Një nga konceptet e rëndësishme që njerëzit shpesh e injorojnë – dhe sa shumë i injorojmë gjërat e rëndësishme – është se Kurani ka folur për industrinë dhe ka motivuar njerëzit për zhvillimin e saj. Çështja e industrisë në Islam nuk është një çështje e suportuar nga të tjerët dhe as diçka e re që ka lindur për shkak të ndikimit të sistemeve bashkëkohore civilizuese. Jo! Përkundrazi, ajo është një çështje e kahershme, e cila është cekur në Kuran në shumë ajete. Nëse ne do t’i kushtonim kësaj teme rëndësinë e duhur, padyshim do të ishim një umet i madh industrial.
Kurani ka folur për industrinë, e cila është shfaqur në një periudhë shumë të hershme historike, për një qëllim jashtëzakonisht të rëndësishëm, e realizuar nga një personalitet shumë i shquar që ishte Nuhu (a.s). Zhvillimi i industrisë në atë periudhë ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në sferën e thirrjes së njerëzve për tek Allahu dhe po ashtu ka qenë një zgjidhje që pati impaktin e saj pozitiv përballë bllokimit të plotë të kësaj thirrjeje dhe refuzimit të saj nga shumica dërrmuese që zgjodhën rrugën e mosbesimit. Në këtë fazë të thirrjes erdhi urdhri hyjnor për ndërtimin e anijes. Allahu i Madhëruar thotë: “E Nuhut i qe shpallur: Nuk do të besojë më askush nga populli yt, përveç atyre që kanë besuar (deri tani), pra mos u brengos për atë që punojnë ata. E ndërtoje anijen nën mbikqyrjen dhe udhëzimin Tonë dhe mos mu drejto më për për ata që janë keqbërës! Ata me siguri do të fundosen.”[1] E kështu, Nuhu (a.s) filloi të ndërtonte anijen duke qenë kështu ai personi i parë në historinë e njerëzimit i cili u morr me zhvillimin e industrisë dhe shembullin e tij e ndoqën më pas edhe të dërguarit e tjerë të Zotit. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai nisi të ndërtonte anijen. Sa herë që kalonte pranë tij paria e popullit të tij, e përqeshte. Ai u tha: Nëse ju talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu si po talleni ju.”[2]
Padyshim që misioni i Nuhut (a.s) për të ndërtuar anijen ishte shumë i rëndësishëm. Më parë, ai (a.s) ishte përballur me përgënjeshtrimin e njerëzve ndaj thirrjes islame, kurse tashmë ai u përball me talljet dhe shpotitë e parisë së popullit të tij për ndërtimin e një vepre (anijes) që në ato rrethana ishte e pakuptimtë. Nuhu (a.s) u përball me disa vështirësi: vështirësinë e idesë së ndërtimit të anijes, sepse nuk kishte një përvojë të mëparshme, vështirësinë e vënies në zbatim të këtij projekti dhe vështirësinë në aspektin psikologjik. Por të gjitha këto vështirësi ai i kaloi me sukses me ndihmën e Allahut të Madhëruar.
Historia rrëfen se Nuhu (a.s) e filloi procesin e ndërtimit të anijes me hallkën e parë të prodhimit industrial. Gjëja e parë që ai (a.s) bëri – para se të ndërtonte anijen – ishte sigurimi i lëndës së parë. Kështu që ai fillo të mbillte pemë, të cilat kur u rritën, i preu dhe i bëri dërrasa, pastaj u dha formë dhe i montoi derisa arriti në fazën përfundimtare të ndërtimit të anijes. Një zinxhir i gjatë punësh dhe procesesh jashtëzakonisht të vështira, vështirësia e të cilës nuk është më e pakët se vështirësia e thirrjes së njerëzve në besim përgjatë nëntëqind e pesëdhejtë viteve. Në librin e tij “El Bidajeh uen Nihajeh” imam Ibn Kethiri transemeton se disa dijetarë kanë thënë: (Kur Allahu iu përgjigj lutjes së tij, Allahu e urdhëroi që për ndërtimin e anijes, ai duhet të mbillte një pemë dhe ai e mbolli atë dhe priti plot njëqind vjet derisa ajo u rrit. Pastaj derisa ai (a.s) i dha formë duke e ndërtuar iu deshën edhe njëqind vjet të tjera. Disa dijetarë të tjerë kanë thënë se atij iu deshën dyzet vjet.)[3]
Kurani Fisnik na tregon disa detaje të bukura në lidhje me përsosmërinë e kësaj industrie, në rastin konkret të ndërtimit të anijes. Allahu i Madhëruar thotë: “Ndërsa Nuhun e bartëm në (anije) të ndërtuar me dërrasa dhe gozhda.”[4]
Në lidhje me fjalën “Eluah” të përmendur në këtë konteskt, komentuesit e Kuranit kanë thënë se bëhet fjalë për dërrasat e mëdha dhe të gjera, me anë të cilave u ndërtua edhe anija.
Kurse përsa i përket fjalës “Dusur” të përmendur po në këtë konteskt, komentuesit e Kuranit kanë dhënë katër mendime: 1 – nënkptohen gozhdat, 2 – nënkuptohet bashi i i anijes, 3 – nënkuptohen brinjët e anijes, 4 – nënkuptohen kuverta dhe pjesët anësore të anijes.[5]
Cilësimi i pjesëve të anijes në vend që të cilësohet anija si karabina tregon për rëndësinë e madhe që kanë këto copëza në ndërtimin e anijes. E në industri është i njohur fakti se sa të rëndësishme janë ndërtimi me përsosmëri i copëzave, pjesëve dhe matetialeve nga e cila përbëhet anija.
Imam Razi thotë: (Anija ishte e ndërtuar prej dërrasash të lidhura me njëra – tjetrën të mbërthyera me gozhdë. Zbërthimi i tyre ishte i thjeshtë, por me mirësinë dhe bujarinë e Zoti nuk ndodhi.)[6]
Shejh Tahir Ibn Ashuri thotë: (Në këtë përshkrim të Kuranit bëhet e qartë forca, qëndrueshmëria dhe mjeshtëria e ndërtimit të kësaj anije. Këtu manifestohet kujesi i Allahut për të shpëtuar Nuhun (a.s) dhe besimtarët që ishin bashkë me të në anije. Allahu e urdhëroi atë që të ndërtonte anijen dhe i tregoi atij – përmes shpalljes – se si duhet ta ndërtonte atë, sepse askush më parë nuk kishte ndërtuar anije.)[7]
Një lloj tjetër të industrisë të cilën Kurani Fisnik e ka cekur në një srë ajetesh është edhe industria e ndërtimit të sistemit mbrojtës të cilën e zotëronte profeti i Allahut, Daudi (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “Ne i mësuam atij (Daudit) punimin e parzmoreve prej hekuri, për t’ju mbrojtur në luftë me armikun, andaj a jeni mirënjohës?”[8]
Daudi (a.s) ishte mjeshtër e profesionist i prodhimit të armëve mbrojtëse dhe këtë zanat ai e zotëronte, sepse ai nuk e ka ushtruar atë vetëm një herë të vetme në jetë, përkundrazi ai ishte profesionist në këtë zanat dhe fitonte nëpërmjet tij, megjithëse ishte mbret dhe sundues i një shteti stabil e të zhvilluar. Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Daudi (a.s) nuk ushqehej vetëm se nga puna e dorës së tij.”[9]
Hafiz ibn Asakiri në biografinë e Daudit (a.s) përcjell prej Uehb ibn Munebij se (Daudi (a.s) dilte në rrugë i maskuar dhe pyeste njerëzit se çfarë përshtypjesh kishin ata për Daudin. Çdokënd që pyeste, vetëm fjalë të mira tregonte për adhurimin, sjelljen dhe drejtësinë e tij. Derisa Allahu dërgoi një engjëll në formën e një njeriu. Kur Daudi (a.s) u takua me të e pyeti dhe ai i tha: Ai është njeriu më i mirë i popullit të tij, përveç një gjëje. Daudi (a.s) e pyeti: Cila është ajo gjë? Ai tha: Ai dhe familja e tij ushqehen nga pasuria e muslimanëve, d.m.th. nga Thesari i Shtetit. Pasi Daudi (a.s) i dëgjoi këto fjalë iu lut Allahut që t’i mësonte një zanat me anë të të cilit ai të ushqente veten dhe familjen.)[10]
Kështu Daudi (a.s) filloi të prodhonte parzmore dhe përmes tyre fitonte shumë. (Tregohet se ai një të tretën e shpezonte për familjen, një të tretën ia jepte të varfërve dhe një të tretën i përdorte në dobi të muslimanëve. Ai është personi i parë i cili ka prodhuar për herë të parë parzmore, sepse më parë ato që prodhoheshin ishin mburojat me formën e tyre të njohur si pllakë.)[11]
Kështu pra, në këtë mënyrë Islami ka nxitur drejt punës dhe prodhimit dhe ka luftuar papunësinë dhe dembelizmin. Imam Kurtubiju ka thënë: (Ajeti “Ne i mësuam atij (Daudit) punimin e parzmoreve prej hekuri” është themeli i prodhimtarisë dhe punës.)[12]
Profesioni të cilin e ushtroi Daudi (a.s) pati një sërë specifikash, si: 1 – Përdorimi i hekurit, i cili është një material i fortë, elastik dhe lehtësisht merr formën që njeriu dëshiron. 2 – Aftësia e tij e jashtëzakonshme për t’u formësuar me shpejtësi. 3 – Dizenjimi i tij inovativ në prodhimin e parzmoreve. Ai (a.s) i prodhoi parzmoret duke ju dhënë atyre formën që dëshironte duke bërë që përdorimi i tyre të ishte më i vlefshëm se i mburojave, të cilat e vështirësonin lëvizjen e ushtarëve. Në suren Sebe, Allahu i Madhëruar i përmend këto cilësi: “Ne ia zbutëm atij hekurin. Dhe i thamë: Puno parzmore të gjera! Duke i vendosur mirë rrjetat me unaza dhe bëni vepra të mira. Pa dyshim unë shoh çfarë punoni ju.”[13] Katade ka thënë: (Daudi (a.s) është personi i parë, i cili i prodhoi ato në rrjeta me unaza, sepse më parë ato kanë qenë në formë pllakash.)[14]
Padyshim që kjo teknikë të cilën e ka përdorur Profeti Daud (a.s) duhet të regjistrohet në mesin e atyre shpikjeve që kanë kontribuar në zhvillimin e qytetërimit, ashtu sikur edhe ndërtimi i anijes nga ana e Nuhut (a.s) ka pasur të njëjtin kontribut për zhvillimin e qytetërimit. Nëse historia e shkencës do të rishkruhej, duke bërë pjesë të saj edhe shpikjet që kanë bërë Profetët e Zotit, atëherë do të regjistroheshin shumë shpikje të tilla. Mirëpo qasjet moderne – për fat të keq – bazohen në injorimin e fesë si burim të shkencës. Ajo që e përkeqëson më shumë situatën është se kur ato flasin për fenë nuk i përmbahen metodës shkencore dhe po ashtu nuk bëjnë dallimin mitive dhe fakteve historike.
Pastaj, Allahu i Madhëruar e udhëzoi Daudin (a.s) drejt përpikmërisë dhe cilësisë së kërkuar në prodhim. Ai e urdhëroi atë me fjalët: “Puno parzmore të gjera!” d.m.th as të shkurtra dhe as të ngushta.
Pastaj, Allahu i Madhëruar e urdhëroi Daudin (a.s) “…Duke i vendosur mirë rrjetat me unaza” që do të thotë se Ai e urdhëroi atë që të përcaktonte saktë dhe me përpikmëri madhësinë e hallkave të rrjetës si dhe të thumbave që do të mbërthenin këto hallka. Ibn Zejdi ka thënë: “Ai u urdhërua që të përckatonte saktësisht sesa duhet të ishin përmasat e hallkave; nuk duhet të ishin as të vogla dhe as të mëdha, sepse në të dyja rastet nuk do të ishin mburojë për atë që e vesh.” Kurse Ibn Abasi ka thënë: “Ai u urdhërua që të përcaktonte mirë dhe saktë thumbat që do të lidhnin hallkat e rrjetës; ato (thumbat) nuk të ishin as të holla dhe as të trasha.”[15]
Padyshim ky urdhër kuranor aludon në faktin se kushdo që dëshiron të prodhojë diçka duhet ta përsosë prodhimin e saj dhe ta realizojë atë në formën më të mirë, ashtu sikur ka thënë Profeti (a.s):“Me të vërtetë, Allahu ka shkruajtur mirësinë në çdo gjë. Prandaj kur të luftoni, luftoni në formën më të mirë dhe kur të therrni kurban therrni në formën më të mirë. Ai i cili dëshiron të therrrë kurban le ta mprehë mjetin e tij duke ia lehtësuar kështu vuajtjet kafshës që do të therrë.”[16] E në një hadith tjetër, Profeti (a.s) ka thënë:“Me të vërtetë, Allahu i Madhëruar e pëlqen punën e atij prej jush, i cili kur punon e përsos atë.”[17]
Imam Razi ka thënë: “Allahu zgjodhi që Daudi (a.s) të prodhonte këtë lloj të prodhimit, sepse nëpërmjet saj ruhet një jetë njerëzore. Prandaj prodhuesi i rrjetave mbrojtëse është më i mirë se prodhuesi i harqeve dhe shpatave.”[18] Kjo do të thotë se prodhimi i armëve mbrojtëse është më i mirë se armëve që vrasin, megjithëse prodhimi i të dyjave është i domosdoshëm në kohë lufte. Megjithatë mbrojtja e jetës është prioritet kurse vrasja e një njeriu në luftë është rast përjashtues. Ky është një sinjal i fortë që sinjalizon se krahu i peshores së mëshirës në sheriatin islam është më i rëndë se krahu i peshores së forcës, pavarësisht se të dyja janë të domosdoshme. Ndoshta këtu qëndron edhe sekreti se përse Allahu i Madhëruar nuk i ka përmendur llastiqet e Daudit, nëpërmjet të cilave ai vrau Xhalutin, gjë e cila është përmendur në Dhiatën e Vjetër.
Dhe në fund, Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe bëni vepra të mira. Pa dyshim unë shoh çfarë punoni ju.” Që nënkupton raportin e ngushtë midis prodhimit dhe punës së mirë dhe adhurimit. Industria në Islam nuk është thjesht një botë ku shihet vetëm përfitimi material, përkundrazi, industria është një mjet për të adhuruar Allahun dhe një lloj i punës së mirë.
Kjo pra ishte ajo panoramë e bukur e prodhimit të cilin Allahu i Madhëruar e ka thënë për Daudin (a.s). Në suren Enbija, Allahu i Madhëruar thotë: “… Ne i nënshtruam malet dhe shpendët që bashkë me Daudin të thurrnin lavde për Allahun. Ishim Ne që i bënim këto. Ne i mësuam atij (Daudit) punimin e parzmoreve prej hekuri, për t’ju mbrojtur në luftë me armikun, andaj a jeni mirënjohës?”[19] Në suren Sebe, Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, Ne i dhamë Daudit mirësi prej nesh (dhe i thamë): O male dhe zogj! Lavdërojeni emrin Tim bashkë me Daudin! Ne ia zbutëm atij hekurin. Dhe i thamë: Puno parzmore të gjera! Duke i vendosur mirë rrjetat me unaza dhe bëni vepra të mira. Pa dyshim unë shoh çfarë punoni ju.”[20] E në suren Sad, Allahu i Madhëruar thotë: “Ti kujtoje atë që thonë ata dhe kujtoje robin Tonë të fuqishëm, Daudin që përherë i drejtohej Zotit. Ne ia nënshtruam malet që bashkë me të t’i luteshin Allahut, në mbrëmje dhe në mëngjes. Edhe shpendët e tubuar. Të gjithë i drejtoheshin Atij. Ne e forcuam mbretërinë dhe i dhamë mençuri e dijeni për të gjykuar.”[21]
Autor: Fehmi Islami
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Hud: 36 – 37.
[2] – Sure Hud: 38.
[3] – “El Bidajeh uen Nihajeh” fq: 1/258.
[4] – Sure Kamer: 13.
[5] – Shih: “Zadul Mesir” fq: 4/199.
[6] – “Tefsirul Kebir” fq: 14/487.
[7] – “Et Tahrir uet tenuir” fq: 27/184.
[8] – Sure Enbija: 80.
[9] – Buhariu (2073).
[10] – “Tarih Dimeshk” fq: 17/91.
[11] – “El Xhamiu Li Ahkamil Kuran” fq: 14/266 – 267.
[12] – “El Xhamiu Li Ahkamil Kuran” fq: 14/267.
[13] – Sure Sebe: 10 – 11.
[14] – “Tefsir ibn Kethir” fq: 6/497.
[15] – “El Xhamiu Li Ulumil Kuran” fq: 14/267.
[16] – Muslimi (1955).
[17] – Bejhakiu (4930) në “Shuabul Iman”.
[18] – “Et Tefsir El Kebir” fq: 12/402.
[19] – Sure Enbija: 79 – 80.
[20] – Sure Sebe: 10 – 11.
[21] – Sure Sad: 17 – 20.