Dashuria ndaj atdheut – vepra më madhore

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Krijuesit të gjithësisë!
Përshëndetjet dhe selamet tona ia drejtojmë më të zgjedhurit të Allahut, Muhamedit a.s., familjes dhe shokëve të tij dhe të gjithë atyre që pasojnë rrugën e ndritshme islame deri në Ditën e Kiametit.
I Madhi Zot në Kuranin Famëlartë ka thënë: “Mos mendoni se janë të vdekur ata që kanë rënë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë te Zoti i tyre dhe furnizohen (me begati). Ata janë të gëzuar me të mirat e derdhura nga Zoti i tyre, e atyre që kanë mbetur akoma pa iu bashkuar radhëve të tyre, u marrin myzhde se për ta nuk ka as frikë dhe as që kanë se pse të brengosen!” 

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Jemi në prag të festës së madhe, ditës së Pavarësisë së vendit tonë. Besoj se të gjithëve ju kujtohet dita e 17 shkurtit 2008, pikërisht në ora 15:39 minuta, kur anekënd Kosovës, deputetët tanë të Kuvendit të Kosovës në mënyrë unanime, me plot ndjenja krenarie dhe mes emocionesh të pafundme, po realizonin një ëndërr të kamotshme të shumë e shumë brezave, po përmbushnin një ideal dhe aspiratë të shumë e shumë burrave e grave që dhanë gjithçka nga vetja e tyre, po kurorëzonin një rrugëtim të gjatë e të vështirë për Kosovën – po e shpallnin atë shtet të mëvetësishëm, sovran dhe demokratik.
Gëzimi dhe emocionet jehuan fuqishëm edhe jashtë Kuvendit, kudo ku janë shqiptarët. Kësaj jehone madhështore që shënonte fillimin e një epoke të re, iu bashkuan edhe ezanët muhamedije, që simbolizonin përkrahjen dhe gëzimin e besimtarëve tanë për këtë ditë historike dhe që shprehnin falënderimin ndaj Allahut të Gjithëpushtetshëm, që na e mundësoi të arrinim këtë ditë. Gjithnjë duke e kujtuar se për ta përjetuar këtë liri, këtë Pavarësi, është dashur të derdhet shumë mund dhe sakrificë deri në flijim e bijve dhe bijave më të mirë të kësaj toke, të këtij vendi.
Edhe sot, 17-vjet pas shpalljes së Pavarësisë dhe 26-vjet pas mbarimit të luftës, janë mbi 1600 shehidë që nuk dimë gjë për fatin e tyre, por vetëm i llogarisim si të pagjetur, dhe nuk na është mundësuar as varrimi i tyre. Falë Allahut xh.sh. dhe sakrificës së pashoqe të popullit tonë, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës së miqve ndërkombëtarë ia kemi dalë me shumë sukses që t’i kundërvihemi kasaphanës, djegies, shkatërrimit e pastrimit etnik të ushtruar ndaj nesh nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitarëve serb. I Gjithëfuqishmi Allah, në Kuran, ka thënë: “Thuaj (o Muhamed): “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka ortak, kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij!”
Prandaj, vëllezër të dashur, me e dashtë dhe me e mbrojt atdheun është detyrë e shenjtë, është detyrë mbi detyrat e çdo myslimani. Në atdhedashuri duhet të jemi në të njëjtin saf me të gjithë ata që i respektojnë institucionet e Kosovës, që angazhohen për mirëqenien e tyre, kurse syri ynë gjithmonë duhet të jetë i zgjuar duke vëzhguar çdo pëllëmbë të kësaj toke. Kjo edhe për faktin se Pavarësia historikisht është e arritura jonë më e madhe. Ju e dini se sot në botë jetojnë mbi 2000 popuj të ndryshëm, por jetojnë vetëm rreth 200 shtete.
Gjatë këtyre 17 vjetëve nga shpallja e Pavarësisë, kemi bërë punë të mëdha, shtetndërtimi nuk ka qenë aspak i lehtë, përkundrazi ka kërkuar angazhim të mirëfilltë, prandaj të gjitha ato të mira që i kemi arritur me shumë mund e sakrificë, duhet t’i ruajmë me çdo kusht si dritën e syve. Në këtë drejtim, ndihma më e madhe konsiston në unitetin tonë, në muhabetin e sinqertë në mes veti, duke e rritur dashurinë për njëri-tjetrin. Solidaritetin e mirëkuptimin që e kishim më herët e që ishte vlerë e jona, duhet ta kultivojmë edhe më shumë, dhe ato që i kemi përjetuar para Pavarësisë të mos i harrojmë kollaj. Populli jonë edhe në ditët më të vështira nuk është gjunjëzuar, por përplot krenari e me kokën lartë ka vazhduar të shtegtoj ashtu si duhet.

Të dashurit e Resulullahut!
Këtyre ditëve, teksa me plot meritë po festojmë Ditën e Pavarësisë, duhet ta sjellim në vëmendje se jemi në vigjilje të muajit të madhërishëm Ramazan. Le të përfitojmë nga bereqeti i këtij muaji dhe t’i përkushtohemi më shumë vetes dhe familjeve tona. Është koha që farzeve t’u shtohen edhe veprat vullnetare të devotshmërisë (nafilet), të cilat i bëjmë vetëm nga dashuria për Mëshiruesin. Në një hadith Kudsi thuhet: “Gjërat më të dashura me të cilat mund të më afrohet robi Im janë detyrat obligative (farzet). Robi im më afrohet edhe me vepra vullnetare (nafile) derisa ta dua dhe kur e dua, bëhem dëgjimi i tij me të cilin dëgjon, shikimi i tij me të cilin sheh, dora e tij e fortë me të cilën vepron, këmba e tij me të cilën ecën. Nëse ai më kërkon diçka, Unë me siguri do t’ia jap, nëse ai kërkon mbrojtjen Time, Unë me siguri do ta mbroj atë.”
I Mëshirshmi Allah, na bëjë prej robërve Tu që Ty të duan pafundësisht! Zoti ynë, na e shto dashurinë për Atdheun tonë – Kosovën e dashur!
Bëhu me ne, O Zot, e jo kundër nesh!
Zoti ynë, mos na mundëso që të Të harrojmë Ty, që të largohemi nga mëshira dhe mbrojtja Jote!
Na mëso që të mos harrojmë se na ke dhënë Atdheun-Kosovën tonë të shtrenjtë, që ta duam atë dhe që të ruajmë paqen dhe lirinë në të! (Amin!)
Të gjithë shqiptarëve, urime 17 shkurti – Dita e Pavarësisë së Kosovës sonë të shtrenjtë!

Burimi: mesazhi.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *