Pyetje: Cila është dispozita fetare e aktit të celebrimit nëpërmjet videos sipas legjislacionit Islam?
Përgjigja: Martesa, sipas Islamit, është nevojë dhe adhurim, dhe si rrjedhojë Islami nxit që njerëzit të martohen. Nëpërmjet martesës, njeriu plotëson gjysmën e fesë, ashtu sikur citohet në një hadith të Dërguarit të Allahut (a.s), në të cilin thuhet: “Atë (njeri) të cilin Allahu e furnizon me grua të mirë e ka ndihmuar të plotësojë gjysmën e fesë dhe le të jetë ai devotshëm ndaj Allahut në gjysmën tjetër.”[1] Martesa i forcon tullat me të cilat ndërtohet shoqëria njerëzore. Legjislacioni Islam ka përcaktuar rregulla dhe dispozita fetare në lidhje me martesën, të cilat duhet të përmbushen, në mënyrë të atillë që martesa të vlejë. Këto rregulla e dispozita fetare janë cekur në librat e Jurisprudencës islame (Fikhut), kështu që nuk është e nevojshme që t’i përmendim këtu.
Duke qenë se pandemia Kovid 19, përfshiu të gjithë botën, dhe i detyroi njerëzit të qëndronin brenda në shtëpitë e tyre, me urdhër të autoriteteve shtetërore, me qëllim që të zbatohen vendimet e institucioneve kompetente për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, madje edhe të jetës së tyre, dhe duke qenë se grumbullimi i njerëzve për ceremoninë martesore paraqet vështirësi dhe dëm potencial, themi se lejohet akti i celebrimit nëpërmjet videos, si një mundësi bashkëkohore komunikimi, e cila ia mundëson njerëzve të shikojnë njëri-tjetrin në raste të këtilla. Personi i cili është ngarkuar për të bërë aktin e celebrimit duhet të interesohet rreth faktit se rregullat dhe kushtet e martesës duhet të plotësohen, si dhe ligjet e vendit mos ta ndalojnë një ceremoni të tillë. Po ashtu, konfirmojmë se është e domosdoshme që akti i celebrimit të regjistrohet në organet përkatëse të shtetit me qëllim që të ruhen të drejtat e palëve.
Fetvadhënësi: Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime
[1] – Tabaraniu dhe Hakimi.