Pyetje: Çfarë efekti ka gëlltitja e mbetjeve të ushqimit që kanë mbetur mes dhëmbëve në agjërim? Një njeri kishte bërë nijetin për të agjëruar, dhe pasi hëngri syfyrin, gjeti disa mbetje ushqimi të vogla mes dhëmbëve të tij. Ai e pastroi gojën dhe dhëmbët aqsa mundi, por mbeti pak nga ato mbetje mes dhëmbëve të tij, dhe gjatë ditës ato u tretën dhe kaluan me pështymën e tij, pa pasur ndërmend t’i gëlltiste. A prish kjo agjërimin e tij?
Përgjigja konçize: Agjërimi i atij që agjëron nuk prishet duke gëlltitur mbetje ushqimi të vogla që kalojnë me pështymën dhe që nuk mund t’i shmanget dhe t’i nxjerrë nga goja, nëse e bën këtë pa qëllim. Kjo është në përputhje me thënien e Allahut: “Allahu dëshiron lehtësi për ju dhe nuk dëshiron vështirësi për ju”[1] Nëse ato mbetje ushqimi janë të mëdha dhe ai mund t’i nxjerrë dhe të mos i gëlltisë, atëherë është detyrim për të që t’i nxjerrë dhe nëse i gëlltit me qëllim, agjërimi i tij konsiderohet i prishur. Prandaj, agjërimi i njeriut të përmendur nuk prishet nga kalimi i pështymës me mbetje të vogla ushqimi pa qëllim për t’i gëlltitur.
Përgjigja e detajuar:
Lehtësimi dhe largimi i vështirësive ndaj personave të ngarkuar me përgjegjësi juridike në sheriatin islam
Kushdo që studion sheriatin islam do të vërejë se ai bazohet në lehtësim dhe largimin e vështirësive ndaj personave të ngarkuar me përgjegjësi juridike, sepse sheriati është ndërtuar mbi bazë të marrjes në konsideratë të gjendjes së tyre dhe ka ardhur për të përmbushur ato gjëra që janë në dobi të tyre. Argument për këtë është fjala e Allahut në Librin e Tij të: “Allahu dëshiron lehtësi për ju dhe nuk dëshiron vështirësi për ju”[2] dhe fjalët e Tij: “Allahu dëshiron për ju lehtësim, ndërsa njeriu është i dobët”[3]
Ebu Umame (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Unë jam dërguar që të zbatoj fenë e pastër e tolerante të Ibrahimit.”[4]
Një nga manifestimet e lehtësimit dhe largimit të vështirësive ndaj personave të ngarkuar me përgjegjësi juridike është se sheriati ka ndjekur rrugën e faljes dhe tolerancës për agjëruesit ndaj atyre gjërave që janë të vështira të shmangen, siç është përmendur në librin “El-Muuafekat“ të imam Shatibiut.
Efekti i gëlltitjes së mbetjeve të ushqimit që ngelin nëpër dhëmbë gjatë agjërimit
Çfarëdo që gëlltit agjëruesi nga mbetjet e ushqimit që ngelin nëpër dhëmbë, është një nga dy situatat:
E para: Të jetë shumë e vogël në masë, duke qenë se agjëruesi nuk është në gjendje ta përtypë dhe ta nxjerrë nga goja.
E dyta: Të jetë mjaft e madhe, duke qenë se agjëruesi mund ta dallojë atë dhe ta shmangë nga goja duke e nxjerrë.
Nëse mbetjet janë të vogla, dhe agjëruesi nuk mund të shmangë gëlltitjen e tyre, atëherë agjërimi i tij nuk prishet me konsesusin e të gjithë juristve për shkak të vështirësisë për t’u shmangur nga ato. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk ngarkon askënd më shumë se çka mund të përballojë”[5] Po ashtu, Profeti (a.s) ka thënë: “Kur t’ju urdhëroj për diçka, bëni sa të mundeni nga ajo”[6]
Imami Ibn el-Mundhiri në librin e tij “El-Ixhma” ka thënë: “Të gjithë juristët kanë rënë dakord se nuk ka asgjë për agjëruesin kur ai gëlltit gjëra që vijnë nga lëngu i gojës dhe mbetjet mes dhëmbëve që ai nuk mund t’i shmangë“.
Nëse mbetjet janë të mëdha dhe agjëruesi mund t’i dallojë dhe ka mundësi t’i shmangë duke i nxjerrë nga goja, atëherë ai duhet të bëjë këtë. Nëse e nxjerr, agjërimi është i vlefshëm, por nëse e gëlltit qëllimisht, agjërimi i tij prishet. Ky është mendimi i shumicës së juristëve të medh’hebit Hanefi, Maliki, Shafii dhe Hanbeli.
Megjithatë, juristët e medh’hebit Hanefi e përcaktojnë masën e vogël që nuk mund të shmanget, dhe të madhe që mund të shmanget, duke përdorur si masë kokrrën e qiqrës. Çdo gjë që është sa sa një fara e qiqrës ose më shumë është e madhe, dhe çdo gjë që është më e vogël është e vogël.
Mendimi i përgjithshëm është se e vogël konsiderohet ajo që agjëruesi nuk mund të dallojë dhe as ta përtypë, kurse e madhe konsiderohet ajo që ai arrin ta dallojë dhe ta përtypë.
Imam Fahrudin ez Zejlaij, prej juristëve të medh’hebit Hanefi, në “Tebjin el-Hakikat” ka thënë: (Nëse gëlltit nga mbetjet mes dhëmbëve, është fjala për ato mbetje të vogla që mbeten nga ushqimi që njeriu ka ngrënë gjatë natës dhe që nuk mund të shmangen nga goja. Nëse ato mbetjet janë shumë atëherë agjërimi prishet.)
Në librin “El-Mudauene” të Imam Malikut thuhet: (Nëse agjëruesi ka mbetje ushqimi mes dhëmbëve, si një çerek fare gruri dhe e gëlltit atë me lëngun e gojës, ky veprim nuk e prish agjërimin e tij.)
Po ashtu, Imam Shemsudin Ramli, prej juristëve të medh’hebit Shafii në librin e tij “Nihajet el-Muhtaxh” ka thënë: (Nëse agjëruesi ka mbetje ushqimi që rrjedhin me lëngun e gojës, pa qëllim, ai nuk prish agjërimin, nëse nuk mund të dallojë dhe ta përtypë, por nëse mund ta dallojë dhe ta përtypë, agjërimi prishet.)
Ndërsa Imam Ibn Kudame, prej juristëve të medh’hebit Hanbeli në librin e tij “El Mugni” ka thënë: (Nëse ka mbetje ushqimi mes dhëmbëve, ka dy mundësi: E para është që të jetë shumë e vogël dhe agjëruesi nuk mund ta nxjerrë, e dyta është që të jetë shumë dhe agjëruesi mund ta nxjerrë. Nëse e nxjerr, agjërimi është në rregull, nëse e gëlltit me vetëdije, agjërimi është i prishur.)
Në fund, mendimi i përgjithshëm është që agjëruesi prish agjërimin nëse gëlltit mbetje ushqimi që mund të dallohen dhe përtypen, pasi ai „gëlltiti ushqim që mund ta nxirrte vetë, duke pasur mendjen tek agjërimi i tij“.
Ndërsa disa juristë të medh’hebit Maliki – si imam Ibn Habibi dhe Ibn al-Maxhishuiه – janë të mendimit se agjërimin nuk e prish ai që gëlltit atë që ka mbetur mes dhëmbëve të tij, edhe nëse e ka bërë me dëshirë, përderisa kjo që është gëlltitur ka qenë ende në gojën e tij para se të fillonte agjërimi. Këtë mendim kanë edhe disa juristë të medh’hebit Shafii. Po ashtu, një mendim tjetër (i tretë) i juristëve të medh’hebit Shafii është se nëse agjëruesi ka përdorur mjetet që zakonisht përdoren për të hequr atë që mbetet mes dhëmbëve – si kunj dhëmbësh ose furça e dhëmbëve – ai nuk prish agjërimin, por nëse nuk e ka bërë këtë, ai prish agjërimin.
Imami Ibn Ebi Zejd El-Kajrauani, një jurist i medh’hebit Maliki, në librin e tij “El-Nauadir uez -Zijadat” ka thënë për ata që gëlltitin diçka që ka mbetur mes dhëmbëve gjatë ditës, dhe që e kanë ngrënë para fillimit të agjërimit: (Ibn Habibi ka thënë: Nëse ai e ka bërë këtë me dëshirë, nuk ka asnjë dallim.)
Përfundim:
Nga sa kemi përmendur më lart, dalim në përfundimin se:
Agjërimi nuk prishet në rastin kur agjëruesi gëlltit mbetje ushqimi të vogla që nuk mund t’i shmangë dhe as t’i nxjerrë nga goja. Në këtë rast ato kalojnë në stomak pa qëllim.
Nëse këto mbetje janë të shumta dhe ai mund t’i nxjerrë dhe t’i shmangë, ai duhet ta bëjë këtë, dhe agjërimi i tij prishet nëse i gëlltit qëllimisht.
Kështu që në rastin e lartpërmendur, agjërimi i personit në fjalë nuk është prishur për shkak të depërtimit në stomak të ndonjë mbetjeje të vogël ushqimi pa qëllim nga ana e tij.
Fetvadhënësi: Nadhir Muhamed Ijad
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Bekare: 185.
[2] – Sure Bekare: 185.
[3] – Sure Nisa: 28.
[4] – Ahmedi (24854). Hadithi është i saktë.
[5] – Sure Bekare: 285.
[6] – Buhariu dhe Muslimi.