Në moshën tre vjeçare Muhamedi (a.s) u kthye në Meke që të jetonte me të ëmën. Tre vjet më vonë, Amineja vendosi ta marrë të birin për të vizituar dajallarët e tij në Jethrib. Ajo i tha shërbëtores së vet që të përgatiste gjithçka që u nevojitej përgjatë rrugës, e pastaj iu bashkangjit njërit prej karvanëve që ishte nisur për atje.
Ata qëndruan në Jethrib afro një muaj, ndërsa Muhamedi (a.s) u gëzua shumë që i vizitoi kushërinjtë e tij. Në Jethrib, klima ishte shumë e përshtatshme dhe shumë e favorshme. Pas një muaji qëndrimi afërsisht, Amineja vendosi të kthehej në Meke bashkë me të birin. Mirëpo gjatë kthimit ajo u sëmur ku dhe ndërroi jetë. Ajo u varros në fshatin Evbe, pranë Jethribit. Padyshim Profeti Muhamed (a.s) u mërzit shumë nga kjo, por ky ishte caktimi i Allahut të Madhëruar. Ai u kthye në Mekë bashkë me shërbëtoren e të jëmës. Kështu në moshën gjashtë vjeçare ai ngeli jetim, pa nënë dhe pa baba.
Kur Profeti Muhamed (a.s) shkoi në Mekë për të u kujdes gjyshi i tij Abdulmutalibi, i cili e donte shumë. Abdulmutalibi e kishte zakon të rrinte pranë Qabes i ulur mbi një batanije. Atje, ai – gjithmonë – ishte i rrethuar me njerëz të cilët vinin për të biseduar me të. Askujt nuk i lejohej që të ulej në batanije pranë tij, përveç nipit të tij të vogël jetim. Abdulmutalibi shpehsherë thoshte: “Ky djalë, një ditë do të bëhet shumë i rëndësishëm.”
Pas dy vjetësh, Abdulmutalibi u sëmur rëndë. Ai e thirri djalin e tij Ebu Talibin dhe e porositi atë që pas vdekjes së tij të kujdesej për Muhamedin (a.s) dhe ai e mori përsipër. Pas vdekjes së Abdulmutalibit, Ebu Talibi e mori Profetin Muhamed (a.s) në shtëpinë e tij për t’u kujdesur për të megjithëse ai vetë kishte shumë fëmijë për të rritur.