Ndikimi i gjynaheve në agjërim

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Agjërimi është një ritual që shërben për pastrimin e shpirtit, ripërtëritjen e ndërgjegjes, forcimin e besimit dhe përgatitjen e besimtarit për tu radhitur tek të devotshmit. Thotë Zoti në Kuran:”Agjërimi u është bërë obligim, ashtu siç u qe bërë obligim popujve të mëparshëm, me qëllim që të jeni të devotshëm.”[1]

Bazuar në këtë, prej agjëruesit kwrkohet që të evitojë gjithçka që e cenon shenjtërinë e agjërimit, duke e ruajtur dëgjimin, shikimin dhe gjymtyrët e tjera nga harami. Ai duhet të ruajë gjuhën nga fjalët e tepërta dhe banale, nuk duhet të ngrejë zërin, të mos i përgjigjet të keqes me të keqe por me më të mirën e mundshme dhe ta përdorë agjërimin si mburojë ndaj gjynaheve, e për rrjedhojë dhe nga dënimi i Zotit në Ahiret. Prandaj dijetarët e parë thoshin: ”Agjërim i pranueshëm është agjërimi i gjymtyrëve nga gjynahet.”

Është pikërisht ky lloj agjërimi ai që kërkohet në hadithet profetike dhe e përforcojnë studiuesit e kësaj shkolle.

Thotë Profeti Muhamed (a.s): ”Agjërimi është mburojë, prandaj nëse dikush prej jush agjëron, të mos fjalë banale e të mos bëjë potere. Nëse dikush e shan ose e sulmon, le të thotë dy herë:”Unë jam agjërues.”[2]

Thotë Profeti (a.s): ”Kush nuk heq dorë nga dëshmia rrejshëm dhe veprat sipas saj, Zotit nuk i nevojitet distancimi i tij nga të ushqyerit dhe pija.”[3]

“Ka agjërues të cilët nuk përfitojnë nga agjërimi veç etjes dhe urisë.”[4]

Të njëjtën linjë ndoqën dhe shokët e Profetit (a.s) dhe brezat që erdhën pas tyre, duke i kushtuar rëndësi faktit që agjërimi tu pastrojë shpirtrat dhe gjymtyrët, larg gjynaheve.

Thotë Omer ibn Hattabi: ”Agjërimi nuk është vetëm duke mos ngrënë e pirë, por edhe duke u distancuar nga gënjeshtrat dhe ligësitë.”

Thotë Xhabir ibn Abdilah El-ensarij: ”Nëse agjëron, le të agjërojë dhe veshi, syri dhe gjuha jote nga gënjeshtra dhe ligësitë. Mos u sill keq me shërbëtorin, sillu me qetësi gjatë agjërimit dhe dita e agjërimit mos të jetë  e njëllojtë me ditën kur nuk agjëron.”

Talik ibn Kajs transmeton se Ebu Dheri ka thënë: ”Nëse agjëron, ruaje veten sa të mundesh.” Kur vetë Talik agjëronte, mbyllej në shtëpi dhe nuk dilte veçse për namaz.

Ebu Hurejre dhe shokët e tij, kur agjëronin mblidheshin në xhami dhe thoshin: ”Do e ruajmë të dëlirë agjërimin tonë.”

Hafsa bintu Sirin thoshte: ”Agjërimi është mburojë, përderisa nuk e kanë çarë dhe çarja e saj është përgojimi.”

Ibrahim Nekhaij tregonte: ”Të parët tanë thoshin se gënjeshtra e prish agjërimin.”

Mejmun ibn Mehran thoshte: ”Agjërimi më i lehtë është distancimi nga të ngrënit dhe të pirët.”

Që këtu, disa nga të parët tanë, mendonin se gjynahet e prishin agjërimin. Ata që gënjejnë, përgojojnë dhe përçajnë njerëzit, ata që dëgjojnë me veshët e tyre gjëra haram si fjalë banale dhe dëshmi të rrejshme, ata që shohin gjëra haram, prekin me dorë haram duke dëmtuar ndonjë njeri apo gjallesë pa të drejtë, ata që marrin diçka që nuk u lejohet, ata që ecin drejt haramit etj… konsiderohen si gjëra që e prishin agjërimin.

Ky ishte mendimi i disa prej dijetarëve të gjeneratave të para, sipas të cilit gjynahet e prishin Ramazanin. Për rrjedhojë, kushdo që bën një gjynah gjatë Ramazanit, duhet ta shlyejë atë ditë, pra ta agjërojë sërish pas Ramazanit. Ky mendim ka qenë edhe i disa sahabëve dhe tabi’inëve. Ai është mendimi i imam Euzai dhe Ibn Hazmit.

Sakaq, shumica e dijetarëve mendojnë se gjynahet nuk e prishin agjërimin, por e cenojnë vlerën e tij sipas madhësisë së gjynahut. Nga gjynahet nuk mund të shpëtojë askush, përveç dikujt që ka siguruar mbrojtjen hyjnore, sidomos ato gjynahe që kanë të bëjnë me gjuhën. Për këtë, imam Ahmedi thoshte: ”Nëse përgojimi do e prishte agjërimin, askujt nuk do i mbetej agjërim.” Kjo, edhe pse imam Ahmedi njihej për devotshmërinë dhe lidhjet e forta me Zotin.

Këta dijetarë, pohojnë se gjynahet nuk e prishin agjërimin siç e prish ngrënia apo pirja, por ato mund të ulin shpërblimin dhe sevapin e agjërimit.

Në fakt, kjo nuk është ndonjë humbje e lehtë për dikë që ka dy pare mend. Të qëndrosh gjithë ditën i etur dhe i uritur, të privosh veten nga shumë kënaqësi të lejuara dhe në fund të dalësh me zero sevap nuk është diçka e vogël.

Thotë imam Ebu Bekr Arebij, teksa shpjegon hadithin: ”Kush nuk heq dorë nga dëshmia e rrejshme dhe veprat sipas saj, Zotit nuk i nevojitet distancimi i tij nga të ushqyerit dhe pija.” Sipas këtij hadithi, kushdo që bën diçka të lartpërmendur, nuk shpërblehet për agjërimin që bën.”

Thotë Bejdavij: ”Qëllimi i agjërimit nuk është thjesht uria dhe etja, por diçka më e thellë. Me të synohet thyerja e pasionit, epshit dhe unit që urdhëron për ligësi në favor të unit të qetë. E nëse kjo nuk realizohet, Zoti as që ia hedh sytë një agjërimi të tillë si të pranueshëm.”

Agjërimi në Ramazan në veçanti, është një shans për pastrim nga gjynahet e 11 muajve të kaluar. Ai që agjëron siç agjërojnë besimtarët për hir të Zotit, e meriton të dalë nga ky muaj me gjynahe të falura, sidomos ato gjynahe të vogla të cilat i ngjiten njeriut gjatë rrugëtimit të tij në jetë, e që ndonjëherë i shohim si diçka të vogël, duke mos ditur se kur grumbullohen mund ta shkatërrojnë.

Thotë Profeti Muhamed (a.s): ”Pesë namazet, xhumaje gjer në xhumanë tjetër, Ramazani gjer në Ramazanin tjetër, fshijnë gjynahet që janë vepruar mes tyre, nëse janë evituar gjynahet e rënda.”[5]

Në një hadith tjetër, Profeti (a.s) thotë: ”Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke kwrkuar shpwrblim tek Zoti, i falen të gjithë gjynahet e kaluara.”[6]

Ai që ndot agjërimin e tij me gjynahe që i dëgjon, i sheh, i shpreh me gojë dhe i vepron me gjymtyrë, i ka humbur vetes shansin e pastrimit dhe nuk ka merituar faljen e premtuar. Madje, mund të hyjë tek ajo kategori e mallkuar nga Xhibrili (a.s), për të cilët vetëm Profeti (a.s) bëri “Amin” (Jazëk i qoftë atij që mbërrin Ramazanin dhe nuk i falen gjynahet!)

Autor: Jusuf Kardavi

[1] – Sure Bekare: 183.

[2] – Buhariu dhe Muslimi.

[3] – Buhariu.

[4] – Nesaiu.

[5] – Muslimi.

[6] – Buhariu dhe Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *