Autor: Ferid Piku
Pas falenderimit për ftesën, që të jem pjesë e panelit referues, kam dhe një vlerësim për organizatorët, të cilët e kanë parë përkujtimin e lindjes së Profetit a.s në dritën e problemeve tona të përditshme. Mendoj se një qasje e tillë e konkretizon më shumë dashurinë për profetin a.s, i jep një tjetër kuptim asaj që e quajmë ‘’sunneti profetik,, dhe lidh me fakte realitetin tonë social me të kaluarën e 14 shekujve më parë…
Feja islame të cilës i kemi besuar dhe përpiqemi ta përhapim, është feja e shpirtit por dhe e trupit, feja e xhamisë por dhe e rrugës, feja e gëzimit por edhe e hidhërimit, shkurt…feja e njeriut i cili ka të mira e të këqija, ka dobësitë, problemet dhe hallet e tij, pra feja e natyrës së vërtetë njerëzore: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër dhe ndiq natyrën fillestare në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Zotit. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë “ Rum 30
Ajo që kemi lexuar nga ajetet e Kuranit Famëlartë dhe që kemi dëgjuar nga historitë e profetit tonë a.s, është se asnjë profet I Zotit nuk ka qenë I izoluar nga hallet e njerëzve dhe qytetarëve të tij bashkëkohës. Nuk ka profet që përvec besimit të pastër te Zoti dhe paralajmërimit për të mos i vënë shok Atij, të mos ketë patur për detyrë dhe zgjidhjen e një problemi social të kohës së tij.
Kështu, Jusufin a.s nuk e pengoi aspak padrejtësia që treguan me të banorët e Egjiptit, që të merrte përsipër një problem të madh ekonomiko-social, atë të menaxhimit të zisë së ushqimit që do mbërthente vendin për vite me radhë.
Hallet personale dhe të qenët i huaj e i vetmuar, nuk e penguan Musain a.s që ti vinte në ndihmë dy motrave nga Medjeni, të cilat konsideroheshin shtresë e shtypur e shoqërisë së atëhershme.
Daudin a.s nuk e pengoi statusi profet dhe mbret, që me profesionin e tij si hekurpunues ti vinte në ndihmë nevojtarëve dhe të pamundurve.
Hizri a.s, hyri në historinë njerëzore duke ndihmuar të varfrit nga padrejtësia dhe duke ndihmuar jetimët të merrnin hakun që ju takonte.
Dhulkarnejni i madh, do të mbahet mend si njeriu me pushtet që ndërton mure mbrojtëse, në mes njerëzve të fortë e të padrejtë dhe njerëzve të dobët e viktima.
Profeti i madh Isai a.s do kujtohet gjithmonë si njeriu që shëronte zemrat me besimin në Zotin Një dhe trupat nga lebrosa e verbëria.
Të respektuar dëgjues!
Me këtë besim kanë vepruar sahabët e profetit a.s, kështu kanë punuar dijetarët gjatë gjithë historisë islame, këtë mision nuk e kanë harruar asnjëherë hoxhallarët dhe ulematë shqiptarë, madje edhe në kohët më të vështira. Ashtu siç i mësuan njerëzve besimin dhe rregullat fetare, ata shuan konflikte, pajtuan gjaqe, morën iniciativa sociale, qenë pjesë e pandashme në gëzimet dhe hidhërimet e popullit…thënë me troç…ata transmetuan Islamin e jetuar, e jo Islamin e librave.
E këtu, më vjen të shpreh një keqardhje dhe autokritikë, për njëfarë “shkëputje” që vihet re te teologët e sotëm dhe liderët shpirtërorë, nga jeta dhe problemet e përditshme të njerëzve. Një tërheqje të tillë unë do ta shëmbëlleja me dezertimin e komandantëve nga një betejë vendimtare, ashtu si rikthimin e hoxhallarëve në këtë fushë, e shoh një detyrë të shenjtë dhe do ta konsideroja si mekanizmin më të shpejtë për të lehtësuar sadopak plagët tona sociale që vazhdojnë të kullojnë vuajtje pa fund.
Vëllezër e motra
S’ka dyshim se shoqëria njerëzore ka ndryshuar shumë dhe shoqëria e sotme nuk është ajo e kohës së profetit Muhamed a.s, por ama nga ana tjetër, të mos harrojmë se njeriu është po ai njeri, me të njëjtin shpirt, nefs e dëshira dhe në esencë problemet janë pak a shumë të njëjtat edhe pse në dukje të ndryshme… Prandaj, metodologjia profetike në trajtimin e këtyre problemeve, do mbetet më e sakta dhe më e gjetura, se fundja-fundit ai ishte profeti i Zotit që korrigjonte dobësitë dhe të metat e krijesave të Zotit, ashtu si e di më mirë vetë Zoti.
Do përpiqem, sa më poshtë, të përmend disa nga veçoritë e metodës profetike në trajtimin e problemeve sociale, duke shpresuar të shërbejnë si një hartë rruge për ne dhe problemet e shoqërisë sonë…
1- Besimi në Zot është ilaçi më i fortë
Profeti a.s e dinte se e mira dhe e keqja burojnë nga brenda njeriut, e dinte se edhe reforma duhet nisur dhe zhvilluar po brenda njeriut. Ai e dinte mirë, se çdo njeri ka një derë nga ku mund të hysh dhe çdo derë e ka një çelës. Dera që përdori i dërguari i Zotit ishte zemra e njeriut dhe çelësi që e hap lehtësisht atë derë, pa qenë nevoja ta thyesh, është besimi i shëndoshë te Zoti.
Të mos harrojmë për asnjë moment, se shoqëria ku jetonte Profeti a.s nuk ishte pa probleme sociale. Njerëzit që e rrethonin, ishin viktima të gjakmarrjes qindravjeçare, burrat e asaj kohe ishin të robëruar nga alkooli dhe vera që konsumoheshin pa masë, gratë dhe vajzat shiheshin më shumë si barrë e sikletshme sesa si njerëz me shpirt. Në atë shoqëri kishte jo pak imoralitet, lojëra bixhozi, fajde, konflikte dhe hasmëri.
Por profeti a.s të gjithë betejën e nisi nga mbjellja e besimit të shëndoshë. Ju tregoi atyre se kush ishin ata e kush ishte Krijuesi i tyre, pse kishin ardhur në këtë botë e ku do të shkonin pas vdekjes…Kur ky besim filloi të mbijë e të lulëzojë, ata vetë e lanë alkoolin, se e kuptuan që është nëna e të këqijave, dolën mbi hasmërinë që u kishte prishur jetën dhe në vend të saj pranuan vëllazërinë, braktisën bixhozin e kamatën dhe i hynë punës, iu larguan imoralitetit dhe iu afruan më shumë familjes…
E unë besoj, duke u bazuar dhe mbi fakte të prekshme, se dhe njerëzit tanë, kur ti hapin derën besimit, do të shpëtojnë njëherë e mirë nga alkooli dhe droga, sepse diçka tjetër do ti mbushë, do i trajtojnë ndryshe prindërit e tyre, kur ta marrin vesh se pas respektit të Zotit vjen respekti ndaj tyre, do i zgjidhin më me qetësi problemet e familjes, pa përdorur dhunë, armë e konflikt, sepse do kuptojnë që familja është gjëja më e shtrenjtë dhe të shtrenjtën duhet ta mbash e jo ta thyesh… e kështu me radhë…
2- Mësimi para qortimit
Profeti a.s ishte mësues dhe mësuesi shpjegon para se të qortojë. Ai ishte dërguar ‘’mëshirë’’ dhe i mëshirshmi mundohet të ndreqë e jo të demaskojë.
Janë jo të pakta rastet kur njerëzit shfaqnin gabime para tij, por ai ishte mësuesi, që në fillim shëronte mendjen me sqarim e pastaj zemrën me lutje dhe duaa.
Ashtu e bindi djalin e ri që kërkonte të bëhej mysliman por ti lejohej imoraliteti, duke i thënë se çdo grua është nëna, motra, halla apo tezja e dikujt dhe ky “dikushi” n.q.s është normal nuk e dëshiron imoralitetin në rrethin familjar.
Ashtu e mësoi beduinin arab që urinoi në xhaminë profetike, duke i thënë se xhamitë janë ndërtuar për adhurim dhe lutje e jo për kryerje nevojash personale.
Ashtu i tregoi bashkëshorteve të tij që i kërkuan një jetë më të mirë, duke ju thënë se jeta e tij do ishte e thjeshtë dhe e vështirë, prandaj ato kishin të drejtë të zgjidhnin atë ose ndarjen.
Ashtu i shpjegoi burrave “maskilistë”që e kishin për turp kur ju lindte vajzë, duke ju thënë se ai njeri që rrit e edukon vajza, meriton xhenetin e Zotit…
Ashtu ua ndryshoi konceptet ‘’sekserëve’’ që abuzonin me pasurinë e jetimit, duke ju thënë se kush mbështet jetimin, qoftë dhe me një ledhatim në kokë, do të jetë përkrah profetit në xhenet.
Ashtu pra, gjithmonë duke i mësuar njerëzit se ajo që po bëjnë nuk është e drejtë dhe se Zoti dëshironte për ta diçka më të mirë.
Prandaj, dhe në shoqërinë tonë, një fjalë e ngrohtë e një këshillë e sinqertë, që i thuhet njerëzve me probleme sociale, do ketë ndikim për mirë, shumë më tepër sesa kronika e zezë që mbush mediat tona nga mëngjesi deri në mbrëmje, por që mesa duket ka efekt nxitës dhe jo parandalues…
3- Sado e vogël qoftë, e mira shpërblehet
Është gjë e bukur kur të mundëson Zotin të bësh një të mirë, por është dhe më bukur kur me këtë të mirë ke zgjidhur hallin e dikujt tjetër…Kështu ke kënaqur Zotin dhe ke lehtësuar njeriun…
Për këto lloj të mirash, na ka nxitur shumë Profeti a.s, për të mirat që zgjidhin një hall, që shuajnë një konflikt, që pajtojnë dy njerëz, që ruajnë një familje, që sjellin një model të mirë në shoqërinë njerëzore…
A nuk ka thënë Profeti a.s se nga punët e mira është gëzimi që fut në një familje nevojtarësh. A nuk ka thënë se aq sa fije floku ledhaton kur prek kokën e jetimit, aq të mira do të marrësh. A nuk ka thënë se vetë ai, më shumë do dëshironte ti zgjidhte hallin dikujt, sesa të bënte i’tikaf një muaj në xhaminë e tij ku një namaz shpërblehet me 1000. A nuk ka thënë ai se feja është këshillë, se Zoti e sheh me mëshirë atë njeri që ulet dhe heq një mbeturinë nga rruga dhe se buzëqeshja në fytyrën e dikujt është sadekaja vetë…
Abdullah ibn Mubarek ishte dijetar dhe pasanik i madh…Çdo dy vjet ai dhe shoqëruesit e tij shkonin për haxh…Në një prej udhëtimeve drejt shtëpisë Zotit, kur kishte bërë nijetin e haxhit, kur kishte përgatitur mirë karvanin, kur kishte kaluar një distancë të madhe nga rruga, sytë i zunë një grua që kishte mbështjellë nën sqetull një pulë të ngordhur…Ibn Mubarek ndaloi dhe e pyeti gruan pse po e bënte diçka të tillë, e ajo iu përgjigj se fëmijët e saj me kohë e kishin harruar aromën e mishit të zier në shtëpi…Dijetari, që njihte drejt qëllimet madhore të fesë dhe e kuptonte se kur e mira kishte më shumë vlera, pa hezituar urdhëroi shërbëtorët që të mbajnë aq para sa për tu kthyer në shtëpi e të gjithë pjesën tjetër t’ia jepnin asaj gruaje…Pastaj, ai ngriti duart drejt qiellit dhe u lut: “O Zot! Pranoje prej robit Tënd haxhin e këtij viti”.
Nëse në shoqërinë tonë shqiptare, do implementohej më fort dëshira për të bërë mirë, kontributi social, përpjekja për të zgjidhur një hall dhe për të mbyllur një plagë, gjendja jonë me siguri do ndryshonte për mirë, sepse e mira ka bereqetin e vet dhe Zoti e shumëfishon mundin që bën njeriu edhe sikur të jetë modest… Përndryshe, nëse shoqëria vazhdon të mbetet egoiste dhe cinike në shqetësimet e saj, nëse teologët e liderët shpirtërorë dhe institucionet tona nuk kanë shqetësime dhe projekte konkrete për të përhapur frymën dhe kulturën e “të bërit mirë”, mendoj se pasojat do të jenë të rënda për të gjithë ne, ashtu siç dhe mbytja e anijes rrezikon të gjithë pasagjerët e saj, se në fakt shoqëria njerëzore është një anije e madhe…
4- Nevoja për alternativë
Njeriu është i tillë që, nëse nuk angazhohet me punë të mira, do angazhohet me të këqija, zemra e njeriut është si ena që nëse nuk mbushet me vlera, vetvetiu do mbushet me antivlera e bosh asnjëherë nuk mbetet…
Për këtë arsye, filozofia që ka përdorur Kur’ani famëlartë dhe metodologjia profetike, ka qenë mosmjaftimi me ndalesa, por sjellja gjithmonë e një alternative më të hajrit nga ajo që është ndaluar.
Kur Zoti ndaloi alkoolin, e bëri këtë gjë gradë-gradë dhe me butësi, kur Profeti a.s kritikoi ‘’lypjen’’ dhe shtrirjen e dorës, mori në dorë një sëpatë, pasi e kishte rregulluar vetë ai dhe ia dha lypësit që me të të punonte të paktën për dy javë rresht.
Kur ndaloi kamatën nxiti tregtinë, kur ndaloi imoralitetin nxiti për martesën, kur ndaloi racizmin urdhëroi për drejtësi të prekshme sociale e kështu me radhë…
Njerëzit, shpesh e konstatojnë të mirën edhe vetë, por janë të dobët për ta pranuar, shpesh e konstatojnë të keqen edhe vetë, por janë të dobët për ta braktisur…Atij që është duke u mbytur nuk i mjafton vetëm qortimi se pse hyri në ujë kur s’dinte të notonte, por i duhet një dorë që e tërheq dhe e shpëton nga rreziku…Mendoj se kjo është filozofia kuranore dhe profetike dhe kjo duhet të jetë metodika që duhet të përdorim në trajtimin e problemeve tona sociale…
…E në fund, po e mbyll me duanë e sinqertë që Zoti të na ndihmojë të gjithëve, të jemi çelës për të mirën dhe kyç për të keqen, të dobishëm gjithmonë për krijesat e Tij, zgjidhës për halle dhe lehtësues për dhimbje…
Amin
Ju faleminderit…