriun më të ditur në rruzullin tokësor. Atij i treguan për një njeri të ditur. Ai shkoi tek dijetari dhe e pyeti nëse mund të pendohej, pasi kishte vrarë 100 persona? “Po”, – i tha ai. E kush mund të jetë pengesë ndërmjet tij dhe pendimit?! Shko në filan vend, sepse atje ka njerëz të cilët e adhurojnë Allahun e Lartësuar. Adhuroje Allahun bashkë me ta dhe kurrë mos u kthe në vendin tënd, sepse ai është një vend i keq. Ai u nis dhe kur mbërriti në gjysmë të rrugës, i erdhi vdekja. Pas kësaj engjëjt e mëshirës filluan të debatonin me engjëjt e ndëshkimit. Engjëjt e mëshirës thanë: Ai erdhi i penduar me zemër të drejtuar nga Allahu i Lartësuar. Ndërsa ëngjëjt e ndëshkimit thanë: “Me të vërtetë, ai asnjëherë nuk ka bërë një punë të mirë”. Pastaj tek ta erdhi një engjëll në formën e një njeriu, të cilin e morën për gjykatës. Ai tha: “Matni distancën ndërmjet dy vendeve. Cilin vend të ketë më pranë, atij do t`i përkasë”. Pasi e matën distancën, panë se ai ishte më pranë vendit që kishte synuar. Atëherë engjëjt e mëshirës e morën”[23].

Në një transmetim tjetër të saktë thuhet: “…Ai ishte një pëllëmbë më afër vendit të mirë, prandaj u llogarit prej banorëve të mëshirës”.

Në një transmetim tjetër të saktë thuhet: “Allahu i Lartësuar e urdhëroi vendin (ku ai kishte kryer vrasjet) që të largohej(prej tij), ashtu siç e urdhëroi vendin (e mirë) që të afrohej (pranë atij). Më pas tha: “Matni distancën e të dy vendeve. Nga matja doli, që ai ishte një pëllëmbë më afër vendit të adhurimit, prandaj edhe iu falën mëkatet”, ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “…gjoksi i tij anonte nga vendi i mirë”.

21 – Abdullah ibn Ka’b ibn Malik, një prej djemve të Ka’bit (r.a), i cili e ndihmonte babain e tij, pasi ky i fundit u verbua, tregon: Kam dëgjuar Ka’b ibn Malikun, i cili ka folur për mungesën e tij në betejën e Tebukut. Aika thënë: “Nuk kam munguar në asnjë betejë që ka zhvilluar Profeti (a.s), përveçse në betejën e Tebukut. Po ashtu unë nuk kam marrë pjesë as në betejën e Bedrit, megjithatë askush prej atyre që nuk kanë marrë pjesë në atë betejë nuk është qortuar, sepse i Dërguari i Allahut (a.s) dhe muslimanët synonin karvanin e kurejshëve, por Allahu i Lartësuar kishte caktuar që ata të ndesheshin me armikun në një afat të pacaktuar. Kam qenë bashkë me Profetin (a.s) në natën e Besëlidhjes së Akabesë, kur dhamë besën për Islam. Pjesëmarrja në Beslidhjen e Akabesë është më e dashur për mua, sesa pjesëmarrja në betejën e Bedrit, megjithëse beteja e Bedrit ka ngelur më tepër në mendjet e njerëzve sesa Besëlidhja e Akabesë.

Çështja e mungesës time në betejën e Tebukut është kështu:

Në asnjë betejë tjetër nuk kam qenë aq i fortë dhe aq në mirëqënie sesa në këtë betejë, në të cilën mungova. Betohem në emër të Allahut, që në asnjë betejë tjetër nuk kisha dy kafshë, ndërsa në këtë betejë i kisha. Profeti (a.s) e kishte zakon, që kur ndërmerrte një luftë, nisej në drejtim të kundërt të fushëbetejës, por në këtë luftë nuk veproi kështu. Kur kjo luftë ndodhi bënte shumë vapë, dhe po ashtu edhe udhëtimi për në shkretëtirë  do të ishte i gjatë. Njerëzit iu përgjigjën thirrjes së Profetit (a.s). Ai (a.s) u tregoi planin muslimanëve dhe i porositi që të përgatiteshin sa më mirë për këtë betejë, madje i lajmëroi se ku do të shkonin. Aq i madh ishte numri i muslimanëve që u nisën bashkë me Profetin (a.s), saqë nuk mund të shkruheshin në regjistër[24] (Ka’bi ka për qëllim Divanin ku regjistroheshin luftëtarët).

Ka’bi (r.a) vazhdon të tregojë: “Të paktë ishin ata burra, të cilët dëshironin të mungonin dhe mendonin se vetëm një shpallje nga Allahu mund t`i demaskonte. Profeti (a.s) u nis në këtë betejë në kohën kur piqeshin frutat, që mua më pëlqenin shumë. Profeti (a.s) dhe muslimanët u bënë gati për luftë. Po ashtu edhe unë nisa të bëhesha gati, por hezitoja dhe vija vërdallë pa bërë asgjë, duke thënë me vete: “Mund të bëhem gati në çdo kohë”. Kështu, vazhdova të sillesha lart e poshtë, – ndërkohë që njerëzit përgatiteshin seriozisht – derisa Profeti (a.s) dhe muslimanët filluan të lëviznin, ndërsa unë akoma nuk isha përgatitur. Pastaj nisa të përgatitesha, por përsëri hezitoja dhe vija vërdallë pa bërë asgjë. Vazhdova të endesha sa andej – këtej, derisa njerëzit u nisën dhe koha për përgatitje kishte mbaruar. Atëherë vendosa të përgatitesha shpejt e shpejt dhe t’i kapja rrugës. Ah, sikur ta kisha bërë një gjë të tillë, por nuk ishte e shkruar, që unë të merrja pjesënë atë luftë. Pasi Profeti (a.s) u largua, u mërzita shumë, ndërsa njerëzit që shikoja (që kishin mbetur në Medine) ishin ose hipokritët, ose të pafuqishmit – të cilët Allahu i kishte arsyetuar, që të mos merrnin pjesë në luftë.

I Dërguari i Allahut (a.s) nuk u kujtua për mua derisa mbërritën në Tebuk. Kur ishte ulur bashkë me njerëzit atje, pyeti: “Çfarë ka bërë Ka’b ibn Malik”?

Një njeri nga fisi i Benu Seleme u përgjigj: “E kanë penguar rrobat dhe shikimi i muskujve, o i Dërguar i Allahut”.

Muadh ibn Xhebeli (r.a) ia priti: “Ke folur shumë keq”, pastaj u kthye nga Profeti (a.s) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Betohem në emër të Allahut, që ne dimë vetëm gjëra të mira për të”. Profeti (a.s) heshti. Duke qëndruar kështu, ai (a.s) pa një njeri të veshur me rroba të bardha, që shfaqej dhe zhdukej si pasojë e mirazhit. Profeti (a.s) tha: “Të jetë Ebu Hajtheme”!Ai ishte vërtet Ebu Hajtheme El-Ensari (r.a) – personi që kishte dhënë sadaka një tas me hurma arabe, por që hipokritët e kishin përqeshur”.

Ka’bi (r.a) vazhdon: “Kur mora vesh, se i Dërguari i Allahut (a.s) po kthehej nga Tebuku, u dëshpërova shumë dhe fillova të mendoj ndonjë gënjeshtër, duke thënë me vete: “Si t’i shmangem nesër zemërimit të Profetit”? Për këtë fillova të konsultohesha me të gjithë njerëzit më të ditur të familjes. Kur thane se i Dërguari i Allahut (a.s) mbërriti (në Medine), hoqa dorë nga gënjeshtra dhe e kuptova se çfarëdo që të thoja, nuk do të më shpëtonte prej tij, prandaj vendosa që t`i thoja të vërtetën. Më në fund, i Dërguari i Allahut (a.s) erdhi. Ai (a.s) e kishte zakon, që kur kthehej nga udhëtimi, më parë shkonte në xhami, falte dy rekate dhe pastaj ulej me njerëzit. Kur veproi kështu, përpara tij erdhën të gjithë ata – të cilët kishin munguar – duke thënë arsyet e tyre dhe për këtë betoheshin. Ata ishin tetëdhjetë e ca burra. Profeti (a.s) i pranoi arsyet e tyre, u dha besën, kërkoi falje për ta dhe atë që ata e mbanin përbrenda, e la në dorën e Allahut të Lartësuar. Më në fund erdhi rradha ime. Kur i dhashë selam, më buzëqeshi, por me buzëqeshjen e një njeriu të zemëruar. Më pas më tha: “Hajde!”. Unë u afrova dhe u ula pranë tij.

Ai (a.s) më pyeti: “Përse mungove, apo nuk e kishe blerë devenë”? Unë u përgjigja: “O i Dërguar i Allahut, betohem në emër të Allahut, se nëse do të qëndroja përpara çdokujt tjetër në këtë botë, do t’i shmagesha zemërimit të tij, duke sjellë një justifikim, sepse jam i aftë ta bëj një gjë të tillë. Mirëpo jam i bindur – dhe për këtë betohem në emër të Allahut – se nëse unë sot të gënjej dhe t’i kënaqesh me mua, kam frikë se Allahu do të bëjë që të zemërohesh me mua. Ama nëse unë jam i sinqertë dhe ti zemërohesh me mua, shpresoj që përfundimi im tek Allahu të jetë i mirë. Betohem në emër të Allahut, se nuk kam pasur asnjë arsye, që të më pengonte. Betohem në emër të Allahut, se kurrë nuk kam qenëmë i fortë dhe më me mirëqënie sesa këtë herë. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ky ka thënë të vërtetën. Çohu derisa Allahu të gjykojë për ty!

Disa burra nga fisi Benu Seleme më ndoqën nga pas dhe më thanë: “Betohemi në emër të Allahut, se nuk kemi dëgjuar që ti të kesh mëkatuar ndonjëherë përpara kësaj ndodhie. Përse nuk gjete një justifikim përpara Profetit (a.s), ashtu siç bënë ata që munguan, pasi Profeti(a.s) do të kërkonte falje për ty dhe kjo do të të mjaftonte.

Betohem në emër të Allahut, se aq shumë më qortuan ata, saqë mendova të kthehesha tek Profeti (a.s) dhe të përgënjeshtroja fjalët e mia. Pastaj i pyeta ata: “A ka ndonjë tjetër që ka vepruar si unë”? “Po, – u përgjigjën ata, – dy burra të tjerë thanë të njëjtën gjë që the edhe ti, edhe atyre iu është thënë e njëjta gjë që të është thënë edhe ty”. Unë pyeta: “Kush janë ata të dy”? “Ata janë Muraretu ibn Rebi El Amri dhe Hilal ibn Umeje El Uakifij”,- u përgjigjën ata. Ata më përmendën emrat e dy njerëzve të mirë, të cilët kishin marrë pjesë në betejën e Bedrit dhe merreshin shembull për mirë. Kur më thanë emrat e atyre të dyve, u largova.

I Dërguari i Allahut (a.s.) i ndaloi njerëzit që të bisedonin me ne të tre që kishim munguar në betejën e Tebukut. Njerëzit u larguan prej nesh, ose filluan të ndryshonin sjelljen ndaj nesh, derisa qëndrimi në këtë vend u bë i padurueshëm, sikur ai të mos ishte vendi që unë njihja. Vazhduam të qëndrojmë në këtë gjendje për 50 ditë. Përsa i përket dy shokëve të tjerë, ata qëndruan në shtëpi duke qarë, ndërsa unë duke qenë se isha më i ri dhe më i fortë, dilja dhe falja namazin bashkë me muslimanët. Endesha rrugëve të tregut, por askush nuk më fliste. Shkoja edhe tek i Dërguari i Allahut (a.s) kur rrinte me njerëzit pas namazit, i jepja selam dhe thoja me vete: “A i lëvizi buzët për të ma kthyer selamin apo jo”? Pastaj falesha pranë tij (a.s) dhe e shikoja fshehurazi. Kur unë falesha, ai (a.s) më shikonte, ndërsa kur kthehesha nga ai (e shikoja), ai (a.s) e largonte shikimin.

Kur kjo shmangie nga ana e muslimanëve zgjati, po ecja rrugës, derisa u ngjita në murin e Ebu Katades, djalit të xhaxhait tim. Ai ishte njeriu më i dashur për mua. I dhashë selam, por betohem në emër të Allahut, që ai nuk ma ktheu selamin. I thashë: “O Ebu Katade, të betohem në emër të Allahut, që unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij”. Ai heshti. Iu betova për së dyti e ai heshti, ndërsa kur iu betova për të tretën herë, ai më tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë”. Nga sytë më rrodhën lotë, kapërceva murin dhe u largova.

Duke u endur për nga tregu i Medines, një bujk nga banorët e Shamit, i cili kishte ardhur në Medine për të shitur ushqime, po pyeste: “A ka ndonjë prej jush, që të më tregojë se ku është Ka’b ibn Malik”? Njerëzit i treguan me shenjë drejt meje. Ai m’u afrua dhe më dorëzoi një letër nga sundimtari i Gasanit. Unë dija të lexoja, kështu që fillova të lexoj se çfarë shkruhej: “Morëm vesh se shoku yt të ka braktisur, por Allahu ka përgatitur për ty një vend, ku nuk mund të përbuzesh dhe as të refuzohesh, prandaj hajde tek ne, që të ta lehtësojmë dhimbjen”. Pasi e lexova letrën, thashë me vete: “Kjo është një sprovë tjetër”. E hodha letrën në furrë dhe e dogja.

Pasi kaluan 40 ditë dhe shpallja hyjnore akoma nuk kishte zbritur, erdhi një korrier i të Dërguarit të Allahut (a.s), i cili më tha: “I Dërguari i Allahut të urdhëron ta lësh gruan”! “A të divorcohem prej saj, apo diçka tjetër”,- e pyeta? “Jo, vetëm lëre dhe mos ju afro asaj”,- u përgjigj ai. Korrieri i tha të njëjtën gjë edhe dy shokëve të tjerë. I thashë gruas: “Shko tek familja jote dhe qëndro tek ta, derisa Allahu të gjykojë përfundimisht për këtë çështje!”.

Gruaja e Hilal ibn Umejes shkoi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Hilal ibn Umeje është i thyer në moshë, është i pafuqishëm dhe nuk ka shërbëtor. A e urren që t’i shërbej”? Profeti (a.s) tha: “Jo, por ai nuk duhet të të afrohet”. “Betohem në emër të Allahut, që atij nuk i intereson asgjë dhe ai vazhdon të qajë qysh kur i ndodhi kjo gjë e deri më sot”,- tha ajo.

Disa prej familjarëve më thanë: “Sikur t’i merrje leje Dërguarit të Allahut (a.s), që të të lejonte të qëndroje me gruan tënde, duke qenë se ai (a.s) e lejoi gruan e Hilal ibn Umejes që t’i shërbente atij” Mirëpo unë thashë: “Nuk kam për t’i kërkuar leje atij (a.s), se kushedi se çfarë mund të më thotë, nëse i kërkoj leje, pastaj unë djalë i ri jam (kam mundësi të kujdesem për veten). Qëndrova kështu (pa grua) për dhjetë net, derisa u u plotësuan plot 50 net qysh kur muslimanëve u ishte ndaluar që të flisnin me ne.

Në mëngjesin e natës së 50, fala namazin e Sabahut në një prej tarracave të shtëpive tona (të muslimanëve). Ndërkohë që isha ulur dhe isha në gjendjen, që Allahu i Lartësuar e ka treguar për ne, – nga mërzia shpirti më ishte ngushtuar dhe po ashtu edhe toka me gjerësinë e saj, – dëgjova një zë të lartë që bërtiste nga kodra Sel: “O Ka’b, bir i Malikut! Urime”! Atëherë menjëherë rashë në sexhde dhe kuptova, se zgjidhja kishte ardhur.

Pasi i Dërguari i Allahut (a.s) fali namazin e Sabahut, i lajmëroi njerëzit se Allahu i Lartësuar e kishte pranuar pendimin tonë. Ndërkohë njerëzit na uronin. Shumë njerëz shkuan tek dy shokët e tjerë që t’i uronin, ndërsa tek unë erdhi me nxitim një kalorës i hipur mbi kalë, ndërsa një tjetër nga fisi Eslem kishte hipur në kodër dhe bërtiste. Zëri i tij ishte më i shpejtë se vrapi i kalit. Kur personi, – të cilit i kisha dëgjuar zërin, – erdhi dhe më dha lajmin e mirë, unë- nga gëzimi – hoqa dy rrobat që kisha veshur dhe ia vesha atij. Betohem në emër të Allahut, se atë ditë nuk kisha rroba të tjera për të veshur. Mora borxh dy rroba, i vesha dhe u nisa për tek i Dërguari i Allahut (a.s). Rrugës njerëzit më takonin grupe – grupe dhe më uronin për pranimin e pendimit, duke më thënë: “Pranimi i pendimit nga Allahu të sjelltë lehtësim”. Kur hyra në xhami, pashë të Dërguarin e Allahut (a.s) që ishte ulur dhe njerëzit ishin përreth tij. Talha ibn Ubejdullah nxitoi për tek unë, më takoi dhe më uroi. Betohem në emër të Allahut, se askush prej muhaxhirëve nuk u çua për të më takuar përveç tij.

Ka’bi (r.a) nuk e harroi kurrë këtë veprim të Talhës (r.a)([25]).

Ka’bi (r.a) vazhdon tregimin: “Kur i dhashë selam të Dërguarit të Allahut (a.s), atiji shkëlqente fytyra nga gëzimi dhe tha: “Gëzoju ditës më të mirë, qysh kur të ka lindur nëna”. E pyeta: “O i Dërguar i Allahut! A është prej teje, apo prej Allahut”? “Nuk është prej meje, por prej Allahut të Lartësuar”,- u përgjigj ai (a.s). Kur i Dërguari i Allahut (a.s) gëzohej, i ndriçonte fytyra sikur të ishte drita e hënës dhe ne e dinim këtë gjë.

Kur u ula pranë tij, i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Në shenjë pendimi, pasurinë time po e jap sadaka për Allahun dhe të Dërguarin e Tij”, por ai (a.s) më tha: “Mirë është, që një pjesë të pasurisë ta mbash për vete” Unë i thashë: “Për vete do të mbaj shigjetën, që më ra për hise në betejën e Hajberit” dhe pastaj shtova: “O i Dërguar i Allahut! Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar më shpëtoi në sajë të sinqeritetit, prandaj shenjë e pendimit tim do të jetë, që në ditët që më kanë mbetur do të flas vetëm të vërtetën. Betohem në emër të Allahut, se qysh kur ia thashë këtë gjë të Dërguarit të Allahut(a.s), nuk njoh asnjë musliman, që Allahu ta ketë begatuar me sinqeritet në fjalë më shumë seç më ka begatuar mua. Betohem në emër të Allahut, se që atë ditë që ia thashë këtë fjalë të Dërguarit të Allahut (a.s), asnjëherë nuk kam gënjyer deri më sot dhe e lus Allahun që të më mbrojë nga gënjeshtra në pjesën tjetër të jetës që më ka mbetur”.

Ka’bi (r.a) vazhdon tregimin: Allahu i Lartësuar shpalli ajetet: “Padyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit,  të muhaxhirëve dhe ensarëve, të cilët shkuan pas tij në çastin e vështirë.. deri tek ajeti “…vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta. Ai ua pranoi pendimin dhe atyre të treve që mbetën prapa, kur toka sado e gjërë që të ishte, atyre iu duk e ngushtë…”deri tek fjala: “..Kijeni frikë Allahun dhe jini me të sinqertit”[26].

Ka’bi (r.a) vazhdon të tregojë: “Betohem në emër të Allahut, se Allahu asnjëherë nuk më ka begatuar aq shumë – pas udhëzimit në fenë Islame – sesa sinqeriti që më dha, kur fola me Profetin (a.s) dhe nuk e gënjeva, pasi në të kundërt do të shkatërrohesha, ashtu siç u shkatërruan ata që gënjyen. Për ata që gënjyen, Allahu i Lartësuar shpalli fjalët më të këqija që mund t’i thuhen ndokujt. Allahu i Lartësuar tha: “Kur të ktheheni tek ata, do t’ju betohen për Allahun që t’i lini. Largohuni prej tyre! Ata janë të ndyrë dhe strehimi i tyre është Xhehenemi. Ky është dënimi për veprat e tyre. Ata do t’ju betohen, që të jeni të kënaqur me ta. Nëse ju jeni të kënaqur me ta, dijeni se Allahu sigurisht që nuk është i kënaqur me popullin e pabindur”[27].

Ka’bi (r.a) thotë: “Ne të tre ngelëm pas dhe mbetëm me ata, të cilët iu betuan të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe ai u dha besën dhe kërkoi falje për ta, ndërsa çështjen tone e la pezull, derisa Allahu i Lartësuar gjykoi mbi të. Prandaj, Allahu i Lartësuar tha: Ai ua pranoi pendimin dhe atyre të treve që mbetën prapa Ajo që është thënë në lidhje me mbetjen mbrapa, nuk ka të bëjë me luftën, por me faktin që Profeti (a.s) e vonoi çështjen tone në raport me çështjen e atyre, të cilët iu betuan dhe u justifikuan tek Profeti (a.s) dhe ai (a.s) i pranoi betimet dhe justifikimet e tyre”[28].

Në një transmetim tjetër thuhet: “I Dërguari i Allahut (a.s) u nis për në betejën e Tebukut në ditën e enjte. Atij (a.s.) i pëlqente që të nisej në ditën e enjte.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Kur nisej për udhëtim, nisej paradite, ndërsa kur kthehej, më parë hynte në xhami, falte dy rekate dhe pastaj ulej aty”.

22 – Ebu Nuxhejd, Imran ibn Husajn El Huzaij(r.a) transmeton, se një grua nga Xhuhejne,- e cila kishte mbetur shtatzënë nga kryerja e imoralitetit – shkoi tek  i Dërguari i Allahut (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Unë meritoj të ndëshkohem, prandaj ekzekutoje atë mbi mua (dënimin për imoralitet)”. Profeti (a.s.) thirri kujdestarin e saj dhe i tha: “Sillu mirë me të. Kur ajo të lindë, sille tek unë1” dhe kujdestari ashtu veproi. Profeti (a.s) urdhëroi që ajo të ekzekutohej (pasi ajo e lindi fëmijën), pasi ia shtrënguan rrobat, ai (a.s) pastaj urdhëroi që ajo të gurëzohej, ndërsa më pas ia fali namazin e xhenazes.

Omeri (r.a) i tha Profetit (a.s): “O i Dërguar i Allahut! Ia fale asaj namazin e xhenazes, ndërkohë që ajo kishte kryer imoralitet”?! Ai (a.s) u përgjigj: “Në të vërtetë, ajo është penduar në atë mënyrë, saqë nëse pendimi i saj do të shpërndahej tek shtatëdhjetë banorë të Medines, ai do t’iu mjaftonte atyre. Po ku ka pendim më të mirë, se pendimi i saj, e cila ia dhuroi shpirtin Allahut të Lartësuar?”([29])

23 – Ibn Abasi (r.a) dhe Enes ibn Malik (r.a) trasmetojnë se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Në qoftë se i biri i Ademit do të kishte një luginë me flori, do të dëshironte të kishte dy lugina. Mirëpo gojën e tij nuk e mbush asgjë tjetër përveç dheut. Allahu ia pranon pendimin atij njeriu që pendohet.”([30])

24 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Allahu i Lartësuar qesh me dy persona, të cilët luftojnë ndaj njëri-tjetrit. Njëri e vret tjetrin, mirëpo që të dy hyjnë në Xhenet. Njëri prej tyre lufton në rrugë të Allahut, vritet dhe hyn në Xhenet, kurse vrasësi (më pas) pranon Islamin dhe Allahu e fal, ndërsa më pas edhe ai bie dëshmor”([31])

Kapitulli i durimit

25 – Ebu Malik El Harith ibn Asim El Esh’ari (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Pastërtia është gjysma e besimit. Fjala “Elhamdulilah” e mbush peshoren (e besimtarit), fjala “Subhanallahi uel hamdulilahi” e mbushin hapësirën midis qiejve dhe Tokës. Namazi është dritë, sadakaja është argument, durimi është shkëlqim, ndërsa Kurani është dëshmi, pro ose kundër teje. Çdo njeri e fillon ditën, duke qenë tregtar i vetes së tij, mund ta çlirojë, ose mund ta shkatërrojë atë”([32]).

26 – Ebu Seid Sa’d ibn Malik ibn Sinan El Hudri (r.a) ka thënë: “Një grup njerëzish nga ensarët kërkuan nga i Dërguari i Allahut (a.s), që t’u jepte diçka dhe ai (a.s) u dha. Ata i kërkuan përsëri dhe ai përsëri u dha, derisa nuk i mbeti më asgjë. Pasi kishte harxhuar gjithçka,u tha atyre: “Çdo të mirë që e posedoj, nuk do t’ua kursej, mirëpo kush kërkon dëlirësi, Allahu ia jep atë. Kush kërkon pavarësi, Allahu ia jep atë dhe kush kërkon durim, Allahu do t’ia japë atë. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më e kompletuar sesa durimi([33]).

27 – Ebu Jahja Suhejb ibn Sinan(r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Është e habitshme çështja e besimtarit. E – në fakt – gjithë çështja e tij është mirësi dhe kjo nuk i ndodh askujt tjetër përveç besimtarit. Nëse i vjen një e mirë, ai falenderon dhe kjo është mirë për të. E nëse e godet ndonjë e keqe (fatkeqësi), ai duron dhe kjo është mirë për të([34]).

28 – Enesi (r.a) ka thënë: “Kur sëmundja e rëndoi Profetin (a.s), saqë i binte të fikët nga mundimet, Fatimja (r.a) tha: Ah babai im, sa shumë po vuan”! Profeti (a.s) tha: “Pas kësaj dite, babai yt nuk do të vuajë më”. Pasi Profeti (a.s) ndërroi jetë, ajo (Fatimja) tha: “O babai im, që iu përgjigje thirrjes së Zotit! O babai im, që Xhenetin Firdeus ke vendbanim! O babai im, edhe Xhibrilin do ta lajmërojmë për vdekjen tënde!” Pasi Profeti (a.s) u varros, Fatimja (r.a) tha: “A u kënaqët, duke hedhur dhè mbi trupin e të Dërguarit të Allahut?!”([35])

29 – Transmetohet se Ebu Zejd, Usame ibn Zejd ibn Harithe – shërbëtori i të Dërguarit të Allahut (a.s)  i dashur i tij (a.s) dhe bir i të dashurit të tij (a.s) ka thënë: “Vajza e Profetit i çoi fjalë atij (a.s), që të shkonte sa më shpejt tek ajo, sepse djali i saj ishte në grahmat e fundit (të jetës), por Profeti (a.s) i tha lajmëtarit, që të kthehej, t`i jepte selam asaj dhe t`i thoshte: “Vërtet, e Allahut është gjithçka që merr, gjithçka që jep dhe çdo gjë tek Ai është deri në një afat të caktuar. Prandaj bëj durim dhe kërko shpërblimin tek Allahu”. Ajo i çoi përsëri fjalë, duke iu përbetuar se duhet të vinte patjetër. Atëherë Profeti (a.s) u ngrit në këmbë dhe bashkë me të edhe Sa’d ibn Ubade, Muadh ibn Xhebel, Ubej ibn Ka’b, Zejd ibn Thabit dhe disa burra të tjerë (Allahu qoftë i kënaqur me ta). Kur i Dërguari i Allahut(a.s) hyri te vajza e tij, ia dhanë fëmijën në duar. Ai e mori atë në prehër. Fëmija po merrte frymë i shqetësuar dhe trupi i dridhej, ndërsa Profetit (a.s) i rridhnin lotët rrëke. Sa’di (r.a) pyeti: “Ç’është kjo, o i Dërguari i Allahut?” Ai (a.s) tha: “Kjo është mëshirë, që Allahu i Lartësuar e vendos në zemrat e robërve të Tij”, kurse sipas një transmetimi tjetër thuhet: “… e vendos në zemrat e atyre robërve që dëshiron. S`ka dyshim, se Allahu mëshiron – nga robërit e Tij – ata që janë të mëshirshëm ndaj të tjerëve([36])

30 – Suhejbi (r.a) transmeton, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kohë më parë jetonte një mbret, që kishte një magjistar. Kur magjistari u plak, i tha mbretit: “Unë tashmë jam plakur, prandaj më dërgo një djalosh, që t’ia mësoj magjinë”! Mbreti i dërgoi një djalosh, që ai (magjistari) t`ia mësonte (magjinë).

Rrugës për tek magjistari, djaloshi u takua me një murg. Ai u ul, i dëgjoi fjalët e murgut dhe u mahnit. Kështu, sa herë që nisej për tek magjistari, ai ndalej (fillimisht) tek murgu. Kur më pas shkonte tek magjistari, ky e rrihte (pasi vonohej). Djaloshi iu ankua murgut për këtë. Murgu i tha: “Nëse ke frikë nga magjistari, thuaji:“Më vonuan ata të familjes” dhe nëse ke frikë nga ata të familjes, thuaji:“Më vonoi magjistari”.

Kjo gjendje (duke marrë mësime nga magjistari dhe murgu njëkohësisht) vazhdoi, derisa një ditë ai pa një kafshë([37]), që i kishte zënë rrugën njerëzve. Djaloshi tha me vete:“Sot do ta mësoj, se kush është më i mirë; magjistari apo murgu”. Mori një gur dhe u lut:“O Allah! Nëse çështja e murgut është më e dashur tek Ti sesa çështja e magjistarit, vrite këtë kafshë që njerëzit të mund të kalojnë”. Pastaj e goditi me gur kafshën, e vrau atë dhe njerëzit kaluan.

Më pas, shkoi tek murgu dhe i tregoi se çfarë kishte ndodhur. Murgu i tha:“Biri im! Sot ti je më i mirë se unë dhe shoh se ti ke arritur atë që shikoj (pra je në një pozitë të lartë). Ti do të sprovohesh, por kur të sprovohesh, mos i trego askujt për mua”.

Djaloshi filloi të shëronte (me lejen e Allahut) ata që kishin lindur të verbër, të sëmurët me lebrozë dhe të sëmurë të tjerë. Një oborrtar i mbretit – që ishte i verbër – dëgjoi për të, shkoi tek ai me shumë dhurata dhe i tha: “Nëse ti më shëron, çfarë kam këtu, janë të gjitha për ty”. Djaloshi tha: “Unë nuk shëroj askënd. Në të vërtetë, Ai që shëron është Allahu i Lartësuar. Nëse ti beson tek Allahu i Lartësuar, do t’i lutem Atij që të të shërojë. Ai (oborrtari) besoi tek Allahu i Lartësuar dhe Allahu e shëroi”.

Më pas, oborrtari shkoi tek mbreti dhe u ul tek vendi, ku ulej përherë. Mbreti e pyeti:“Kush ta ktheu shikimin”? “Zoti im”, – u përgjigj ai. “A ke ndonjë zot tjetër përveç meje” – pyeti mbreti? “Zoti im dhe Zoti yt është Allahu”, – tha oborrtari. Mbreti e mori dhe filloi ta torturonte, derisa ai tregoi për djaloshin. Djaloshin e sollën tek mbreti, i cili. i tha:“Biri im! Ke arritur deri në atë gradë të magjisë, saqë shëron të verbërit, të sëmurët me lebrozë dhe shëron e shëron. Djaloshi tha: “Unë nuk shëroj askënd. Në të vërtetë, Ai që shëron është Allahu i Lartësuar”. Mbreti e mori dhe filloi ta torturonte, derisa ai tregoi për murgun. Murgun e sollën tek mbreti dhe i thanë: “Hiq dorë nga feja jote”, mirëpo ai refuzoi. Atëherë mbreti kërkoi një sharrë, që e vendosën në mes të kokës së tij (murgut) dhe e ndanë më dysh. Pastaj sollën oborrtarin e mbretit dhe i thanë: “Hiq dorë nga feja jote”, mirëpo edhe ai refuzoi. Më pas ia vendosën sharrën në mes të kokës dhe e ndanë më dysh.

Më pas, sollën djaloshin dhe i thanë: “Hiq dorë nga feja jote”, mirëpo ai refuzoi. Më pas, mbreti ia dorëzoi atë ushtarëve të tij dhe u tha:“Shkoni bashkë me të dhe ngjituni në filan mal. Kur të arrini në majë, kërkoni prej tij që të heqë dorë nga feja e tij, në të kundërt hidheni poshtë! Ata shkuan bashkë me të dhe u ngjitën në mal. Djaloshi u lut:“O Allah, më shpëto prej tyre, ashtu si të dëshirosh”! Mali u drodh dhe të gjithë ranë poshtë (përveç djaloshit).

Më pas, djaloshi shkoi tek mbreti, i cili e pyeti: “Çfarë ndodhi me shoqëruesit e tu”? Ai u përgjigj: “Allahu i Lartësuar më shpëtoi prej tyre”. Atëherë mbreti e dorëzoi atë tek disa ushtarë të tjerë dhe u tha: “Merreni në anije, shkoni në mes të detit dhe kërkoni prej tij, që të heqë dorë nga feja e tij. Në të kundërt, hidheni që të mbytet”. Ata shkuan bashkë me të (në det). Djaloshi u lut:“O Allah, më shpëto prej tyre, ashtu si të dëshirosh”! Anija u përmbys dhe ata u mbytën të gjithë (përveç djaloshit). Më pas, ai shkoi përsëri tek mbreti, i cili e pyeti: “Çfarë ndodhi me shoqëruesit e tu”? Djaloshi u përgjigj:“Allahu i Lartësuar më shpëtoi prej tyre”.

Më pas i tha mbretit: “Në të vërtetë, ti nuk ke për të më vrarë, nëse nuk vepron si të them unë. “E ç’duhet të bëj”, – pyeti mbreti? Ai tha: “Mblidhi njerëzit në një shesh, më lidh në një trung peme, merr një shigjetë nga mbajtësja e shigjetave të mia, vendose shigjetën në mes të harkut dhe thuaj: “Me emrin e Allahut, Zotit të këtij djaloshi”, pastaj më gjuaj me shigjetë. Nëse vepron kështu, ke për të më vrarë”.

Mbreti i mblodhi njerëzit në një shesh, e lidhi atë në një trung peme, mori një shigjetë nga mbajtësja e shigjetave të tij (djaloshit), e vendosi shigjetën në mes të harkut dhe tha: “Me emrin e Allahut, Zotit të këtij djaloshi”. Pastaj qëlloi me shigjetë në tëmthin e djaloshit, i cili vendosi dorën në tëmth dhe vdiq. Njerëzit thanë:“Besojmë në Zotin e këtij djaloshi”. Njerëzit e mbretit erdhën tek ai dhe i thanë: “Për Allah, ndodhi ajo që ti kishe frikë se do të ndodhte, njerëzit kanë besuar”.

Atëherë mbreti urdhëroi, që të hapeshin hendeqe në hyrjet e rrugëve, t’iu vihej zjarri dhe urdhëroi: “Kush nuk heq dorë nga feja e tij, hidheni në të. Ata (ushtarët) filluan të zbatojnë urdhrin. Kur i erdhi radha një gruaje që kishte foshnjën e saj në gji, ajo hezitoi që të hidhej, por foshnja i tha: “Oj nënë, duro sepse ti je në rrugën e drejtë”([38]).

31 – Enesi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) kaloi pranë një gruaje – e cila po vajtonte mbi një varr – dhe i tha: “Kij frikë Allahun dhe bëj durim”! Ajo i tha: “Largohu prej meje, sepse ty nuk të ka ndodhur ajo që më ka ndodhur mua”. Ajo nuk e njohu atë (a.s). Dikush i tha: “Ai është i Dërguari i Allahut”. Atëherë ajo shkoi menjëherë tek shtëpia e Profetit (a.s) – ku nuk kishte roje – dhe i tha: “Nuk të njoha”. Profeti (a.s) i tha: “Me të vërtetë, durimi duhet jetë (shoqërues) qysh në goditjen e parë”[39] Në transmetimin e imam Muslimit thuhet: “ajo pa qante sepse i kishte vdekur fëmija”

32 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse robit Tim besimtar ia marr të dashurin e tij (familjar, shok etj) nga banorët e kësaj bote dhe ai bën durim, shpërblimi i tij është vetëm Xheneti.([40])

33 – Transmetohet se Aishja (r.a) ka thënë: “E pyeta të Dërguarin e Allahut (a.s) për murtajën dhe ai (a.s) më tha: “Ajo është ndëshkim, që Allahu i Lartësuar ia dërgon kujt të dojë,  por Allahu i Lartësuar e ka bërë atë mëshirë për besimtarët. Çdo njeri (rob) që të gjendet në vendin ku bie murtaja, qëndron aty duke bërë durim, duke kërkuar shpërblim tek Allahu dhe duke e ditur se atë nuk e godet asgjë tjetër përveç asaj që Allahu ka caktuar për të, do të ketë të njëjtin shpërblim si ai që bie dëshmor([41])

34 – Transmetohet nga Enesi (r.a), i cili e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Allahu i Lartësuar thotë “Nëse e sprovoj robin Tim me dy të dashurit e tij (me humbjen e syve) e ai bën durim, do t’ia kompensoj me Xhenet([42])

35 – Ata’ ibn Ebi Rebah (r.a) ka thënë: “Ibn Abasi (r.a) më tha: “A dëshiron të të tregoj për një grua, që është prej banorëve të Xhenetit”? “Po”, – i thashë. Ai vijoi: “Njëherë kjo grua e zezë (që në atë moment po ecte pranë tyre) shkoi tek Profeti (a.s) dhe i tha: “Unë vuaj nga epilepsia dhe si shkak i saj edhe zbulohem, prandaj lute Allahun e Lartësuar për mua (që të shërohem)”! Profeti (a.s) i tha: “Nëse bën durim, do të shpërblehesh me Xhenet, por nëse dëshiron, e lus Allahun e Lartësuar që të të shërojë”. Ajo tha: “Do të bëj durim” dhe pastaj vijoi: “Unë zbulohem, prandaj lute Allahun që të mos zbulohem. Ai (a.s) u lut për të”([43])

36 – Ebu Abdurrahman Abdullah ibn Mes’udi (r.a) ka thënë: “Më duket sikur po e shikoj të Dërguarin e Allahut, duke treguar për njërin prej profetëve, të cilin populli i tij e goditi, derisa e gjakosi. Teksa fshinte gjakun nga fytyra, ai lutej duke thënë: O Allah! Fale popullin tim, se ata nuk dinë([44]).

37 – Ebu Seidi dhe Ebu Hurejra (r.a) transmetojnë se Profeti (a.s) ka thënë:“Çdo gjë që e godet muslimanin, qoftë lodhje, sëmundje, shqetësim, brengë, lëndim apo trishtim, madje edhe një gjemb që e shpon, Allahu ia fal mëkatet me çdonjërën prej këtyre”([45])

38 – Ibn Mes’udi (r.a) tregon: “Hyra tek Profeti (a.s), ndërkohë që ai kishte temperaturë. I thashë: “O i Dërguar i Allahut! Me të vërtetë ti ke temperaturë shumë të lartë”.  Ai (a.s) u përgjigj: “Po, është e vërtetë. Unë kam dhimbje, aq sa kanë dy burra prej jush”. E pyeta: “A mos është kjo për shkak se ti shpërblehesh dyfish?” Ai (a.s) u përgjigj: “Po, është e vërtetë. Çdo musliman që lëndohet qoftë nga një gjemb ose nga diçka më e madhe se kjo, Allahu do t`ia shlyejë mëkatet (pra i bien mëkatet nëpërmjet kësaj), ashtu siç bien gjethet e pemës”([46])

39 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Atij personi që Allahu i do të mirën, e sprovon me  fatkeqësi”[47]

40 – Enesi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Askush prej jush të mos e dëshirojë vdekjen për shkak të një të keqeje që i bie! Mirëpo nëse e kërkon medoemos këtë gjë, atëherë le të thotë: “O Zot, më jep jetë, nëse jeta është më e mirë për mua dhe ma merr jetën, nëse vdekja është më e mirë për mua([48]).

41 – Ebu Abdullah – Habab ibn Eret (r.a) – ka thënë: “Iu ankuam të Dërguarit të Allahut (për persekutimet që na bënin idhujtarët), – ndërkohë që ai kishte mbështetur kokën në një nga rrobat e tij nën hijen e Qabes. Ne i thamë: “A nuk do të kërkosh ndihmë për ne? A nuk do të lutesh për ne? Atëherë ai (a.s) tha:“Vërtet, në popujt (besimtarë) para jush, merrej një burrë, hapej një gropë dhe e fusnin në të. Më pas merrnin një sharrë, ia vendosnin në kokë dhe e ndanin në dy pjesë, ose ia rripnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri, por kjo nuk e largonte atë nga feja e tij. Betohem në emër të Allahut, se Allahu do ta plotësojë këtë fe, saqë kalorësi do të udhëtojë nga San’aja deri në Hadremeut, duke mos patur frikë askënd përveç Allahut dhe ujkut se mos i ha kopenë e tij, mirëpo ju nguteni([49]).

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai ishte mbështetur në një rrobë, ndërsa ne kishim përjetuar tortura nga idhujtarët”([50])

42 – Ibn Mesudi (r.a) ka thënë: “Pas betejës së Hunejnit, i Dërguari i Allahut i dha përparësi disa njerëzve në ndarjen e plaçkës së luftës. Ai (a.s) i dha Akra ibn Habisit 100 deve dhe po kaq deve i dha edhe Ujejne ibn Hisnit. Gjatë ndarjes së plaçkës së luftës, ai (a.s) i dha përparësi disa prej fisnikëve të arabëve. Një person tha: “Betohem në Allah, se kjo ndarje nuk është e drejtë dhe nuk është ndarë për hir të Allahut”. Unë thashë: “Betohem në Allah, se kam për ta lajmëruar të Dërguarin e Allahut (a.s)”. Pastaj shkova tek ai (a.s) dhe e lajmërova për atë që kishte thënë. Fytyra e tij (a.s) ndryshoi dhe u skuq, ndërsa më pas tha:“Kush mund të mbajë drejtësi, nëse Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk mbajnë drejtësi”?! Pastaj shtoi: “Allahu e mëshiroftë Musain (a.s), sepse është lënduar më tepër se kaq, e ka duruar”. Thashë (Ibn Mesudi) me vete: “Epo mirë. Pas kësaj nuk kam për ta lajmëruar më atë (a.s) për asgjë”([51]).

43 – Enesi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse Allahu i do të mirën robit të Tij, ia përshpejton dënimin në këtë botë. E nëse ia do të keqen robit të Tij, nuk e dënon për mëkatet që ka kryer, derisa t’i japë atë që meriton në Ditën e Gjykimit”[52].

Në një hadith tjetër, Profeti (a.s) ka thënë:“Vërtet, madhësia e shpërblimit është aq sa ç`është madhësia e sprovës. Me të vërtetë, nëse Allahu i Lartësuar e do një popull e sprovon atë. Ai i cili është i kënaqur (me sprovën), Allahu është i kënaqur me të. Ndërsa ai i cili është i hidhëruar (nga sprova), Allahu është i hidhëruar me të”[53].

44 – Enesi (r.a) ka thënë: “Ebu Talha (r.a) kishte një djalë, i cili ankohej nga një sëmundje. Ebu Talha doli (nga shtëpia), sakaq fëmija vdiq. Kur Ebu Talha u kthye, pyeti: “Si është biri im”? Umu Sulejm (nëna e fëmijës) tha: “Ai është më i qetë se kurrë”. Ajo ia shtroi darkën atij dhe ai hëngri. Më pas, ai kreu marrëdhënie seksuale me të. Më pas, ajo tha:“Varroseni fëmijën! Kur Ebu Talha u zgjua në mëngjes, shkoi tek i Dërguari (a.s) dhe i tregoi. Ai (a.s) e pyeti: “A u mbyllët si në natën e martesës”? “Po”,- u përgjigj ai. Ai (a.s) u lut: “O Zot, begatoji ata të dy në natën e tyre”. Atyre u lindi një djalë. Ebu Talha më tha mua (d.m.th. Enesit):“Çoje atë (fëmijën e porsalindur) tek Profeti (a.s)”! Ai i dha edhe disa hurma. Ai pyeti atë nëse kishte kishte gjë me vete? “Po,-u përgjigj ai, – kam hurma”. Profeti (a.s) i mori ato, i përtypi, i nxorri nga goja, i vendosi në gojën e foshnjës, duke e lyer me lëngun e hurmave dhe e quajti atë Abdullah”[54].

Në një transmetim të imam Buhariut, Ibn Ujejne ka thënë: Një person nga ensarët ka thënë: “Kam parë nëntë djem, që të gjithë që e lexonin Kuranin, d.m.th. ata ishin fëmijët e Abdullahut”[55].

Në një transmetim të imam Muslimit thuhet:“Ebu Talhës i vdiq një djalë, që e kishte me Umu Sulejmen. Ajo i tha familjarëve të saj;“Mos i tregoni gjë Ebu Talhës për djalin, derisa t’i tregoj vetë”. Ai erdhi dhe ajo i shtroi darkën. Ai hëngri dhe piu. Ajo u vesh dhe u zbukurua për të, ashtu si nuk ishte zbukuruar më parë, e ai kreu marrëdhënie me të, më pas ajo i tha:“O Ebu Talha,  a e ka parë një popull që i jep hua një familjeje dhe pastaj ai e kërkon huanë e tij, a kanë të drejtë ata që t’ia ndalojnë atë? Jo – u përgjigj ai. Atëherë bëj durim për djalin duke kërkuar shpërblim tek Allahu – tha ajo. Ai u zemërua dhe pastaj tha: më le derisa u bëra pis duke kryer marrëdhënie dhe më pas më tregove për djalin tim?! Më pas shkoi tek i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) dhe i tregoi për atë që kishte ndodhur. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) tha: Allahu ju bekoftë në natën tuaj. Enesi thotë: ajo ngeli shtatzënë. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ishte në udhëtim dhe ajo ishte bashkë me të. I Dërguari i Allahut (a.s.) e kishte zakon që kur kthehej nga udhëtimi nuk hynte në Medine derisa të lajmëronte familjen e tij. Kur ata u afruan afër Medines, asaj i erdhën dhimbjet e lindjes, ç’ka e detyroi Ebu Talhën që të rrinte me të, ndërkohë që i Dërguari i Allahut (a.s.) vazhdoi udhëtimin. Ebu Talha u lut: O Zot, Ti e di shumë mirë se mua më pëlqen që të dal me të Dërguarin e Allahut (a.s.) kur ai del dhe të hyjë bashkë me të kur ai hyn, mirëpo unë jam bllokuar këtu ashtu siç e shikon. Umu Sulejm tha: O Ebu Talha, nuk po e ndiej atë dhimbje që ndjeja më parë, prandaj vazhdo! Ne vazhduam rrugën dhe atë e kapën përsëri dhimbjet e lindjes kur arritën në Medine dhe lindi një djalë. Mamaja më tha:O Enes, ajo nuk duhet t’i japë të pijë qumësht derisa ta çosh foshnjen tek i Dërguari i Allahut (a.s.). Në mëngjes e morra atë dhe e çova tek i Dërguari i Allahut (a.s.) Dhe, ai përmendi plotësimin e hadithit”.

45 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Nuk është i fortë ai njeri që i mund të tjerët me forcën e tij, por i fortë është ai që e përmban veten kur është i nxehur”[56].

46 – Sulejman ibn Suradi (r.a) tregon: “Kur po rrinim ulur me Profetin (a.s), dy burra fyen njëri-tjetrin, saqë njëri prej tyre u skuq nga zemërimi dhe iu frynë damarët e qafës. Kur i Dërguari i Allahut (a.s) e pa këtë tha:“Vërtet, unë di një fjalë, të cilën po ta thotë, do t’i kalonte ajo gjendje dhe do të qetësohej. Po të thotë: Eudhu bil lahi minesh shejtanir raxhim (I mbështetem Allahut,  të më ruajë nga shejtani i mallkuar), atij do t’i ikë gjithë ajo e nxehur që ka”.Atëherë të pranishmit i thanë atij se Profeti (a.s) ka thënë që t’i kërkosh Allahut të të ruajë nga shejtani, mirëpo ai tha: “A mos jam i çmendur?!”[57]

47 – Muadh ibn Enesi (r.a) transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Ai i cili e mposht zemërimin duke qenë se ka mundësi që ta ushtrojë atë (mbi personin që e ka zemëruar), në Ditën e Gjykimit Allahu i Lartësuar ka për ta thirrur atë në prani të të gjithë krijesave dhe do ta lërë atë të zgjedhë kë të dojë prej hyrive të Xhenetit”[58]

48 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se një njeri i tha Profetit (a.s): “Më këshillo”! Ai (a.s) i tha: “Mos u zemëro!” Ai e përsëriti pyetjen disa herë dhe Profeti (a.s) i tha:“Mos u zemëro!”[59]

49 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ka thënë: “Besimtari/besimtarja vazhdon të sprovohet në veten e tij/saj, tek fëmija apo pasuria, derisa të takohet me Allahun e Lartësuar, duke mos pasur asnjë mëkat”([60])

50 – Ibn Abasi (r.a) thotë: “Ujejne ibn Hisni erdhi dhe u vendos tek djali i vëllait të tij El Hurr ibn Kajsi, i cili ishte prej atyre njerëzve që Omeri e mbante pranë vetes. Dijetarët dhe adhuruesit e devotshëm ishin pjesëmarrësit dhe këshilltarët e kuvendit të Omerit, pa marrë parasysh nëse ishin të moshuar apo të rinj. Ujejne i tha djalit të vëllait: O djali i vëllait tim! Ti ke afrimitet me këtë udhëheqës, prandaj kërkoi leje për mua që ta takoj. Ai kërkoi leje dhe Omeri i dha leje. Kur ai hyri tha:“Hëm..O biri i Hatabit! Pasha Allahun nuk po na jep me bollëk dhe nuk po gjykon me drejtësi mes nesh”. Omeri u zemërua, saqë tentoi ta rrihte. Mirëpo El Hurri i tha:“O Prijës i besimtarëve! Vërtet, Allahu i Lartësuar iu drejtua Profetit të Tij me këto fjalë:“Trego mëshirë, urdhëro për vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit”. Vërtet ky është nga të paditurit. Pasha Allahun! Omeri nuk e kaloi cakun kur e lexoi atë ajet kuranor. Ai (Omeri) i zbatonte urdhëresat e Librit të Allahut të Lartësuar”[61]

51 – Ibn Mes’udi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Me të vërtetë, pas meje do të ketë egoizëm dhe gjëra, që ju do t’i kundërshtoni”. Sahabët e pyetën: “O i Dërguar i Allahut! Për çfarë na urdhëron”? Ai (a.s) u përgjigj:“Të jepni hakun që keni për detyrë dhe luteni Allahun për atë që ju takon”[62].

52 – Ebu Jahja Usejd ibn Hudejr (r.a) tregon se një njeri nga ensarët e pyeti Profetin (a.s): “O i Dërguar i Allahut! A nuk po më vendos si funksionar, ashtu siç ke vendosur filanin? Ai (a.s) tha: “Me të vërtetë, pas meje ju keni për të përjetuar egoizëm, andaj bëni durim derisa të më takoni tek  Haudi”[63].

53 – Abdullah ibn Ebu Eufa (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut në një prej betejave që ka zhvilluar priti derisa dielli u var në horizont dhe pastaj u ngrit mes njerëzve dhe tha: “O ju njerëz! Mos dëshironi të takoheni me armikun (në betejë) dhe lutjuni Allahut t’ju japë shëndet, por në qoftë se ju duhet medeomos të përballeni me armikun, atëherë jini të duruar dhe dijeni se Xheneti është nën hijen e shpatave”. Pastaj ai (a.s) u lut duke thënë: “O Allah! O Shpallës i Librit (të shenjtë), Lëvizës i reve, Mposhtësi i grupacioneve, mposhti ata (jobesimtarët) dhe na dhuro ne fitore mbi ta”[64].

Kapitulli i Sinqeritetit (Sidku)

54 – Ibn Mes’udi (r.a.) transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Me të vërtetë, sinqeriteti të shpie tek mirësia, e mirësia të shpie në Xhenet. Vërtet, njeriu vazhdon të  jetë i sinqertë (në fjalë e vepra) derisa shkruhet tek Allahu i sinqertë. Kurse, me të vërtetë, gënjeshtra të shpie drejt shthurrjes, e shthurrja të shpie në Zjarr. Vërtet, njeriu vazhdon të gënjejë derisa shkruhet tek Allahu gënjeshtar.”[65]

55 – Nga Ebu Muhamed Hasan ibn Ali ibn Ebu Talib (r.a.) ka thënë: Kam mbajtur mend nga i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) se ka thënë: “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim. Vërtet sinqeriteti është qetësi, kurse gënjeshtra është dyshim.”[66]

56 – Nga Ebu Sufjan, Sahr ibn Harb (r.a.), transmetohet hadithi i tij i gjatë në ngjarjen e Herakliut, se Herakliu pyeti: Për çfarë ju urdhëron? d.m.th. Profeti (a.s.). Ebu Sufjani tha: Unë i thashë: Ai thotë:“Adhurojeni vetëm Allahun duke mos i shoqëruar shok në adhurim, lëreni atë që thonë baballarët tuaj. Na urdhëron për të falë namaz, për të thënë të vërtetën, të jemi të dëlirë dhe të mbajmë lidhjet farefisnore.”[67]

57 – Ebu Thabiti, e është thënë Ebu Seidi, e është thënë Ebu El Uelidi, Sehl ibn Hunejf- pjesmarrës i (betejës) së Bedrit transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:“Kush kërkon me sinqeritet prej Allahut të Madhëruar që të vdesë shehid (të bie dëshmor), Allahu do t’ia japë gradën e shehidit (dëshmorit) edhe nëse vdes në shtratin e tij.”[68]

58 – Ebu Hurejra (r.a.) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Një nga Profetët  e mëparshëm u nis për një fushatë luftarake. Ai u tha njerëzve të tij: Kushdo që ka një bashkëshorte, me të cilën nuk ka shkuar ende dhe që dëshiron ta konsumojë martesën nuk duhet të vijë me mua. Nuk duhet të vijë me mua as ai që ka ndërtuar shtëpi, por nuk ia ka përfunduar çatinë; as ai që ka blerë një dele a deve dhe pret që ato t’i pjellin. Kështu Profeti u nis për fushatë dhe, kur arriti te qyteti në kohën e iqindisë, apo pranë saj, iu drejtua dielllit me fjalët: O diell!  Ti je i urdhëruar që të perëndosh dhe unë jam i urdhëruar që të luftoj. O Allah! Ndaloje atë që të mos perëndojë! Dielli u ndal dhe Allahu e nxori atë Profet fitimtar. Pastaj ai mblodhi plaçkën e luftës, mbi të cilën u lëshua (nga lart) zjarri për ta djegur, por nuk e dogji.. Ai u tha (njerëzve të tij): Disa nga ju kanë vjedhur diçka nga plaçka e luftës, prandaj nga çdo fis duhet të vijë nga një përfaqësues për të më dhënë mua besën duke shtrënguar duart me mua. Kështu bënë dhe dora e njërit mbeti e ngrirë në dorën e Profetit të tyre. Pastaj Profeti i tha këtij përfaqësuesi: Vjedhja është bërë nga njerëzit e tu, prandaj të gjithë njerëzit e fisit tënd duhet të më japin dorën e besës. Duart e dy apo tri vetëve mbetën të ngrira në dorën e Profetit të tyre dhe ai u tha: Ju keni vjedhur. Pastaj ata sollën një kokë prej ari, si kokë lope dhe e vunë atje. Atëherë zjarri erdhi dhe e përpiu plaçkën e luftës. Profeti (Muhamed) tha:Më vonë duke parë dobësinë dhe pamundësinë tonë, Allahu e bëri të ligjshme plaçkën e luftës për ne.”[69]

59 – Ebu Halid Hakim ibn Hizami (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dy shitësit (Shitësi dhe blerësi) kanë të drejtë t’i mbajnë ose t’i kthejnë mallrat sa pa u ndarë. Në qoftë se të dy palët kanë thënë të vërtetën dhe kanë përshkruar të metat dhe cilësitë (e mallit), atëherë ata do të bekohen në shitblerjen e bërë mes tyre. Ndërsa, në qoftë se kanë  gënjyer apo kanë fshehur diçka, atëherë ata do ta humbnin bekimin e shitblerjes së bërë mes tyre.”[70]

Kapitulli i Mbikqyrjes

60 – Omeri (r.a.) tregon: “Një ditë, ndërsa po qëndronim me të Dërguarin e Allahut (a.s), përpara nesh u shfaq një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zinj. Nga pamja e jashtme nuk të jepte përshtypjen se kishte udhëtuar dhe askush prej nesh nuk e njihte. Ai erdhi dhe u ul pranë të Dërguarit të Allahut (a.s). I mbështeti gjunjët e tij në gjunjët e të Dërguarit (a.s) dhe i vendosi duart e veta mbi kofshët e tij. Ai tha: O Muhamed! Më trego se çfarë është Islami? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Islami është të dëshmosh se askush nuk e meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh muajin e Ramazanit dhe të bësh haxhin në shtëpinë e shenjtë nëse ke mundësi ta bësh një gjë të tillë. Ai tha: Të vërtetën ke thënë. Ne u habitëm, ngase ai vetë e pyeti të Dërguarin dhe po vetë e vërtetoi. Ai tha: Më trego se çfarë është Imani (besimi)? Ai u përgjigj: Besimi është të besosh Allahun, Engjëjt e Tij, Librat e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në Caktimin Hyjnor, se e mira dhe e keqja vjen prej Tij. Ai tha: Të vërtetën the. Ai tha: Më trego se çfarë është Ihsani? Ai është të adhurosh Allahun sikur po e shikon, e megjithëse ti nuk e shikon, Ai të shikon ty. Ai tha: Më trego për Çastin? Ai u përgjigj: I pyeturi nuk di më tepër sesa ai që pyet. Ai tha: Më trego për shenjat e tij? Ai u përgjigj: Kur robëresha do të lindë të zotin e saj dhe kur të shohësh këmbëzbathurit, të leckosur dhe barinjtë e varfër të garojnë se kush prej tyre ndërton më tepër ndërtesa të larta. Pastaj ai u largua, ndërkohë që unë vetë qëndrova aty për shumë kohë. Ai (a.s)më pyeti: O Omer! Ai e di se kush ishte ai që pyeti? Unë i thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë. Ai tha: Ai ishte Xhibrili, i cili erdhi për t’ju mësuar fenë tuaj.”[71]

61 – Nga Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunadeh dhe Ebu Abdurahman Muadh ibn Xhebel (r.a) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kije frikë Allahun kudo që të jesh! Pas të keqes bëj një të mirë, e cila e fshin (të keqen)! Dhe me njerëzit sillu mirë!”[72]

62 – Ibn Abasi (r.a) ka thënëë: Një ditë isha pas Profetit (a.s) i hipur mbi një kafshë kur më tha: “O vogëlush! Unë do të mësoj disa fjalë. Ruaje Allahun që të të ruajë Ai ty. Ruaje Allahun dhe Ai do të jetë përpara teje. Nëse i lutesh dikujt, lutju Allahut dhe nëse kërkon ndihmë kërkoji ndihmë Allahut. Dije se sikur të gjithë njerëzit do të grumbulloheshin për të të bërë dobi, nuk do të të bëjnë më tepër sesa ka përcaktuar Allahu për ty. (Po ashtu dije se) Sikur të gjithë njerëzit do të grumbulloheshin për të të dëmtuar, nuk do të dëmtonin më tepër se atë që Allahu ka përcaktuar për ty. Lapsat janë ngritur kurse letrat janë tharë.”[73]

Kurse në një transmetim tjetër të këtij hadithi thuhet:“Ruaje Allahun që ta gjesh përpara teje. Njihe Allahun kur je në mirëqënie, të të njohë Ai ty kur je në vështirësi. Dije se ajo prej së cilës ke shpëtuar nuk ka mundur të të godasë dhe asaj që të ka goditur nuk ke mundur t’i shpëtosh. Dije se fitorja arrihet me durim, rrugëdalja vjen me brengën dhe se me vështirësinë vjen lehtësimi.”[74]

63 – Enesi (r.a.) ka thënë:“Me të vërtetë, ju veproni vepra që në syrin tuaj janë më të vogla se fija e flokut, kurse ne ato në kohën e të Dërguarit të Allahut (a.s) i konsideronim prej mëkateve shkatërruese.”[75]

64 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:“Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar ka xhelozi. Xhelozia e Allahut është atëherë kur njeriu vepron ato gjëra të cilat Ai i ka ndaluar.”[76]

65 – Ebu Hurejra (r.a.) ka dëgjuar Profetin (a.s) që ka thënë: “Allahu deshi të sprovonte tre persona nga Benu Israilët: një lebroz, një qeros dhe një të verbër. Tek ata, Ai dërgoi një engjëll. (Engjëlli) shkoi tek lebrozi dhe e pyeti: Cila është gjëja më e dashur për ty? Ai tha: Të kem ngjyrë e lëkurë të mirë, dhe të më hiqet kjo gjë për të cilën njerëzit më urrejnë dhe largohen prej meje. (Engjëlli) e fërkoi, e atij iu hoq ajo gjë prej të cilës njerëzit largoheshin dhe atij iu dha një ngjyrë e bukur. (Engjëlli) e pyeti: Cila është pasuria që do më shumë? Devetë ose lopët (dyshim nga transmetuesi). Atij iu dhurua një deve mbarsë. Ai (engjëlli) i tha: Allahu të dhëntë bereqet në të.

(Pastaj) ai (engjëlli) shkoi tek qerosi dhe e pyeti: Cila është gjëja më e dashur për ty? Ai tha: Flokë të bukur dhe të më largohet kjo gjë për të cilët njerëzit më urrejnë dhe largohen prej meje. (Engjëlli) e fërkoi e atij iu largua (qerja) dhe iu dhurua flokë të bukur. (Engjëlli) e pyeti: Cila është pasuria që do më shumë? Ai tha: lopët. Atij iu dhurua një lopë mbarsë dhe (engjëlli) i tha: Allahu të dhëntë bereqet në të.

(Pastaj) ai (engjëlli) shkoi tek i verbri dhe e pyeti: Cila është gjëja më e dashur për ty? Ai tha: Dua që Allahu të më kthejë shikimin, që të shikoj njerëzit. Ai (engjëlli) e fërkoi e  Allahu ia ktheu shikimin. (Engjëlli) e pyeti: Cila është pasuria që do më shumë? Ai tha: dhentë. Atij iu dhurua një dele që pjell. Dy të parët (deveja dhe lopa)  pollën dhe po ashtu edhe delja. Kështu që i pari (tashmë) kishte një luginë me deve, i dyti një luginë me lopë dhe i treti një luginë me dhen.

Më vonë (engjëlli) iu shfaq lebrozit në atë pamje dhe formë që kishte qenë ai (lebrozi) më parë. Ai (engjëlli) i tha: Unë jam një njeri i varfër. Më janë prerë të gjitha shtigjet gjatë udhëtimit tim. Unë nuk mbërrij atje ku duhet të shkoj vetëm nëse më ndihmon Allahu pastaj ti. Të kërkoj në emër të Atij që të ka dhënë ngjyrë dhe lëkurë të mirë dhe pasuri që të më japësh një deve që të vazhdoj rrugën Ai (lebrozi) tha: Detyrimet janë të shumta. Ai (engjëlli) i tha: Unë sikur të njoh ty. A nuk ke qenë më parë lebroz e njerëzit largoheshin prej teje?! A nuk ke qenë i varfër e Allahu të ka dhënë?! Ai tha: Këtë pasuri e kam trashëguar brez pas brezi. Ai (engjëlli) tha: Nëse gënjen në atë që pretendon, Allahu të ktheftë në gjëndjen e mëparshme.

Pastaj (engjëlli) iu shfaq qerosit në atë pamje dhe formë që kishte qenë ai (qerosi) më parë. Ai (engjëlli) i tha të njëjtat gjëra që i tha të parit (lebrozit). E ai (qerosi) reagoi si i pari. E (engjëlli) tha: Nëse gënjen, Allahu të ktheftë në gjendjen e mëparshme. Pastaj (engjëlli) iu shfaq të verbrit në atë pamje dhe formë që kishte qenë ai (i verbri) më parë. Ai (engjëlli) tha: Unë jam një njeri i varfër, kam humbur rrugën, më janë prerë të gjitha shtigjet gjatë udhëtimit tim. Unë nuk mbërrij atje ku duhet të shkoj vetëm nëse më ndihmon Allahu pastaj ti. Të kërkoj në emër të Atij që të ka kthyer shikimin të më japësh një dele që të shkoj vazhdoj rrugën. Ai (i verbri) tha: Është e vërtet që unë kam qenë i verbër, e Allahu ma ktheu shikimin. Merr çfarë të duash dhe le çfarë të duash. Pasha Allahun, asgjë sot nuk të pengon të marrësh në emër të Allahut të Lartësuar. Ai (engjëlli) tha: Mbaje pasurinë. Ju u sprovuat. Allahu është kënaqur me ty dhe është zemëruar ndaj dy shokëve të tu.”[77]

66 – Ebu Ja’la Shedad ibn Ues transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:“Njeri i mençur është ai njeri që e gjykon veten dhe punon për atë që e pret pas vdekjes. Kurse njeri i dobët është ai njeri i cili ndjek pas epshet e veta dhe shpreson se Allahu do ta falë.”[78]

67 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nga Islami i mirë i njeriut është që ai të largohet nga ato gjëra që nuk i interesojnë.”[79]

68 – Omeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:“Burri nuk pyetet se përse e ka goditur gruan  e tij.”[80]

Kapitulli i Devotshmërisë (Frikë-respektit)

69 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: Të Dërguarin e Allahut e kanë pyetur: O i Dërguar i Allahut! Kush është njeriu më i ndershëm (fisnik)? Profeti (a.s) tha: Ai që është më i devotshëm. (Të pranishmit) thanë: Nuk të pyetëm për këtë. Ai (a.s) tha: Jusufi është profet i Allahut, bir i profetit të Allahut, bir i profetit të Allahut, bir i mikut të Allahut. Ata thanë: As për këtë nuk të pyetëm. Profeti (a.s) tha: A për të parët e arabëve po më pyesni?! Ata të cilët kanë qenë të zgjedhur në xhahilijet janë të zgjedhur edhe në Islam, vetëm nëse janë që kuptojnë (njohës të dispozitave fetare)”[81]

70 – Ebu Seid Hudri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:“Me të vërtetë, Dynjaja është e ëmbël dhe e gjelbër.  Me të vërtetë, Allahu ju ka bërë mëkëmbës në të që t’ju shikojë se si veproni. Prandaj ruajuni nga Dynjaja dhe gratë, sepse belaja e parë (me të cilën janë sprovuar)e Benu Israilëve ka qenë për shkak të grave.”[82]

71 – Ibn Mes’udi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) lutej me fjalët:“O Zoti im, unë të lutem për udhëzim, devotshmëri, dlirësi dhe pavarësi (nga njerëzit).”[83]

72 – Ebu Tarif Adij ibn Hatem Tai’j (r.a) ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) të ketë thënë: “Kush betohet për diçka, pastaj vëren diç më të devotshme (se gjëja për të cilën është betuar), atëherë le të veprojë atë që është më e devotshme (megjithëse e shkel betimin).”[84]

73 – Ebu Umame Sudej ibn Axhlan Bahilij (r.a) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke mbajtur hytben në Haxhin e Lamtumirës duke thënë: “Kini frikë Allahun, falni pesë kohët e namazit, agjërojeni muajin e agjërimit, jepni zekatin e pasurisë tuaj dhe bindjuni udhëheqësve tuaj që të hyni në Xhenetin e Zotit tuaj.”[85]

Kapitulli i besimit të thellë (jekinit) dhe mbështjetjes tek Allahu

74 – Ibn Abasi (r.a) transemton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Mua më janë paraqitur popujt. Unë pashë një profet që kishte pas vetes një grup të vogël (nga 3-9). Po ashtu pashë një profet që pas vetes kishte një ose dy burra. Sikurse pashë një profet që pas vetes së tij nuk kishte askënd. Papritmas mu shfaq një turmë e madhe njërëzish dhe unë kujtova se ata ishin populli im, por më thanë:Ky është Musai me popullin e tij. Por shiko nga ana tjetër e horizontit! E unë pashë një turmë tjetër të madhe njerëzish. Mua më thanë: Ky është populli yt, nga i cili shtatëdhjetë mijë njerëz do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari dhe pa u dënuar. Pastaj (i Dërguari i Allahut) u ngrit dhe hyri në shtëpi. Ndërkaq, njerëzit filluan të diskutonin me njëri-tjetrin se kush ishin këta shtatëdhjetë mijë njerëz që do të hynin në Xhenet pa dhënë llogari dhe pa u dënuar. Disa thanë: Ndoshta janë atë të cilët e kanë shoqëruar të Dërguarin e Allahut (a.s) Kurse disa të tjerë thanë: Ndoshta janë ata të cilët kanë lindur muslimanë dhe nuk i kanë shoqëruar Allahut shok në adhurim. Dhe kështu ata përmendën hamendësime nga më të ndryshmet. Kur i Dërguari i Allahut (a.s) doli tha: Për çfarë po diskutoni? Ata e lajmëruan për arsyen. E ai u tha: Ata (shtatëdhjetë mijë njerëz) janë ata të cilët nuk u bëjnë rukje të tjerëve, nuk kërkojnë nga të tjerët që t’u këndohet rukje, nuk i besojnë bestytënive të kota, por që vetëm tek Zoti i tyre mbështeten. Ukashe ibn Muhsani u ngrit dhe tha: (o i Dërguar i Allahut) lute Allahun që të jem prej tyre! Ai (a.s) tha: Ti je prej tyre. Pastaj u ngrit një burrë tjetër dhe tha: (o i Dërguar i Allahut) lute Allahun që të jem prej tyre! Ai (a.s) tha: Të parapriu Ukashe.”[86]

75 – Ibn Abasi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka pasë thënë:“O Zoti im, vetëm Ty të jam dorëzuar, vetëm Ty të besoj, vetëm tek Ty  jam mbështetur, vetëm tek Ty jam kthyer dhe vetëm me ndihmën Tënde polemizoj (kundërshtoj, luftoj..etj). Zoti im, i mbështetem Fuqisë Tënde, nuk ka zot tjetër përveç Teje, të më mbrojë nga devijimi (humbja). Ti je i Gjallë që nuk vdes, kurse xhindët dhe njerëzit vdesin.”[87]

76 – Ibn Abasi (r.a) tregon:“Shprehja: Neve na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtësi më i mrekullueshëm” është thënë nga Ibrahimi (a.s) kur ai u hodh në zjarr. (Kjo shprehje) është thënë edhe nga Muhamedi (a.s) kur disa njerëz (hipokritët) i thanë: Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësojuni atyre! Kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: Neve na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtës i mrekullueshëm.”[88]

Dhe në një transmetim tjetër, po nga Ibn Abasi (r.a) thuhet se: “Fjala e fundit që Ibrahimi (a.s) ka thënë kur është hedhur në zjarr: Mua më mjafton Allahu, Ai është Mbrojtësi më i mirë.”

77 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:“Në Xhenet do të hyjnë ata njerëz, zemrat e të cilëve janë si zemrat e shpendëve.”[89]

78 – Xhabiri (r.a) tregon se ai ka marrë pjesë në një betejë bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s) që është zhvilluar në krahinën e Nexhdit. Kur i Dërguari i Allahut (a.s) u kthye (nga beteja) bashkë me të u kthye edhe Xhabiri. Ata i zuri koha e drekës (për gjumë) në një luginë plot me shkurre me gjemba. I Dërguari i Allahut (a.s) zbriti (nga deveja). Njerëzit filluan të shpërndaheshin duke kërkuar hije nën shkurre. Edhe i Dërguari i Allahut (a.s) gjeti një hije nën një shkurre dhe e vari shpatën e tij aty. Ne na zuri të gjithëve një gjumë i rëndë. Pas njëfarë kohe, i Dërguari i Allahut (a.s) na thirri. Ne shkuam dhe gjetën tek ai një bedeuin. Ai (a.s) tha: Kur unë isha në gjumë, ky (bedeuini) nxorri shpatën time nga milli, unë u zgjova dhe ai kishte në dorë shpatën e zhveshur. Ai tha: Kush të mbron nga unë?! Unë i thashë: Allahu (tre herë). Ai (a.s) nuk e ndëshkoi atë, por e uli pranë vetes.”[90]

Në një transmetim tjetër po nga Xhabiri (r.a) transmetohet se ai ka thënë:“Ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s) në betejën Dhate Ruka’. Kur pamë një pemë (shkurre) që bënte shumë hije lamë të Dërguarin e Allahut (a.s) që të qëndronte atje. Më pas edhi një idhujtar, sakaq shpata e të Dërguarit të Allahut (a.s)ishte e varur në pemë (shkurre). Ai e morri atë dhe pasi ia drejtoi të Dërguarit të Allahut (a.s), i tha: A ke frikë prej meje? Ai (a.s) tha: jo. Ai tha: Kush të mbron nga unë? Ai (a.s) tha: Allahu.”[91]

Kurse në një transmetim tjetër të transmetuar nga Ebu Bekr Ismailij thuhet: “Ai (bedeuini) tha: Kush të mbron nga unë? Ai (a.s) tha: Allahu. Atij i ra shpata nga dora. I Dërguari i Allahut (a.s) e mori shpatën nga dora e tij dhe i tha: Po ty, kush të mbron nga unë? Ai tha: Ji marrësi  më i mirë i shpatës duke mos më ndëshkuar. Ai (a.s) i tha: A dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguar i Allahut? Ai tha: Jo, por unë të jap besën se personalisht nuk do të të luftoj dhe as nuk do të jem në krah të atyre që duan të të luftojnë. Ai (a.s) e la atë të lirë. Ai (bedeuini) shkoi tek njerëzit e tij dhe u tha: Po vij nga njeriu më i mirë.”[92]

79 – Omeri (r.a.) ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) të thotë:“Sikur ju të mbështeteshit tek Allahu ashtu siç duhet, Ai do t’ju furnizonte ashtu sikurse i furnizon shpendët, të cilët në mëngjes dalin me barkun bosh dhe natën kthehen me barkun plot.”[93]

80 – Ebu Umarete Bera ibn Azib (r.a)  ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“O filan, kur të biesh në shtratin tënd thuaj: O Zoti im, shpirtin tim ta dorëzova Ty, fytyrën time e drejtova nga Ti, çështjen time ta dorëzova Ty, shpinën time e mbështeta te Ti duke shpresuar në Ty dhe duke u frikësuar nga Ti, nuk ka  vendstrehim as vendshpëtim përveçse te Ti. Kam besuar në Librin Tënd, të cilin e ke shpallur dhe në Pejgamberin Tënd që e ke dërguar. Nëse vdes atë natë (që ke bërë këtë lutje) do të vdesësh në natyrën e pastër, e nëse gdhihesh, atëherë (gdhihesh) i shpërblyer me mirësi.”[94] Në një transmetim tjetër të transmetuar po nga Bera tek Buhariu dhe Muslimi thuhet: “Kur të nisesh për në shtrat merr abdes si për namaz, pastaj bjer në anën tënde të djathtë dhe thuaj…(atë që u përmend) më lart. Pastaj tha: Le të jenë këto fjalët e fundit që thua para gjumit.”[95]

81 – Ebu Bekër Sidik (r.a) – ai, babai dhe nëna e tij kanë qenë sahabë – ka thënë: “Ishim në shpellë (unë dhe profeti), kur kam parë këmbët e idhujtarve sipër nesh dhe thashë (me zë të ulët): O i Dërguari i Allahut! Nëse ndonjëri prej tyre do të shihte poshtë këmbëve të tij, atëherë kishte për të na parë neve. Ai (a.s) tha: “O Ebu Bekër! Ç’mendon ti për dy persona, ku Allahu është i treti i tyre?!”[96]

82 – Nëna e besimtarëve, Umu Selemeh, emri i të cilës është Hind bintu Ebi Umeje Hudhejfe El Mahzumije (r.a) transmeton se kur Profeti (a.s) dilte nga shtëpia thonte:“Me emrin e Allahut e unë Atij i mbështetem. O Zoti im unë kërkoj mbrojtje prej Teje që mos të devijoj e as mos të më devijojë kush, të mos rrëshqas (në gabim) dhe askush të mos më bëjë që të rrëshqas, mos të bëj padrejtësi dhe askush mos të më bëjë padrejtësi dhe as të mos veprojë me injorancë apo që dikush të më shtyjë që të veproj me injorancë.”[97]

83 – Enesi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush thotë kur del nga shtëpia: (Me emrin e Allahut, Atij i mbështetem, Nuk ka kurrfarë orvatje dhe force përveç asaj që jep Allahu) do t’i thuhet: Je i udhëzuar (për tek më e mira), je i mjaftuar (hallet do të të lehtësohen),  dhe je i mbrojtur. E shejtani largohet prej tij.”[98] Në transmetimin e Ebu Daudit lexojmë shtojcën:“Shejtani i thotë një shejtani tjetër: Si mund të ndikosh tek një njeri i cili është udhëzuar, i mjaftuar dhe i mbrojtur?!”

84 – Enesi (r.a) ka thënë: Në kohën e Profetit (a.s) kanë pasë qenë (jetuar) dy vëllezër. Njëri prej tyre shkonte dhe rrinte me Profetin (a.s), kurse tjetri punonte për të fituar jetesën. Ai që punonte iu ankua Profetit (a.s) për vëllanë e tij. Profeti (a.s) i tha:“Ndoshta ti ushqehesh për shkak të tij.”[99]

Kapitulli i istikames (të qënurit në rrugë të drejtë)

85 – Ebu Amër, ose Ebu Amrete, Sufjan ibn Abdullahu (r.a) transmeton se ka thënë: Unë thashë: O i Dërguar i Allahut! Më trego për Islamin një fjalë që nëse unë e veproj, nuk kam më nevojë të pyes askënd tjetër përveç teje? Ai (a.s) tha: Thuaj: Besoj tek Allahu dhe qëndro në këtë rrugë!”[100]

86 – Ebu Hurerja (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Afrojuni tek Zoti duke bërë punë të mira, qëndroni në rrugë të drejtë dhe dijeni se askush nuk ka për të shpëtuar me punën e tij. As ti o i Dërguar i Allahut  – pyetën?! As unë, përveçse nëse më mbulon mëshira dhe bujaria e Allahut.”[101]

Kapitulli i  nismës për të vepruar punë të mira si dhe motivimi i atij personi i cili dëshiron të kryejë një vepër të mirë se duhet ta kryejë atë me seriozitet të plotë pa hezituar

87 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nxitoni të bëni vepra të mira përpara se t’ju vijnë sprovat që janë si pjesa e një nate të errët, në të cilat njeriu në mëngjes gdhin si besimtar kurse në mbrëmje ngryset si mosbesimtar, ose në mbrëmje ngryset si besimtar kurse në mëngjes gdhin si mosbesimtar. (Në këto sprova) njeriu e shet fenë e tij në këmbim të ndonjë përfitimi material të kësaj bote.”[102]

88 – Ebu Sirueah, Ukbe ibn Harith (r.a) ka thënë: Isha duke falur në Medinë bashkë me Profetin (a.s) namazin e iqindisë. Pasi dha selam, ai u çua nxitimthi dhe kaloi mes përmes njerëzve derisa shkoi në një prej dhomave të grave të tij. Njerëzit u shqetësuan kur e panë atë të kakonte me nxitim. (Më pas) ai doli dhe vuri re se njerëzit ishin habitur me nxitimin e tij. Ai tha: “U kujtova që ne kemi një copë floriri (në shtëpi) dhe nuk më pëqlen që ajo të më mbajë peng e mos ta shpërndaj. Kështu që dhashë urdhër që ajo të shpërndahet.)[103]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Në shtëpi kam lënë një copë floriri nga sadekaja dhe nuk më pëlqeu që ta lija atë të rrinte në shtëpi përgjatë natës.”

89 – Xhabiri (r.a) ka thënë: Në betejën e Uhudit, një njeri e pyeti Profetin (a.s): Nëse unë luftoj e vritem ku do të jetë vendi im (në botën tjetër)? Ai (a.s) tha: “Në Xhenet.” Njeriu (që pyeti) i hodhi hurmat që kishte në dorë, shkoi të luftonte derisa u vra.”[104]

90 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: Një njeri erdhi tek Profeti (a.s) dhe pyeti: O i Dërguar i Allahut! Cila është sadakaja me shpërblimin më të madh? Ai (a.s) tha:“Sadakaja (me shpërblimin më të madh) është ajo sadaka të cilën ti e jep duke qenë i shëndoshë, koprrac, ke frikë nga varfëria dhe shpreson të pasurohesh. Mos vono ta bësh këtë gjersa (para) të të vijë shpirti në fyt, sepse përndryshe do të thuash: Jepja këtë filanit dhe këtë një tjetri, kurse qysh më parë ajo duhej t’i jepej atij.”[105]

91 – Enesi (r.a) transmeton se në betejën e Uhudit, i Dërguari i Allahut (a.s) mori shpatën dhe tha: “Kush do ta marrë prej meje këtë?” (Shokët) zgjatën duart për ta marrë atë. Secili prej tyre tha: Unë, unë. Ai (a.s) tha: “Kush e merr atë duke ia dhënë hakun që i takon?” Njerëzit (shokët) u stepën, kurse Ebu Duxhane (r.a) tha: Unë do ta marr atë duke ia dhënë hakun që i takon. Ai e morri atë dhe me të i këputi kokat e idhujtarëve.”[106]

92 – Zubejr ibn Adij ka thënë: Ne shkuam tek Enes ibn Malik (r.a) dhe u ankuam tek ai rreth asaj që po hiqnim (nga padrejtësia) prej Haxhaxhit. Ai tha: Bëni durim, sepse çdo kohë që ju vjen më pas është më e keqe se ajo e mëparshmja derisa të takoheni me Zotin tuaj. Kështu e kam dëgjuar Profetin (a.s) tuaj të ketë thënë.”[107]

93 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nxitoni për të bërë shtatë vepra të mira; a po prisni që t’ju vijë një varfëri që ju bën të haroni (gjithçka), apo një pasuri që ju shndërron në në arrogantë, apo një sëmundje që ju shkatërron, apo një pleqëri që ju bën të pafuqishëm, apo një vdekje që ju vjen papritmas, apo ardhjen e Dexhalit që është gjëja më e keqe që po pritet, apo Çastin (Kijametin) e cila është më shkatërruese dhe më e hidhur.”[108]

94 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se në betejën e Hajberit, i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “(Nesër) kam për t’ia dhënë flamurin një personi i cili e do Allahun e të Dërguarin e Tij dhe që Allahu do e bëj sebep që (Hajberi) të çlirohet.” Omeri (r.a) tha: Asnjëherë nuk e kam kërkuar pozitën e të qenurit i parë përveçse në atë ditë. Unë fillova të supozoja me shpresën se do të isha unë ai që do të thirresha për të mbajtur flamurin. (Të nesërmen) i Dërguari i Allahut (a.s) thirri Ali ibn Talibin dhe ia dha atë (flamurin). Ai (a.s) tha: Ec përpara dhe mos u zmbraps derisa Allahu të ta mundësojë çlirimin! Aliu eci pak përpara, qëndroi,nuk u zmbraps dhe pastaj me zë të lartë bërtiti: O i Dërguar i Allahut! Cila është arsyeja që të luftoj kundra njerëzve? Ai (a.s) tha: Luftoji ata derisa të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Nëse ata e thonë një gjë të tillë, atëherë gjaku dhe pasuria e tyre të ndalohet për ta marrë përveçse me të drejtë, kurse llogaria e tyre është tek Allahu.”[109]

Kapitulli i përpjekjes për të të bërë punë të mira

95– Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: Allahu i Lartësuar ka thënë: Kushdo që shfaq armiqësi ndaj mikut Tim, Unë do t’i shpall atij luftë. Gjëja më e dashur me të cilën më afrohet robi Im është ajo që ia kam bërë obligim. Robi im vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare derisa ta dua, e kur ta dua, bëhem veshi i tij me të cilin dëgjon, syri i tij me të cilin shikon, dora e tij me të cilën vepron dhe këmba e tij me të cilën ecën. Nëse ai kërkon prej Meje do t’ia jap atë që kërkon e nëse kërkon prej Meje mbrojtje, do ta mbroj.”[110]

96 – Enesi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) përcjell prej Krijuesit të Tij se ka thënë: “Nëse robi Im afrohet tek Unë një pëllëmbë, Unë do të afrohem tek Ai një krah. E nëse ai afrohet tek Unë një krah, Unë do t’ia afrohem atij një pash. Dhe në qoftë se ai vjen tek Unë duke ecur, Unë do të shkoj tek ai duke vrapuar.”[111]

97 – Ibn Abasi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Në dy mirësi shumica e njerëzve janë të mashtruar: Shëndeti dhe koha e lirë.”[112]

98 – Aishja (r.a) tegon se Profeti (a.s) falej gjatë natës aq sa i  çaheshin këmbët nga e falura e gjatë. Unë i thashë: O i Dërguar i Allahut! Përse e bën një gjë të tillë përderisa Allahu t’i ka falur gabimet e mëparshme dhe të ardhshme?! Ai (a.s) tha: A nuk dua të jem një rob falenderues?!”[113]

99 – Aishja (r.a) ka thënë: “Kur hynte dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit, i Dërguari i Allahut (a.s), e gjallëronte natën, zgjonte familjen e tij, përkushtohej me zell dhe e shtrëngonte izarin (rrobën).”[114]

100 – Ebu Hurerja (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët dhe tek secili prej tyre ka mirësi. Kujdesu për atë që ti ke dobi! Kërko ndihmë prej Allahut dhe mos u trego i paaftë! E nëse të godet diçka (e pakëndshme) mos thuaj: Ah sikur të kisha vepruar kështu e ashtu, por thuaj: Ky është caktimi i Allahut dhe  çfarë ka dashur Ai ka ndodhur. Dhe dije se shprehja “ah sikur” i hap rrugë veprës së shejtanit.”[115]

Përktheu: Elton Harxhi

 

 

 

 

 

[1] – Buhariu (1) dhe Muslimi (1907).

[2] – Buhariu (2118) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2884).

[3] – Buhariu (3080) dhe Muslimi (1864).

[4] – Muslimi (1911).

[5] – Pjesën e parë të hadithit e transmeton Buhariu (2838), ndërsa Mundhiri e ka përmendur të gjithë hadithin në “Tergib” (18) dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe imam Neueuiu.

[6] – Buhariu (1422).

[7] – Buhariu  (1295) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1628).

[8]– Muslimi (2564).

[9] – Buhariu (7458)  dhe Muslimi (1904)

[10] – Buhariu(31) dhe Muslimi (2888).

[11] – Buhariu (2119) dhe Muslimi (649) me tekstin në fjalë.

[12] – Buhariu (6491) dhe Muslimi (207) me tekstin në fjalë.

[13] – Buhariu (2272)me tekstin në fjalë, si dhe Muslimi (2743).

[14] – Buhariu(6307).

[15] – Muslimi (2702).

[16] – Buhariu (6309).

[17]– Muslimi (2747).

[18]– Muslimi (2759).

[19]– Muslimi (2703)

[20] – Tirmidhiu (3537). Hadithi është Hasen garib.

[21] – Tirmidhiu (3535). Hadithi është Hasen Sahih.

[22] – Ky është një koment që imam Neueuiu i bën këtij hadithi.

[23]– Buhariu (3470) dhe Muslimi (2766) me tekstin në fjalë.

[24]– Regjistri ku shënohen emrat e luftëtarëve, të cilët marrin pjesë në luftë.

[25] – Këto janë fjalët e Abdullah ibn Ka’bit.

[26] – Sure Teube: 117 – 119.

[27] – Sure Teube: 95 – 96.

[28] – Buhariu (4418) dhe Muslimi (2769).

[29] – Muslimi (1696).

[30] – Buhariu (6336) dhe Muslimi (1049). Imam Neueuiu ka bërë bashkimin e të dy transmetimeve, ndërsa imam Mundhiri në “Et tergib uet terhib” i ka ndarë ato veç e veç.

[31] – Buhariu (2826)  dhe Muslimi (1890).

[32] – Buhariu (1469)me tekstin në fjalë dhe Muslimi(1053).

[33]– Buhariu (1469) dhe Muslimi (1053).

[34]– Muslimi (2999).

[35] – Buhariu (4462).

[36] – Buhariu (1284) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (923).

[37] – Disa thonë, se kjo kafshë ka qenë luan. Shih: “Nuz’hetul Mut tekin” fq: 1/65.

[38] – Muslimi (3005).

[39] – Buhariu (1283) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (926).

[40] – Buhariu (6424).

[41] – Buhariu (5734).

[42] – Buhariu (5653).

[43] – Buhariu (5652) dhe Muslimi (2576).

[44]– Buhariu (3477) dhe Muslimi (1792).

[45] – Buhariu (5642) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2573)

[46] – Buhariu (5648) dhe Muslimi (2571) me tekstin në fjalë.

[47] – Buhariu, (5645.)

[48]– Buhariu (5671) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2680).

[49] – Buhariu (6943).

[50] – Buhariu (3582).

[51]– Buhariu (3150)dhe Muslimi (1062).

[52]– Transmeton Tirmidhiu, nr: 2396. Hadithi është Hasen Sahih.

[53]– Transmeton Tirmidhiu, nr: 2396. Hadithi është Hasen Garib. Në zinxhirin e këtij transmetimi ndodhet Sa’d ibn Sinan, i cili është i vetmi që e transmeton këtë hadith, prandaj edhe Tirmidhiu e ka vlerësuar këtë hadith Hasen.

[54] – Transmeton Buhariu, nr: 5470 dhe Muslimi, nr: 2144.

[55]– Transmeton Buhariu, nr: 1301

[56] – Transmeton Buhariu, nr: 6114 dhe Muslimi, nr: 2609.

[57]– Transmeton Buhariu (3282)me tekstin në fjalë si dhe Muslimi (2610).

[58]– Transmeton Daudi (4777) me tekstin në fjalë dhe Tirmidhiu (2021), i cili ka thënë, se hadithi është Hasen Garib.

[59]– Transmeton Buhariu, nr: 6116.

[60] – Tirmidhiu (2399). Hadithi është Hasen Sahih.

[61] Transmeton imam Buhariu, nr: 4642.

[62]– Transmeton Buhariu, nr: 3603.

[63]– Transmeton Buhariu, nr: 7057 dhe Muslimi, nr: 1845.

[64]– Transmeton Buhariu, nr: 2965-2966 dhe Muslimi, nr: 1742.

[65] – Buhariu (6094) dhe imam Muslimi (2607)

[66] – Tirmidhiu (2518), Nesaiu (5117) dhe Ahmedi (1/200). Hadithi është Hasen Sahih.

[67] – Buhariu (7) dhe  Muslimi (1773).

[68] – Muslimi (1909).

[69] – Buhariu (3124) dhe Muslimi (1748)

[70] – Buhariu (2709) dhe Muslimi (1532).

[71] – Muslimi (8).

[72] – Tirmidhiu (1987). Hadithi është Hasen.

[73] – Tirmidhiu (2516). Hadithi është Hasen Sahih.

[74] – Tabaraniu (1/331) në “El Kebir”. Hadithi është Hasen.

[75] – Buhariu (6492)

[76] – Buhariu (5223) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2761).

[77] – Buhariu (3464) dhe Muslimi (2964).

[78] – Tirmidhiu (2459). Tirmidhiu thotë se hadithi është Hasen. Po ashtu Hakimi e vlerëson hadithin Sahih sipas kushteve të Buhariut.  Mirëpo dijetarët e hadithit e vlerësojnë zinxhirin e transmetimit të këtij hadithi si të dobët, sepse një prej transmetuesve të këtij hadithi (Ebu Bekër ibn Ebu Merjem) vlerësohet si “vahi”. Dijetarët e hadithit thonë se shtëpinë e Ebu Bekrit e kanë vjedhur (kusarët) dhe si shkak i kësaj ai i ngatërronte tranmetimet, pasiqë çdo gjë e ka pasë të shkruar, por me humbjen e dorëshkrimeve dhe duke qenë se memorien e kishte të dobët,  i ngatërronte transmetimet. Kurse transmetuesit e tjerë të këtij hadithi janë që të gjithë të besueshëm. Ky hadith ka edhe një zinxhir tjetër transmetimi tek Tabaraniju “Fil Kebir” (7141)por edhe ky transmetim vlerësohet shumë i dobët nga dijetarët e hadithit sepse në të gjendet një transmetues me emrin Amër ibn Bekër Es Sekseki që është “Metruk”

[79] – Tirmidhiu (2317), Ibn Maxheh (3976), Kudai (192) në Musnedin e Shihabit dhe Ibn Hiban (229). Të gjithë këta transmetues e kanë transmetuar kete hadith nga Euzai, i cili e transmeton prej Kureh ibn Abdurahman, ky nga Ebu Selemeh dhe ky nga Ebu Hurejre. Ky zinxhir transmetimi është i dobët se në të ndodhet Kureh ibn Abdurahmani i cili cilësohet si i dobët tek dijetarët e hadithit.

Këtë hadith e transmeton edhe Ibn Ebu Dunja (108) në “Samt” dhe Ebu Shejh (831) në “Tabekat Muhadithin bi Asbahan”. Të gjithë këta e kanë transmetuar këtë hadith nga Abdurahman Omeri, nga Suhejli, nga babai i tij, nga Ebu Hurejra. Zinxhiri i këtij transmetimi është shumë i dobët sepse Umeri është “Metruk” Ibn Ebu Hatem (2/132) në “Ilel” ka thënë: Ky zinxhir transmetimi është “Munker”

Ky hadith ka një dëshmi përforcuese  tek Kudai (194) në “Musned”, Tabarani (8402) në “Eusat” dhe Ibn Ebu Dunja (107) në “Samt”. Të gjithë këta e kanë transmetuar këtë hadith nga Zuhri nga Ali ibn Husejn. Ky zinxhir transmetimi është Hasen (I mirë).

Ky hadith ka edhe transmetime të tjera që e ngrejnë atë në gradën e hadithti Hasen.

[80] – Ebu Daudi (2147). Hadithi është Daif.

[81] – Buhariu (3353) dhe Muslimi (2378).

[82] – Muslimi (2742).

[83] – Muslimi (2721).

[84] – Muslimi (1651).

[85] – Tirmidhiu (616). Hadithi është Sahih.

[86] – Buhariu (6451) dhe Muslimi (220) me tekstin në fjalë.

[87] – Muslimi (2717).

[88] – Buhariu: (4653).

[89] – Muslimi (2840).

[90] – Buhariu (2910) dhe Muslimi (843).

[91] – Buhariu (4136).

[92] – Humejdi (1526).

[93] – Tirmidhiu (2344). Hadithi është Hasen Sahih.

[94] – Buhariu (7488) dhe Muslimi (2710).

[95] – Buhariu (247) dhe Muslimi (2710).

[96] – Buhariu (4643) dhe Muslimi (2381).

[97] – Ebu Daudi (5094 me tekstin në fjalë, Tirmidhiu (3427) dhe të tjerë. Hadithi është Hasen Sahih.

[98] – Ebu Daudi (5095), Tirmidhiu (3426), Nesaiu (9917) dhe të tjerë. Hadithi është Hasen.

[99] – Tirmidhiu (2345). Hadithi është Sahih.

[100] – Muslimi (38).

[101] – Muslimi (2816).

[102] – Muslimi (118).

[103] – Buhariu (851).

[104] – Buhariu () dhe Muslimi (

[105] – Buhariu (1419) dhe Muslimi (1032).

[106] – Muslimi (2470).

[107] – Buhariu (7068).

[108] – Tirmidhiu (2306). Hadithi është Hasen Garib.

[109] – Muslimi

[110] – Buhariu (6501).

[111] – Buhariu (7536).

[112] – Buhariu (6412).

[113] – Buhariu (4837) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2821).

[114] – Buhariu (2024) dhe Muslimi (1174).

[115] – Muslimi (2664).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *