A ka tentuar i Dërguari i Allahut (a.s) të bëjë vetëvrasje?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Një ndër akuzat që oreintalistët hedhin kundrejt figurës së Profetit (a.s) është se ai (a.s) ka tentuar të vrasë veten në kohën kur i është ndërprerë shpallja. Dhe për këtë ata bazohen tek hadithi i cili është përmendur tek  libri i Buhariut. Nëpërmjet kësaj akuze ata duan të vërtetojnë se përderisa ai (a.s) ka tentuar për të vrarë veten – gjë që është e pamundur t’i ndodhë një profeti – atëherë ai (a.s) nuk është profet. Po a qëndron vallë një akuzë e tillë?

Buhariu thotë: Na ka treguar Jahja ibn Bukejri, i cili ka thënë: na ka treguar Lejthi, i cili transmeton nga Ukajli, ndërsa ky transmeton nga Ibn Shihab Zuhriu….

Buhariu thotë në një varg tjetër: Më ka treguar Abdullah ibn Muhamedi, i cili ka thënë: më ka treguar Abdurrazaku, i cili ka thënë: më ka treguar Mameri, i cili ka thënë: Zuhriu thotë: Më ka treguar Urve, i cili transmeton, se Aishja (r.a) ka thënë: “…….të Dërguarit të Allahut (a.s) iu ndërpre shpallja për një kohë, gjë që e pikëlloi”. Nga informacionet që na kanë ardhur, na bëhet e ditur se ai (a.s) ka tentuar që të hidhej nga majat e larta të maleve për këtë shkak (për ndërprerjen e shpalljes), mirëpo sapo arrinte atje, i shfaqej Xhibrili (a.s), i cili i thoshte: “O Muhamed! Ti me të vërtetë je I Dërguari i Allahut. Këto fjalë e qetësonin, por sapo kalonte një periudhë kohore, përsëri bënte të njëjtën gjë, e kur sërish arrinte në majë të malit, i shfaqej përsëri Xhibrili (a.s) dhe i thoshte të njëjtat fjalë”

Këtë tekst e transmeton Buhariu (6982) me dy vargje. Ky transmetim nuk është hadith, por fjalë e Zuhriut, njërit prej transmetuesve, i cili thotë: “Nga informacionet që na kanë ardhur…”. Lind pyetja: “Cilët janë ata që ia kanë siguruar Zuhriut këtë informacion? Nuk ka asnjë transmetim tjetër, që të vërtetojë burimin e informacioneve që ka pasur Zuhriu, rrjedhimisht kjo shtesë në hadith është e papranueshme.

Vetë Buhariu në sahihun e tij e ka përmendur hadithin në disa vende të librit (3, 3392, 4953, 4955, 4956, 4957), por asnjëherë nuk përmendet shtesa e Zuhriut. Muslimi e transmeton hadithin (160, 161) në Sahihun e tij, po me gjashtë vargje të ndryshme, ku dy janë identikë me vargun e hadithit të Buhariut (6982) dhe nuk gjendet shtesa e mësipërme. Zuhriu konsiderohet nga tabi`inët e vegjël dhe mes tij dhe të Dërguarit të Allahut (a.s) ka një shkëputje prej dy brezash. Rrjedhimisht shtesa në hadithin e Buhariut (69820) është mursel dhe hadithi mursel bën pjesë në kategorinë e hadithit të dobët.

Imam Dhehebiu thotë: “Jahja ibn Said Katani ka thënë: “Hadithet mursel të transmetuara nga Zuhriu janë më të këqijat se të kujtdo tjetër, pasi Zuhriu është hafiz i madh dhe ka mundësi të përmendë emrat e transmetuesve, mirëpo ai nuk e ka bërë këtë pasi nuk dëshiron t`i përmendë transmetuesit e dobët”. Shafiu thotë: “Hadithet mursel të Zuhriut janë të pavlera”. Them (Dhehebiu): “Hadithet mursel të Zuhriut janë mudal (me dy transmetues njëri pas tjetri të munguar në vargun e transmetimit), pasi nga vargu mund të jenë hequr dy transmetues. Nuk është e vlefshme të themi, se Zuhriu ka eleminuar vetëm sahabiun nga vargu, pasi nëse ai do ta kishte dëgjuar këtë gjë nga sahabiu, do t`ia përmendte emrin”

Kjo nuk do të thotë, se Zuhriu nuk është i besueshëm në hadith, mirëpo siç dihet, hadithi nuk pranohet kur mungon vargu i tij, pavarësisht se kush është transmetuesi.

Transmetimi mursel i Zuhriut është në kundërshtim me parimin madhor të Islamit “ruajtja e jetës njerëzore”, është në kundërshtim me parimin e “Fitras – natyrës së panjollosur njerëzore”, ashtu siç është në kundërshtim edhe me parimin e “Ismes – të pagabueshmërisë së profetëve”. Gjithashtu, dihet se idhujtarët tregoheshin tepër të kujdesshëm, që të gjenin qoftë edhe diçka sado të vogël për të hedhur baltë dhe për të akuzuar të Dërguarin e Allahut (a.s), mirëpo nuk ekziston asnjë fakt historik, që ata ta kenë akuzuar të Dërguarin e Allahut (a.s) për tentativë vetëvrasje. Eshtë e vërtetë, se Dërguari i Allahut (a.s) ka pasur shqetësime, ka qenë i frikësuar në kohën e ndërprerjes së shpalljes, por kurrë nuk ka menduar dhe as ka tentuar të vrasë veten e tij (a.s). Kadi Ijad thotë: “Profetët dhe të dërguarit janë urat lidhëse mes Allahut dhe krijesave të Tij, komunikojnë urdhëresat dhe ndalesat e Tij, premtimin dhe paralajmërimin e Tij, u mësojnë njerëzve disa prej çështjeve dhe u tregojnë atë që Ai ka krijuar, u tregojnë njerëzve madhështinë dhe pushtetin e Tij, forcën dhe mbretërinë e Tij. Pamja e profetëve dhe konstrukti i trupit të tyre ka cilësi njerëzore, profetët preken nga faktorët e jashtëm, sëmundjet dhe vdekja. Shpirtërat dhe zemrat e profetëve janë të ruajtuara nga ndryshimi dhe sëmundjet psikologjike”

Autor: Rushit Musallari

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *