Hasan El Basri dhe qëndrimi i tij në krizat politike

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mund të themi se natyra e marrëdhënieve mes pushtetit politik të kalifëve dhe emirëve, dhe mes pushtetit fetar të hoxhallarëve, fakihëve dhe sufistëve, dominohej nga dy linja, të cilat janë:

E para: Linja e parimeve themeltare dhe rregullave statike të arta, si dhe puna për mishërimin e tyre nëpërmjet edukimit shpirtëror dhe politik, shoqëruar me ndërgjegjësim për përgjegjësi shoqërore.

E dyta: Linja e qëndrimeve taktike, të cilat ndonjëherë përfshiheshin nga kriza, saqë lejoheshin edhe kryengritjet ndaj pushtetit, ose të paktën bojkoti dhe opozita në shumë raste. Por nuk përjashtoheshin as paktet dhe normalizimi i marrëdhënieve si një lloj marifeti. Në kuadër të këtyre dy linjave mund të lexohet përvoja e pasur e imam Hasan El Basriut (21-110 hixhri), lidhur me qëndrimin e tij të përgjithshëm ndaj pushtetit politik të kohës.

Padyshim që shkaqet që shtyjnë pushtetin politik të marrë qëndrime armiqësore me përfaqësuesit e spektrit fetar, variojnë sipas kohës dhe vendit. E njëjta gjë vlen dhe për qëndrimin e përfaqësuesve të spektrit fetar ndaj pushtetit dhe regjimit në fuqi, ku disa ide dhe mendime nxisin konfliktin dhe përplasjen me ideologjinë zyrtare të pushtetit politik.

Brenda këtij kuadri të përgjithshëm futen të gjitha qëndrimet e Hasan Basriut, ndaj pushtetit të omejadëve, kryesisht lidhur me qëndrimin e tij në çështjen e kaderit, ku ai besonte në vullnetin e lirë të njeriut, kundrejt besimit të omejadëve në pushtet, që mohon lirinë e vullnetit të njeriut.

Nga një hulumtim i thellë i qëndrimeve të Hasan El Basriut ndaj përfaqësuesve të pushtetit politik në kohën e tij, arrijmë në një rezultat të rëndësishëm, sipas të cilit: Këto qëndrime kanë qenë brenda kuadrit të dy linjave të lartpërmendura.

Nga njëra anë, Hasan El Basri e kritikonte ashpër Haxhaxh ibn Jusuf Thekafij, të cilin e etiketonte si të poshtër dhe të korruptuar, me të cilat nënkuptonte aktet kriminale të tij si marrja e jetëve.

Kur Hasan El Basri pa pallatin që Haxhaxh kishte ndërtuar për vete në qytetin Vasit, në vitin 86 hixhri, me të hyrë brenda pati thënë: “Lëvdoj Zotin! Mbretërit e shohin veten të fisëm, kurse ne për çdo ditë nxjerrim mësim prej tyre. Ndonjë prej tyre, ndërton pallate të lartë dhe të fortifikuar, me pajisje të shtrenjta dhe cilësore. Edhe një mizë ia shton lakminë, duke e afruar më shumë me zjarrin. Sakaq, miqtë e ligj i thonë: “Shihni çfarë mrekullie ka bërë!” E çfarë pastaj o i poshtri i të poshtërve?! Dije se banorët e qiellit të urrejnë, kurse banorët e tokës të mallkojnë. Ke ndërtuar shtëpinë e përkohshme, e ke rrënuar shtëpinë e përjetshme, ke dekoruar shtëpinë mashtruese, e ke lënë pas dore shtëpinë e amshuar.”

Mandej, ai doli jashtë duke shtuar: “Zoti u ka marrë  besën dijetarëve që t’ua sqarojnë të vërtetën njerëzve dhe të mos e fshehin.”

Kurse qëndrimi i tij ndaj zemëratës së Haxhaxh ibn Jusufit, futet tek qëndrimet taktike dhe marifetet që përdornin dijetarët për të evituar përplasjet me pushtetarët.

Haxhaxhi, diktatori i Irakut, kur dëgjoi çka thënë Hasan El Basri për të, i çoi fjalë që të paraqitet para tij sa më shpejt. Hasan El Basri vajti duke pëshpëritur lutje dhe me të dalë para Haxhaxhit, ky i fundit i tha: “O babai i Seidit! A nuk kishe asnjë lloj detyrimi karshi postit tim, kur the ato që the?”

Hasan El Basri iu përgjigj: “Zoti të mëshiroftë o emiri ynë! Ai që të frikëson derisa të arrish në bregun e sigurisë, është njeriu më zemërbutë me ty. Një njeri i tillë, duhet ta duash më shumë sesa dikë që të mban me fjalë të bukura, derisa të biesh në greminë. Gjithsesi, ti ke në dorë faljen dhe ndëshkimin. Zgjidh atë që është më e dobishme për ty dhe mbështetu tek Zoti. Ai na mjafton dhe Ai është garantuesi më i mirë.”

Haxhaxhit i erdhi zor nga këto fjalë dhe e la të shkojë dijetarin e madh.

Mesa duket, Hasan El Basriu anonte nga tërheqja, kur bëhej fjalë për përplasje direkte dhe ballë për ballë me pushtetin politik. Ndoshta kjo ishte një formë mishërimi me parimin e tij për mos lejimin e kryengritjes ndaj sovranit, i mirë apo i keq qoftë. Megjithatë, ky parim nuk e pengoi asnjëherë që të dëshmojë konform urdhrave hyjnore “që ta sqarojnë të vërtetën për njerëzit dhe mos mbajnë të fshehtë” Ai thjesht thoshte mendimin e tij, nuk përdorte dhunën për ta mbrojtur këtë mendim dhe nuk bënte thirrje për martirizim, sidomos pasi konstatoi me sytë e tij krimet e Haxhaxhit dhe vrasjen e Seid ibn Xhubejrit dhe mbështetësve të tij.

Në të njëjtin kontekst, vjen qëndrimi i Hasan El Basriut lidhur me kryengritjen e armatosur ndaj Haxhaxh ibn Jusufit. Kur u pyet për këtë çështje, ai u përgjigj: “O njerëz! Kini frikë Zotin dhe pendohuni tek Ai, që t’u ruajë nga padrejtësitë e Haxhaxhit! Dijeni se Haxhaxhët janë të shumtë!”

Me këtë, ai sikur u tërhiqte vëmendjen që të merren me edukimin e masave, për rrjedhojë do të ndreqet dhe maja e piramidës politike.

Ndërkohë, Haxhaxhi i qëndronte mendimit të tij dhe i ruhej ndikimit dhe autoritetit të Hasan El Basriut, madje, ndonjëherë shprehej për të pranishmit: “Më turpëroi një fshatar që jeton në kasollet e Basrës!”

Sido që të jetë, spektri politik la shenja dhe ndikoi drejtpërdrejt në jetën e Hasan El Basriut. Tek njerëz të tillë, regjimi nuk ndihet rehat, edhe nëse izolohen në qoshet e xhamive dhe mbyllin sytë ndaj shkeljeve të qeveritarëve.

Si fakt për këtë, mund të cekim përgjigjen e Hasan El Basriut, ndaj Haxhaxhit, kur e pyeti çfarë mendonte për Ali ibn Ebi Talibin dhe Othman ibn Affanin. Hasani qe përgjigjur: “Them atë që ka thënë dikush që është më i mirë se unë, para dikujt që ishte më i lig se ti. Kur e pyeti faraoni Musain (a.s): “(Faraoni) tha: “Si është gjendja e brezave të mëparshëm?(Musai) tha: “Dijenia lidhur me ta gjendet te Zoti im, në Libër. Zoti im nuk gabon dhe nuk harron!”[1] Prandaj, çështja e Aliut dhe Othmanit është në dorën e Zotit.”

Haxhaxh ia ktheu: “Ti je zotëria e hoxhallarëve o baba i Seidit!”

Por çështja për të cilën Hasan El Basriu doli kundër ideologjisë së omejadëve, ka të bëjë me kaderin, caktimin e Zotit. Mabed El-Xhihenij dhe Ata ibn Jesar, shkonin tek Hasan El Basrij dhe i thonin: “O babai i Seidit! Sovranët tanë, derdhin gjakun e myslimanëve dhe u marrin pasuritë pa të drejtë, mandej thonë: “Ne thjesht po zbatojmë caktimin e Zotit.”

Hasani u përgjigjej: “Kanë gënjyer armiqtë e Zotit!”

Ky ishte një qëndrim i hapur dhe i qartë, për të cilin u detyrua të reflektojë për shkak të presioneve të dyanshme, si nga përfaqësuesit e pushtetit politik ashtu dhe nga përfaqësuesit e pushtetit fetar.

Kalifi Abdul Melik ibn Mervan, i pati dërguar një letër, ku i kërkonte sqarime lidhur me mendimin e tij rreth kaderit. Hasan El Basriu i ktheu përgjigje, ku i sqaronte rrethanat në të cilat e kishte thënë atë fjalë, se kishte dashur të hedhë poshtë atribuimin e vullnetit për gjynahe ndaj Zotit.

Në qëndrimin e tij të ri, Hasan El Basri thotë:”Çdo gjë ndodh me caktimin dhe vullnetin e Zotit, përveç gjynaheve.”

Kjo është një deklaratë e korrigjuar dhe reflektim i Hasan El Basriut pas qëndrimeve dhe gjykimeve të tij të mëparshme.

Nga ana tjetër, teza që mbron vullnetin e lirë të njeriut dhe drejtësinë përballë pushtetarëve, në vend që të gëzonte mbështetjen e shumicës së dijetarëve, u sulmua dhe nga gjenerata e fundit e sahabëve, të  cilët i porosisnin ndjekësit e tyre që të mos u japin selam kundërshtarëve kaderij, as t’ia falin xhenazen dhe as t’i vizitojnë të sëmurët e tyre. Në këto kushte, nuk është i çuditshëm reflektimi i Hasan El Basriut dhe tërheqja nga mendimi i tij rreth kaderit, caktimit.

Megjithatë, Hasan El Basri nuk hoqi dorë nga kritikat ndaj qeveritarëve, saqë ndonjëherë thërriste me zë të lartë në treg: “O njerëz! Mos u mashtroni nga luksi dhe jetesa përrallore e tyre! Shihni biografinë dhe fundin e keq të tyre! Kam dëgjuar disa nga shokët e Profetit (a.s) të thonë: “Nga shenjat e Ditës Kiametit është se në tokë do të vijnë sovranë të poshtër, vezirë mashtrues, nëpunës tradhtarë, dijetarë të ligj dhe ekspertë zullumqarë. Unë kam frikë se mund të jetë koha jonë e tillë.” Hasani e komenton këtë thënie dhe thotë: “Po sikur të kishin jetuar kohën tonë, çfarë do të thonin?!”

Kur Omer ibn Abdul Azizi mori kalifatin, i shkroi një letër Hasan El Basriut, ku i kërkonte ta këshillojë. Hasani i ktheu përgjigje dhe pasi kalifi e lexoi tha: “Zoti e mëshiroftë Hasanin! Ai vazhdon të na mbajë zgjuar me këshillat e tij dhe nuk na lejon të biem në indiferentizëm. Eh sa këshillues zemërbardhë, i sinqertë dhe i drejtë është ai!”

Nga gjithçka që u përmend, konkludojmë se gjykimet e tij politike nuk ishin në harmoni me qëndrimet e kohës, ose thënë ndryshe në pajtim të plotë me politikat e një partie politike të caktuar. Qëndrimet e tij, në radhë të parë buronin nga përkushtimi i tij ndaj besimit dhe parimeve fetare. Hasani i kritikonte pa ngurruar pushtetarët e kohës së tij, dhe kur e tepronte dhe zemëronte Haxhaxhin, fshihej për disa kohë dhe nuk dilte në publik. Ai vazhdoi në këtë rrugë derisa i erdhi vdekja.

Megjithatë, ai nuk ishte dakord as me ata që morën pjesë në përpjekjet për ndryshimin e “të keqes” me dorë, thënë ndryshe, largimin e pushtetarëve me forcë.

Autor: Muhamed Hilmi Abdul Vehab

Përktheu: Elmaz Fida

[1] – Taha: 51-52.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *