Rregull: Sheriati është ndërtuar për të sjellë dobi dhe për të evituar e zvogëluar dëmet

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Konteksti i këtij rregulli:

Kontektsi i këtij rregulli konfirmon natyrën reformuese të ligjeve të sheriatit për të cilën janë dërguar Profetët dhe të Dërguarit. Ky rregull është plotësues dhe sqaron  “rregullin themelor”[1]. Nëse “rregulli themelor” flet në mënyrë të përgjithshme rreth dobive, ky rregull flet në mënyrë të detajuar rreth dobive, prezanton pikëpamjet dhe tiparet e metodologjisë së tij.

Domethënia e këtij rregulli është cituar në shumë citate të dijetarëve. Më së shumti, këtë rregull e kam hasur tek citatet e imam Ibn Tejmijes. Imam Ibn Tejmije ka thënë: “Profetët janë dërguar për të arritur e plotësuar dobitë dhe për të evituar e zvogëluar dëmet aq sa është e mundur.”[2]

Shpjegimi i këtij rregulli:

Ky rregull do të thotë se objektivat gjeneralë në të cilat janë ndërtuar ligjet sheriatike janë katër:

1 – Angazhimi për të bërë të qënësishme një dobi. Nëse ndodh që një dobi apo e mirë nuk aplikohet në praktikë, atëherë sheriati kërkon prej njeriut që ta plotësojë dhe ta përmbushë me atë me qëllim që njerëzit të përfitojnë prej saj.

2 – Angazhimi për të kompletuar e plotësuar atë dobi e cila ekziston por që nevoja lips që të mbushen boshllëqet dhe të metat në mënyrë të atillë që dobisë t’i jepet vlerësimi i duhur.

3 – Evitimi i dëmeve, efekteve dhe prezencës së tyre aq sa është e mundur.

4 – Zvogëlimi i efektit të atyre dëmëve që është e pamundur parandalimi i plotë i tyre duke e ngushtuar aq sa të jetë e mundur rrezen e veprimit të dëmit.

Kjo nënkupton se Sheriati është konkret e realist. Sheriati kërkon prej njerëzve që jo domosdoshmërisht duhet të vijnë me një dobi tërësisht të plotë – nëse është e pamundur që të realizohet –  por ata duhet të  mundohen ta perfeksionojnë atë aq sa është e mundur. Ashtu sikurse kërkon prej njerëzve që jo domosdoshmërisht duhet me e evituar dëmin  – nëse është e pamundur – por të mundohen që ta pakësojnë atë aq sa është e mundur.

Argumentet e këtij rregulli:

Argumentet e këtij rregulli janë të shumta saqë është e vështirë që të numërohen. Gjithsesi unë do të përmend vetëm disa prej tyre;

1 – Allahu i Madhëruar thotë: “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni, dëgjoni e binduni dhe shpenzoni për bamirësi në të mirën tuaj. Ata që e ruajnë veten nga lakmia e saj , pikërisht ata janë të fituarit.”[3]

2 – Fjala e Allahut të Madhëruar e thënë nga goja e Shuajbit (a.s): “Unë dëshiroj të përmirësoj aq sa të mundem”[4]

3 – Fjala e Allahut të Madhëruar e thënë nga goja e Musait (a.s) drejtuar vëllait të tij Harunit (a.s); “Më zëvendëso te populli im, mbaj rregull dhe mos ndiq rrugën e ngatërrestarëve.”[5]

4 – Profeti (a.s) ka thënë: “Çdo musliman duhet të japë sadeka. Disa thanë: Po nëse nuk ka çfarë të japë? Ai tha: Atëherë të punojë me duart e tij dhe kështu përfiton për vete dhe ka mundësi të japë sadeka. Ata thanë:  Po nëse nuk ka mundësi të punojë? Ai tha: Të ndihmojë atë njeri që ka nevojë. Ata thanë: Po nëse nuk e bën një gjë të tillë? Ai tha: Të urdhërojë për mirë. Ata thanë: Po nëse nuk e bën një gjë të tillë? Ai tha: Atëherë të shmangë një të keqe sepse edhe kjo konsiderohet sadeka”[6]

5 – Profeti (a.s) ka thënë: “Kush ka tokë le ta mbjellë atë. E kush nuk ka mundësi që ta mbjellë atë, atëherë le t’ia japë atë vëllaut të vet musliman duke mos kërkuar qira për të.”[7]

Shembuj praktik të këtij rregulli:

1 – Dy hadithet e lartpërmendura janë shembuj të gjallë se prej objektivave të Sheriatit është kryerja e veprave të dobishme, të vogla apo të mëdha qofshin ato. Ashtu sikurse prej objektivave të Sheriatit është evitimi i dëmeve, të vogla apo të mëdha qofshin ato, aq sa është e mundur. Dijetari i shquar Izudin Abdus Selam ka thënë: “Nëse do të hedhim vështrimin tek objektivat e Kuranit dhe Sunetit do të dalim në përfundimin se Allahu i Madhëruar urdhëron për mirë – të vogël apo të madhe – dhe ka paralajmëruar për çdo të keqe – të vogël apo të madhe -. E mira nënkupton dobinë, kurse e keqja nënkupton dëmin. E Allahu i Madhëruar thotë: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.”[8][9]

2 – Objektivat e sheriatit nxisin të gjithë muslimanët – individë dhe shoqëri –  që të rendin për të bërë sa më shumë punë të mira në të gjitha fushat e jetës. Jo vetëm kaq por është detyrë e gjithsekujt që me iniciativën e tij personale të bëjë një vepër të mirë në momentin që i jepet mundësia për ta bërë atë, ashtu sikurse orienton hadithi i mëposhtëm:

3 – Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse Kijameti është duke ndodhur dhe dikush prej jush ka në dorë një fidan, atëherë le ta mbjellë atë.”[10]

Autor: Ahmed Rejsuni

Përshtati: Elton Harxhi

[1] – Ligjet e sheriatit kanë ardhur në dobi të njerëzve.

[2] – “Mexhmual Fetaua” i Ibn Tejmijes, fq: 8/94.

[3] – Sure Tegabun: 16.

[4] – Sure Hud: 88.

[5] – Sure A’raf: 142.

[6] – Buhariu.

[7] – Muslimi.

[8] – Sure Zelzele: 7-8.

[9] – “Kauaidul Ahkami fi Mesalihil Enami” i Izudin Abdus Selamit fq: 2/188.

[10] – Ahmedi. Hadithi është Sahih.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *