Imam Nesaiu në “Sunenin” e tij transmeton nga Usame ibn Zejd (r.a), i cili tha: “Unë thashë: O i Dërguari i Allahut, nuk të kam parë të agjërosh ndonjë muaj siç agjëron në Shaban.” Ai (a.s) tha: “Ky është një muaj për të cilin njerëzit nuk kujdesen, ngaqë ndodhet mes Rexhebit dhe Ramazanit. Është një muaj në të cilin veprat ngrihen te Zoti i botëve, dhe unë dëshiroj që vepra ime të ngrihet ndërsa jam agjërueshëm.”[1]
Imam Ibn Rexhebi el-Hanbeli (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Letaiful Mearif” ka thënë:
Në këtë hadith ka disa mësime:
1 – Ky është një muaj për të cilin njerëzit nuk kujdesen, sepse ndodhet mes dy muajve të mëdhenj: Rexhepit dhe Ramazanit. Prandaj, njerëzit i kushtojnë më tepër rëndësi këtyre dy muajve dhe nuk i kushtojnë rëndësi Shabanit, duke e anashkaluar.
2 – Përdorimi i shprehjes “njerëzit janë të pakujdesshëm ndaj tij” tregon se disa kohë, vende ose persona që nuk janë shumë të njohur për vlerën e tyre mund të jenë më të mira se ato që njihen gjerësisht si të virtytshme. Kështu, njerëzit mund të përqendrohen te ajo që është më e njohur dhe të neglizhojnë atë që ka vlera më të larta, për shkak të mungesës së vetëdijes.
3 – Ky hadith është një argument për rekomandimin që kohët kur njerëzit janë të pakujdesshëm të mbushen me adhurim, pasi kjo është diçka e dashur për Allahun.
Më tej, Imam Ibn Rexhebi (r.h) shton:
Dobitë e adhurimit në kohët e pakujdesisë
1 – Është më i fshehtë, sepse adhurimet vullnetare është më e mirë që të kryhen në fshehtësi, veçanërisht agjërimi, i cili është një adhurim midis robit dhe Zotit të tij. Për këtë arsye thuhet se nuk ka vend për hipokrizi në agjërim. Disa nga të parët e devotshëm kanë agjëruar për 40 vite pa e ditur askush. Ata dilnin nga shtëpia me dy bukë, të cilat i jepnin sadaka, dhe ktheheshin në shtëpi si të kishin ngrënë.
2 – Është më e vështirë për nefsin, sepse veprat më të mira janë ato që kërkojnë më shumë përpjekje. Kur të gjithë njerëzit kryejnë një adhurim (të caktuar), është më e lehtë për njeriun që ta kryejë atë adhurim, sepse edhe të tjerët e bëjnë atë. Por kur njerëzit janë të shkujdesur, përkushtimi dhe adhurimi bëhen më të vështira. Për këtë arsye, Profeti (a.s) ka thënë: “Në atë kohë, ai që vepron mirë nga mesi i tyre ka shpërblimin e 50 vetëve prej jush, sepse ju keni ndihmë për të bërë mirë, ndërsa ata nuk e kanë.”
3 – Personi që është i përkushtuar në adhurim kur të tjerët janë në pakujdesi mund të bëhet shkak për largimin e fatkeqësive nga të gjithë. Ai mund të jetë një mbrojtje për shoqërinë nga ndëshkimi hyjnor.
Ngritja e veprave bëhet në tri nivele:
1 – Ngritja ditore. Kjo ndodh gjatë namazit të sabahut dhe ikindisë. Profeti (a.s) ka thënë: “Engjëjt e natës dhe ditës ndërrohen gjatë namazit të sabahut dhe ikindisë. Pastaj Allahu i pyet ata, edhe pse Ai di gjithçka: ‘Si i latë robërit e Mi?’ Ata thonë: ‘I latë duke u falur dhe i gjetëm duke u falur.”[2]
2 – Ngritja javore. Kjo ndodh çdo të enjte natën e xhuma. Profeti (a.s) ka thënë; “Veprat e bijve të Ademit i paraqiten Allahut çdo të enjte natën e xhuma, dhe Allahu nuk pranon veprat e atij që ka shkëputur lidhjet familjare.”[3]
3 – Ngritja vjetore. Kjo ndodh në muajin Shaban. Profeti (a.s) ka thënë: “Ky është një muaj për të cilin njerëzit nuk kujdesen, mes Rexhebit dhe Ramazanit. Është një muaj në të cilin veprat ngrihen te Zoti i botëve, dhe unë dëshiroj që vepra ime të ngrihet ndërsa jam agjërueshëm.”[4]
Ky hadith dhe komentimet e tij na mësojnë rëndësinë e shfrytëzimit të kohëve të neglizhuara për adhurim, veçanërisht agjërimin dhe veprat e mira, pasi këto mundësi janë të dashura për Allahun dhe sjellin shpërblime të mëdha.
Gjithashtu, Imam Ibn Rexhepi (r. h) ka thënë:
“Kanë thënë se agjërimi në Shaban është si një stërvitje për agjërimin e Ramazanit, në mënyrë që njeriu të mos hyjë në Ramazan duke përjetuar vështirësi dhe lodhje, por të jetë tashmë i mësuar me agjërimin, ta ketë praktikuar dhe të ketë shijuar ëmbëlsinë dhe kënaqësinë e tij përmes agjërimit të Shabanit. Kështu, ai hyn në Ramazan me forcë dhe entuziazëm.
Dhe meqenëse Shabani është si një hyrje për Ramazanin, në të është ligjëruar ajo që është ligjëruar edhe në Ramazan, si agjërimi dhe leximi i Kuranit, që të bëhet përgatitja për pritjen e Ramazanit dhe që njerëzit të mësohen me bindjen ndaj të Gjithëmëshirshmit.”
Nëse dikush mund të pyesë: Përse Profeti (a.s) e veçonte muajin Sha’ban me agjërim vullnetar, ndërkohë që ai ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas muajit të Ramazanit është muaji i Allahut, Muharrem”?
Disa dijetarë kanë dhënë mendime të ndryshme por jo të argumentuara mirë. Një prej këtyre mendimeve është se agjërimi në Muharrem dhe muajtë e shenjtë është më i mirë se ai në Sha’ban, siç e kanë thënë shafitë dhe të tjerë. Mirëpo, mendimi më i saktë është i kundërti, pra që agjërimi i Sha’banit është më i vlefshëm se agjërimi në muajt e shenjtë.
Këtë e dëshmon hadithi që e ka transmetuar Enesi, ku Profeti (a.s) u pyet: “Cili është agjërimi më i mirë pas Ramazanit?’ dhe ai tha: ‘Shabani, për të madhëruar Ramazanin.”[5]
Nëse dikush thotë se Profeti (a.s) ka thënë:“Agjërimi më i mirë është ai i Davudit, i cili agjëronte një ditë dhe nuk agjëronte një ditë”, por ai vetë nuk agjëronte në këtë mënyrë, por herë agjëronte vazhdimisht, herë e ndalonte për disa kohë, herë agjëronte Shabanin dhe herë tjetër çdo të hënë e të enjte?
Përgjigjja është se agjërimi i Davudit, që Profeti (a.s) e ka përmendur si më të mirin, është shpjeguar nga ai vetë në një hadith tjetër, ku tha se ai është “agjërimi i gjysmës së vitit”. Dhe nëse i mbledhim të gjitha agjërimet e Profetit (a.s), ato arrijnë (ose edhe e tejkalojnë) gjysmën e vitit. Ai gjithashtu agjëronte ditën e Ashurasë dhe nëntë ditët e Dhul-Hixhes.
Ai nuk e ndiqte rregullin e agjërimit një ditë po, një ditë jo, sepse synonte të agjëronte në kohët më të vlefshme. Nuk ka problem që të mos jetë fiks një ditë po e një ditë jo, për aq kohë sa qëllimi ishte për të pasur fuqi për gjëra më të rëndësishme se agjërimi, siç ishte përçimi i mesazhit, thirrja në Islam, përhapja e tij dhe kryerja e detyrimeve të tij.
Kjo është arsyeja përse Profeti (a.s), kur u pyet për atë që agjëron një ditë dhe nuk agjëron dy ditë, tha: “Do të dëshiroja ta kisha fuqinë për këtë.”
Abdullah ibn Amr ibn Asi, kur u plak, ndonjëherë e ndërpriste agjërimin për të marrë forcë, pastaj kthehej dhe e kompensonte atë që kishte lënë, për të mos u larguar nga praktika që Profeti (a.s) e kishte konfirmuar për të, që të agjëronte një ditë po dhe një ditë jo (gjysmë viti).
Kështu, Profeti (a.s) e arriti shpërblimin e agjërimit të gjysmës së vitit, madje dhe më tepër, me agjërimin e tij të shpërndarë, si dhe shpërblimin e agjërimit të vazhdueshëm me dëshirën e tij për këtë, por e pengoi angazhimi me diçka më të rëndësishme dhe më të vlefshme se agjërimi i një dite po dhe tjetrës jo. Allahu e di më mirë.
Autor: Ibn Rexhebi El Hanbeli
Përktheu: Elton Harxhi
Top of Form
Bottom of Form
[1] – Nesaiu. Hadithi është Sahih.
[2] – Buhariu dhe Muslimi.
[3] – Ahmedi.
[4] – Nesaiu.
[5] – Tirmidhiu. Rreth zinxhirit të transmetimit të këtij hadithi ka diskutime midis hadithologëve.