Përsosmërinë nuk e gëzon askush tjetër veç Allahut të Madhëruar, ndaj gjithçka tjetër përveç Zotit duhet parë si krijesë dhe si sebep, sado i madh që të jetë. Besimtari në momentin që i lidh gjërat me Zotin, i jep vlerë vetes akoma dhe më tepër. Prandaj dhe ne themi kaq herë në ditë “Allahu Ekber” sepse ky pohim duhet reflektuar në jetën e përditshme. Përse ka stabilitet dhe qëndrueshmëri vëllazëria islame? Përse vetëm ndër muslimanë mund të ketë vëllazëri të vërtetë edhe pse në aktualitetin tonë kjo vlerë është mjaftueshëm e rrezikuar? Por me lejen e Allahut ka për t’i rezistuar sepse është e lidhur me Zotin.
Përse ka rezistencë vëllazëria ndër muslimanë? Sepse është e lidhur me të Përjetshmin. Përse ka hakikatllëk (vërtetësi) vëllazëria mes muslimanëve dhe vetëm mes muslimanëve mund të jetë e tillë? Sepse është e lidhur me Atë që është Hak, që është i vërtetë. Përse vëllazëria mes muslimanëve karakterizohet nga solidariteti? Sepse është e lidhur me Atë që është Bujar i pafund, Fisnik i pafund. Pra ky tekbir që ne kemi bërë gjatë këtyre ditëve është gjë e madhe.
Vazhdimisht pas namazeve, por edhe nëpër rrugë dhe në punë, na është kërkuar të themi “Allahu Ekber! Allahu Ekber!”, sepse kemi të bëjmë me një koncept universal dhe absolut. Sa më i madh të jetë Zoti në zemrat tona, aq më e madhe ka për të qenë e vërteta në zemrat tona dhe aq më shumë kemi për të pasur mundësi për ta reflektuar në jetën e përditshme dhe sa më i vogël të jetë Zoti në zemrat tona, pra madhështia e Tij, aq më e vogël do të jetë sipërfaqja e madhështisë së tij në zemrat tona dhe sakaq aq më i vogël ka për të qenë reflektimi në jetën e përditshme.
Katër ditë rresht pa ndalur me “Allahu Ekber” duke përcjellë një tjetër mesazh të rëndësishëm. Përderisa muslimanëve u kërkohet të thonë vazhdimisht “Allahu Ekber” kudo që janë, kërkohet që këtë fjalë madhështore ta reflektojmë në jetën tonë kudo që jemi Në mendimet tona, në sjelljet tona, në ndjenjat tona, në moralet tona, në edukatën tonë, në marrëdhëniet tona dhe në respektin tonë.
Vetëm atu ku thuhet “Allahu Ekber” gjithçka tjetër merr vendin e vet sepse sot, në këtë civilizim, ne jetojmë në shkartisjen e pozicionit të gjërave ku çështja tretësore apo katërsore është bërë parësore dhe çështja parësore është bërë dhjetësore. Kjo për arsye se “Allahu Ekber” në jetën e njerëzve nuk ka atë sipërfaqe që meriton, ashtu edhe këto prioritete dhe këto lloj sjelljesh që përmenda pak më sipër. Prioritetin e tyre mund ta ruajnë vetëm ata që thonë “Allahu Ekber” dhe ata që “Allahu Ekber-in” e kanë në zemrën e tyre, në mendjen e tyre dhe në gjuhët e tyre.
Po përse duhet thënë kaq shumë “Allahu Ekber” ndërkohë që “Allahu Ekber-in” e kemi në zemër? Sepse sa më shumë robi thotë “Allahu Ekber” dhe sa më shumë e përmend robi Zotin me gjuhën e tij, aq më shumë zgjohet zemra e tij. Dhe ky është roli kryesor i dhikrit.
Çfarë roli ka dhikri? Roli i parë i dhikrit është ta largojë pluhurin e harresës dhe të pavëmendjes nga zemra dhe roli i dytë është të ujitë këto vlera të mëdha imanore dhe besimore në zemrën e njeriut, që të lëshojë rrënjë dhe të nxjerrë filiza, të bëhen pemë dhe të japin fruta në jetën e përditshme dhe në gjithçka. Në fjalë, në të parë, në të dëgjuar, në të komunikuar, në moral, në etikë, në marrëdhënie me njëri-tjetrin, në të gjitha dimensionet.
Sot jetojmë në kohën kur në shumë raste mungon stabiliteti në fetarizëm. Sot e sheh mirë dhe nesër e sheh keq, sot e sheh në kulmin e përkushtimit fetar dhe nesër e sheh ndryshe, sot të jep moral sesi duhet të bësh mirë dhe nesër e sheh komplet të kundërt në aspektin e sjelljes dhe modelit. Për arsye se jeta sot është kaq intensive dhe dinamike saqë ia shkëput vëmendjen njeriut komplet nga Zoti. Faktikisht arsyeja reale është e kundërta. Arsyeja është për shkak se angazhimi me Zotin nuk është aty ku duhet. Kjo dynja intensive ia shkëput vëmendjen njeriut dhe ia transferon diku tjetër. Sepse kjo thirrje “Allahu Ekber” është e përjetshme dhe efektin e vet e jep në çdolloj situate dhe në çdolloj kohe, sado intensive të jetë dynjaja dhe sado e egër të jetë ajo. Mirëpo njeriu duhet ta ketë vëmendjen te Zoti.
“O ju që keni besuar, kur të bëhet ezani ditën e xhuma lëreni shitblerjen tuaj dhe drejtohuni te dhikri i Zotit dhe kur të mbarojë namazi përhapuni nëpër tokë”([1]), domethënë kacafytuni përsëri me dynjanë “Dhe kërkoni nga risku i Zotit, por kujtojeni përsëri shumë Allahun” ([2]), gjatë punës tuaj, gjatë angazhimit tuaj, gjatë ditës tuaj. Pse? “Që të shpëtoheni”([3]) Domethënë e vetmja mënyrë që njeriu të shpëtojë nga kuçedra e madhe e dynjasë, e cila bëhet kuçedër në momentin që njeriu nuk jeton me Zotin, dhe nga kthetrat e saj, është që njeriu të jetojë vazhdimisht me Zotin e gjithësisë, pra thirrjen “Allahu Ekber” ta ketë të vazhdueshme dhe të pandashme.
Prandaj në këto katër ditë ne bëjmë një trajnim të madh i cili ka të bëjë me të jetuarit në mënyrë intensive me “Allahu Ekber.” Sepse vetëm nëpërmjet kësaj “Allahu Ekber” njeriu është në gjendje për t’i vendosur gjërat në listë sipas prioriteteve. Me “Allahu Ekber” njeriu është në gjendje të rregullojë dobësinë e nefsit të vet, dhe sa e rrezikshme është dobësia e nefsit.“Betohem në nefsin dhe në Atë që e ka përkryer atë.”
Këtij nefsi Allahu i ka inspiruar tejkalimin e kufijve dhe devotshmërinë. “Është i shpëtuar ai i cili e ka pastruar këtë nefs”([4]), domethënë e ka vendosur në ekuilibër nëpërmjet “Allahu Ekber”, “Dhe është i humbur ai i cili e ka ndotur këtë nefs”([5]), nëpërmjet harrimit të Allahut të Madhëruar, Zotit të gjithësisë. “Allahu Ekber! Allahu Ekber! La ilahe il-lallah!” pra Allahu i Madhëruar është i vetmi. Kur vjen kjo fjalë? Pas “Allahu Ekber”. Sa më e madhe të jetë fjala “Allahu Ekber” në zemrat tona aq më e madhe kultivohet bindja se Allahu i Madhëruar është i vetmi që meriton të adhurohet.
Një nga problemet që ka sot kultivimi i besimit ndër breza në lidhje me Allahun e Madhëruar është se ua mësojmë fëmijëve tanë Allahun me formula. Nuk mësohet Allahu me formula. Ajo që bën dobi është të lidhësh veten dhe brezin e ri drejtpërdrejt me Allahun nëpërmjet “Allahu Ekber.”
Si nëpërmjet “Allahu Ekber?” “Allahu Ekber” të reflektuar në gjithçka; në gjethen e pemës, në bulëzat e mjegullës, në bulëzat e ujit dhe të shiut që bie nga qielli, në këto fjalë që nxjerrim nga goja, në këto male dhe fusha, lumenj dhe dete, në këto kreshta malesh, në këto re, në këto planete, në këtë diell, në këto yje dhe në këtë hënë. Gjithçka reflekton “Allahu Ekber” si një metodë madhështore kuranore e cila për fat të keq në aktualitetin tonë nga shumëkush është harruar.
“O ti që u ke dalë njerëzve për Zot për t’i mësuar fenë e Allahut të Madhëruar dhe ti besimtar që të ka lindur një fije dëshire për t’i mësuar njerëzve Allahun dhe për t’i lidhur me Të, mos i ço larg njerëzit, sepse njerëzit me të kuptuar fenë e Allahut e kanë shumë kollaj dhe Allahun e kanë shumë afër. Thjesht bëji të meditojnë te syri me të cilin shikojnë, te veshi me të cilin dëgjojnë, te gjuha me të cilën flasin, te dora me të cilën prekin, te këmba me të cilën ecin, te barku të cilin e mbushin vazhdimisht me riskun e Allahut të Madhëruar, te këto mushkëri që pompojnë vazhdimisht dhe te kjo zemër e cila rreh përditë!
Këtu është Allahu i Madhëruar dhe këtu është “Allahu Ekber” e për rrjedhojë sa më shumë kultivohet te njeriu “Allahu Ekber” aq më natyrshëm do shkojë te Zoti duke e adhuruar dhe në momentin që shikojmë dobësi në përkushtimin fetar te vetja jonë, menjëherë do kthehemi te “Allahu Ekber” që të rikultivojmë dhe rizgjojmë edhe njëherë bindjen tonë se Allahu i Madhëruar është më i Madhërueshmi dhe askërkush tjetër veç Tij. Dhe në fund “Allahu Ekber! Allahu Ekber! Ue Lilahil Hamd!” pra Allahu i Madhëruar është Ai i cili e meriton falënderimin dhe Atij i takon falënderimi absolut.
Pse? Sepse Allahu i Madhëruar është më i madhi, sepse Allahu i Madhëruar ka në dorë gjithçka, sepse Allahu i Madhëruar ka krijuar gjithçka, sepse asgjë nuk mund të funksionojë pa lejen e Zotit, pa urdhrin dhe mbikëqyrjen e Tij.
Duhet t’ia kemi frikën atyre momenteve kur na ndodh ndonjë ngjarje në jetën tonë apo jashtë nesh, në vendin tonë apo jashtë nesh, ngjarje të cilat ne mendojmë se ndodhin jashtë vëmendjes së Allahut të Madhëruar dhe për rrjedhojë do shikojmë që edhe analiza e tyre do jetë larg Zotit. Por a ka gjë në dynja që mund të ndodhë larg Zotit?
Jo më kot Allahu Madhëruar thotë në Kur’an: “Betohem në agimin dhe në dhjetë netët”([6]), pastaj na jep Allahu i Madhëruar modelin e popullit të Iremit me gradaçelat e larta, popullin e Themudit me qytete nëpër shkëmbinj, popullin e faraonit që kishte ndërtuar piramida të mëdha dhe në fund çfarë thotë Allahu i Madhëruar? “Allahu i pati në mbikëqyrje të plotë”([7]), dhe gjithçka e ka në mbikëqyrje të plotë, dhe me të vërtetë njeriu nuk fillon t’i bëjë zullum vetes, por edhe të tjerëve, vetëm se në momentin kur harron se Allahu i Madhëruar ka në mbikëqyrje gjithçka. Dhe në ato momente kur e bën atë veprim harron se Allahu i Madhëruar e ka nën mbikëqyrjen e Tij, shikimin e Tij, dëgjimin e Tij, vëmendjen e Tij. Prandaj na duhet shumë kjo “Allahu Ekber” dhe prandaj katër ditë rresht, në mënyrë intensive veç namazeve tona, në çdo lëvizje tonën duhet thënë “Allahu Ekber.”
Ky është kuptimi universal dhe në momentin që kjo fjalë zuri vend në zemrat e muslimanëve, ata nuk patën frikë as bizantinët, as romakët as aziatikët as afrikanët. Sepse “Allahu Ekber” ua kultivoi frikën ndaj Tij dhe vetëm ndaj Tij dhe njëkohësisht respektin ndaj të mirës në faqe të dheut dhe urrejtjen ndaj të keqes, respektin ndaj të mirit dhe kryelartësinë ndaj arrogantit.
Prandaj ai brez që edukoi pejgamberi a.s me “Allahu Ekber”, iu shkul frika nga zemra, nga gjithçka tjetër veç Zotit të Gjithësisë dhe në momente të caktuara mund të çuditemi kur dëgjojmë të thuhet se myslimani nuk ka frikë. Si nuk ka frikë myslimani?! Në momentin që në zemrën e muslimanit lëshon rrënjë “Allahu Ekber” mu aty frika në zemrën e muslimanit vdes, përveç frikës prej Allahut të Madhëruar, Zotit të gjithësisë.
Por çfarë do të thotë të kesh frikë? A ka kuptim frika në zemrën e muslimanit? Frika në zemrën e muslimanit nuk ka kuptim sepse në momentin që zemra pushtohet nga fjala “Allahu Ekber” dhe gjithë skajet e saj mbushen me këtë fjalë, me madhështinë e Allahut të Madhëruar, atëherë në zemër nuk ka ngelur vend për askënd.
Njeriu shpëton dhe çlirohet nga frika e fukarallëkut, nga frika e dynjasë, nga frika e ligësisë, nga frika e komploteve, nga frika e pushtetit, nga frika e armikut, nga frika e hipokritit, nga frika e zullumqarëve, atyre që janë mësuar të derdhin gjakun e njerëzve dhe atyre që janë mësuar të plaçkitin pasuritë e njerëzve, kjo lloj frike merr fund. Pse? Sepse pas “Allahu Ekber” zemrën e muslimanit e mbush devocioni ndaj Allahut të Madhëruar dhe vetëm frika ndaj Tij. Prandaj “Allahu Ekber” ka shumë rëndësi për ne dhe kur të futemi në namaz dhe të themi “Allahu Ekber”, le ta themi me vëmendje dhe do shikojmë që kjo gjë ka për të mbushur zemrën tonë, mushkëritë tona, kraharorin tonë dhe të gjitha skajet dhe cepat e qelizave tona, dhe në momentin që do ta përjetojmë kështu këtë fjalë, “Allahu Ekber”, do të kuptojmë dhe do të ndjejmë se më i Madhërishmi është Allahu i Madhëruar.
Imam – hatib: Sabaudin Jashari
([1]) – Kurani: Xhumua, ajeti: 9-10.
([2]) – Kurani: Xhumua, ajeti: 10.
([3]) – Kurani: Xhumua, ajeti: 10.
([4]) – Kurani: Shems, ajeti: 9.
([5]) – Kurani: Shems, ajeti: 10.