A mendon se është vetëm një Xhenet?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Profeti (a.s) i thirri myslimanët për të dalë në betejën e Bedrit. Pas përfundimit të betejës, kur Profeti (a.s) dhe ushtria u kthyen në Medinë, banorët e saj dolën për t’i pritur. Njerëzit u mblodhën përreth ushtrisë, e mes tyre kishte edhe gra.

Në atë turmë ndodhej një plakë e ve. Zemra i digjej nga malli e pritja, duke shpresuar të shihte të birin, Harithen, të kthehej nga beteja. Kur myslimanët hynë në qytet, fëmijët nisën të vrapojnë drejt baballarëve të tyre, gratë drejt burrave, e nënat plakë drejt bijve të tyre. Luftëtarët hynin një e nga një… i pari, i dyti, i treti, i dhjeti, i njëqinti… por Harithe ibn Sereka nuk po dukej gjëkundi.

Nëna e tij qëndronte nën diellin përvëlues, syhapur, e shpresëplotë. Numëronte ditët dhe orët e mungesës së të birit, pyeste për të çdo udhëtar, çdo luftëtar që kthehej. Sa lot kishte derdhur e sa net pa gjumë kishte kaluar! Sytë i ishin tharë nga lotët, dhembja e saj nuk mund të fshihej më. Në mes të turmës kërkonte me ngulm fytyrën e dashur të djalit të saj. Dhe sa herë që dhimbja e malli bëheshin të padurueshme, ajo ndjente sikur ai ishte aty pranë, edhe pse nuk e shihte. Sa e rëndë është ndarja për nënën që dashuron, dhe sa e papërballueshme dhimbja që ia përvëlon zemrën!

E dërrmuar nga pritja, nëna e Harithes shkoi te Profeti (a.s). Ishte një grua e moshuar, që e kishte lodhur mosha dhe lotët. Me zemër të lënduar iu afrua Profetit (a.s), e dridhur nga emocionet. Donte vetëm një gjë; ta përqafonte birin e saj, ta ndiente aromën e tij edhe vetëm për një çast, edhe sikur kjo t’i kushtonte jetën. Gjuha nuk i fliste dot, zëri i ishte ngjitur në fyt e trupi i dobësuar nga malli.

E copëtuar nga dhimbja dhe pasiguria për fatin e Harithes,  e pyeti Profetin me një zë të dridhur: “O i Dërguari i Allahut, më trego: nëse Harithe është në Xhenet, do ta përballoj me durim humbjen e tij. Por nëse jo… do të shoh ç’të bëj!”

Kjo tregon dashurinë e saj të thellë, por edhe forcën shpirtërore që i jepte besimi. Ajo nuk kërkonte pasuri, as lavdi, por vetëm të sigurohej për fatin e birit në botën tjetër.

Profeti (a.s), i prekur nga besimi dhe dhembja e saj, iu përgjigj me fjalë që e qetësuan përgjithmonë:

“A je çmendur, o nëna e Harithes? A mendon se është vetëm një Xhenet? Harithe është në Xhenetin e Firdeusit!”

Fjalët e Profetit (a.s) treguan se Harithe jo vetëm që ishte në Xhenet, por në gradën më të lartë të tij – Firdeus, vendi më i lartë në parajsë.

Nëna e Harithes, e lehtësuar dhe e mbushur me gëzim shpirtëror, tha: “Allahu është më i Madh!”

Ajo u kthye në shtëpi, pa kërkuar asgjë tjetër nga kjo botë; as pasuri, as lavdi, por e kënaqur dhe krenare që biri i saj ishte në vendin më të lartë të Xhenetit.

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *