Autor: Ragib Sirxhani
Seriali i temave që do të trajtoj, mendoj të titullohet: “Bëhu si sahabët”. Ky serial temash nuk është gjë tjetër, vetëm se një mundësi për t’u afruar sa më shumë me brezin e sahabëve. Brezi i tyre është një brez i përzgjedhur, që i përket një kategorie të lartë njerëzish. Në histori nuk ka patur si ky brez, qoftë përpara apo pas tyre. Është brezi, për të cilin Profeti (a.s) ka dëshmuar, se si ky brez nuk ka për t’u shfaqur deri në ditën e Gjykimit. Madhështia dhe vlera e sahabëve shfaqet tek i gjithë ky brez, i cili karakterizohet me cilësi specifike. Lavdërimi i takon Allahut (subhanallah); një brez i tërë: me besim të pastër, me morale të larta, transmetues të besueshëm, me zemër të pastër, me vendosmëri të pashoqe..etj. Pra, një brez i tërë që karakterizohet me morale të larta. Ndodh që në një periudhë kohore të shfaqet një person që është gjeni, ose në një brez të caktuar të shfaqet një grup njerëzish të sinqertë, të besueshëm e të devotshëm, por që të dalë një brez i tërë, siç është brezi i sahabëve, të jetë i dëlirë dhe me kaq shkëlqim, kjo është një çështje që me të vërtetë të habit. Pikërisht kjo gjë të tërheq vëmendjen tek ky brez unik. Kjo do të thotë, se nëse në një periudhe kohore shfaqet një person, që është si Umer ibnul Hatabi (r.a), atëherë ky brez ka se me çfarë të krenohet. Apo nëse shfaqet dikush që është si Ebu Bekër Es Sidik, si Talha Ubejdullah, si Halid ibnu Uelid, apo si Ebu Hurejra (Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ata), e kështu me radhë, atëherë vetëm ky njeri që mund të shfaqet është krenaria e këtij brezi, sepse askush nuk është si ai. Por, që në një periudhë të vetme të shfaqen të gjithë, kjo me të vërtetë është një çështje e habitshme, çështje unike.
Me këtë serial temash nuk synojmë që të transmetojmë fjalët dhe veprat e sahabëve, pra nuk kemi për qëllim, që të bëjmë një biografi të tyre. Ne nuk synojmë të parashtrojmë të gjitha ndodhitë, por duam që të mësojmë, se si të shëmbëllejmë me brezin e sahabëve, si të jemi si ata, si të ecim edhe ne në rrugën, nga e cila kanë kaluar ata, si të arrijmë atë që kanë arritur sahabët, qoftë në këtë botë apo në botën tjetër. Përpara se të mësojmë, se si arritën të jenë në gradën e të përzgjedhurve, si arritën aty ku kanë arritur, apo se si të ndjekim gjurmët e tyre, dëshiroj të flas për vlerën e këtij brezi në peshoren e Islamit, vlerën e këtij brezi në peshoren e historisë, madje vlerën e këtij brezi tek Allahu i Lartësuar.
Ky është i vetmi brez në historinë islame, vlerën e të cilit mund ta njohësh tek Allahu i Lartësuar, sepse që të njohësh realisht vlerën e një brezi, duhet patjetër që të të lajmërojë Allahu në Kuran apo Profeti (a.s). Prandaj, për sa i përket brezave të tjerë, që vijnë pas tyre, askush nuk mund të flasë me siguri, nëse peshorja e tyre është e rëndë tek Allahu. Është e vërtetë, që për dikë mund të dëshmojmë, se ai është një njeri i mirë, por me siguri të plotë nuk mund të dëshmojmë, që ai është realisht në rrugën e drejtë, sepse vlerësimi i Allahut të Lartësuar për dikë nuk bazohet vetëm në aparencë, në veprat që ne i shikojmë. Vlerësimi nga Allahu bëhet në bazë të nijetit dhe ç’ka në zemër ai njeri. Në këtë pikë askush prej njerëzve nuk mund të flasë me siguri të plotë. Është e vërtetë që mund të ketë prova, që dëshmojnë se këta burra apo gra janë njerëz të mirë, por siç e theksuam edhe më lart, askush prej nesh nuk mund të dëshmojë për ta me siguri të plotë. Ne mund të shikojmë një njeri, që na duket si i mirë, por në të vërtetë ai nuk është ashtu siç e shikojmë ne, pasi të vërtetën e di vetëm Allahu i Lartësuar. Megjithatë, le të shikojmë brezin e sahabëve. Ja se çfarë thotë Allahu i Lartësuar për ata sahabë, që morën pjesë në besën e Ridvanit: “Me të vërtetë, Allahu është kënaqur me besimtarët, të cilët të dhanë besën nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt“.(Fet`h: 18). Ky ajet kuranor nuk flet për një apo dy sahabë, por ky ajet flet për 1400 sahabë. Dëgjo ajetin tjetër kuranor, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Padyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë, pasi zemrat e disave prej tyre për një fije qenë afër shmangies nga detyra, pastaj Allahu pranoi pendimin e tyre. Vëretet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta“. (Et Teube: 117. Ky ajet kuranor flet për 30000 sahabë, të cilët morën pjesë në luftën e Tebukut. Ndërsa për sa i përket brezave pas tyre, është e pamundur të themi me siguri, se Allahu e ka falur filanin. Sado vepra të mira të ketë bërë një njeri në këtë botë, kurrë nuk mund të jemi të sigurt, nëse ai është i mirë tek Allahu, pozitën që gëzon ai tek Allahu, apo në çfarë grade është ai në Xhenet dhe përfundimisht nuk mund ta dimë, nëse ai ka shpëtuar nga zjarri. Prandaj, për këtë arsye arrijmë të kuptojmë nocionin, të cilin Profeti (a.s) e nguliti në mendjen e sahabëve.
Imam Buhariu transmeton se Umu Ala (një grua nga ensarët) i dha besën Profetit (a.s). Kur muhaxhirët shkuan në Medine, Profeti (a.s) hodhi short se cilët muhaxhirë do të shkonin të jetonin në shtëpitë e ensarëve. Umu Alasë dhe bashkëshortit të saj i ra për hise që në shtëpinë e tyre të merrnin Othman ibnu Madh’un. Umu Ala tregon: “Ne e morëm Othmanin në shtëpi dhe ai jetoji me ne deri sa vdiq. Pasi e lamë dhe e qefinosëm, hyri Profeti (a.s)”. (Othmani është ndër muhaxhirët e parë, që kanë vdekur në Medine. Në të vërtetë Umu Ala kishte parë tek Othmani shumë cilësi të mira). Ajo tha: “Allahu të mëshiroftë o Ebu Saib (që është Othman ibnu Madh’un). Unë dëshmoj se Allahu të ka nderuar. Kur Profeti (a.s), që ishte ulur, e dëgjon këtë fjalë thotë: “Nga e di ti se Allahu e ka nderuar atë?! (Subhanallah, kush prej nesh mund t’i ngjajë Othmanit, i cili është ndër të parët që ka besuar, ndër të parët që ka bërë hixhret në Abisini e më vonë në Medine, njërin prej syve e humbi në rrugë të Allahut e megjitatë duroi dhe ishte mjaft i vendosur në rrugën e tij, plus këtyre edhe shok i Profetit (a.s). Pra ishte një njeri i kompletuar, por megjithatë Profeti (a.s) i drejtohet Umu Alasë dhe i thotë: Nga e di ti se Allahu e ka nderuar atë?!) Umu Ala thotë: “O i Dërguar i Allahut, kë tjetër nderon Allahu, nëse nuk nderon Othmanin? Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Me të vërtetë atij i ka ardhur “Jekini” dhe unë shpresoj më të mirën për të (Me të vërtetë Othman ibnu Madh’uni është prej banorëve të Xhenetit dhe është mëse e vërtetë që Profeti (a.s) dëshiron për të gjithë të mirat, por megjithatë ai dëshiron që të ngulisë në mendjen e Umu Alasë dhe të gjithë të tjerëve që vijnë më pas, se askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se Allahu e ka nderuar filan njeri. Kjo fjalë thuhet vetëm në rastin e shpalljes hyjnore, qoftë nëpërmjet Kuranit, ose fjalës së Profetit (a.s). Pastaj me thjeshtësinë më të madhe Profeti (a.s.) tha: “Betohem në emër të Allahut, që edhe unë që jam i Dërguar i Allahut, nuk e di se çfarë do të më ndodhë mua. (Në këtë rast Profeti (a.s) po fliste për veten e tij duke qenë akoma gjallë). Pasi dëgjoi fjalën e Profetit (a.s), Umu Ala tha: “Betohem në emër të Allahut, që pas kësaj nuk do të them më fjalë të tillë për askënd. (pra ajo e kuptoi mirë qëllimin e Profetit a.s dhe e mbylli gojën).
Të njëjtën gjë nënkuptojmë nga hadithi, të cilin e transmeton sahabiu i nderuar Ebu Bekër Es Sidik (r.a), i cili thotë: “Një njeri lavdëroi dikë në prezencë të Profetit (a.s.). Profeti (a.s) reagoi menjëherë duke thënë:”Mjerë ti që ia preve qafën shokut tënd! Ia preve qafën shokut tënd. (këtë frazë ai (a.s) e përsëriti disa herë) Më pas tha:”Nëse dikush prej jush duhet që medoemos të lavdërojë dikë, atëherë le të thotë:”Unë mendoj se filani është i tillë, ndërsa Allahu ka për të qenë gjykatësi më i mirë për të”.
Pra, ajo që duam të nxjerrim nga transmetimi i teksteve të sipërpërmendura është fakti, se për brezat që vijnë pas brezit të sahabëve, nuk mund të themi me siguri të plotë se ata janë të mirë, apo të dëshmojmë me siguri të plotë për filanin se është i mirë, përderisa Kurani apo Profeti (a.s) nuk ka dëshmuar për të nëpërmjet shpalljes hyjnore. Megjithatë ky gjykim nuk vlen për brezin e sahabëve, sepse dihet shumë mirë dhe me siguri të plotë, se Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar ata. Që unë të them se Allahu i Lartësuar do ta gjykojë Umer ibnul Hatabin (r.a) dhe se mua nuk më lejohet ta lavdëroj atë, kjo është e papranueshme, sepse Umerin (r.a) e ka lavdëruar Allahu dhe i Dërguari i tij. Prandaj kjo specifikë i takon vetëm brezit të sahabëve dhe është një rast unik vetëm për brezin e tyre.
Pra brezi i sahabëve me të vërtetë është një brez unik, që në të gjithë historinë e njerëzimit nuk ka për t’u përsëritur për disa arsye thelbësore. Përse ky brez arriti deri në majat më të larta? Unë mendoj se ky brez arriti majat më të larta për tre arsye:
Arsyeja e parë: Ky brez është brez i përzgjedhur nga Allahu i Lartësuar, që do të thotë se: të gjithë sahabët u krijuan posaçërisht për të qenë shokët e Profetit (a.s), që do të thotë se prezenca e Ebu Bekrit duhet të ishte e domosdoshme. Mosprezenca e tij është absurde, sepse ai do të luante një rol që nuk e luante askush prej tij. Prezenca e Umerit, Othmanit, Alijut, Talhas, Zubejrit, Bilalit, Halidit, Hatixhes, Aishes dhe të gjithë sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë) duhet të ishte e domosdoshme, sepse Allahu ashtu siç përzgjedh të dërguar nga ëngjëjt, po ashtu ka përzgjedhur shokë për Profetin (a.s) Allahu thotë në Kuran: “Allahu zgjedh të dërguar prej ëngjëjve dhe prej njerëzve. Allahu dëgjon dhe sheh“. (El Haxhxh: 75). Ja se çfarë thotë Allahu për shokët e Profetit Isa (a.s): “Përkujto! Kur i shpalla dishepujve që besoni tek Unë dhe i Dërguari im. Ata thanë: Ne kemi besuar“. Pra edhe shokëve të Profetit Isa (a.s) iu drejtua nëpërmjet inspirimit apo shpalljes në mënyrë indirekte, sepse ata duhet ta përkrahin dhe mbështesin atë në transmetimin e mesazhit hyjnor, prandaj edhe Allahu i përzgjodhi ata në një formë të caktuar. Më të vështirë se kjo, janë shokët e Profetit Musa (a.s), të cilët njihen si më të këqijtë, më të pandreqshmit e më të paedukatët, e me gjithë këto cilësi negative të tyre, Allahu thotë në Kuran për ta: “Ne i përzgjodhëm ata me vetëdije ndër njerëzit e asaj kohe. Dhe u dhamë argumente, në të cilat patën përvojë të qartë“. (Ed Duhan: 32-33).
Ndërsa për sa i përket shokëve të Profetit (a.s), imam Ahmedi transmeton se Ubad ibnu Samid ka thënë: “Një natë shokët e humbën Profetin (a.s). Ata e kishin zakon gjatë udhëtimit, që kur flinin gjumë, e vendosnin Profetin (a.s) në mes për ta ruajtur. Kur u zgjuan nga mesi i natës nuk e gjetën Profetin (a.s). Ata u trembën dhe kujtuan, se Allahu përzgjodhi shokë të tjerë për Profetin (a.s). Pasi e gjetën thanë: Allahu Ekber (Allahu është më i madhi), pastaj i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Patëm frikë se mos Allahu përzgjodhi shokë të tjerë përveç nesh”. Profeti (a.s) tha: “Jo, ju jeni shokët e mi në këtë botë dhe në botën tjetër”.
Sahabët janë një brez i përzgjedhur, sepse mbi supet e tyre do të rëndonte pesha e gjithë kësaj feje, që do të transmetohej nga Profeti (a.s) tek të gjithë njerëzit. Dihet, se pas Profetit (a.s) nuk ka më Profet tjetër. Çfarë do të ndodhte, nëse shokët e tij do të njiheshin si gënjeshtarë e mashtrues, tradhtarë, dembelë, letargjikë, apo si të apasionuar pas jetës së kësaj bote. Si do të ishte gjendja e gjithë rruzullit tokësor, nëse feja do të transmetohej e turbullt, e ndryshuar dhe e shtrembëruar? Prandaj për këtë arsye Allahu përzgjodhi për Profetin (a.s) shokë të tillë, të cilët e dëgjuan atë me qetësi me përkushtim e vlerësim, që më pas atë që dëgjuan, të na e transmetonin neve për të qenë dëshmues përpara Allahut, që e përcollën fenë e Tij tek njerëzit. Përndryshe si do t’i gjykojë Allahu njerëzit në të gjithë rruzullin tokësor, të cilët kanë ardhur pas vdekjes së Profetit (a.s), ndërkohë që i Lartësuari thotë: “Ne nuk e ndëshkojmë një popull, derisa tek ta të dërgojmë të Dërguar“. Pra, duhet të ekzistojë një brez, që e mbart amanetin e mesazhit hyjnor dhe më pas këtë amanet ua përcjell të plotë brezave të mëvonshëm, tamam sikur në mesin e tyre të jetë Profeti (a.s), sepse ashtu siç e përmenda dhe më sipër, pas Profetit (a.s.) nuk do të ketë më Profet.
Kjo pra është arsyeja e parë, që ky brez është brez unik dhe që nuk do të përsëritet, sepse ky ishte një brez i përzgjedhur nga Allahu i Lartësuar, nga përkujdesja e Tij hyjnore për të qenë shokë të Profetit (a.s).
Arsyeja e Dytë: Kjo arsye është mjaft e rëndësishme. Përvoja e këtij brezi ishte unike, një sërë përvojash që asnjë prej brezave të mëvonshëm nuk i ka provuar. Le të shikojmë, se çfarë përvoje ka kaluar ky brez.
Si fillim ata e kanë parë me sytë e tyre Profetin (a.s), u mblodhën rreth tij, bashkëpunuan me të, u falën pas tij dhe i dëgjuan fjalët e tij. Kjo çështje në vetvete është madhështore. Nëse ndodh që një mysliman pas brezit të sahabëve do të shikonte Profetin (a.s) në ëndërr, kjo do të konsiderohej një nder shumë i madh për të dhe realisht kështu është. Madje vetë Profeti (a.s) e përmend diçka të tillë. Ebu Hurejre (r.a) transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: “Ai i cili më shikon në ëndërr, më ka parë në formën reale, sepse shejtani nuk mund të shfaqet në formën time”. (Transmeton Buhariu). Pra nëse të shikosh Profetin (a.s) në ëndërr konsiderohet madhështore, ç`mund të themi për ata, të cilët e kanë parë atë me sytë e tyre për çdo ditë, për çdo moment?! Sahabët nuk e kanë parë thjesht në ëndërr, apo vetëm një çast, përkundrazi e kanë parë atë gjatë gjithë jetës.
Tani, le të imagjinojmë së bashku sikur unë të them, se filan person është sjellë mjaft mirë me një njeri, patjetër që ti do të krijosh një përshtypje të mirë për të dhe do ta duash. Po sikur ky person do të ishte sjellë mirë me ty? Pra, të ishte një përvojë personale, që e ke përjetuar vetë ti? Çfarë do të mendosh për të dhe si do të sillesh me të? P.sh: kur dëgjon se Profeti (a.s) i jepte dikujt aq shumë lekë, saqë ai nuk kishte më frikë nga varfëria, padyshim që ai do ta dojë me gjithë shpirt Profetin (a.s). Po sikur të ishe ti ai, që do të merrje këtë shumë të hollash personalisht nga Profeti (a.s)? Psh: kur dëgjon fjalën e Abdullah ibnu Harith (r.a), i cili thotë: “Nuk kam parë njeri më të qeshur se Profeti (a.s)”. Padyshim që buzëqeshja e tij do të fitonte zemrën tënde. Imagjino sikur Profeti (a.s) të të buzëqeshte ty. Dimë se Profeti (a.s) i vizitonte të sëmurët dhe merrte pjesë në xhenaze. Imagjino sikur ti të ishe i sëmurë dhe Profeti (a.s.) të të vinte për vizitë, apo një i afërmi yt të kishte ndërruar jetë dhe Profeti (a.s) të merrte pjesë në xhenaze. Si do të jenë lidhjet e tua me Profetin (a.s) dhe në çfarë grade do të jetë besimi yt. Ndërsa për sa i përket shikimit të Profetit (a.s), padyshim se kjo gjë ka një influencë mjaft të madhe. Dëgjoni se çfarë thotë Abdullah ibnu Selam (r.a) në hadithin e saktë, që e transmeton imam Tirmidhiu: “Kur e pashë fytyrën e Profetit (a.s) e kuptova se fytyra e tij nuk ishte gënjeshtare”. Pra thjesht shikimi i fytyrës së Profetit (a.s) lë gjurmë, që nuk mund të harrohen kurrë. Po kështu edhe përsa i përket vulës së Profetësië. Shumica e sahabëve e kanë parë vulën e Profetësisë, që ndodhej në mesin e supeve të Profetit (a.s) Selman El Farisi, Abdulla ibnu Serxhes, Amër ibnul As dhe shumë të tjerë (Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ata) e kanë parë atë. Nuk është njëlloj si ai njeri që e ka parë vulën e Profetësisë, si ai që e ka dëgjuar. Kështu pra, kjo është përvoja e parë, të cilët e kanë përjetuar vetëm sahabët dhe askush tjetër.
Përvoja e dytë, të cilën e kanë përjetuar vetëm sahabët dhe askush tjetër është, se ata e kanë përjetuar Kuranin. Psh: ne e lexojmë Kuranin dhe dëgjojmë për disa ajete, të cilat kanë zbritur për shkaqe të ndryshme. Ndërkohë që sahabët i kanë përjetuar vetë shkaqet e zbritjeve të ajeteve kuranore. Ata e përjetuan me gjithë qenien e tyre zbritjen e Kuranit për ngjarje nga më të ndryshmet që ndodhnin. Nuk ka dyshim, se ky përjetim ua shtoi besimin akoma më tepër, në gradën më të lartë që mund të të shkojë mendja. Le të imagjinojmë së bashku gruan, që shkoi te Profeti (a.s) për t’iu ankuar për bashkëshortin e saj, i cili i kishte thënë, se shpina jote është si shpina e nënës sime. Imagjino ndjenjat e kësaj gruaje kur zbresin ajete kuranore, që flasin personalisht për të. Imagjinoje atë grua duke falur namaz dhe në namaz lexon suren “Muxhadele”, duke dëgjuar suren “Muxhadele”, apo duke lexuar ajetin kuranor: “Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj që diskutoi me ty për burrin e vet dhe iu ankua Atij. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, sepse Ai dëgjon dhe sheh gjithçka“. Nuk ka dyshim se ndjenjat e saj me çdo fjalë të këtij ajeti janë komplet ndryshe me atë, që ndjejnë të gjithë myslimanët e tjerë, që e dëgjojnë këtë ajet kuranor. Gjithashtu imagjino ndjenjat e bashkëshortit të saj Eus ibnu Samit (r.a) me këto ajete, i cili dëgjon paralajmërimin hyjnor: “Ata që midis jush i ndajnë gratë e veta duke thënë se ju duken si nënat e veta, duhet ta dinë se ato nuk janë nënat e tyre. Nënat e tyre janë vetëm ato, që i kanë lindur ata. Fjalët që ata thanë, janë të pahijshme dhe të pavërteta. Megjithatë, Allahu është Falës dhe Shlyes i gabimeve“. Nuk ka dyshim se ndjenjat e tij janë ndryshe nga ndjenjat e muslimanëve, që i dëgjojnë këto ajete, sepse ai i përjetoi këto ajete në momentin kur zbritën. Po ashtu imagjino ndjenjat e komshinjve të Haule bintu Tha’lebe (r.a) të cilët lexojnë fillimin e sures “Muxhadele” dhe ata e dinë mjaft mirë, se këtoj ajete kanë zbritur për komshien e tyre. Po ashtu imagjino se si është ndjerë një shoqëri e tillë, kur ka lexuar këto ajete. Një ditë Haule bintu Tha’lebe (r.a) po ecte në rrugë, kur ndeshet me Umer ibnul Hatabin (r.a) dhe bashkë me të edhe shumë njerëz të tjerë, madje bashkë me të ishin edhe disa njerëz, që i përkisnin elitës së Kureshitëve. Ajo e ndaloi Umerin (r.a). Ai u afrua pranë saj, dhe pasi mbaruan çfarë kishin për të diskutuar, ajo u largua. Një person i cili ishte me Umerin, i drejtohet atij me këto fjalë: “O prijës i besimtarëve, gjithë këta burra kurejshitë i ndale për një plakë?! “Mjerë ti – i thotë Umeri, A e di ti se kush është ajo”? “Jo – u përgjigj ai. Kjo është ajo grua, të cilës Allahu ia dëgjoi ankesën sipër shtatë qiejve. Ajo ishte Haule bintu Tha’lebe. Dhe nëse ajo do të rrinte me mua deri në darkë, unë do të rrija me të deri në darkë derisa t’ia kryeja hallin që kishte”. Shiko pra, se sa e respektonte Umeri (r.a) këtë zonjë të nderuar, sepse për të kishin zbritur disa ajete kuranore, 3 ose 4 ajete në fillim të sures Muxhadele.
Po kështu mund të flasim edhe për të gjithë ajetet e tjera kuranore, të cilat kanë zbritur për ngjarje, situata dhe rrethana të ndryshme. Sahabët e kanë përjetuar çdo fjalë, nuk po them çdo ajet, që zbriste nga Allahu i Lartësuar.
Imagjino, vëlla i nderuar, sikur ti ke marrë pjesë në luftën e Bedrit, dhe më pas ti të dëgjosh suren “Enfalë”, që flet për këtë betejë. Nuk ka dyshim, se ndjenjat e tua do të jenë krejt ndryshe me ndjenjat e myslimanëve të tjerë, të cilët e lexojnë këtë sure. Ata vetëm thjesht e imagjinojnë, se çfarë u ndodhi myslimanëve në betejën e Bedrit. Ndërsa për sa i përket sahabëve, ata e kanë përjetuar plotësisht vetë këtë ndjenjë, sepse morën pjesë në betejën e Bedrit nga fillimi deri në fund. Allahu thotë në Kuran: “Të pyesin ty o Muhamed për plaçkën e luftës. Thuaj: Plaçka e luftës i përket Allahut dhe të Drëguarit. Prandaj, frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis dhe jush dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë“. (El Enfalë: 1). Pati një lloj fërkimi ndërmjet sahabëve në shpërndarjen e plaçkës së luftës, sidomos për çështjen e ensarëve. Kjo përvojë është ndryshe me ne, sepse ne jemi të porositur që të rregullojmë marrëdhëniet me të tjerët, pasi nuk e kemi jetuar këtë ndodhi. “Allahu ju premtoi fitoren mbi njërin prej dy grupeve, që ai të ishte i juaji. Ju dëshironit që grupi i paarmatosur të ishte i juaji, ndërsa Allahu dëshironte të përmbushte premtimin e Tij dhe t’ua zhdukte rrënjët mohuesve“. (El Enfalë: 7). Sahabiu e lexon këtë ajet dhe mendon: “Ne dëshironim karvanin, që ishte i paarmatosur, nuk dëshironim që të ndesheshim me ushtrinë, megjithatë Allahu dëshironte një gjë tjetër”. Pra, sahabiu i nderuar jetonte me çdo fjalë të Allahut. “Ai bëri që të koteni në gjumë të lehtë si shenjë sigurie nga ana e Tij“. (El Enfalë: 11). Në betejën e Bedrit disa sahabë u kotën. Madje kjo ndodhi edhe në betejën e Uhudit, gjë që përmendet në Kuran: “Pas lodhjes, ju bëri që të koteni për gjumë si shenjë sigurie për ju“. Ebu Talha el Ensari (r.a) ka thënë: “Isha prej atyre, të cilëve në betejën e Uhudit na kaploi kotja, shpata më ra nga dora disa herë dhe i shikoja të tjerët, që mbështilleshin poshtë mburojës. Cilat do të jenë ndjenjat e Ebu Talhas kur lexon këtë ajet kuranor, duke qenë se ai ishte prej atyre që i kaploi kotja. Këtë ndodhi ai ia tregon të tjerëve. Si ndihet vetë ai dhe të tjerët që e dëgjoojnë?! “Kur u përballët me armikun, Ai ua shfaqi ata në sytë tuaj sikur ishin të pakët në numër, ndërsa juve ju bëri të dukeshit pak në sytë e tyre, për të përmbushur atë që ishte caktuar“. (El Enfalë: 44). Edhe ky ajet ka zbritur për betejën e Bedrit. Ibnu Mesu’di thotë: “Ata na u dukën shumë pak, saqë i thashë dikujt që kisha pranë: Vallë! A janë nja 70 vetë” Në të vërtetë ata ishin 1000 vetë, mirëpo muslimanëve iu dukej, sikur ata ishin vetëm 70 vetë. Ndërkohë që shoku, të cilit i foli Abdullah ibnu Mes’udi, tha: “Jo, ata janë më tepër se 70, numri i tyre mund të jetë deri në 100 vetë. Ibnu Mes’udi vazhdon të tregojë. Kapëm një person prej tyre dhe e pyetëm: “Sa vetë jeni”? “1000” – u përgjigj ai.
Të njëjtën analogji bëje me betejat e tjera, që zhvilluan sahabët me Profetin (a.s) kur ai ishte gjallë; me betejën e Uhudit, Ahzabit, Hunejnit..etj.
Pra, e përsëris edhe njëherë, sahabët e kanë përjetuar çdo fjalë të Kuranit. Ky përjetim dhe kjo përvojë i bën ata, që të jenë me të vërtetë brez unikal.
Le të shohim dy çështje të tjera:
E para: Imagjino Abdullah ibnu Umi Mektumin (r.a), për të cilin kanë zbritur ajetet e para të sures “Abese”. Të gjithë ne e dimë ndodhinë. Imagjino Abdullah ibnu Mektumin duke lexuar ajetin kuranor: “Ai (a.s) u vrenjt dhe e ktheu kurrizin, kur i erdhi pranë i verbri. E ku e di ti, ndoshta ai dëshironte të pastrohej nga gjynahet..” deri në fund të ajeteve. Si ndihet kur lexon këto ajete e mos t’i shtohet devotshmëria dhe përkushtimi. Imagjino se si ndihet sahabiu, i cili falet pranë tij në xhami, në të njëjtin rrjesht, duke dëgjuar këto ajete. Ai e di mjaft mirë, se për kanë zbritur këto ajete. Imagjino gjendjen e Ebu Bekrit (r.a), besimin e tij të lartë dhe se sa pranë Zotit është, kur lexon ajetet kuranorore: “Do të largohet prej zjarrit më i devotshmi, që e jep pasurinë e tij, duke pastruar veten dhe duke mos pritur shpërblim prej dikujt tjetër për këtë, por vetëm për të kërkuar kënaqësinë e Zotit të tij, më të Lartit. Dhe ai me siguri do të jetë i kënaqur“. (El Lejl: 17-21). Ai e di se këto ajete kanë zbritur për vetë atë. Si ndihet ai, kur lexon këto ajete.
E dyta: Imagjino se si ndihet Zejd ibnu Harithe (r.a) kur dëgjon ajetin kuranor: “E pasi Zejdi u nda nga gruaja e vet, Ne ta dhamë ty për bashkëshorte, në mënyrë që besimtarët të mos ngurrojnë, që të martohen me gratë e të birësuarve të tyre, pasi ata të jenë ndarë prej tyre“. (El Ahzab: 38). Imagjino se si ndihet Zejd ibnu Harithe, pasi emrin e tij e ka përmendur Allahu në Kuran. Po ashtu imagjino se si është ndjerë Zejneb bintu Xhahshin (r.a), kur ka dëgjuar këtë ajet kuranor, që flet pë të. Sahabija e nderuar krenohej gjithmonë përpara grave të Profetit (a.s) duke thënë: “Juve ju kanë martuar familjet tuja, ndërsa mua më ka martuat Allahu sipër shtatë qiejve. Pra, imagjinoni përjetimin e Zejnebes dhe bashkëshorteve të Profetit (a.s) në lidhje me Kuranin, sepse ato ishin në dijeni të asaj, se çfarë i kishte ndodhur Zejnebes.
Kështu pra, sahabët e kanë përjetuar plotësisht Kuranin dhe i kanë dëgjuar mesazhet hyjnore me veshë, jo si veshët tonë, me zemër jo si zemrat e muslimanëve të tjerë. Këta ishin sahabët (Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ata).
Përvoja e Tretë: Sahabët i panë me sytë e tyre paralajmërimet e Profetit (a.s) për gjërat e fshehta. Edhe ne i dëgjojmë ato, por ndryshe është ai, që i ka parë dhe ndryshe ai, i cili i dëgjon. Ata, të cilët jetojnë me ngjarjet apo me zor presin, që ato të ndodhin në një largësi prej dhjetëra apo qindra miljesh, janë ndryshe nga ai, i cili i dëgjon pas 100, 200 apo 1000 vjetësh, se Profeti (a.s) ka paralajmëruar për një gjë që do të ndodhë.
Për shembull: Profeti (a.s) ishte ulur bashkë me sahabët në Medine dhe po ju tregonte, se çfarë po ndodhte me muslimanët në betejën e Mu’tes në një largësi prej qindra miljesh nga Medina. Profeti (a.s) thoshte: “Komandën e mori Zejdi, i cili do të vritet, pastaj do ta marrë Xhaferi, i cili do të vritet, pastaj Ibnu Reuha, i cili edhe ai do të vritet”. Ndërkohë nga sytë e Profetit (a.s) rrodhën lot. Pastaj vazhdoi dhe tha: “Më pas, do ta marrë komandën shpata e Allahut, që do të gjejë një rrugë shpëtimi”. Ai do të jetë Ibnu Uelid. Më vonë, kur myslimanët u kthyen nga ekspedita, muslimanët që kishin qëndruar në Medine e kuptuan, se fjalët e Profetit (a.s) kishin qenë të vërteta. Si do të jetë besimi i sahabëve tek Profeti (a.s) dhe kjo fe. Ne i dëgjojmë dhe i besojmë paralajmërimet e Profetit (a.s), ndërsa sahabët i panë vetë me sytë e tyre ato.
Shembull tjetër: Një vali i Kisras, mbretit të Persisë dërgon dy njerëz tek Profeti (a.s) për ta sjellë atë tek Kisra. Profeti (a.s) i thotë atyre të dyve: “Zoti im e ka vrarë sot zotin tuaj”. Këtë fjalë Profeti (a.s) e tha në natën e martë, me datë 10 Xhumadul Ula në vitin e shtatë të hixhretit. Kaluan ditët, ndërkohë që sahabët e fiksuan ditën, kur ishte thënë kjo fjalë dhe realisht ndodhi tamam ashtu siç e kishte parashikuar Profeti (a.s), që Kisra ishte vrarë në atë natë. Ne e dëgjojmë ndodhinë, ndërkohë që sahabët e kanë jetuar këtë, duke pritur që të vërtetojnë fjalën e Profetit (a.s). Kjo ndodhi e rriti besimin tek sahabët.
Sahabët i panë me sytë e tyre mrekullitë, pa përmendur paralajmërimet Profetike. Edhe ne kemi dëgjuar për mrekullitë. Është e vërtetë se Kurani është mrekullia më e madhe. Por ata përveç Kuranit i panë mrekullitë e prekshme.
Për shembull: Ata panë çarjen e hënës: Xhubejr ibnu Mut’im (r.a) ka thënë: “Në kohën e Profetit (a.s) hëna u ça më dysh. Një pjesë e saj shkoi në një kodrinë dhe pjesa tjetër në një kodrinë tjetër. Njerëzit thanë: “Muhamedi na ka bërë magji. Po nëse ai na ka bërë magji neve, nuk është e mundur që ai t’i bëjë magji të gjithë njerëzve. Prandaj, prisni që të vijnë shtegtarët, që kishin dalë jashtë Mekes. Nëse ata kanë parë atë që kemi parë edhe ne, atëherë kjo është e vërtetë, por nëse ata nuk e kanë parë, atëherë Muhamedi na ka bërë magji vetëm neve”. Kur shtegtarët erdhën nga të gjitha anët thanë: “Po, e kemi parë çarjen e hënës. Realisht ata e panë çarjen e hënës, për të cilën Allahu ka thënë: “U afrua dita e Gjykimit dhe hëna është çarë“. (El Kamer: 1). Imagjinoje veten brenda në Meke bashkë me Profetin (a.s) dhe ti po e shikon ndarjen e hënës në dy pjesë. Nuk ka dyshim, se kjo ndodhi do të mbjellë një besim të palëkundur në zemrat e sahabëve.
Panë me sytë e tyre rënkimin e trungut të palmës. Imam Ahmedi transmeton nga ibnu Abbasi (r.a), i cili thotë: “Profeti (a.s) kur mbante hutbe, hipte mbi një trung palme. Kur ndërtuam minberin, në të cilin hipi Profeti (a.s), dëgjuam një rënkim nga trungu i palmës, për shkak të dhimbjes së ndarjes me Profetin (a.s). Profeti (a.s) u afrua tek trungu dhe e përqafoi atë. Pas kësaj trungu pushoi. Pastaj Profeti (a.s) tha: “Nëse nuk do ta kisha përqafuar, ai do të rënkonte deri në ditën e Gjykimit”.
Sahabët panë bereqetin në ushqim, pije, armatim, shëndet e në çdo gjë tjetër. Shembuj ka sa të duash dhe secila prej tyre është mrekulli më vete. Ndodhia e Xhabir ibnu Abdullahit (r.a) në betejën e Ahzabit është mjaft e dëgjuar. Kur po hapnin Hendekun, Xhabir ibnu Abdullahu (r.a) e pa, që Profeti (a.s) ishte i uritur, prandaj fshehtas të tjerëve e fton në shtëpi duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut! Hajde ti dhe tre sahabë në shtëpinë time për të ngrënë”. Mirëpo Profeti (a.s) i ftoi të gjithë ata, që po punonin në hapjen e hendekut. Të gjithë ata që e dëgjuan ftesën u përgjigjën dhe thuhet që numri i tyre ishte më i madh se 1000 persona. Të gjithë u drejtuan për tek shtëpia e Xhabir ibnu Abdullahut (r.a) dhe të gjithë hëngrën derisa u ngopën. Por pasi ata u larguan, Xhabirit i teproi ushqim edhe për komshinjtë. Kjo ndodhi është shumë e dëgjuar. Ne e dëgjojmë dhe besojmë një mrekulli të tillë. Imagjino sikur të kishim qenë ne ata, të cilët do të kishim ngrënë nga ky ushqim me bereqet. Një ushqim, që mund të ngopte vetëm 3 ose 4 njerëz, mjaftoi për 1000 persona e më tepër.
Shiko ndodhinë e Katade ibnu Nu’manit (r.a), i cili në luftën e Uhudit humbet njërin prej syve, që i ngel në dorë. Me syrin në dorë shkon tek Profeti (a.s), i cili ia ngjit. Madje ky sy ishte më i mirë dhe më i mprehtë se tjetri.
Ngjarje e ndodhi nga më të shumtat, saqë nuk mund të numërohen.
Po ashtu sahabët panë gjëra të tjera, që është e pamundur t’i shikojnë të tjerët. Për shembull: Në luftën e Bedrit sahabët panë ëngjëjt. Ebu Daud El Mazini (r.a), i cili mori pjesë në luftën e Bedrit thotë: “Gjatë luftës po ndiqja nga pas një idhujtar derisa e arrita. Kur papritur koka iu pre përpara se shpata ime ta prekte atë. E kuptova që atë e kidhte vrarë dikush tjetër përveç meje”. Kush mund të ishte tjetër përveç ëngjëllit!
Sahabët e kanë parë ëngjëllin Xhibril, kur ai vinte tek Profeti (a.s) në formën e një njeriu. Pasi ai largohej, ata e merrnin vesh, se personi që ishte ballë përballë me Profetin (a.s) ishte ëngjëlli Xhibril dhe jo një ëngjëll i çfarëdoshëm, por përkundrazi ëngjëlli më me peshë nga të gjithë të tjerët. Umer ibnul Hattabi (r.a) tregon: “Një ditë, teksa po rrinim me të Dërguarin e Allahut, na u afrua një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zinj. Tek ai nuk dalloheshin shenjat e udhëtimit dhe asnjëri nga ne nuk e njihte. U ul pranë Profetit (a.s), mbështeti gjunjët e tij tek gjunjët e Profetit (a.s), vendosi duart e veta mbi kofshët e tij dhe e pyeti për Islamin, besimin, ihsanin, ditën e Gjykimit dhe shenjat e ditës së Gjykimit, kurse Profeti (a.s) i jepte përgjigje. Pas të gjithë këtyre pyetjve ai u largua. Umeri ngeli i habitur. Pas një çasti heshtje Profeti (a.s) e pyeti: “O Umer, a e di se kush pyeti”? “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri” – u përgjigj Umeri. Profeti (a.s) tha: “Ai ishte Xhibrili (a.s), erdhi për t’ju mësuar fenë tuaj”. Në shumicën e rasteve Xhibrili i shfaqej Profetit (a.s) në formën e një sahabiu shumë të bukur, pikërisht në formën e Dahja El Kelbijit (r.a). Sahabët e njihnin Xhibrilin në çfarëdo lloj forme që ai të vinte. Nëse nuk e kuptonin, Profeti (a.s) i njoftonte. Ardhja e Xhibrilit në formën e Dahjas, u përsërit disa herë, kur Profeti (a.s) ishte gjallë.
Profeti (a.s.) ju flet sahabëve për Luhaj ibnu Amrin, i cili solli për herë të parë idhujt tek arabët. Më shumë atij i ngjan Ma’bed ibnu Ekthem (r.a), që ishte sahab. Kështu që sahabët parafytyronin Luhaj ibnu Amrin dhe e përngjasonin atë me Ma’bedin. Ata jetonin me shembujt më tepër sesa ne. Ma’bedi, i cili ishte ulur dhe po dëgjonte fjalët e Profetit (a.s.), tha: ” A më dëmton përngjasimi im me të”? “Jo – i tha Profeti (a.s), ti je besimtar dhe ai është jobesimtar”.
Çështja nuk mbaron me kaq. Ne të gjithë kemi dëgjuar për Dexhalin, sprovën e Dexhalit që është shumë sprovë e rëndë, është prej shenjave të ditës së Gjykimit. Ja se si e përshkruan Profeti (a.s) Dexhalin: “Ai është qorr në njërin prej syve, gjysëm tullac, me fyt të madh dhe i kërrusur. Ai i ngjan Katan ibnu Abdul Uza”. Katani i cili ishte prezent e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a më dëmton përngjasimi me të”? “Jo, ti je musliman, ndërsa ai është jobesimtar” – u përgjigj Profeti (a.s). Kjo do të thotë, se sahabët e dinin se kujt i ngjante Dexhali. Ne mundohemi që ta përfytyrojmë formën e Dexhalit në varësi të haditheve të transmetuara, ndërsa sahabët nuk kishin përse ta imagjinonin se si do të ishte Dexhali, sepse Profeti (a.s) e përngjasoi atë me njërin prej sahabëve.
Përvojë tjetër: Sahabët u përgëzuan me Xhenet, jo në përgjithësi por me emra. Sahabi jetonte dhe endej nëpër rrugë, ndërkohë që ai e dinte mjaft mirë se ishte prej banorëve të Xhenetit. Si mund të durojë ai të jetojë. Nuk po flasim për 10 të përgëzuarit me Xhenet që janë: Ebu Bekri, Umeri, Othmani, Aliu, Zubejri, Talha, Sa’adi, Abdurrahman, Ebu Ubejde dhe Seid ibnu Zejd (Zoti qoftë i kënaqur me të gtjihë ata). Përkundrazi shumë prej sahabëve janë përgëzuar me Xhenet duke qenë të gjallë. Le të marrim një shembull, që e transmeton imam Buhariu nga Ebu Hurejre (r.a), i cili thotë: “Në namazin e sabahut, Profeti (a.s) i thotë Bilalit: “O Bilal, më thuaj për punën më të mirë që ke bërë duke qenë musliman, sepse unë kam dëgjuar zhurmën e shapkave të tua në Xhenet”. Nuk kam bërë ndonjë gjë kushedi se çfarë, përveçse sa herë që kam marrë abdes, kam falur namaze nafile sa kam pasur mundësi”. Pra, Bilali jetonte në këtë botë dhe ai e dinte se ishte prej banorëve të Xhenetit. Prandaj në agoninë e vdekjes së Bilalit, ai i thotë bashkëshortes që po qante: “Përse po qan? Nesër do të takoj miqtë e mi, Muhamedin dhe shokët e tij” Shikoni pra, Bilali e pret me gëzim vdekjen, sepse është i sigurtë që është prej banorëve të Xhenetit, pasi atë e ka lajmëruar njeriu më i sinqertë, vetë Profeti (a.s).
Njëherë sahabët po qeshnin me këmbët e Abdullah ibnu Mes’udit (r.a), ngaqë i kishte shumë të holla. Profeti (a.s), që ishte prezent, tha: “Betohem në emër të Atij që shpirti im është në dorën e Tij. Këmbët e tij janë më të rënda në peshojë se mali i Uhudit”. Imagjinoni gjendjen e Abdullah ibnu Mes’udit, i cili e di, se në peshojën e Allahut, ai peshon më tepër se mali i Uhudit.
Për Hasanin dhe Husejnin, Profeti (a.s) ka thënë: “Hasani dhe Husejni do të jenë zotërinjtë e të rinjve në Xhenet”. Çfarë vlere ka dynjaja tek Hasani dhe Husejni, kur ata e dinë, se do të jenë zotërinjtë e të rinjve në Xhenet.
Për Hadixhen (r.a), bashkëshorten e Profetit (a.s), Xhibrili e lajmëron Profetin (a.s) duke i thënë: “Jepi Hadixhes selam nga Zoti i saj dhe nga unë. Përgëzoje atë me një shtëpi prej margaritari në Xhenet, në të cilën nuk ka zhurmë dhe as lodhje”. Pra, Hadixhja e dinte që ishte prej banorëve të Xhenetit. Jo vetëm kaq, por Zoti i kishte çuar selam, po ashtu edhe Xhibrili (a.s). Plus kësaj, ajo kishte një shtëpi me margaritarë në Xhenet, në të cilën nuk ndihen zhurmat dhe as lodhjet. Si mundet që zemra e saj të jetë e lidhur me dynjanë. Si mos të ishte ajo e përqendruar, kur falte namazin? Si është e mundur që mos të sakrifikojë me pasurinë e saj? Si të mos ketë mall për Xhenetin?
Kur Profeti (a.s) dëshmoi për 70.000 persona, që do të hyjnë në Xhenet pa llogari, Ukashe (r.a) i thotë: “O i Dërguari i Allahut, lute Allahun që të jem prej tyre”. Profeti (a.s) tha: “O zot, bëje atë prej tyre”! Kur një person tjetër u çua dhe i tha: “O Profet i Zotit! Lute Zotin që edhe unë të jem prej tyre”, Profeti (a.s) i tha: “Ta zuri radhën Ukashe”. Pikërisht për këtë arsye vërejmë, se Ukashe mori pjesë në të gjithë betejat bashkë me Profetin (a.s), madje edhe pas vdekjes së Profetit (a.s) luftoi dhe në betejën e Jemames ra dëshmor. Ai e di mirë, që është prej banorëve të Xhenetit. Atëherë si mund të durojë të jetojë në këtë botë?
Të gjitha këto gjëra bënë atë, që sahabët të kalonin nga një gradë e besimit në një gradë më të lartë. “Kujdes! Ah, sikur ta dinit të vërtetën me siguri! Sigurisht që do ta shihni Zjarrin flakërues. Pastaj me të vërtetë do ta shihni atë me syrin e sigurisë“. (Et Tekathur: 5-7). Sahabët çdo gjë e kanë parë me sytë e tyre, madje edhe çështjet e gajbit, sipas përshkrimit të Profetit (a.s)
Kjo pra, është një përvojë unike që e ka provuar vetëm brezi i sahabëve. Brezi i sahabëve është ndryshe nga të gjithë brezat e tjerë, qofshin brezat përpara tyre ose pas tyre. Kjo është kështu sepse:
1 – Ata ishin brez i përzgjedhur nga Allahu i Lartësuar.
2 – Përjetuan një përvojë që nuk e ka përjetuar askush përpara dhe pas tyre
3 – Profeti (a.s) dëshmoi, se ata ishin brezi më i mirë. Profeti (a.s) ka thënë: “Brezi më i mirë është brezi im, pastaj ata të cilët vijnë pas tyre, pastaj ata të cilët vijnë pas tyre”. Po ashtu Profeti (a.s) ka thënë: “Mos i shani shokët e mi (2 herë). Betohem në emër të Atij që shpirti im është në dorën e Tij se sikur ndonjëri prej jush do të dhuronte pasuri sa i gjithë mali i Uhudit, nuk do të krahasohej me pasurinë e dhuruar nga sahabiu qoftë edhe sa dy grushte”.
Gjithçka çfarë thamë më sipër tregon dhe dëshmon, se brezi i sahabëve ishte brezi më i mirë, ishte brezi, të cilin duhet ta marrim për shembull dhe model. Abdullah ibnu Mes’udi (r.a) ka thënë: “Kush dëshiron të ndjekë dikë, atëherë le të ndjekë ata që kanë vdekur (ka për qëllim sahabët), sepse ai që është gjallë nuk mund t’i besosh dhe aq shumë. Ata ishin shokët e Muhamedit, brezi më i mirë i këtij umeti, me zemra më të pastra, më të thelluar në dije, të cilët i përzgjodhi Allahu për Profetin (a.s) dhe për të përhapur fenë e Tij. Prandaj vlerësojini ata, ndiqini gjurmët e tyre, shëmbëllehuni me moralin e tyre, sepse ata ishin në rrugë të drejtë
Prandaj në këtë serial temash duhet të kemi një synim, si të jemi si sahabët? Kjo do të thotë se duhet të veprojmë si ata, që të jemi myslimanë të vërtetë, që e meritojnë këtë fjalë.
Si duhet të jetë besimi ynë tek Allahu? Si duhet ta duam Profetin (a.s)? Si duhet ta kuptojmë më mirë fenë? Studimi i jetës së sahabëve është njohja e vërtetë e fesë. Ndjekja e rrugës që ndoqën sahabët, është rruga që të çon në Xhenet.
Përshtati: Elton Harxhi