Sekti “Alevit”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Historia e shfaqjes së sektit “Alevit”

Sekti Alevit është shfaqur në shekullin III të hixhrit ose në shekullin IX të erës sonë. Ky sekt konsiderohet si një prej sekteve ekstreme të shiizmit, anëtarët e të cilit pretendojnë se Ali ibn Talib është hyjni. Në fillim ky sekt emërtohej me emrin “Nusejrit”, por më pas e ndryshuan emrin e tyre në “Alevit” për të ndryshuar natyrën e vërtetë të doktrinës së tyre dhe për të krijuar një përshtyptje të mirë tek njerëzit. Në ditët e sotme ata vazhdojnë të njihen me këtë emër.

Themelues i këtij sekti ishte Muhamed ibn Nusajri El Basri En Numajri i cili ka vdekur rreth vitit 270 hixhri. Ai pretendoi profetësinë dhe shpalljen e mesazhit hyjnor.

Besimi i sektit “Alevit”

Besimi dhe idetë kryesore të këtij sekti janë:

1 – Hyjnizmi i imam Aliut. Alevitët besojnë se Ali ibn Ebu Talib është zot.

2 – Respektimi i Abdurrahman ibn Mulxhemit. Abdurrahman ibn Mulxhemi është personi cili ka vrarë imam Aliun dhe ata e duan, e respektojnë dhe luten për të, sepse ai është bërë sebep që imam Aliu është çliruar nga natyra njerëzore për t’u shndërruar në zot. Ata e konsiderojnë si gabim mallkimin që i adresohet atij.

3 – Aliu në re. Disa prej tyre besojnë se imam Aliu jeton në re dhe se ai është çliruar nga natyra njerëzore. Kur ata shohin një re thonë: Paqa qoftë mbi ty o Ebu Hasan (Ali). Ata besojnë se zëri i bubullimës është zëri i Aliut, ndërsa vetëtima është kamzhiku i tij.

4 – Shenjtërimi i verës. Ata e madhërojnë dhe e shenjtërojnë verën dhe si rrjedhojë edhe e konsumojnë atë. E përsa i përket hardhisë, ata e shenjtërojnë edhe atë.

5 – Falja e namazit. Ata falen pesë herë në ditë, por në dallim me namazin që falin muslimanët, namazi i tyre nuk përmban sexhde.

6 – Ritet fetare. Ritet fetare të tyre ngjasojnë me meshën e të krishterëve.

7 – Haxhi. Ata nuk besojnë në ritualin e haxhit dhe e konsiderojnë atë si një akt mosbesimi dhe adhurim që i ngjan idhujtarisë.

8 – Zekati. Ata nuk besojnë në zekatin që Allahu i Madhëruar e ka bërë obligim. Megjithatë ata paguajnë një taksë të caktuar tek prijësit e tyre që është sa një e pesta e pasurisë së tyre.

9 – Agjërimi. Agjërimi për ta është vetëm ndalimi nga marrëdhëniet intime gjatë Ramazanit.

10 – Interpretimi ezoterik i Islamit. Ata kanë një interpretim të fshehtë dhe të ndryshëm të rregullave dhe të parimeve të Islamit. Për këtë arsye ata nuk besojnë në shehadet, namaz, zekat, agjërim, haxh dhe rregulla të tjera, ashtu sikur besojnë muslimanët anembanë botës.

11 – Përzierja e besimeve. Besimet e tyre janë një miksim doktrinash të ndryshme duke përfshirë paganizmin e lashtë, adhurimin e yjeve dhe planetëve, filozofinë mazdeiste, krishterimin dhe besimet indiane, aziatike të kombinuara me elementë nga shiizmi ekstrem.

12 – Festat. Ceremonitë e tyre festive kanë shumë elementë të një sërë miksimive midis besimeve të ndryshme. Disa prej festave të tyre janë:

A – Festa e Sulltan Nevruzit më 4 Prill që përkon me fillimin e vitit të ri Persian.

B – Dita e Ashurasë që lidhet me rënien dëshmor të imam Husejnit.

C – Festa e Kurban Bajramit të cilët e festojnë më 12 Dhul Hixhe ndryshe nga muslimanët.

D – Festat e të krishterëve si Ditën e Pagëzimit, Krishtlindjen, Festën e Kryqit dhe të tjera.

E – Dita kur është vrarë Omer ibn Hatabi. Këtë ditë ata e festojnë me gëzim, hare dhe ndihen të lumtur sepse kanë arritur të hakmarren ndaj tij.

Qëndrimi i dijetarëve muslimanë ndaj sektit “Alevit”

Bazuar në besimet e tyre dhe praktikat e tyre, dijetarët muslimanë këtë sekt e konsiderojnë si një sekt larg besimit islam, megjithëse ata vetë pretendojnë se janë të tillë.

Burimi: Enciklopedia e thjeshtë e feve, sekteve dhe grupacioneve

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *